Sot prokuroria merr në pyetje gazetarin dhe deputetët, por harron “Xhafën”, personazhin “VIP”

695
Sigal

Petraq Barjami

Rrëfehet gazetari Jetmir Olldashi, që intervistoi dëshmitarin X: “Ja si e realizova bisedën”

Agron Xhafaj, i cili u denoncua nga Albert Veliu për aktivitet kriminal në trafikimin ndërkombëtar të drogës edhe në ditët tona, nuk u ndalua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si i pandehur, por u lejua në kundërshtim me ligjin, që të ekstradohej në Itali, duke bërë të pamundur hetimin ndaj tij.

Paradoksi: Prokuroria heton dëshmitarët dhe kallëzuesit

Lejimi i prokurorisë së Krimeve të Rënda, të ekstradimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, u bë me qëllim, që të fshihej e vërteta e denoncimit. Prokuroria heshti aq ditë, sa i dha mundësi Agron Xhafaj, që të largohej nga Shqipëria, t’i shpëtonte hetimeve, ndërkohë që i pranoi atij edhe në mesnatë kallëzimin penal që bëri ndaj deputetëve të PD-së. Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të thërrasë për të marrë në pyetje gazetarin Jetmir Olldashi, i cili pohoi një ditë më parë se kishte qenë ai që e kishte realizuar përgjimin e Agron Xhafaj. Gazeta “Telegraf”, duke iu referuar burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, mëson se të hënën në orën 10:00 është parashikuar që të merren në pyetje dy përfaqësuesit e PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji dhe më pas Gazmend Bardhi mund të ketë një ndryshim dhe gazetari Olldashi të dalë para tyre, para prokurorëve të çështjes. Megjithatë dy ditët, e hëna dhe e marta do të jenë ditët vendimtare të dëshmive të katër personave të lartpërmendur. Kujtojmë se tashmë ka një hetim pas bashkimit të dy procedimeve, atij të nisur nga Prokuroria e Tiranës për kallëzim të rremë të pretenduar nga Agron Xhafaj dhe për trafik droge të nisur nga Krimet e Rënda. Gazetarit, i cilësuar si strumbullari i çështjes, do t’i kërkohen të gjitha pajisjet e përdorura në përgjim, si kamera, aparate, telefona dhe materiali bruto i përgjimit. Kjo për shkak se duhen mjetet origjinale për të nxjerrë një ekspertizë sa më të saktë dhe më të besueshme për zërat që dëgjohen në audio-përgjim. Po kështu ai do të pyetet për bashkëpunëtorin Albert Veliu, takimet me të dhe çështjet e përmendura në përgjim. Pas dëshmive do të nisë edhe ekspertiza e audio-përgjimit. Gazetari Jetmir Olldashi foli një ditë më parë për itinerarin e ndjekur gjatë një projekti të nisur prej tij si investigim mbi çështjet e trafikut në Vlorë dhe i publikuar më pas nga Partia Demokratike.

Reagimet politike

Kryeministri Rama që në fillim i dha mbrojtje politike ministrit të Brendshëm, duke deklaruar audioja është një falsifikim, sepse ai ka analizën e ekspertëve, mirëpo, kur doli publikisht dëshmitari X, kryeministri deklaroi se ministri Xhafaj nuk duhet të mbajë asnjë përgjegjësi morale dhe as politike. Edhe dje, kanë reaguar fort nënkryetari i PD-së Edi Paloka, i cili ndër të tjera tha: Që kur shqiptarët u njohën me skandalin Xhafaj, Edi Rama po zbaton një skenar kriminal m të cilin synon mbylljen e hetimeve pa vënë para drejtësisë vëllain e ministrit të Brendshëm për trafik droge. Pjesë kryesore e këtij skenari është mohimi i zërit të Agron Xhafajt, që i siguroi Dëshmitarit X, gjetjen dhe transportin e hashashit me garancinë se Policia që ishte nën varësinë e vëllait të tij Ministër i Brendshëm, do t’i hapte rrugën. Rama dhe Xhafaj ministër nuk bënë transparencë para shqiptarëve, siç kanë detyrimin ta bëjnë, jo se e ashtuquajtura ekspertizë nuk përbën provë, por sepse asnjë agjenci e specializuar nuk do t’i thoshte të zezës të bardhë! Edhe Edi Rama e di që Agron Xhafaj është koka e trafiqeve në Vlorë, prandaj gënjeu për ekspertizën e zërit dhe nuk iu përgjigj gazetarëve për emrin e agjencisë. Për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij të inkriminuar, Edi Rama është bërë pjesë e skenarit për të mbuluar veprat kriminale të Fatmir dhe Agron Xhafajt. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, akuzon Kryeministrin Edi Rama alias Mister Portali batërdisi lekët e shqiptarëve, duke bërë portale. Jo pak por miliona euro për portale, që me demek do mblidhnin ankesa, denoncime, dyshime, hamendje për korrupsionin dhe për çdo paudhësi, që bëhej në administratën shtetërore dhe që ky kryeministri nuk i kapte dot dhe nuk i shikonte dot këta të poshtër në administratën e tij e që ja shkonin me demek atij ujin nën rrogoz. Por kur Dëshmitari X del e denoncon ca gjera shumë të rënda për trafikun e drogës, ky kryeministri qefli i portaleve hidhet përpjetë, nxihet e shan gjithë botën, shan edhe një gazetare se i bëri ca pyetje të vërteta, shan opozitën po se po, shan komentuesit në FB, i shan të gjithë, por nuk shan kurrë trafikantët. I mbron, i adhuron, i admiron trafikantët kryeministri, sepse qeveris me ta, shantazhon me ta, trimërohet me ta, sakrifikon Shqipërinë për ta.

Reagon Shoqata e Gazetarëve Profesionistë: Ne përshëndesim kurajën e kolegut Jetmir Olldashi

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehën mbështetje për gazetarin Jetmir Olldashi, autorin e investigimit mbi trafikun e drogës në Vlorë. Sipas tyre, Olldashi po përballet me një presion të padenjë publik, të nxitur nga emocione e interesa politike. “Ne përshëndesim kurajën e kolegut Jetmir Olldashi për të përcjellë e mbrojtur publikisht etapat e punës së tij, nga ku doli edhe emri i vëllait të ministrit të brendshëm, në një moment jo të lehtë tensioni politik në vend, e duke marrë edhe koston e një presioni paragjykues publik, fatkeqësisht edhe nga kolegë të profesionit”, thuhej në reagim. Në përfundim shoqatat inkurajonin gazetarët për të mos intimiduar në punën e tyre.

Jetmir Olldashi: Ja si e intervistova dëshmimtarin X

Historia e këtij investigimi fillon pasi u telefonova nga një burim i cili më tha se donte të më njihte me një person që kishte të dhëna lidhur me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës. Burimi më dërgoi një numër telefoni. E kam telefonuar personin, të cilin ju tashmë e njihni me emrin Albert Veliu. Kam dëgjuar rrëfimet e tij mbi situatën e drogës në Vlorë, dhe pas disa takimesh vendosa të shkoja në terren. Njoftova emisionin dhe televizionin në të cilin punoja dhe shkova në Vlorë me Albert Veliun. Gjatë këtij udhëtimi shkuam në lokalin e Agron Xhafajt. Alberti pyeti disa herë stafin e lokalit për të, çka më la të kuptoja se kishte njohje të vjetër, ishte i afërt dhe i njohur për njerëzit aty ne lokal! Agron Xhafaj nuk ishte ne lokal ne ato momente. Pas kësaj, kur u larguam nga lokali, Albert Veliu telefonoi në praninë time numrin 0672014472 për të cilin më tha se është Agron Xhafaj, të cilin e thërriste Pasha. Numrin e verifikova në True Caller dhe rezultoi që ishte i regjistruar me emrin Goni Xhafaj! Pas bisedës telefonike Albert Veliu u kthye ne lokal, ndërkohë që unë qëndrova në lokalin përballë. Theksoj se në të gjitha takimet i kisha vënë një pajisje regjistruese Albert Veliut. Alberti erdhi menjëherë pas takimit me Agron Xhafaj (Gonin) dhe unë i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha vënë. Nga zbardhja e bisedës së përgjuar që është bërë tashmë edhe publike, Albert Velliu i kishte kërkuar Agron Xhafajt ndihmë për të siguruar dhe trafikuar një sasi kanabisi në drejtim të Italisë dhe Agron Xhafaj e kishte dërguar tek një person për të mbaruar punë. Më pas shkuam në një lokal, i cili, sipas Albertit, njihej si lokali poshtë Habilajve. Aty erdhi një person, me të cilin u zhvillua një bisedë për të siguruar sasinë e drogës dhe më pas udhëtuam drejt Tragjasit për ta siguruar sasinë e kanabisit. Nga i gjithë investigimi kam vënë re, se pavarësisht raporteve në media se janë goditur grupe kriminale, gjendja në Vlorë ishte jashtë kontrollit dhe të kërkoje kanabis ishte si të kërkoje një produkt normal. Në këto kushte duke pasur parasysh se flitej për vëllanë e Ministrit të Brendshëm në detyrë, çështja ishte tepër sensitive dhe me shume rrisk. Vlerësova se siguria fizike e burimit tim dhe e imja ishte në rrezik. Brenda asaj kohe ndodhi dhe largimi im nga emisioni, në të cilin bëja pjesë. Pas disa kohësh, duke mos pasur mundësi transmetimi të materialit, dhe pa asnjë mbështetje në lidhje me këtë investigim që kisha kryer, vendosa të kontaktoj me PD-në, për interesin që ky institucion ka pasur gjatë gjithë kohës për të denoncuar trafikun e drogës. Në Partinë Demokratike kontaktova me deputetin Ervin Salianji, një nga deputetët që ka denoncuar trafikun e drogës dhe kanabizimin nga parcelat e hashashit. E informova në detaje për investigimin dhe rezultatet e tij, si garanci për sigurinë e burimit tim dhe sigurinë time personale. Për gjithë investigimin e kryer si gazetar kam përgatitur një material. Një pjesë është transmetuar nga media pas publikimit që bëri Partia Demokratike ditën e hënë. Një pjesë tjetër do të transmetohet këto ditë. E di që pas kësaj deklarate unë do të jem në epiqendër të presioneve dhe sulmeve të padrejta, për shkak se kjo çështje tashmë është në qendër të debatit publik dhe politik. Unë i kam bërë ballë këtyre presioneve dhe sulmeve që kanë nisur prej ditësh. Unë kërkoj mbështetjen e kolegëve dhe qytetarëve të këtij vendi, që besojnë se gazetaria investigative është shërbim i madh për interesin publik. Në profesionin tonë të gazetarit, rëndësi ka vetëm e vërteta.