Naumi, “muze” i gjallë i pyjeve tanë

754
Sigal

Deri tani, si specialist të  vjetër, të gjallë, të fushës së bujqësisë e pyjeve, dija agronomin Dhori Laci. Vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë dhe Shoqata “Devolli” i festuan atij 100 vjetorin e lindjes (ka lindur me 20 korrik 1911). Por, ja që Efthimi ia kaluaka në moshë. Ai është edhe 22 dit më i madh se Dhori. Është një rastësi e bukur se të dy këta specialistë, janë me origjinë nga Devolli: Dhori nga Grapshi, ndërsa Efthimi nga Hoçishti. Rastësi tjetër është se të dy kanë mbaruar Universitetin “Aristoteli” në Selanik, njëri për agronomi e tjetri për inxhinier pyjesh. Por, le ta lemë Dhorin. Për atë është shkruar e folur mjaft. Sot e ka radhën Efthim Naumi.

Një festë e rrallë

Çdo ditëlindje ka bukurinë e vet, pasi është rast për t’u mbledhur e gëzuar, si dhe për të uruar njeriun e afërt. Por, çdo ditëlindje ka edhe të veçanta, të cilat mbeten në kujtesë. Kështu edhe ditëlindja e sivjetme e inxhinierit të vjetër të pyjeve, Efthim Naumi, kishte të veçantat e saj. Një nga ato ishte se ajo përmbante tri shifra. Ai festonte ditëlindjen e 101-të! Janë të pakët njerëzit që festojnë ditëlindje me tri shifra. Veç festimit bukur, dy momente të veçanta pasuan më tej ditëlindjen e 101- vjeçarit.. I pari ishte dorëzimi i certifikatës së “Mirënjohjes”, dërguar nga Shoqata e Inxhinierëve të Pyjeve të Shqipërisë, firmosur nga kryetari i saj, Kolë Malaj, me motivacionin: “Emri dhe kontributi juaj në pylltarinë shqiptare, vlerë dhe shembull për brezat e specialistëve të pyjeve” dhe dorëzimi i gazetës “Illyria”, e cila botohet në New York për shqiptarët e Amerikës, ku ishte botuar një shkrim për punën dhe jetën e Efthimit, me rastin e 101 vjetorit të lindjes.

Shkolla dhe rinia

Hapat e parë të shkollimit të tij zënë fill në vendlindje, në Hoçisht. Aty kreu tre vite të shkollës fillore, pastaj vazhdoi në Greqi, ku e merr me vete vëllai, Petroja, i cili ishte vendosur në Veria. Aty Efthimi vazhdoi shkollën gjashtëvjeçare. Në Korfuz mbaroi gjimnazin gjashtëvjeçar, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut, të cilin e mbaroi në vitin 1939. Kishte filluar Lufta e Dytë Botërore dhe si shumë shkolla, u mbyll edhe ky universitet. Një pjesë e punonjësve të tij shkuan në luftë. Drejtuesit e Universitetit ia lanë Efthimit kujdesin për godinën. Më jepni një vërtetim, që ta kem si dokument, u kish thënë atyre Naumi. Ti je shqiptar dhe kemi bindje në besën tënde, i ishin përgjigjur ata. Kështu, për një vit ai qëndroi aty dhe u kujdes si për shtëpinë e tij, për Universitetin ku kishte studiuar.

Punët e tij të shumta

dhe të bukura

Në janar të vitit 1942, kthehet në Shqipëri dhe filloi punë në Fushë-Arrëz, që ishte një qendër e madhe pasurish pyjore. Lënda drusore e kësaj zone shfrytëzohej nga shoqëri italiane e shqiptare. Aty Efthimi merrej me damkimin e lëndës drusore, llogaritjen e volumeve, kontrollin e prerjeve dhe pastrimeve, mbrojtjen e pyjeve nga zjarri e abuzimet, etj. Pas tre vjet pune, transferohet në detyrën e shefit të seksionit teknik të pyjeve e sharrave të Tiranës, që përfshinte zona pyjore edhe në rrethet Durrës, Krujë e Elbasan. Vitet e para të pasçlirimit, vendi kishte nevoja të mëdha për lëndë druri. Prandaj, së bashku me një grup të vogël inxhinierë pyjesh, Efthimi punoi me përkushtim për përmbushjen e detyrave. Pas Tiranës, në vitin 1946 transferohet në prefekturën e Korçës, si administrator i sharrave për rrethet Korçë, Pogradec e Kolonjë, ndërsa më pas në seksionin e Bujqësisë dhe Pyjeve të Korçës. Edhe aty u mor me planifikimet, mbrojtjen e pyjeve nga zjarret e abuzimet, me krijimin e fidanishteve pyjore, pyllëzimin e kodrave të Korçës dhe atyre të Dëmbravës në Poloskë të Devollit, me ngritjen profesionale të rojtarëve dhe punëtorëve të fidanishteve, etj. Nevojat për inxhinierë pyjesh, bëjnë që Efthimin ta lëvizin sa në një detyrë në tjetrën. Kështu, në qershor të vitit 1949 caktohet shef seksioni në Ndërmarrjen Industriale të Sharrave në Tiranë. Aty u mor me sigurimin e lëndës drusore për hidrocentralet mbi lumen Mat, sigurimin e traversave për hekurudhat Tiranë- Durrës e Durrës-Elbasan, duke shfrytëzuar pyjet e lisit në rrethet Mirditë dhe Elbasan. Në këtë periudhë, ai ka pasur shqetësime nga njerëz keqdashës, të cilët shpifnin, duke thënë se ka bërë abuzime në pyje. Por, pas verifikimeve, doli se ato ishin shpifje dhe atë vit u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve pranë Ministrisë së Bujqësisë. Edhe aty me ngarkesë të madhe pune: merrej me studime për pyllëzimet e reja, drejtoi punimet për gjelbërimin e plazhit të Durrësit me plepa, pisha e eukalipte, me projektimin dhe ndjekjen e punimeve për gjelbërimin e bregdetit nga Durrësi në Kavajë e deri në Kumet e Vlorës; studion mundësinë e mbjelljes së plepit kanadez në rrethet Vlorë, Fier, Lushnjë, Durrës, Lezhë e Shkodër për sigurimin e lëndës për prodhim letre; punoi për ngritjen e fidanishteve në disa rrethe të vendit, etj. Gjurmët e punës së Efthimit në ato vite i gjen edhe në  gjelbërimin e parkut “Rinia” në Tiranë, si dhe para hotel “Dajtit” me fidanë të sjellë nga Italia, etj. Puna e specialistëve të pyjeve në ato vite ishte e madhe, kujton Efhimi, pasi numri i tyre ishte i pakët. Mund të përmend këtu specialistët me emër, të diplomuar jashtë vendit, si Ilia Mitrushi, Llazar Treska, Ilia Nako e ndonjë tjetër. Më pas u dërguan studentë në Bullgari , Rumani, BS, etj., u çel edhe Fakulteti i Pyjeve dhe numri i tyre erdhi duke u rritur. Me kërkesën e tij, në shtator të vitit 1955, transferohet në qarkun e Korçës. Në fillim punoi në seksionin e Bujqësisë e më pas kryeinxhinier i Ndërmarrjes Administrimit të Pyjeve të këtij qarku. Në këtë ndërmarrje punoi me përkushtim deri sa doli në pension, në qershor të vitit 1974. Ndër punët e shumta të kryera në ato vite, Efthimi kujton ato për zgjerimin dhe pasurimin e fidanishteve pyjore me kultura të reja, duke siguruar fidanë jo vetëm për qarkun e Korçës, po edhe për të tjerë; mbrojtjen e pyjeve të pishës nga procesionaria; pyllëzimet në Devoll e rrëzë malit të Moravës; gjelbërimin e spitaleve, kopshteve, çerdheve e objekteve industriale; gjelbërimin e rrugëve Korçë-Bilisht, Korçë- Pogradec, Korçë-Kolonjë, etj. Në studimet e tij të publikuar në mjaft artikuj (numërohen 45 artikuj të botuar) Efthimi ka mbrojtur tezën e përhapjes së kulturave me rritje të shpejtë, ndërtimin e brezave pyjorë mbrojtës për kulturat bujqësore, zgjerimin e arealit të pishës së zezë, si halore me rëndësi, që zhvillohet në toka të varfra, etj. Shpesh studimet e tij janë kthyer në vendime qeverie.

Sekreti i jetëgjatësisë

Natyra e qetë, jo nervoze, ka qenë një nga këta faktorë. Puna për shumë vjet me pyjet, në këtë oaz të gjelbër, një sekret tjetër i jetëgjatësisë së tij. Dashurinë për pyjet, Efthimi e ka rrënjosur edhe tek fëmijët. Njërin nga fëmijët e tij, Petraqin, e bëri inxhinier pyjesh. Qysh kur isha i vogël, babai më merrte me vete në shërbimet që bënte në sektorët pyjorë. Shpesh unë kam fjetur aty, tok me babanë, thotë Petraqi. Ai ndikoi që unë të vazhdoja këtë fakultet, thotë Petraqi, i cili tani jeton në Gjermani.

Një propozim në vend të mbylljes

32 vjet punë të pandërprera, të bëra me përkushtim, në emër të profesionit, që i kushtoi jetën, në emër të dashurisë për pyjet, mendojmë se inxhinieri 101 vjeçar e meriton një vlerësim nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nga prefektura e Korçës, apo nga bashkia e këtij qyteti, në territorin e së cilës blerojnë frytet e punës së tij. Efthim Naumi, e meriton një vlerësim edhe nga Presidenti i Republikës. Një dëshmi “Mirënjohje” nga Ministria e Mjedisit apo bërja “Qytetar Nderi” i Korçës, do të ishte një “shlyerje borxhi” sado e vogël, ndaj këtij “muzeu të gjallë” të pyjeve tona.