Aristotel Pano: Ka vetëm një rrugë: përdorimin e instrumentave ekonomikë dhe zbatimin i ligjeve kundër spekullantëve

1611
Prof. Aristotel Pano lindi në fshatin Vanistë të Gjirokastrës në 13/12/1933 ku mori edhe mësimet e para në gjuhën e tij amtare, greke. Në vitin 1951 mbaroi me medalje të artë Teknikumin Financiar në Tiranë dhe në vitin 1955 u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Inistitutin e Lartë Financiar të Moskës. Mbas diplomimit punoi si specialist në Ministrinë e Finacave dhe në viet 1956-980 ka qenë pedagog pranë fakultetit Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Më pas Prof. Pano mori detyrën e përgjegjësit të Sektorit në Institutin e Studimeve Ekonomike, i cili ishte në vartësi të Akademisë së Shkencave. Pas vitit 1989 Prof. Pano u caktua si pedagog i jashtëm në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë ku vazhdon edhe sot si konsulent. Në 1987 i jepet titulli “Profesor”. Gjatë viteve 1955-2015 ka botuar shumë libra, monografi , studime dhe artikuj shkencorë për analizën ekonomiko-financiare, kontabilitetin, financat dhe shkencën ekonomike në përgjithësi. Në vitin 1984, për një nga punimet e tij mbi të ardhurat kombëtare të Shqipërisë, u nderua me çmimin e “Republikës të Shkalles së Dytë”. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të shkallës I-rë e të II-të dhe në muajin dhjetor të viti që sapo shkoi u nderua me medaljen ”Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Qysh nga viti 2009 Shoqata e Kontabilistëve dhe i Financierëve të Shqipërisë i ka akorduar titullin “Antar Nderi i Shoqatës”. Zotëron disa gjuhë të huaja.
Sigal

Νjë mësues i mirë është si qiriri:ai konsumon vetveten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve. Ju profesor, kini lënë jetën tuaj, rreth 60 vjet punë mësimdhënëse, për të përgatitur disa breza ekonomistësh. Si ndjeheni emocionalisht? 

Pano: Më vjen mirë të sjell, për çka më pyet, një thënie nga Viktor Hygoi: Dy janë nëpunësit kryesorë të shtetit, thotë ai, nëna dhe mësuesi. Dhe kur citoj Hygoin ndjehem patjetër shumë i nderuar, shumë i emocionuar, por edhe shumë i kënaqur dhe krenar qe me punën time 60-vjeçare pedagogjiko-shkencore kam kontribuar në përgatitjen e mijra specialistëve të vendit tim si ekonomistë. Transmetimi i dijeve brezit të ri është një profesion shumë fisnik. Unë jam i bindur se çdo arsimtar apo pedagog që ka punuar me përkushtim në profesionin e tij, ashtu si nëna për fëmijën, ndjen kënaqësi të veçantë, emocionohet kur takon ish nxënesit dhe studentët e tij. Për më shumë kur ata kanë bërë karrierë, kur kanë shkëlqyer në punë. Për fat, shumë nga ish studentët e mi kanë bërë emër si ekonomistë, kanë kapur maja. Unë do të desha, me anë të gazetës “Telegraf”, të përshendes ish studentët e mi kudo ku ndodhen, brenda apo jashtë vendit, duke u uruar atyre shëndet dhe suksese në punët që kryejnë! 

Në librin tuaj të fundit ,”Ndërhyrja e shetit në ekonomi” trajtohen probleme të mprehta dhe se është përgatitur për një auditor të zgjedhur të nivelit të lartë. Pa e banαlizuar fjalorin, pra termat e ekonomisë, mund të përmblidhni shkurt qe edhe lexuesi i thjeshtë të marrë vesh informacionin që ju përcillni në këtë libër? 

Pano: Në këtë punim të fundit, të shkruar në bashkëpunim me akademikun Anastas Angjeli, bëhen përpjekje për të dhënë një kontribut modest në trajtimin e një seri problemeve teorike dhe praktike në lidhje me ndërhyrjen e shtetit në një ekonomi të tregut të lirë e më konkretisht: 
Së pari, bëhet një paraqitje e shkurtër e pikpamjeve të rrymave të ndryshme të mendimit ekonomik (veçanarisht të rrymës neoklasike dhe të rrymës kejnsiane) për një nga problemet më të diskutueshme të shkencës së sotme ekonomike që lidhet me rolin e shtetit në ekonominë e tregut të lirë. Në këtë punim mbrohet pikpamja se në ekonomin e tregut të lirë nderhyrja e shtetit në ekonomi është një domosdoshmëri jetike sepse në kushtet e sotme mekanizmi i tregut të lirë, megjithëse siguron shkallë të lartë efikasiteti në sferen e prodhimit, prap se prap nuk arrin të kryej rolin e rregullatorit automatik të të gjitha problemeve ekonomiko-shoqërore të shoqerisë së sotme. Sot pa ndërhyrjen e shtetit në ekonomi nuk mund të përballohen dukuritë negative të krizave ciklike, rritja e rrezikeshme e pabarazive ekonomiko-shoqërore ndërmjet shtresave të ndryshme shoqerore dhe territoreve, nuk mund të luftohet në mënyrë efektive varfëria, mbrojtja e natyrës dhe e burimeve të saj, funskionimi normal i vet tregut të lirë ku lulëzon konkurenca e ashpër ndërmjet njësive ekonomike. Parafytyroni për një moment se çfar mund të ndodhte në ndeshjen e dy skuadrave të forta konkurrente të fudbollit po të mungonin arbitrat e mjaftueshëm dhe të specializuar. Po në një ekonomi tregu të lirë ku konkurojnë mijra njësi ekonomike dhe vendosen rezultatet e interesave ekonomike të miliona individëve, si mund të arrihen objektivat e deshirueshme shoqërore dhe individuale pa ndërhyrjen e shtetit si përfaqësues i gjithë shoqerisë? 
Së dyti, në këtë punim trajtohen llojet e ndryshme të instrumentave të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi që kanë të bejnë me politikën tatimore, politikën monetare , të manaxhimit të borxhit publik, të investimeve publike , të punësimit, të subvencionimit të ekonomisë etj. Për shkencën ekonomike ka rëndesi jo vetëm pranimi i rolit të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, por dhe gjetja në çdo moment dhe etapë zhvillimi si të shkallës së ndërhyrjes, ashtu dhe të instrumentave më të përshtateshme e më të kombinuara të ndërhyrjes së shtetit. Në këtë fushë ka rëndesi të theskojmë se në praktikë nuk mund të ketë gjithmonë një përputhje të plotë ndërmjet tezave e modeleve teorikë të mendimit të rrymave të ndryshme të shkencës ekonomike dhe instrumentave të politikës ekonomike të përdorura në etapa të ndryshme. Historia ka treguar se në mjaft raste edhe përkrahësit e ekonomisë neoklasike kanë qenë të detyruar të perdorin për perballimin e problemeve instrumenta të politikes ekonomike kejnsiane dhe e kunderta. Prandaj në këtë fushë nuk duhet të jemi dogmatikë. Në çdo rast shteti duhet të ndërhyj në ekonomi në shkallën e duhur dhe me instrumentin ose instrumentat më të pështatshm për zgjidhjen e problemeve konkretë. 
Së treti, në këtë punim analizohen instrumentat kryesorë të ndëryhrjes së shtetit në ekonomi gjatë njëzet vjetëve të fundit. Bëhen propozime konkrete për përmirësimin e mëtejshem të tyre në fushën tatimore, monetare, të manaxhimit të borxhit publik, për rritjen e ritmeve të rritjes ekonomike dhe veçanërisht për përballimin e problemit të veshtirë të punësimit, evitimin e acarimit të pabarazive ekonomike etj. 

Ju profesor, jeni një nga korifejtë e mendimit ekonomik dhe financiar shqiptar. Ndërkohë vrejmë se shumë probleme të mprehta ekonomike, apo edhe financiare, një pjesë e specialistëve, shumica “Madein Pano”, nuk janë pozicionuar, nuk kanë dhënë alarmin për të parandaluar “tërmetet” që kanë tronditur ekonominë. Paaftësi apo frikë, cili është mendimi i juaj? 

Pano: E para, unë ju falënderoj për cilësimin si një nga korifejtë e mendimit ekonomik dhe financiar shqiptar, që do të thotë se në Shqipëri ka patur dhe ka dhe shumë ekonomistë të tjerë krijues të aftë. Unë kam patur thjeshtë fatin të jetoj më gjatë në të dy periudhat se disa ekonomistë të tjerë të brezit tim. Së dyti, përsa u përket ekonomistve të “prodhuar” nga brezi im, unë mendoj se mosdalja e tyre aq sa duhet në pah me punime kritike, nuk do të thoshja se vjen nga paaftësia e tyre. Sipas mendimit tim në Shqipëri sot ka një brez të tërë doktorësh dhe profesorësh të zotë të universiteteve të ndryshme që merren shumë më tepër me punë pedagogjike, sepse ajo u siguron përfitime shumë më të mëdha ekonomike dhe shoqërore. Puna kërkimore shkencore është një veprimtari shumë më e lodhëshme, kërkon më tepër kohë dhe, fatkeqësisht, nuk është organizuar si duhet dhe nuk sjell pothuajse fare të ardhura jetese. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Shumica e partive politike në Shqiperi kanë intelektualët e tyre që preferojnë të mos bëjnë kritika në drejtim të partisë së vet, gjë që dëmton shprehjen e mendimit krijues, kurse numri i pakët i intelektualëve të pavarur nuk gjen gjithmonë përkrahjen e duhur financiare.Të gjitha këto dukuri dhe mangësi në krijimtarinë shkencore duhet të analizohen me kujdes dhe të merren masat e nevojeshme . Unë shikoj se sot ka një brez të ri të etur për kualifikimin post universitar, gjë që do të krijojë brënda një periudhe të shkurtër brezin e ri të studjuesve të ekonomisë shqiptare. Unë mendoj se përgatitja dhe aprovimi i disertacioneve të shkallëve të ndryshme duhet të lidhet më tepër me përballimin e problemeve konkrete të ekonomisë. Ne kemi vuajtur edhe në të kaluaren nga dukuria e pushimit të krijimtarisë shkencore në momentin e marrjes së një titulli të lartë pedagogjiko-shkencor nga individë të ndryshëm.Nëqoftëse duhet të rimerren në provime mjekët për të patur të drejtën e ushtrimit të profesionit, atëhere si duhet të kontrollohet zhvillimi i aftësisë së personave pas marrjes së titullit të profesorit ose të doktorit të shkencave në ekonomi? Mendoj se në këto probleme organizative dhe kontrolli të krijimtarisë shkencore duhet shtruar urgjentisht pyetja: Përse mungojë diskutimet e thella e shkencore për të ndihmuar në përballimin e problemeve tona të shumta ekonomike? 

Si i përgjigjet prof. Pano thënies “varfëria në botë nuk është për shkak se mundemi të ushqejmë të vobektit, por për shkak se nuk mundemi të ngopim të pasurit”.

Pano: Kjo është në të vërtet një shprehje origjinale, e thënë troç, për njërin nga problemet më shqetësuese ekonomike të kohës tonë, të rrezikut shpërthyes të rritjes së madhe të pabarazisë ekonomike dhe e insistimit të varfërisë në disa shtresa shoqërore dhe rajone të Botes. Problemi i varfërisë dhe i rreziqeve që mbart në përgjithesi rritja e pabarazisë ekonomike ndërmjet shtresave shoqërore dhe vëndeve të ndryshme ka preokupuar gjithmonë shkencën ekonomike që në hapat e para të formimit të saj. I pari që shpalli alarmin e varfërisë masiev për shkak të rritjes së popullsisë ka qenë ekonomisti i shquar britanik Malthus (1776-1834), i cili në punimin e tij të botuar në 1798 me titull “Traktati mbi parimin e popullsisë” dha alarmin e rrezikut që i kanoseshe njerëzimit nga fakti se numri i popullsisë rritësh me një progresion gjeometrik (1,2,4,8.16,34 etj) në një kohë që prodhimi i ushqimeve rritësh me progresion arithmetik (1,2,3,4 etj) gjë që, sipas tij, do të ashpërsonte luftën për ekzistencën e njerëzve dhe ekuilibri shoqëror do të mund të vendoseshe vetëm nëpërmjet vdekjeve masive të shkaktuara nga sëmundjet natyrale ose luftrat shkatërrimtare.Të dhënat statistikore të së kaluarës të përdorura nga Maltusi kanë qenë të sakta dhe shqetësimet, përsa i përket progersionit gjeometrik të rritrjes së popullsisë dhe progresionit arithmetik të rritjes së prodhimit në të kaluarën , ishin të drejta, por ai nënvlerësoi mundësitë e përparimeve të shkencës për periudhat e ardhëshme. Përparimet e shkencës siguruan një zhvillim të tillë teknologjik nëpërmjet të cilit u sigurua një rritje e prodhimit të ushqimeve për frymë të popullsisë shumë më e madhe se në periudhat e kaluara. Pamvaresisht nga dështimi i parashikimeve të zymta të Maltusit për të ardhmen e mbijetesës së njerëzimit, paralajmërimet e tij patën rëndësi për marrjern e masave të kontrollit të rritjes së popullsisë në mjaft rajone të botës dhe hartimin e programeve të posaçme të kontrollit të lindjeve.Teroia e Maltusi në atë kohë u kritikua ashpër nga Karl Marksi, i cili u përpoq të argumentojë varfërinë nëpërmjet ligjit të varfërimit apsolut dhe relativ që verpon gjoja në shoqërinë kapitaliste dhe që, në mënyrë të pashmangëshme, do të shkaktonte revolucionin botror, vendosjen e diktaturës së proletariatit dhe ndërtimin e një shoqerie socialiste e komuniste të bollëkut dhe të lirisë për të gjithë njerëzit. Por koha tregoi se edhe teoria marksiste mbi revolucionin botror dhe ndërtimin e shoqerisë socialiste e komuniste të bollëkut nuk rezultoi e vërtetë. Shoqëria kapitaliste tregoi aftësi të mëdha përparimi dhe zhvillimi, ndërsa varfërimi apsolut i popullsisë rezultoi një utopi marksiste. Të gjitha të dhënat e së kaluarës tregojnë se, pavarësisht zhvillimit të madh të shkencës e të forcave prodhuese që u arrit në sistemin kapitalist, pavaresisht nga rritja e mirëqenies për shumicën e popullsisë nga një epokë në tjetër, akoma sistemi kapitalist vazhdon të karakterizohet nga disa dukuri shumë shqetësuese, të cilat mund të kapërcehen vetëm nëpërmjet transformimeve të tjera institucionale në drejtim të uljes të pabarazive ekonomike, të mbrojtjes më të mirë sociale të shtresave të varfëra dhe, pse jo, edhe të zhdukjes në përgjithesi të varfërisë. Sado i vështirë që të jetë ky problem i madh shoqëror, me shkallën e sotme të zhvillimit të shkencës, nuk është një utopi nëqoftesë do të ndërmirren reforma të tilla shoqërore në drejtim të demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë dhe krijimit të institucioneve e të ndjekjes të politikave të tilla që zbusin pabarazinë ekonomike, si në fushën e pronësisë ashtu dhe në atë të shpërndarjes, duke parandaluar kështu shpërthimet shoqërore dhe krijimin e shtresave të varfëra. Në të gjitha kohrat problemi kryesor i shkencës ekonomike ka qenë sigurimi i përdorimit sa më efikas i burimeve të disponuara që nga natyra e tyre janë të kufizuara, për plotësimin e dëshirave dhe të nevojave të njerëzve që nga natyra e tyre janë të pakufizuara. Zgjidhja e kësaj kontradikte ndërmjet buriemve të kufizuara të trashëguara dhe dëshirave e kërkesave të pakufishme të njeriut, përfaqëson sfidën më të madhe të epokës tonë. Burimet e trashëguara nga natyra po përdoren shekuj me radhë dhe sasia e tyre pa tjetër që është konsumuar pjesërisht nga njeriu, por numri i njerëzve mbi tokë është rritur dhe do të rritet vazhdimisht. Në mijvjeçarin e parë në tokë nuk jetonin më pak se 1 miliard njerëz, kurse sot jetojnë më shumë se 7 miliardë njerëz me zgjatje më të madhe jete, me nivel shumë më të lartë kulturor dhe më me shumë kerkesa. Kombinimi i reformave të thella demokratike, shoqerore dhe institucionale, me perdorimin më efikas paqesor të të gjitha perparimeve shkencorë, të burimeve të disponueshme mund të sigurojnë një rritje të tillë të PBB (që sot në botë është mbi 80 trilion dollarë), që nëpërmjet shpërndarjes dhe rishpërndarjes së tij më të mirë, do të mund të rritet më tej mirëqënia e shumicës dhe të zhduket krejtësisht nga faqja e dheut varfëria absolute. Unë mendoj se sot më tepër se kurrë shkenca ekonomike duhet të marrë parasysh atë që David Rikardo i shkruante Maltusit në një letër të vitit 1820, duke i theskeuar se ekonomia politike duhet të merret me “studimin e ligjeve që përcaktojnë shpërndarjen e produktit të prodhuar në ekonomi ndërmjet klasave pjesmarrëse në prodhimin e tij”. Në asnjë ekonomi, mekanizmi i ekonomisë së tregut të lirë, nuk mund të sigurojë njëkohësisht si efikasitetin optimal të prodhimit shoqëror (siç e ka përshkruar Paretoja), ashtu edhe shpërndarjen optimale të të ardhurave të tij. Për këtë arsye lind nevoja që funksionimi i mekanizmit të tregut të lirë duhet të shoqërohet me ndërhyrjen e shtetit në ekonomi me qellim që nëpermjet proceseve të ndryshem të rishpërndarjes së të ardhurave dhe të kufizimit të pabarazive ekonomike, të arihen ato objektiva që nuk mund të realizohen nëpërmjet mekanimit të tregut. Në pyetjen tuaj ju shtroni problemin e pangopësisë të të pasurve. Për mendimin tim disa njerëz të pasur (të cilët Keynes i ka quajtur bisha të egra) nuk ka mundesi të ngopen kurrë, sepse ata nuk përpiqen vetëm të mbushin stomakun, ose të veshin trupin e tyre të deformuar, por të kënaqin fantazinë e tyre me pushtetin e parasë shuma e të cilave nuk ka asnjë kufi. Për zvenitjen e fantazisë së këtyre pasanikeve, për mendimin tim, ka vetëm një rrugë: përdorimi i instrumentave të ndryshm ekonomikë të rishpërndarjes të të ardhurave e të pasurisë dhe zbatimi i ligjeve kundër spekulantëve dhe hajdutëve të padukshëm të tregut informal. Duhet theksuar se në një ekonomi si e jona brenda një periudhe kaq të shkurtër u krijua një pabarazi kaq e madhe ekonomike (në mjaft raste jo nëpërmejt mekanizmit normal të tregut). Ka ardhur koha e kryerjes të inventarizimit të plotë dhe të saktë të pasurisë mbi të cilën duhet të rëndojnë ligjet dhe tatimet e rregullta.

Një fjalë e urtë thotë:nuk rriten paratë në pemë. Ju Prof.Pano keni shkruar për “shkelqimin dhe rënien e firmave piramidale”. Qëndron, është i përhershëm ky rrezik për mentalitetin tonë si popull? 

Pano: Në radhë të parë unë do të desha të theksoja se paraja në vetvehte, pavarësisht se në letërsinë artistike është anatemuar shumë herë, përfaqëson një instrument shumë të rëndësishëm të zbulaur nga njeriu. Në broshurën e botuar mbi piramidat unë kam dhenë një thenie të Nahatma Ghandhit “Kapitali si i tillë nuk është i lig. Atë e bën të lig përdorimi i gabuar”. Në vazhdim mund të shtoj një mendim në lidhje me paranë në përgjithesi. Paraja i ngjan plehut organik, i cili po të grumbullohet në një pikë prodhon erë të keqe dhe mikrobe të rrezikeshme, kurse po të shpërndahet në mënyrë të drejtë krijon në ekonomi një fushë shumë pjellore dhe të lulëzuar. Përsa u përket piramidave financjare dhe formave të tjera të spekullimeve kriminale unë mendoj se nuk duhet të lidhen fare me ndonjë mentalitet të veçant të popullit tonë. Ngjarje të tilla kanë ndodhur më parë në shumë vende dhe mund të ndodhin përseri. E vetmja gjë që mund të bëhet është të informohen njerëzit e thjeshtë për rreziqet e spekullimeve financiare. Për ketë qellim medja e shkruar apo vizive duhet të botojnë më tepër informacion mbi llojet e ndryshme të spekullimeve financiare që kanë ndodhur ose mund të ndodhin në tregjet financiare. Një përgatitje të veçantë duhet të kenë edhe studentet e fakulteteve ekonomike dhe juridike që ndeshen me veprime të tilla. Çdo njeri duhet të dijë se parimisht sa më i lartë është niveli i normës së fitimit që i ofrohet nga një investim në letrat me vlerë (në formë depozite, aksione, obligacione ose kontrata sigurimi etj), aq më i lartë është dhe shkalla e rrezikut të investimit. Në Shqipëri tregu financiar është akoma në fillimet e tij, por kjo nuk do të thotë se nuk ka ose nuk do të ketë më asnjë rrezik spekullimi. Është një arritje e madhe krijimi i Autoritetit të Mbikqyrjes Financjare, njoftimet e të cilit mund të shërbejnë për paralajmerimin e çdo rreziku që mund të shfaqet në këtë fushë. Ka ardhur koha, gjithashtu, të krijohen dhe agjencitë e analistëve financjarë, për llojet e ndryshme të letrave me vlerë. 

Nëse i detyrohesh bankes 100 dollarë ky është problem i yt. Nëse i detyrohesh 100 milion dollarë atëherë është problem i bankës. Nisur nga kjo thënie interesante, dëshiroj të të pyes: Cili është komenti i juaj për kreditë e këqia”, si e parashikoni fundin e tyre? 

Pano: S’ka dyshim se në një ekonomi tregu bankat përfaqesojnë zemrën e sistemit ekonomik nga funksionimi i mirë i të cilave varet qarkullimi i mirë i gjakut që mbαn gjallë, si ndërmarjet ashtu dhe qytetarët. Sipas analistëve të bilancit të çdo ndërmarrjeje paraja përfaqëson atë që e kanë cilësuar “mbretin” e aktiveve (asseteve) të aktivit të bilancit nga gjëndja e të cilit varet aftësia paguese e çdo ndërmarrjeje. Bankat e nivelit të dytë përfaqesojnë vetëm kanalet ndërmjetëse të lëvizjes së parave që grumbullojnë parat e popullsisë dhe japin para kredi personave dhe ndërmarrjeve të veçanta . Kjo do të thotë se në pjesën më të madhe ato punojnë duke rrezikuar me paratë e depozituesave dhe në një pjesë të vogel kapitalin e vet (ose të aksionistëve). Kjo kërkon që bankat të respektojnë rregullat e duhura për raportin e madhësisë ndërmjet depozitave të pranuara nga depozituesit dhe kredive të dhëna në mënyrë që asnjë moskthim në kohë i kredive të mos rrezikojë as madhësinë e kapitalit të tyre të vogel, as depozitat e depozituesve. Çdo vonesë në shklyerjen e kredive mund të vështirësojë veprimtarinë e bankave të nivelit të dytë në dhënien e kredive të reja ose në kthimin e depozitave të qytetarëve. Kjo është arsyeja që Banka Qëndrore e çdo vendi ndjek dhe kontrollon vazhdimisht gjendjen e kredive të pakthyera në afatin e duhur (të quajtura kredi të këqia). Kur niveli i këtyre kredive tejkalon kufirin përkates të kontrolluar nga Banka Qëndrore, atëhere jepet alarmi përkates për shtimin e kapitalit aksionar të vet bankave, ose marrjen e masave të tjera për mosfalimentimin e borxhlinjëve dhe të bankave. Simbas njoftimeve të Bankës tonë Qëndrore deri tani niveli i kredive të këqia në bankat tona të nivelit të dytë, megjithëse është në gjendje të pakënaqeshme, prapëseprapë ndodhet brënda nivelit të manaxhueshëm të tij, pa ndonjë rrezik për falimentimin e bankave. Nga kjo pikpamje unë nuk besoj se ekziston tani për tani ndonjë rrezik për falimentinin e ndonjë banke të nivelit të dytë. Kjo nuk do të thotë se gjendja dueht lënë kështu. Unë mendoj se utoritetet përkatese do të mund të marrin masat e nevojëshme për shëndoshjen e gjendjes të borxhlinjve të këqij dhe mosrrezikimin e sistemit tonë bankar, duke qetësuar kështu gjithë depozituesit tanë. 

Dallimi i vërtet mes suksesit dhe dështimit të një shteti në ekonomi varet sesa mirë shteti i nxjerr energjitë dhe talentet e mëdha të njerëzve të vet. Cili është opinioni i juaj prof.Pano për vlerësimin që i bën shteti shqiptar vlerave, talenteve të cilët, për hir të së vërtetës, nuk i mungojnë? 

Pano: Në ekonomi faktori kryesor i zhvillimit dhe i përparimit në të gjitha kohët dhe vendet ka qenë faktori njeri, numri dhe aftësia e talenti i njerëzve. Në të dyja këto drejtime unë mendoj se ne kemi shumë gjynara. Së pari, vendi i ynë brenda një çerek shekulli me emigarcionin e çrregullt humbi 1/3 e popullsisë së tij më të aftë për punë. Së dyti, nga numri i popullsisë së mbetur në vend, prej rreth 3 milionë njerëz, ndër të cilet 2 milionë janë në moshë pune, punojnë pak më shumë se 1 milion. Nuk është vendi këtu për të kaluar në analizën e shkaqeve të vjetra dhe të reja të kësaj gjendjeje, por për të medituar me shqetësimin e seriozitetin më të madh nga të gjithë ata që e konsiderojnë veten të talentuar e atdhetarë për masat urgjente, për përmirësimin gradual të gjendjes. Rruga e përmirësimit është shumë e veshtirë, por jo e pagjetëshme nëqoftëse ndërmerren studime serioze me mbeshtetjen e të gjithë forcave politike të vendit, pa monologe partiake. S’ka dyshim se në numrin total të njerëzve ata më të zgjuarit e më të talentuarit (e të gjitha profesioneve me arsim të mesëm e të lartë), kanë një rol të veçantë. Për ta ka nevojë që shteti të ketë aparatin e tij jo partiak të zbulimit, të trajtimit e të ndihmës shpirtërore dhe materiale për të ti mbajtur në vend dhe për ti mobilizuar më me entusiazëm për të mirën e vendit. Për këtë nuk mjaftojnë vetëm parrullat patriotike. Në kushtet e lëvizjes së lirë dhe të kushteve të vështira ekonomike, është shumë lehtë që me mijra intelektualë e zanatçinj të talentuar, për të cilët shoqëria jonë ka harxhuar miliarda lekë, ti marrin “falas” të huajtë. Dhe ky nuk është një rrezik i përkohshëm, as një rrezik vetëm për ata me arsim të lartë, por një rrezik i përhershëm i konkurencës së tregut të punës, që sot prek më tepër puntorët e kualifikuar, zanatçinjtë tanë duarartë. Në vendin tonë ka rëndësi të përmirësohet jo vetëm trajtimi dhe punësimi i njerëzve, por dhe shfrytezimi më i mirë i burimeve tona natyrale. Është një përpjekje shumë e lavdërueshme politika e dhënies përparësi zhvillimit tonë bujqësor, por fakti që nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore që kemi, shfrytëzohen vetëm 50%, tregon sesa mbrapa jemi në këtë drejtim. Nuk dua të zgjatem këtu për burimet e nëntokës tonë, për të cilat unë nuk shikoj akoma një studim terësor nga shkencëtarët tanë të talentuar, për vënien më të mirë të kësaj pasurie në shërbim të vendit. Në të gjitha këto drejtime shteti duhet të përmirësojë punën e tij. Në kushtet në të cilat ndodhemi nuk ka rrugë të lëhta dhe të sheshta për zhvillimin tonë. Ato janë shumë të vështira dhe duhen gjetur me forca kolektive, të oeganizuara dhe të drejtuara nga shteti. 

Rreth ndihmës që japin dy institucione të specializuara financiare, FMN dhe BB, ka konsiderata të ndryshme.Cili është mendimi juaj Prof.Pano? 

Pano: Kjo është e vërtet si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen. Ka pikapmje të ndryshme mbi domosdoshmërinë, qëllimin dhe rolin e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare. Unë jam i mendimit se, veçanëarisht sot në kushtet e ekonomisë botrore të globalizuar, domosdoshmëria dhe ndihma e këtyre dy organizmave ndërkombëtare është e pa zevendësueshme. Pa ndihmën e tyre tregjet botrorë të shkëmbimeve monetare do të karakterizoheshin nga një anarshi e rrezikëshme për të gjitha vendet, e veçnarisht për vendet më pak të zhvilluara, me probleme në deficite kronike në bilancin e pagesave. Duhet theksuar se edhe funskionimi i këtyre institucioneve ka ardhur duke u përmirësuar nga një dhjetvjeçar në tjetërin. Mëgjithëse deri tashti nuk është realizuar ëndrra e Keynes (në mbledhjen e Bretton Woodsit 1944) për krijimin e monedhës unike ndërkombetare “Bancor”, prapëseprap krijimi dhe funskionimi i SDR si njësi monetare llogarie ndërmjet bankave qëndrore të vendeve antare, përfaqeson një përparim të rëndësishëm për sistemin monetar ndërkombetar dhe stabilitetin e tij. Për sa i përket vendit tonë FMN dhe BB kanë dhenë që në fillim ndihma të rëndësishme dhe të vlefëshme në formë kosulencash, lloje të ndryshme krediti dhe mbështetje financiare, pa të cilat vështirë se do të ishte realizuar procesi i kalimit në ekonominë e tregut dhe ndërtimin e institucioneve të tij përkatese. Megjithatë asnjë nuk mund të thotë se veprimtaria e të dërguarve të këtyre dy institucioneve në vendin tonë ka qënë në të gjtiha rastet dhe për të gjitha gjërat e pakritikueshme. Kështu shqiptarët nuk e kanë të lehtë të harojnë që përfaqësuesit e këtyre institucioneve me eksperiencën e tyre të madhe nuk arritën të paralajmërojnë dhe me autoritetin e tyre të parandalonin katastrofën e piramidave financiare. Por edhe në këtë rast ne nuk mund të ngatërojmë punën e pakualifikuar të disa njerëzve me rolin dhe ndihmën e madhe që na kanë dhënë këto institucione të rëndësishme. Në fund të fundit nuk duhet të harrojmë se përgjegjesitë kryesorë për dështimet tona janë jo të nënpunësit të huaj, por qeveritë që na drejtojnë. Të meta mund të jenë vënë re edhe në kontrollin e ritmit të rritjes të borxhit tonë të jashtëm, ose efikasitetin e përdorimit të kredive të marra, për të cilin përfaqësuesit e këtyre institucioneve mund të ishin më të rreptë. Megjithatë në të gjitha këto raste nuk mund të shprehet një mendim i prerë, pa ditur me hollësi në të gjitha rastet kërkesat e paraqitura nga qeveritë tona dhe pranimet e udhezimet e dhëna nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Kemi të bejmë me një marrëdhënie dy palëshe dhe përcaktimi i saktë i të metave nuk është i lehtë. 

Kush guxon të jap mësim kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari. Këshilla juaj prof.Pano për brezat mësimdhënës cila është?

Pano: Ky është një parim shumë i rëndësishëm për mësimdhënësit e të gjitha kohrave dhe e të gjithë niveleve të arsimit. Një arsimtar, dhe aq më tepër një pedagog i arsimit të lartë, që nuk studjon vazhdimisht të rejat e shkencës dhe të teknikës në të gjitha drejtimet e zhvillimit të tyre, me kalimin e kohës shteron, dijet e tij humbasin freskinë dhe pasurinë e aritjeve të njerëzimi. Leksionet bëhen shumë të mërziteshm jo vetëm për dëgjuesit, por edhe për vet atë. Pedagogun duhet ta karakterizojë vazhdimisht kurioziteti shkencor, zgjuarësia dhe aftësia e komunikimit sa më të mirë me auditorin, dashuria, respekti për studentët e auditorit, të cilët janë dhe gjykatësit e tij më të rreptë e të drejtë. Pa rritjen e vazhdueshme të bagazhit të tij shkencor, pa gjetjen e metodave sa më të mira të transmetimit të dijeve, pa një komunikim të gjallë e të drejtë me studentët , nuk do të mund të ruaj gjatë respektin e tyre. Leskionet e paripërtëritura me dijet e reja të shkencës, me shembulla të reja dhe mënyra sa më të përshtatëshme, kthehen në fjali bajate që mërzisin dhe dekurajojnë vetë studentët e tij. Vetëm kur leksionet pasurohen vazhdimisht me të rejat e shkencës dhe lidhen në mënyrë interesante me dukuritë reale të jetës e të ekonomisë, do të tërheqin studentet dhe do t’ju edukojnë atyre dashurinë për shkencën përkatëse. Simbas eksperiencës time parimet kryesore të sjelljes së një pedagogu të talentuar duhet të jenë ato të studimit të vazhdueshëm, të vleresimit të drejtë dhe të respektit ndaj çdo studenti. Do të ishte gabim fatal që një pedagog t’ju kërkonte studentëve të studjonin mirë shkencen e tij, në një kohë kur ai nuk tregon i pari shembullin e ndjekjes së vazhdueshme të pasurimit të kësaj shkence. Në këtë drejtim duhet theksuar që pedagogu jo vetëm që duhet të ndjek vazhdimisht përparimet në botën e shkencës së tij, por dhe të jetë i aftë t’i zbatojë këto përparime si në leksionet, ashtu dhe në problemet konkrete të ekonomisë së vendit. 
Nga Bashkim Koçi