KE: Në 2014 ekonomia shqiptare u rrit 1.8%, parashikimet ishin 2%

634
Sigal

BRUKSEL – Publikohet raporti i tremujorit të katërt të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për në BE, ku KE parashikon që ekonomia shqiptare të jetë rritur 1.8 % gjatë vitit 2014, rritje kjo më e ulët se parashikimi  prej 2 % i qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
 
Shqipëria pritet të ketë pasur rritjen më të ulët, në raport me vendet e tjera, përveç Serbisë, ekonomia e të cilës është reduktuar me 2% në 2014-n. Maqedonia vlerësohet të jetë rritur 3.9%, Mali i Zi me 2% dhe Turqia 2.8%.

Në raportin, që botohet çdo tre muaj, analizohen ekonomitë e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Turqisë dhe Islandës.

Për Shqipërinë, raporti vlerëson rithimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë me 3.3% me bazë vjetore, e udhëhequr nga tregtia e shërbimet, ndërtimi dhe më pak industria.

Sipas raportit, të dhënat, të mbështetura nga treguesit e tregtisë me pakicë, konfirmojnë se fuqizimi i konsumit privat vazhdon dhe ka një ndikim të ndjeshëm në përshpejtimin e rritjes.

Raporti vlerëson se pavarësisht se kredia është gjallëruar, niveli i huave me probleme (NPL) është rritur më tej. Në tremujorin e tretë, NPL-të përbënin 24.9 % të huave totale, në rritje nga 24.1 % në tremujorin e mëparshëm. Kjo sugjeron se procesi në vazhdim i kthimit të detyrimeve të prapambetura nuk ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe kërkohen më shumë përpjekje për të pastruar bilancet e bankave në një mënyrë të qëndrueshme.

Raporti vlerëson rritjen e të ardhurave buxhetore, me 12.6% me bazë vjetore për 11 mujorin, megjithëse 0.7% më pak se plani i rishikuar, por thekson se ulja e deficitit buxhetor ka ardhur më të shumti nga rënia e shpenzimeve për investime.