Borxhet e bizneseve u zgjeruan me 350 mln euro në vitin 2018

244

Borxhet e bizneseve u zgjeruan me 350 milionë euro në vitin 2018

Sektori i biznesit e shtoi edhe me tej borxhin gjatë vitit 2018. Banka e Shqipërisë raportoi se detyrimet totale të bizneseve vitin e kaluar arritën në 2,8 trilionë lekë me një zgjerim vjetor prej 45 miliardë lekësh ose 350 milionë euro. Sektori i  biznesit përllogaritet me një debi kaq të lartë, pasi kapitali i tyre llogaritet si borxh. Për rrjedhojë bizneset raportohet të kenë detyrime gati tre herë më të larta se kursimet. Krahas huave dhe letrave me vlerë të borxhit, detyrimet përfshijnë edhe aksionet e emetuara nga korporatat. Në fund të vitit 2018, biznesi ose korporatat jofinanciare zotërojnë rreth 1,028 miliardë lekë kursime, shifër e cila përbën rreth 19% të kursimeve totale në ekonominë e brendshme. Në masën 25% kursimet e korporatave jofinanciare janë në “monedha dhe depozitat”, ndjekur nga “aksione dhe kapital tjetër” 7% dhe “hua” 6.1%. “Sigurime dhe skemat e pensioneve” dhe “letrave me vlerë të borxhit” së bashku përbëjnë vetëm 3.9% të aktiveve financiare. Instrumenti “llogari të tjera të arkëtueshme” është vlerësuar në rreth 58.3% të totalit të aktiveve financiare të korporatave jofinanciare. Ky zë krahas kredive tregtare, regjistron edhe pretendime të tjera përkundrejt sektorëve të lidhur. Investimet e sektorit në “monedha dhe depozita” ranë me 20.4 miliardë lekë në nivelin 254 miliardë lekë në fund të 2018. Kjo rënie erdhi kryesisht për shkak të tkurrjes së depozitave jashtë vendit (në bankat jorezidente). Mjetet financiare në formën e “huasë” u zgjeruan me 5.4 miliardë lekë, duke arritur nivelin e 62 miliardë lekë: huadhënia brenda sektorit u zgjerua lehtësisht me 0.7 miliardë lekë ndërkohë që, huadhënia ndaj palëve të treta jashtë vendit u rrit me 4.7 miliardë lekë. Investimet në “aksione dhe kapital tjetër” u rritën me 3.6 miliardë lekë në nivelin 72 miliardë lekë. Rritja i atribuohet kryesisht rritjes së kapitalit.