Klientët e qeverisë, përfituesit e faljes së borxheve

724
Tatimet njoftojnë se 5.1 miliardë lekë janë fshirë nga detyrimet. Kompanitë e njerëzve të pushtetit, shpëtojnë nga falimenti, duke rregulluar llogaritë në dëm të shtetit 
Klientët ekonomikë dhe jo vetëm të qeverisë “Rama” mbeten më të preferuarit për të marrë edhe favoret fiskale që po i bëhen biznesit. Administrata tatimore njoftoi se, po vijon me zbatimin e ligjit të faljes “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”. Gjatë kësaj periudhe janë fshirë detyrime tatimore për 7,562 tatimpagues, me vlerë 5.1 miliardë lekë dhe janë kompensuar 481 milionë lekë tepricë kreditore. Në proces është fshirja e detyrimeve tatimore për mbi 25,000 tatimpagues. Tatimorët njoftuan se tatimpaguesit që përfitojnë nga ky ligj njoftohen elektronikisht nëpërmjet postës së tyre elektronike. Administrata tatimore ftoi tatimpaguesit të përfitojnë nga falja me kusht, duke paguar principalin për detyrimet e prapambetura. Burime nga Ministria e Financave thanë për “Telegraf” se disa nga kompani që iu kanë zbrazur detyrimet ndaj shtetit janë pikërisht më të preferuarit e ministrave. Nëpërmjet shfrytëzimit të hapësirave të ligjit dhe duke devijuar nga rregullat e parashikuara, disa sipërmarrës kanë mundur të shpëtojnë kompanitë e tyre, që kanë qenë në buzë të greminës. Duke evituar pagimin e detyrimeve fiskale, të mbartura edhe ndër vite, sipërmarrësit pranë qeverisë ia kanë dalë të nxjerrin veten në sipërfaqe. Gjithçka ka shkuar në dëm të buxhetit të shtetit dhe interesit publik, duke rritur faturën që do të paguajnë qytetarët. Tashmë buxheti do të ketë të pambushura gropat e krijuara ndër vite prej kompanive që rrinë pranë pushtetarëve dhe evitojnë të paguajnë detyrimet. Por akumulimi i pagesave ndaj tatimeve nuk u ka sjellë asnjë të keqe këtyre kompanive. Ato kanë mbledhur e mbledhur borxhe, derisa një ditë shteti u ka falur gjithçka. Ndërsa duhej të shkonin në rrugën e falimentit, kompanitë e njerëzve “të ngjitur” pranë pushtetit tashmë kanë rregulluar llogaritë dhe faturat prej miliona eurosh ia kanë lënë “në derë” shtetit. Fatura me të cilat duhej të ishte mbushur buxheti i varfër i shtetit shqiptar dhe që tashmë do t’u ndahen qytetarëve për të paguar më shumë taksa. 
Disa muaj më parë, tatimet njoftuan për një listë me 35 kompani të mëdha që rrezikonin falimentimin. Por asgjë nuk ndodhi. Një pjesë e mirë e tyre, ndonëse të zhytura në kredi dhe detyrime ndaj shtetit, nuk paguan asnjë qindarkë. Në ndryshim nga mijëra e mijëra biznese që shlyejnë çdo muaj detyrimet ndaj tatimet, miqtë e qeveritarëve nuk e kanë këtë detyrim. Ata presin faljen dhe sigurisht arrijnë të shpëtojnë falë politikës. 
Sigal