Ekonomi/ Shit-blerjet e bankave, numri i punonjësve në sistem ulet me 180 në një vit

263

Riformatimi i sistemit bankar ka dhënë efekt dhe në numrin e punonjësve. Në fund të 6-mujorit të parë 2019, kishte gjithsej 6,688 të punësuar, me një rënie prej rreth 3%, ose 180 më pak, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndikimin më të madh në këtë tkurrje e kanë dhënë konsolidimi i Intesa me Veneto dhe i ABI Bank me Bankën Kombëtare të Greqisë, si dhe vijimi i reduktimit të stafit nga ProCredit, teksa kjo e fundit po kalon drejt një banke digjitale. 

ABI Bank e ka rritur me 155 numrin e punonjësve (në 399 gjithsej), ndërkohë që para shitjes, NBG kishte 273 të punësuar.

 

Intesa Sanpaolo Bank e shtoi stafin me 53 punonjës (643 gjithsej), teksa Veneto, në fund të qershorit 2018, kishte gjithsej 103 të punësuar.

ProCredit, brenda një viti, e ka shkurtuar personelin edhe me 54 punonjës. Banka pothuajse e ka reduktuar kontaktin direkt me klientët, si rrjedhojë e futjes së teknologjisë.

Në të kundërt, banka të tjera kanë qenë aktive në zgjerimin e stafit. FIBank, një bankë në zgjerim, e ka zgjeruar personelin me 23%, duke punësuar 38 persona në harkun kohor të një viti. Credins ka marrë në punë 32 të rinj dhe OTP, pas ndryshimit të pronësisë, ka shtuar personelin me 14 punonjës.

Në krahasim me 2016-n, kur u arrit dhe rekordi i personelit, në sistemin bankar ka 262 punonjës më pak.

Ulet edhe numri i degëve

Oreksi i bankave nuk duket i lartë as në drejtim të zgjerimit. Në fund të qershorit, sistemi kishte 452 degë, ose 28 më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me fundin e 2016-s, janë mbyllur në total gati 50 degë.

Gjatë procesit të konsolidimit, bankat kanë ruajtur vetëm një pjesë të degëve që i kanë vlerësuar si eficiente. Nga 26 degë që kishte Banka Kombëtare e Greqisë, blerësi ABI Bank ka mbajtur vetëm 9. Intesa San Paolo ka shtuar vetëm 2 degë, nga 9 që kishte Veneto.

ProCredit mbylli edhe dy degë gjatë periudhës qershor 2018-qershor 2019. Vetëm FIBanka ka hapur tre degë vitin e fundit, ndërsa tek të tjera, numri ka mbetur i pandryshuar.

Bankat po shohin me interes vetëm zonën e qendrës (kryesisht Tiranë – Durrës) dhe duket se kanë lënë mënjanë zonat e tjera, që kanë kërkesë të ulët për kredi dhe për më tepër, po zbrazen gradualisht, si rrjedhojë e migrimit të brendshëm ashtu dhe emigracionit jashtë vendit. Tirana dhe Durrësi janë qytetet e vetme, sipas INSTAT, që kanë shtesë neto pozitive të popullsisë.