Ja si diskriminohen pensionistët, shëndetësia dhe arsimi

515
Sigal

Qeveria shqiptare shpenzon më pak fonde publike për pensione shëndetësi dhe arsim se çdo vend i BE-së

Shqipëria grumbullon dhe shpenzon më pak fonde publike në raport me PBB-në se sa vendet e Bashkimit Evropian. Diferenca e lartë e shpenzimeve publike ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-vihet re në të gjitha shpenzimet buxhetore sipas funksioneve. Diferenca më e lartë vihet re në shpenzimet për mbrojtjen sociale (si pensionet, ndihma ekonomike dhe ajo për nevojat e veçanta). Referuar të dhënave të Instituti Evropian të Statistikave, vendet e BE-së shpenzojnë për mbrojtjen sociale mesatarisht 18.8 % të PBB-së, ndërsa qeveria e Shqipërisë shpenzon 9.3 % të PBB-së, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Sipas Eurostat shpenzimet e larta sociale në raport me PBB në BE lidhen me plakjen e popullsisë. Në vitin 2017, shpenzimet e përgjithshme qeveritare në Bashkimin Evropian arritën në 45.8% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri ato ishin 29 % e PBB-së. Gjithashtu krahasuar me BE-në, Shqipëria shpenzon shumë pak për sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Në vitin 2017 sipas e Eurostat, shpenzimet mesatare në vendet e BE-së për arsimin ishin 4.6% e PBB-se, ndërsa në Shqipëri 3.1 % e PBB-së. Në BE shpenzimet për sektorin e shëndetësisë më 2017 ishin 7% e PBB-së, ndërsa në Shqipëri vetëm 3.9 % e PBB-së. Shqipëria shpenzoi në nivele të njëjta në përqindje të PBB-së me BE për sektorin e sigurisë publike me 1.7%. Pjesën më të madhe të shpenzimeve qeveritare ne BE e zënë mbrojtja sociale, arsimi dhe shëndetësia dhe mbrojtja e mjedisit. Greqia ka pjesën më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen sociale dhe Irlanda më të ulëtën. Mbrojtja sociale përfaqësonte pjesën më të rëndësishme të shpenzimeve të qeverisë së përgjithshme në vitin 2017 në të gjithë BE-në. Gjashtë shtete anëtare, Finlanda ,Franca, Danimarka, Italia, Austria dhe Suedia, shpenzojnë të paktën 20% PBB-së-së për mbrojtjen sociale, ndërsa Irlanda, Lituania, Malta, Letonia, Rumania, Çekia dhe Bullgaria kanë shpenzuar më pak se 13% të PBB-së për mbrojtjen sociale, ndërsa Shqipëria vetëm 9%. Vendet e BE-së shpenzojnë rreth 10% të PBB-së vetëm për pensionet. Ato përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve sociale në të gjitha Shtetet e Bashkimit Evropian.