Borxhet ndaj Albpetrol, përmbarimi sekuestron lejen koncesionare të ARMO-s

700
Sigal

Leja koncesionare e rafinerisë ARMO, e cila është dhënë me një VKM të veçante në vitin 2009 në momentin që është privatizuar, tashmë është sekuestruar për llogari të Albpetrolit nga shoqëria përmbarimore TDR. Sipas shpalljes zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, përmbaruesi ka njoftuar se, me datën 9 maj të këtij viti është vendosur sekuestro konservative mbi asetin “leje koncesioni”. Me datë 5 qershor, Ministria e Energjetikes ka njoftuar përmbaruesin se ka pranuar sekuestron mbi lejen koncesionare dhe tashmë shkresa ndodhet në zyrat e përmbaruesit. Kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Ablbetrol ka fituar një beteje gjyqësore me ARMO-n në vitin 2016 për një detyrim rreth 30 milionë euro. Për të arkëtuar shumën Albpetrol ka aktivizuar përmbarimin për të arkëtuar borxhet duke vënë sekuestro, të cilat së fundmi kanë përfshirë edhe licencën. Burimet nga Ministria e Energjetikes bëjnë me dije se tashmë licenca është e sekuestruar dhe disponohet nga përmbaruesi. Sipas VKM vlera e licencës është 50 milionë lekë dhe mund të shitet në ankand nga përmbaruesi dhe të ardhurat e saj t’i kalojnë Albpetrol. Të njëjtat burime në Ministrinë e Energjetikes bënë me dije se, blerësi i ri i licencës së ARMOS, nuk mund ta përdor atë pa miratimin e Ministrisë dhe Qeverisë shqiptare, e cila duhet të nxjerrë një VKM të re për transferimin e lejes. Sakaq përmbaruesi bën me dije në QKB, se sekuestro e licencës është kryer duke mbajtur një korrespondencë të rregullt me Ministrinë e Energjetikes, e cila me ligj disponon të regjistruar këtë aset në emër të debitorit. Përmbaruesi i drejtohet ARMO-s që të arrijnë një marrëveshje vullnetare për përcaktimin e vlerës së lejes tashmë të sekuestruar, e cila më pas sipas njoftimit në QKR do të shitet në ankand. Një ekspert i licencuar do të përcaktojë vlerën e lejes. (monitor.al)

Historia e komplikuar e ARMO

Në vitin 2008, rafineria e naftës ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi kompania offshore ITRC, që pas një viti aktivitet, u tërhoq në dhjetor 2017, duke lënë të paktën 35 milionë euro detyrime të papaguara, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Punëtorët protestuan për pagat e pamarra. Aktualisht, një tjetër kompani offshore, Byllis Energy është në negociata për të rifilluar aktivitetin e rafinerisë. Në total, detyrimi tatimor i krijuar në vite nga ARMO është rreth 260 milionë euro (pa llogaritur fshirjet e detyrimit të para vitit 2010 për shkak të amnistisë fiskale). Ndërsa bashkë me detyrimet e tjera, borxhi i ARMO i kalon 500 milionë euro, sipas vlerësimeve të mëparshme nga ish Ministria e Ekonomisë.