Isa ALIBALI/Aktori i madh Bekim Fehmiu dhe Shkodra

79

 Babai i Bekimit, Ibrahim Fehmiu, ka qenë mësues e drejtor shumë i mirë dhe mik i Bajram Currit

 Ndër të parët artistë që tërhoqi vëmendjen tonë që në fund të viteve ‘60, ishte aktori i madh kosovar Bekim Fehmiu, sepse në televizionin italian RAI u dha filmi italo-francez “ODISEA”, ku ai interpretonte rolin kryesor, atë të Odiseut. Bekim Fehmiu na magjepsi të gjithëve.  Ishte një interpretim i përsosur, dinjitoz, që na bëri ta donim e ta admironim këtë artist të madh, figura e të cilit na zmadhohej edhe ngaqë e kishim tonin, shqiptar, që kishte arritur të depërtonte në këto nivele të artit kinematografik botëror. Por jo vetëm kaq. Ai në radhë të parë na rrëmbente me forcën e interpretimit të këtij roli të vështirë, të këtij personazhi të njohur prej të gjithëve. Na kishte pushtuar një krenari e natyrshme për këtë aktor që tashmë hyri në jetën tonë si një yll i vërtetë i kinematografisë.

Çdo ditë shtohej nga një e dhënë për të:

– Ka jetuar në Shkodër!…

– Po, 5-6 vjeç është larguar prej këtu…

– E ka pasë të atin mësues…

-Ashtu është, quhej Ibrahim Fehmiu, ka qenë mësues e drejtor, didakt shumë i mirë dhe patriot…mik i Bajram Currit.

– Kanë banuar në shtëpinë e prof. Vehbi Balës në Rusinë e vogël…” etj., etj..

Tashmë po bëhej krejt i njohur te ne, në krejt qytetin.

Kënaqësia, çudia dhe admirimi ynë për të rriteshin çdo ditë…

  Në maj të vitit 1971 Bekim Fehmiu erdhi në Shkodër

Në studion “Zef Jubani” të teatrit “Migjeni” u organizua një takim me të, me disa artistë dhe punonjës të artit e të kulturës të qytetit. Një takim i këndshëm, i ngrohtë, i paharruar…

– Kam kujtime të shumta e të bukura nga fëmijëria këtu në Shkodër. Kalova sot andej nga kemi patur shtëpinë dhe ndjeva ngazëllim. Nuk kishte ndryshuar ajo zonë dhe m’u përtërinë të gjalla kujtimet e ëmbla të vegjëlisë sime, ata njerëz përreth shtëpisë sonë, që aq shumë na deshën dhe na nderuan…Një komshi kishte një vajzë të bukur (dhe ia tha emrin) dhe ne donim ta fejonim vëllain tonë të madh për të…, por ne shkuam në  Prishtinë dhe kjo fejesë nuk u bë… Sot e pashë atë, pata emocione, kishte ndryshuar…më përqafoi kur më pa…

Ne dëgjonim me kënaqësi ligjërimin e tij. Fliste ëmbël, lirshëm, natyrshëm. Ne e ndiqnim me vëmendje të madhe. Ai shpesh herë bënte buzën në gaz ose i jepte bisedës së vet  edhe disa nuanca humori, për të thyer disi heshtjen  dhe përqendrimin tonë tepër të vëmendshëm.

– Babai ynë ka qenë atdhetar i njohur. Ka qenë mik i afërt me Bajram Currin e Fan S. Nolin. Si luftëtar i flaktë për liri e pavarësi, u ndoq dhe u dënua nga klikat serbe, prandaj  u detyrua të largohej nga Kosova, në fillim në Sarajevë e pastaj në Shkodër. Kur në shtatorin e vitit 1941 shumë mësues nga Shqipëria shkuan në shkollat e Kosovës së bashkuar me Shqipërinë, për babain tonë u krijuan kushte që të kthehej edhe ai në vendlindje.

Bekim Fehmiu, vite më vonë, në jetëshkrimin e tij, kujton largimin nga Shkodra:

 “Është një tollovi e pazakonshme para portës sonë. Një kamion i madh, i ngarkuar me gjërat e shtëpisë posa u nis, dhe i dyti po pret. Të gjithë fqinjët janë mbledhur të përshëndeten me të gjithë ne, nga se po kthehemi në Kosovë… Duke u përqafuar, me lot në sy njëri-tjetrin i urojmë fat. Hanka Leçe dhe fëmijët e saj qëndrojnë grumbull dhe presin që të fundit të përshëndeten. Qëndrojnë para portës, qajnë dhe lëvizin me mindela (shami-I.A.) të bardha. “…Bukuroshja” bën me dorë…: “Shkruani dhe unë do ju shkruaj juve!”. Ulem në kabinën e kamionit të madh afër nënës. A thua nënës sime, motrave të mia apo mua na rrjedhin lotët, apo është duke ramun shi? Edhe njëra edhe tjetra…Tani dëgjohet vetëm ushtima e motorit dhe ramjet e pikave të rënda të shiut mbi kabinën e kamionit. Të gjithë heshtnim, të zhytur në mendimet tona. E ndiej zbrazëtirën dhe frigën rreth asaj se çka do të na pret në ardhmëri… (Fragment nga libri autobiografik i Bekim Fehmiut “E Shkëlqyer dhe e Rrezikshme”, botuar në vitin 2001 në Beograd).

Emrat e fëmijëve

  “…Në vitet e mëvonshme babai u ndoq përsëri, u burgos dhe, sapo doli nga burgu, në vitin 1951 vdiq. E ka dashtë shumë vendin dhe popullin e vet. Ai edhe emrat na i ka vënë me një kuptim të caktuar, që lidhet me shpirtin e tij patriotik. Ja, motra e madhe e ka emrin Besa, sepse shqiptarët duhej të jepnin besën për të luftuar për vatanin, pastaj vjen Shpresa, sepse pas besës, duhet shpresuar për të ardhmen, e për ta realizuar këtë duhet bashkimi, prandaj vëllai i madh e ka emrin Bashkim.  Pastaj motra e tretë Luljeta, se kështu duhet të bëhet jeta, dhe për të përparuar vendi duhej arsimimi i të gjithë popullit, prandaj vëllai tjetër u quajt Arsim. Të gjitha këto të mira do të ishin një fat i mirë për vendin, prandaj djalit tjetër që lindi ia ngjiti Fatmir. Të gjitha këto të mira duheshin bekuar, prandaj babai ma vuri emrin Bekim, pastaj Afërdita, sepse për Shqipërinë më në fund do të agonte dita e shumëpritur e lirisë që do të vinte ajo shpejt”.

Sa bukur!

Ja që edhe emrat e fëmijëve, përveç se shprehin formimin dhe dëshirat e prindit, mund të shprehin në njëfarë mënyre një kuptim të caktuar, edhe ata “fliskan” dhe tregokan cilësi. Ibrahim Fehmiu, duke i vënë këta emra fëmijëve të tij, paska shprehur kaq bukur ndjenjat e tij të dashurisë për popullin dhe atdheun…

– Mendoni se me sa vështirësi na rritën prindërit, veçanërisht të vështirë e pati nëna jonë e dashur, Hedija, të na rriste e të na shkollonte mbas vdekjes së babait…

– Si e keni arritur këtë sukses në jetën tuaj artistike? – qe një pyetje me vend.

Na hodhi të gjithëve një vështrim të mprehtë, mbylli pak sytë dhe mblodhi vetullat. U kuptua se do të fillonte një kapitull të zymtë të jetës së tij, me plot pengesa, vështirësi, rreziqe, kurthe…

Foli gjatë, kurse ne dëgjuam me vëmendje.

– …Arrita të përfundoj Akademinë e Arteve në Beograd, në degën e dramës. Karrierën artistike profesionale si aktor e kam filluar në Teatrin Krahinor të Prishtinës, por nuk qëndrova shumë, sepse kisha ambicie më të larta. Me mbarimin e Akademisë, me vështirësi u përfshiva në përbërjen e Ateliesë 212 dhe të teatrit të dramës në Beograd, ku punova për rreth dhjetë vjet. Pastaj realizova, siç e dini, rolin e Uliksit…

 Tregoi gjatë e zymtë  se si kishte pasur pengesa e vështirësi të panumërta. Por pastaj u çel, sepse kishte triumfuar me aftësi, guxim e këmbëngulje mbi të gjitha këto peripeci të shumta të jetës. Na tregoi shembuj të shumtë për vështirësitë që kishte kaluar në jetë për t’u bërë vetvetja, artisti i madh që është sot.

 – Një herë, në Spanjë, donin të më ndryshonin mbiemrin, për të humbur identitetin dhe emrin tim shqiptar e  për të më dhënë tjetër identitet, atë serb. Ndodhesha në Romë. Menjëherë u nisa për në Madrid dhe protestova. Çështja përfundoi në heqjen e “h”-së nga mbiemri. Por edhe këtë nuk e lejova. Kërkova me këmbëngulje të më shkruhej saktë: Bekim Fehmiu! Dhe kështu u bë.

– Cila është dëshira juaj e së ardhmes?

– Të interpretoj rolin e Skënderbeut, po të krijohen mundësitë…

Por këto mundësi nuk u krijuan asnjëherë. Bekim Fehmiun e pamë më vonë edhe në filma të tjerë, ndër të cilët te “Përgjithmonë Xhulia”. Ndienim kënaqësi të veçantë, tamam ashtu si për “Odisenë” dikur.  Aq më tepër se tashmë ishte më i njohur dhe më i afërt për ne. E dinim se veprimtaria e tij kinematografike ishte shumë e gjerë dhe e suksesshme, por shumicën nga filmat, ku ka interpretuar aktori ynë i madh, ne nuk i shihnim. Izolimi i vendit tonë nga bota na e vështirësonte këtë gjë dhe njohuritë tona për të gjithsesi mbeteshin të zbehta, po të kemi parasysh vitet dhe dendësinë e veprimtarisë së tij. Bekim Fehmiu është një nga personalitetet më të shquar shqiptar që ka lënë gjurmë në kinematografinë botërore. Me të krenohemi të gjithë. Në vitin 2004 erdhi përsëri në Shqipëri. Kësaj radhe i ftuar nga Vera Grabocka në koncertin e madh “Duaje më shumë Shqipërinë”,  që u dha në Pallatin e Kongreseve, në një shfaqje të madhe.

–  “Shikoni një shfaqje teatri që të shihni se në çfarë niveli është shoqëria”,tha, përveç të tjerave, atë natë.

Me hidhërim të thellë mësuam për ndarjen e tij nga jeta. Këtë ndjenjë të hidhur na e bënë edhe më tronditëse lajmet e shumë televizioneve shqiptare, kur thanë se  …vinte nga një familje me origjinë shqiptare!!!

Pse kështu?!

Bekim Fehmiut i shkojnë shumë vargjet e poetit: “Kudo që shkoj jam një copëz peizazhi nga vendi im”.