“Atllas” evazion fiskal me akcizën e alkoolit, dëmi 118 mln lekë

817
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se subjekti “Atllas” sh.p.k, me status të “magazinës fiskale”, ka asgjësuar në kundërshtim flagrant me ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” 1850 ton melasë (lëndë e parë për prodhimin e alkoolit) pa praninë dhe kontrollin e autoriteteve doganore. Drejtoria e Doganave publikoi dje pasdite në faqen e saj, shkelje në fushën e zbatimit të ligjit 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”. Në faqen zyrtare të doganës, bëhet e ditur se, Subjekti “Atllas” sh.p.k, me status të “magazinës fiskale”, ka asgjësuar në kundërshtim flagrant me Ligjin 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe me VKM 612, date 05.09.2012 për dispozitat zbatuese të këtij ligji, 1850 ton melase (lëndë e parë për prodhimin e alkoolit) pa praninë dhe kontrollin e autoriteteve doganore. Njoftohet se për këtë veprim të kundraligjshëm është marrë vendimi për pagesën 101.182.500 si detyrim akcize i munguar si dhe penaliteti përkatës. “Gjithashtu, me datë 09.10.2013, gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e specializuara në fushën e akcizës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në magazinën fiskale të subjektit “Atllas” sh.p.k. u gjetën diferenca të theksuara midis deklarimit të subjektit dhe mallit fakt. Ndër të tjera, rezultoi se mbi 9300 litra alkool anhider janë hedhur për konsum në mënyrë të paligjshme duke shmangur detyrimin e akcizës në shumën 4.204.350 lekë Për këtë shkelje të dytë subjekti është penalizuar në shumën 16.871.400 lekë (detyrim i munguar dhe penalitet). Totali i penaliteteve për këto dy shkelje të konstatuara arrin në rreth 118 milion lekë”, citon drejtoria e Doganave. Sipas të njëjtit burim, stafi doganor përgjegjës për mbikqyrjen e magazinave fiskale është pezulluar si dhe po vazhdojnë hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive administrative apo penale të tyre. Në njoftim, theksohet se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, është e vendosur për të zbuluar dhe ndëshkuar çdo shkelje në fushën e doganave, të cilat krahas dëmit që i shkaktojnë buxhetit të shtetit, cenojnë rëndë konkurrencën e ndershme.

PD: Drejtoresha Spiropali fsheh emërimet politike

Në lidhje me akuzat për moskallëzim penal të shkeljeve në doganë, ka reaguar Partia Demokratike. Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi u shpreh se: “Për qeverinë shqiptare, mesa duket çdo ditë është dita e gënjeshtrës. Së fundmi, drejtoresha e doganave deklaroi se në dy vitet e fundit, Drejtoria e Doganave nuk paska bërë asnjë kallëzim penal mbi rastet e shkeljes së ligjit. Drejtoresha e doganave gënjen, dhe janë faktet që e nxjerrin atë zbuluar. Për vitin 2012 administrata doganore ka bërë 55 kallëzime penale. Për vitin 2013, 45 kallëzime penale. Pra në dy vitet e fundit, doganat kanë bërë 100 kallëzime penale, dhe kjo është e dokumentuar dhe lehtësisht e verifikueshme. Si mundet që 100 kallëzime penale, të shihen nga qeveria e re dhe drejtoresha e re si 0 kallëzime penale?”. Më tej, zëdhënësja Vorpsi renditi të gjitha rastet e kallëzuara në Prokurori. Sipas zëdhënëses: “Për dy vitet e fundit, janë sekuestruar mijëra koli me cigare kontrabandë, janë sekuestruar kontenierë me naftë kontrabandë, dhe janë kapur shumë raste të tentativës për të kaluar mallra kontrabandë.  Të gjitha, raste të referuara në Prokurori. Për këtë arsye, drejtoria e doganave ka marrë vlerësime të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, dhe nga organizmat ndërkombëtare dhe këto janë reflektuar në raportet e tyre”. Sipas Partisë Demokratike këto sulme nga Drejtoresha e re e Doganave, Elisa Spiropali po bëhen me qëllim fshehjen e emërimeve politike që ka bërë e po bën në dogana, siç janë ato të caktimit të drejtuesve dhe zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në rrethe, si kryedoganierë, si në rastin e Durrësit, Rinasit, Shkodrës dhe Sarandës.