Si do funksionojë fondi i garancisë, mbështetja për biznesin e vogël deri në 1 pagë minimale

512
Sigal

Buxheti i shtetit nxjerr 120 milionë dollarë për masat kundër koronavirusit, sipas ministrit me disa instrumenta. Ahmetaj duke shpjeguar instrumentin e garancisë sovrane, tha se iu jep mundësi sipërmarrjes të vogël, mesme dhe të madhe të marrë kredi në banka për pagat me risk zero, pasi shteti hyn garant. Ahmetaj tha se maksimumi i interesit do të jetë 3 për qind, por qeveria është duke negociuar me bankat për uljen e interesit.

Ahmetaj shpjegoi se Instrumenti i garancisë sovrane do të thotë se buxheti i shtetit i garanton të gjitha bizneset të trokasin pa risk në derën e bankave, si bizneset e vogla, të mesme edhe ndonjë i madh me zero risk për të paguar pagën bruto të punonjësve.

“Kush nuk do ta bëjë këtë nuk do të këtë mundësi t’i paguajë punonjësit, interesi do të jetë shumë shumë i vogël. Kjo marrëveshje do të jetë me të gjitha bankat. Sipërmarrësi është me risk zero, pasi e garanton sovranisht qeveria.

Nëse një sipërmarrës në kohë normale shkon te dera e bankës, atij i shikohet bilanci i të ardhurave si dhe i kërkohet kolateral. E gjitha kjo bie poshtë, pasi e garanton shteti, për çdo sipërmarrës të vogël, të mesëm dhe të madh.

Për ato biznese që kanë më shumë se një kredi dhe se marrja e një kredie tjetër i rrit barrën, Ahmetaj tha këtë shpjegim. “Ky shqetësim është i drejtë, por nëse ai do t’i drejtohej bankës në ditë normale nuk do t’i aprovohej kredia, kurse në këtë rast shteti i hyn garant”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se do të ndiqet nga task force me në krye drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve se kush nga bizneset nuk punojnë. Ahmetaj tha se mbështetja do të jetë deri në 1 pagë minimale. “Pas verifikimit do të vendoset ndërhyrja, për një pagë apo një pagë e gjysëm minimale. Verifikimi ka filluar që ditën e djeshme. Fitimi nuk do të kompensohet, por vetëm bazikja ajo që na mban në këmbë”, tha Ahmetaj.