Luçi Stefa/ Doktor Miti Vokopola mbetet themeluesi i neuropsikiatrisë shqiptare

1570
Në një ditë të zakonshme, ishim ulur e bisedonim si dy bashkëfshatarë në një kafene me Profesor Doktor Lluka Heqimin. Biseda ku nuk na çoi; tek fshati ynë i lindjes, tek njerëzit e jetuar në atë truall, tek puna, kontributet që kanë dhënë njerëzit e tij për fshatin, tek rrethi e në tërësi tek shoqëria. Kujtonim dashurinë e gjithsecilit për mësimin dhe dijen. Për ta, këto kanë qenë ushqimi i parë i mendjes, që ka vërshuar në vazhdimësi të kohërave. Mësimi për ta ishte ushqimi i parë, edhe sikur në sofër bukë të mos kishin, nga mësimi nuk hiqnin dorë. Fshati ka qenë i shkolluar kohë pas kohe, ka nxjerrë mjaft intelektualë, mendimtarë, eruditë pse jo edhe shkencëtarë, pa lënë pa përmendur tregtarët e njohur, që kanë shërbyer në qytetet e atyre kohërave si: Berat, Durrës, Fier, Vlorë e gjetkë, si ç’ishin dy Stefanët: ai Gjorga në Vlorë dhe Karkaqa (Vokopola) në Durrës, po kështu mësuesi erudit Perikli Ikonomi, në Fier. Gjithashtu tek njerëzit e lindur në fshatin tonë, vlen të përmenden Ilia (sektori i naftës) e Spiro Karadumi (sektori i pyjeve) me titullin e lartë të profesorit dhe doktorit; Lluka Heqimi dhe Sokrat Arqile Xhaxha në mjekësi. Dija dhe mençuria e njerëzve të Vokopolës nuk mbaron këtu, bijtë dhe bijat e saj kanë kontribuar në çdo sektor të jetës, por figura më madhështore e saj është më i dëgjuari i kohës, neuropsikiatri i parë shqiptar, Doktor Miti (Dhimitër) Vokopola i Durrësit. Figurat e pakursyera, të dala nga fshati i Vokopolës, kanë nderuar vendlindjen, kanë punuar, kanë gjallëruar e ndihmuar në zhvillimin e jetës në vend, atje ku kanë shërbyer. Aktiviteti dhe puna e tyre s’do të shuhen kurrë edhe në të ardhmen tek ata do të gjendet kurdoherë devotshmëria, aftësia për të përmbushur çdo synim dhe qëllim të caktuar. Përkushtimi dhe kontributet madhore të plejadës së shkuar mbeten në kujtesë e vlerësohen tërësisht, por puna intensive 55 vjeçare, mendja e urtë e Doktor Vokopolës mbeten rrezatimi më verbues, që me dashuri dhe përkushtimin më suprem u vu tërësisht në shërbim të shkencës, për shërimin e një sëmundjeje të rëndë tek mjaft pacientë. Qytetarët durrsakë, pse jo edhe mbarë Shqipërisë e vlerësojnë dhe e mbajnë simbolin e shpëtimit të shumë njerëzve, i cili pa u kursyer e pa u lodhur, me mendjen e tij të artë shëroi mjaft pacientë. Këtë figurë e përgëzojnë në çdo bisedë familjare e shoqërore duke ja ngritur emrin dhe famën e madhe të lënë në fushën e mjekësisë, duke ju përkushtuar deri në momentin e ndërrimit të jetës më 18 Dhjetor 1983.
Legjendë e shkencës mjekësore
Dr. Vokopola ishte dhe mbetet në zemrat njerëzore, legjendë e shkencës mjekësore. Në Durrës njihej me emrin “Dr Vokopola” që i rridhte nga emri i fshatit të të parëve të tij. Për figurën e Dr. Vokopolës gjatë bisedave diskutoheshin dhe silleshin në kujtesë mjaft rrëfime. Këto i kam dëgjuar nga prindërit, nga të afërmit e mi, por edhe nga mjaft bashkëbisedues dashamirës të tij. Ishin këto nxitje që më shtynë të shkruaj për këtë njeri, jo vetëm si figurë që rridhte nga fshati im, por se ishte një figurë e madhe mjekësore. Por interes kishte edhe mjeku neuropsikiatër nga Vokopola Sokrat Arqile Xhaxha, në spitalin Nr. 5 në Tiranë. Figura e Dr. Vokopolës vjen në imazhin e kohës sot tek ne, si një yll ndriçues i simbolit të mjekësisë shqiptare moderne. Prandaj edhe vokopolarët krenohen me punën, veprën madhështore të lënë në shkencën mjekësore për kurimin dhe shërimin e mjaft pacientëve, për këtë figurë krenohen durrsakët, mbarë mjekësia shqiptare pse jo edhe ne bashkëfshatarët e tij pasardhës. E kujtojmë sot, mjek të palodhur, studios, kliniçist, por edhe shkencëtar që ka aplikuar metoda bashkëkohore që kryheshin edhe në klinikat e huaja. Atë nuk e mposhtën vështirësitë. Ai jetën e vlerësonte si një garë me maratonën e gjatë të saj, që ka bukurinë dhe vlerën e saj, për të cilën bënte të pamundurën, kërkonte që pacientët e tij të arrinin çdo gjë prej saj. Ai, me punën e tij kërkonte të ishte sa më afër pacientëve, të njihte veçoritë psikike më kryesore që ata shfaqnin, me veprimet e sjelljet e tij, duke arritur në përfundime dhe i vendoste “plagës” mjekimin e duhur dhe e shëronte atë. Kishte besim të madh dhe shpresonte t’ia arrinte qëllimeve që i kishte caktuar vetes, shërimin e të sëmurëve, për t’u shërbyer me kujdesin më të veçantë. Ai ishte optimist, punonte me dëshirën e madhe për profesionin, shpresonte se do të arrinte plotësimin e qëllimit. Ai mbeti një idhull, për të sëmurët dhe familjarët e tyre ishte një fuqi që simbolizonte natyrshëm shërimin e njerëzve, të cilin e adhuronin e nderonin si “hyjni në kohën e vet”. Adhurohej dhe nderohej me përuljen më të thellë, ishte bërë figura më emblematike e kohës, por edhe sot ka mbetur idhulli i durrsakëve.
Dashuria për vendlindjen
Ndonëse banonte në Durrës, shpeshherë shprehte dëshirën dhe dashurinë për vendlindjen e etërve të tij, kur hynte në biseda, e i kujtonte me mall. Ai ndonëse ishte larg dhe puna e pengonte të shkonte, por përsëri ruante kontaktet me bashkëfshatarin e tij moshatar, Toli Rrumbullakun. Ja si tregon i biri i tij Lluka: “Babai im Toli – shpeshherë shkonte në Durrës e takohej me Doktor Mitin, i cili i shprehte kurdoherë dëshirën me mallëngjim të thellë për vendlindjen. Në kujtesë ruaj vitet e fëmijërisë, kur vinte e luanim së bashku nëpër murishtet edhe në oborrin e shtëpisë së prindërve të mi; nga sytë e tij belbëzonin pika loti të kristalta, mall nga zemra me prush të zjarrtë”. Për Doktor Vokopolën edhe Meni Zoi Stefa tregonte: “Në vitin 1948 kryeja aksionin me rininë e shkollës në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, u sëmura rëndë dhe më dërguan me urgjencë në spitalin e Durrësit. Me një kujdes të veçantë më vizitoi mjeku që unë besova se ishte Doktor Vokopola, kisha dëgjuar nga prindërit që flitej për të. Në vizitën më pas u njoh me kartelën time dhe pasi më vizitoi unë ndjehesha më e qetësuar. Më pyeti se nga isha – nga Vokopola e Beratit u përgjigja, e bija e Zoi Stefës. Ti moj vajzë je nga Vokopola e bashkëmoshatarit tim, mos u shqetëso, do të shërohesh shpejt e do ti ndjekësh shoqet e shokët në aksion – më tha. Aty pashë me sytë e mi si interesohej ai për mua dhe të tjerët pa përjashtim dhe të gjithë pacientët shpreheshin se ai ishte “miku i të sëmurit” edhe ka kujdes të veçantë për secilin pacient. Gjithashtu Urani Aleksi, e shoqja e Gor Aleksit tregon me shumë dashamirësi për kujdesin e Dr. Mitit ndaj të shoqit, i cili ishte pacient i shtruar në spitalin e Durrësit. “Nuse e Gorit mos u shqetëso, se jo vetëm që të kam bashkëfshatare, por në të njëjtën kohë prindërit e mi jetonin me prindërit e tu nën një çati dhe oborr” – kisha dëgjuar për të por nuk e njihja. “Mos u shqetëso – vazhdon e më thotë – se Gori do të shërohet shpejt, ai është nën kujdesin e plotë të spitalit dhe po bëhet çdo gjë e mundshme për t’u shëruar”. Lluka Heqimi në librin “Historiku i Vokopolës” midis të tjerave gjen vlerësimin: “Siç njihet kudo, Doktor Miti është themeluesi i neuropsikiatrisë shqiptare, i pari i kësaj mjekësie, një burrë me pamje djaloshare, me një përshtypje burrërore e plot krenari të zakontë, të butë, paqësore, me mendime e sugjerime të thella të një intelektuali që kishte forcën madhore me shpirt human, me një botë të brendshme që çlironte vetëm dashuri, mirësjellje dhe ndjesi për të qenë sa më pranë të sëmurëve, me qëllim shërimin dhe lehtësimin e dhimbjes së pacientëve, por edhe të të afërmve të tyre. Tek Doktor Vokopola gjej virtytet e një mjeku gjenial me dituri të thellë, me talent të pazakontë, i cili në punën e tij aplikoi edhe shpiku mjaft metoda bashkëkohore për shërimin e sëmundjes mendore, gjithashtu duke përdorur edhe metodat të sapo vëna në veprim nga klinikat e huaja, prandaj vlerësohet edhe si “babai i neuropsikiatrisë shqiptare tek ne”.
Jetëshkrimi
Doktor Miti Vokopola, ka lindur më 19 Korrik 1893, në Vokopolë, Ura Vajgurore, Berat. I porsa lindur, i ati i tij Stefani, familjen e vendosi me banim në Durrës, pasi aty kishte aktivitetin e tij tregtar. Banimi në Vokopolë i të atit ishte në qendër të fshatit në lagjen ku ishin të vendosur “Rrumbullakët” dhe Karandrea. I ati i Mitit, Stefan Dhimitër Karkaqia, martuar me Katerina Lekën, nga Vlora, me origjinë nga Berati, lindën katër fëmijë: Evlloqin, Petron, Eftimien dhe Mitin (Dhimitrin). Si të gjithë bashkëfshatarët e tjerë të Vokopolës, ai kishte emigruar në Stamboll që në moshë të re, duke siguruar vlera monetare arriti të sjellë materiale të ndryshme dhe i tregtonte në Durrës. Doktor Miti që në fëmijëri në Durrës, nën ndikimin e të atit mori një edukatë patriotike, pasi i ati kryente tregti me mallra të marra nga Stambolli. Ai kishte hyrë në marrëdhënie të ngushtë dhe ishte miku i disa prej rilindëseve të Stambollit, ishte atashuar në aktivitetin e tyre, e karakterizonte dashuria për atdheun dhe shqiptarizma e lartë, ashtu si edhe shumë bashkëfshatarë të tjerë, siç ishte edhe tregtar Stefan Gjorga në Vlorë, i cili ishte lidhur me një pjesë të rilindëseve të kohës. (19 Korrik – 118 vjetori i lindjes)
Sigal