Arratisen 1.2 miliardë euro investime jashtë vendit

390

Stoku i investimeve të huaja shqiptare jashtë vendit arriti në 1.2 miliardë euro në fund të vitit 2017, një shumë kjo sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Si po zgjerohen grupet e mëdha të biznesit në rajon në sektorët e tregtisë dhe real estate si dhe farmaceutikës. Tre fazat e Planit të Përbashkët Rajonal për Investimet. Si po krijohet One Shop Stop për investimet dhe si i pengojnë taksat e larta të Shqipërisë

Tregu i vogël shqiptar, gjithnjë e më shumë po rrudhet në konsumatorë e fuqi blerëse, e për këtë shkak po vjen si një “këmishë” e ngushtë për disa grupe të mëdha biznesi, të cilat së fundmi po intensifikojnë planet për t’u zgjeruar në rajon. Balfin Group, Agna Group, Kastrati Group, Hysenbelliu Group dhe kompania e farmaceutikës Fufarma kanë shprehur ambiciet për rajonin, teksa disa prej tyre i kanë vënë piketat dhe të tjera kanë qartësuar idetë. Deri më tani, Kosova ka qenë vendi më i afërt për bizneset shqiptare, por siç duket Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi po bëhen po aq atraktive. Vetëm Balfin Group njoftoi se do të investojë 100 milionë euro këtë vit në një projekt që kushton gjithsej rreth 180 milionë euro, në zhvillimin e një zone shumëfunksionale në periferi të Shkupit në Maqedoni. Këtë vit pritet të ketë zgjerim në tregtinë me pakicë nëpërmjet rrjetit Jumbo në Bosnjë, Malin e Zi tha përgjegjësi për Komunikimin në Balfin Group, Eris Kasmi. Agna Group po zgjeron biznesin edhe në disa vende të rajonit të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni me të njëjtin format biznesi si dhe në Shqipëri, me synimin për të distribuuar disa marka të njohura evropiane të pijeve dhe ushqimeve. “Planet tona për zgjerim në rajon erdhën natyrshëm si pjesë e vizionit të Agna Group për të qenë një ndër kompanitë lider në rajon”, tha Entela Bardho, koordinatore në Agna Group për investimet jashtë Shqipërisë. Teksa Kastrati Group është duke kristalizuar planet për investim në Maqedoni, pas një takimi që presidenti Shefqet Kastrati pati me Kryeministrin Zoran Zaev, ku në parim ranë dakord për të investuar rreth 100 milionë euro. Burimet nga grupi pohuan se Kastrati po diversifikon aktivitetin brenda vendit dhe planet janë për t’u zgjeruar edhe në rajon. Në tratativa për zgjerim jashtë vendit është edhe Hysenbelliu Group. Presidenti Irfan Hysenbelliu, më herët muajin e kaluar takoi Kryeministrin e Maqedonisë dhe Kosovës në të njëjtën ditë, ku në fokus të bisedimeve ishte hyrja në tregjet e tyre. Ndërkohë kompania shqiptare e farmaceutikës, Fufarma, ka në plan të zgjerohet me një linjë prodhimi në Maqedoni, një investim rreth 20 milionë euro. Banka e Shqipërisë raportoi se stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit në fund të 2017-s arriti në 1.2 miliardë euro. Kjo shumë është e barabartë me 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe është sa 19% e stokut të Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë. Por ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohojnë se shuma prej 1.2 miliardë eurosh që shqiptarët kanë investuar jashtë përfshin brenda saj banesat e blera jashtë, të cilat klasifikohen si një formë investimi. Të dhënat zyrtare për shtrirjen gjeografike të investimeve shqiptare jashtë vendit mungojnë, por vetë bizneset pohojnë se Kosova, Maqedonia kanë qenë destinacionet kryesore të këtij fluksi. Banka Qendrore e Maqedonisë raportoi se stoku i investimeve direkte nga Shqipëria, në fund të vitit 2016, arriti në 40 milionë euro. Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës raporton se stoku i Investimeve të huaja direkte nga Shqipëria, në fund të vitit 2017, arriti në 130 milionë euro.

Një dekadë, trefishohen investimet shqiptare jashtë

Investimet shqiptare jashtë vendit janë trefishuar në dekadën e fundit 2008-2018. Rritja e tyre mori hov pas vitit 2008, kur disa kompani shqiptare në sektorin e ndërtimit dhe tregtisë, nisur nga kriza ekonomike, e panë zgjerimin rajonal si mundësi mbijetese. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit u rrit në fund të vitit 2017 me 173% në krahasim me 2008-n. Aktualisht raportohen më shumë se 1.2 miliardë euro stoqe investimesh jashtë vendit në raport me 460 milionë euro që ishin deri në vitin 2008. Të dhënat përfaqësojnë investime në kapital të bizneseve jashtë vendit, bashkë me huatë që kanë marrë në vendet ku kanë investuar. Të dhënat zyrtare të rakorduara me Maqedoninë dhe Kosovën tregojnë se më së shumti, bizneset shqiptare jashtë vendit janë të përqendruara në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, aktualisht ushtrojnë aktivitetin rreth 930 biznese nga Shqipëria, nga të cilat 252 janë në fushën e tregtisë me shumicë dhe pakicë, 137 biznese në sektorin e ndërtimit, 121 në akomodim dhe aktivitete shërbimesh dhe 56 në sektorin e prodhimit. Stoku i investimeve shqiptare në Kosovë arrin në 130 milionë euro. Biznese me origjinë shqiptare kanë aktivitet më tej edhe në Itali, Austri dhe në vende të tjera të Evropës, por autoritetet shqiptare, ende nuk e kanë një regjistër të këtyre investimeve sipas vendeve ku bizneset shqiptare ushtrojnë aktivitetin. Në këto 27 vjet të ekonomisë së tregut në Shqipëri janë krijuar disa grupe të mëdha biznesi, që kanë të diversifikuar portofolin e tyre të investimeve në shumë sektorë. Teksa disa prej tyre janë maturuar në tregun shqiptar dhe janë fuqizuar financiarisht po mendojnë t’i investojnë jashtë vendit fitimet e gjeneruara.

 Shpërndarja dhe tregtia, zgjerim përtej kufijve

“Agna”, një nga kompanitë më të mëdha në vend në sektorin e distribucionit, është përfshirë së fundmi në planet për zgjerim rajonal. Kompania është në hapat e parë të zgjerimit në rajon, e pranishme në Serbi, Kosovë, Maqedoni si shpërndarës i të njëjtave marka, si në tregun shqiptar, me pije, ushqime dhe cigare.

“Është e vërtetë që Agna Group e ka zgjeruar biznesin edhe në disa vende të rajonit të Ballkanit. Kjo erdhi natyrshëm si pjesë e vizionit të Agna Group për të qenë një ndër kompanitë lider në këtë rajon. Ndërkohë që Agna vazhdon në mënyrë të pandërprerë përpjekjet për të rritur biznesin në Shqipëri, si tregu kryesor, që mbart edhe fokusin kryesor, Agna Group është e hapur për të parë mundësi të mëtejshme në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”, tha koordinatorja e investimeve, Egla Bardho. Dy kompanitë kryesore të grupit, janë Agna sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues), Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beer, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink). Kompania realizoi për vitin 2016 xhiro prej rreth 21.4 miliardë lekësh, me rritje prej 7.3% në raport me vitin e mëparshëm. Ndërsa InfoSoft Group është e pranishme më herët në tregun e Maqedonisë dhe Kosovës me distribuim produktesh. Sipas burimeve zyrtare nga kompania, InfoSoft Office Prishtina është themeluar në vitin 2011 për të ofruar shërbimet tona në tregun kosovar. Kompania ka punësuar 15 punonjës të kualifikuar, që ofrojnë një gamë produktesh dhe shërbimesh të ngjashme me InfoSoft Office Tirana. InfoSoft Prishtina zotëron një pjesë të konsiderueshme të tregut kosovar. Ndërsa në Maqedoni, InfoSoft operon nëpërmjet ITD Shpërndarja. Kompania është shpërndarës i autorizuar i DELL, IBM, HP, Lenovo, ADATA, Gygabyte, TP-link Genius, Winstar, Fujitsu, Spire, PowerTree, ION, UNI-1, Fabriano, MURATLI Karton, Lepenka dhe produkte të tjera nga shumë kompani globale. Teksa në sektorin e shitjeve me pakicë (retail) grupi Balfin është duke u zgjeruar në rajon nëpërmjet rrjetit Jumbo. “Do të vijojmë të investojmë në Bosnjë-Hercegovinë me Jumbo, me hapjen e planifikuar të disa dyqaneve të reja në qytete të tjera të këtij shteti, me zgjerimin e mëtejshëm në Kosovë si dhe do të futemi në Mal të Zi, me hapjen e dyqaneve Jumbo në këtë vend”, – njoftuan burimet zyrtare të Balfin Group. Në vitin 2017, Balfin Group, nëpërmjet kompanisë Kidzone – partner zyrtar i Jumbo, u fut për herë të parë në tregun e Bosnjë-Hercegovinës me dy dyqane të mëdha në Sarajevë dhe Banja Luka, një nga qendrat ekonomike më të zhvilluara në këtë shtet. Gjithashtu, rrjeti i dyqaneve Neptun do të zgjerohet më tej në Maqedoni.

“Balfin” çon modelin TEG në Maqedoni

Një nga grupet më të mëdha në vendin tonë, Balfin Group, po zgjerohet me ritme më të shpejta në rajon. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë, investimi më i madh jashtë vendit përfshin ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional në Shkup të Maqedonisë. Kompleksi është një investim i ngjashëm si TEG-u dhe kompleksi i banesave Rolling Hills këtu në Tiranë. Për këtë projekt, Grupi Balfin ka marrë në pronësi një sipërfaqe toke prej 155,000 m², rreth 1.5 kilometra larg qendrës së Shkupit, duke synuar investimin në projektin e parë të zhvillimit të pasurive të patundshme, sipas një koncepti shumëfunksional me mbi 250,000 m² sipërfaqe ndërtimi bruto. Drejtori i Komunikimit në Balfin, Eris Kasmi, tha se ky do të jetë investimi më i madh privat i këtij lloji në Maqedoni, me një vlerë të llogaritur prej 180 milionë eurosh. Këtë vit është planifikuar të fillojë ndërtimi i qendrës tregtare në Maqedoni, investimi fillestar do të jetë rreth 100 milionë euro dhe do të krijojë mijëra vende pune në qytetin e Shkupit. Të njëjtat burime pohuan se punimet për qendrën tregtare në Shkup nisin gjatë këtij muaji. Qendra do të ndërtohet në 2 nivele, me rreth 2500 vende parkimi nëntokësor. Vendndodhja dhe madhësia e qendrës së re paraqet baza solide, ku përveç markave ekzistuese në treg do të ketë edhe marka të reja të huaja.

‘Fufarma’, investime 20 mln euro në Maqedoni

Aleksandër Mlladenovski, drejtori i Zonës Zhvillimore Teknologjike në Maqedoni e prezantoi investimin e kompanisë shqiptare të farmaceutikës Sagen, si një nga investimet e huaja më të mëdha në Maqedoni këtë vit. Qeveria e Maqedonisë i ka vënë në dispozicion kompanisë shqiptare tokën brenda zonës ekonomike, duke i mbuluar asaj edhe gjysmën e vlerës së investimit, kundrejt punësimit të 300 personave. Investimi i Sagen do të ndahet në tre faza, teksa ndërtimi i fabrikës do të nisë në qershor të këtij viti.

Kastrati dhe Hysenbelliu, plane për rajonin

Kastrati Group është grupi më i madh i biznesit në vend me aktivitet në tregtinë e naftës, në sigurime. Së fundmi, në sektorin e ndërtimit dhe të hotelerisë, nëpërmjet blerjes së Hotelit Sheraton në Shqipëri, ka plane në të ardhmen që të zgjerohet jashtë vendit. Burimet brenda grupit pohojnë se tashmë janë duke u studiuar tregjet dhe sektorët ku do të mund të investohet. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe një takim, që Presidenti i Kastrati Group, Shefqet Kastrati ka bërë këtë vit me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Kastrati ka rënë dakord parimisht për të investuar në vendin fqinjë 100 milionë euro, por ky investime do të përpilohet nëpërmjet një plani biznesi për sektorët ku do të shtrihet, bëjnë të ditur burimet pranë Kastrati Group. Ambiciet për të investuar jashtë vendit i ka bërë të qarta edhe Hysenbelliu Group, me aktivitet në ndërtim, turizëm dhe media. Irfan Hysenbelliu, presidenti i Grupit, takoi pak kohë më parë Kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë, Haradinaj dhe Zaev, ku kanë biseduar për çështje të investimesh. Burimet nga qeveria e Maqedonisë pohuan se Hysenbelliu ka në plan të investojë në Maqedoni dhe ka nisur përpjekjet për të përmbushur qëllimet e tij.

Shqipëria, jo konkurruese, nxit investimet jashtë

Nga një matricë krahasuese e Këshillit të Investimeve për “Politikat incentivuese për Nxitjen e Investimeve: Shqipëria kundrejt Vendeve” shihet se Shqipëria është vendi që ofron barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka incentivat fiskale më të ulëta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën. Nga matrica rezulton se, në renditjen rajonale Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për tatimfitimin 15%, gati 50% më të lartë se norma rajonale për këtë tatim që nuk është më shumë se 10%. Edhe Serbia e ka tatimfitimin 15%. Me nivelin maksimal të përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23%, Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon. Maqedonia e ka tatimin mbi të ardhurat personale të sheshtë 10%, në Serbi varion nga 10 në 20%, në Mal të Zi nga 9-11%. Në Kosovë është progresive nga 0 në 10% dhe në Bosnjë, e sheshtë, 10%. Gjithashtu Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH më të lartë në rajon, në nivelin e 20%, teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim nga 17-19%. Shqipëria, së bashku me Serbinë, renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkt për punonjësit. Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova, me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi. Edhe për incentivat për investimet, Shqipëria është inferiore sidomos në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë, por së fundmi, qeveria ka incentivuar investimet në hotelet e luksit, duke i përjashtuar nga TVSH-ja dhe taksat e tjera.
Ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit përveç Kosovës i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese. Edhe për investimet në fushën e turizmit dhe bujqësisë, vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia konkurrojnë dukshëm me vendet e rajonit.
Serbia ofron përjashtim nga tatimfitimi dhe i pagës për 10 vjet në zonat e lira, 0% TVSH për mallrat që lëvizin brenda zonës së lirë. Edhe TVSH për energjinë e gazin është zero. Vendi ka 14 zona të miratuara dhe 12 zona operacionale. Maqedonia ka 3 zona të lira tërësisht funksionale, ka përjashtim nga tatimfitimi dhe të ardhurat deri në 10 vjet, përjashtim nga TVSH të mallrave që lëvizin brenda zonës së lirë. Sa i përket Malit të Zi, incentivat përfshijnë përjashtim nga taksat për 3 vitet e para, për kompanitë të cilat janë të angazhuara në prodhimin në zona të pazhvilluara (por jo e aplikueshme në agrikulturë, transport, ndërtim anijesh dhe peshkim).
Ndërsa në fushën e turizmit, në Malin e Zi përjashtohen nga TVSH importi i të mirave dhe shërbimeve për ndërtimin e hoteleve me 5 yje, reduktim të taksës së pronës me 30% për hotelet me 4 yje dhe 70% për ato me 5 yje.

 Monitor.al