Akuzohen për mitmarrje, 10 mijë euro një proces

439
Sigal

I propozohet KLD-së, gati shkarkimi i dy gjyqtarëve

Skandalet në sistemin gjyqësor nuk kanë të sosur. Vetëm 1 muaj pas largimit të ekipit të kontrollit nga Ministria e Drejtësisë kanë mbërritur denoncimet e para lidhur me paligjshmërinë në dhënien e vendimeve nga dy gjyqtarë të Durrësit. Qysh prej një muaji në këtë institucionin kishte ardhur për kontrollin e veprimtarisë së punës për periudhën nga viti 2013 dhe 9 mujorin e vitit 2014, një ekip i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, ku janë zbuluar mjaft shkelje të ligjit nga gjyqtarë të Shkallës së Parë dhe Apelit. Ato kanë të bëjnë me vendime të gjykimeve në procese penale dhe kryesisht pronash. Denoncimet kanë mbërritur edhe në afatin kohor, kur nëpër zyra dhe arkiva kishte akoma ekspertë të ekipit të kontrollit nga Ministria e Drejtësisë. Burime nga gjykata thanë për “Telegraf” se “bëhet fjalë për denoncime të cilat po verifikohen, për vendime mbi gjyqësinë e ndarjes dhe marrjes së pronave, ku fatkeqësisht në Durrës, ashtu si në çdo gjykatë tjetër ka mjaft shkelje procedurash dhe afera korruptive. Në rastin konkret, në njërin nga ato, kemi të bëjmë me mitmarrje nga dy gjyqtarë, ku bëhet fjalë për një proces gjyqësor pronash, i cili ka zgjatur mbi 6 vjet”. Denoncimet dhe dosjet e dy qytetarëve gjenden në zyrën e kreut të Ministrisë së Drejtësisë, i cili pa asnjë mëdyshje do t’i propozojë KLD-së shkarkimin e tyre. Aferat e pista harmonizohen mrekullisht me pazaret për vendimet e paligjshme. Sipas të njëjtit burim mësohet se, “proceset dhe vendimet janë shoqëruar me një kohë të patolerueshme, me mbi 5-6 vjet apo thirrjet e dëshmitarëve, kalimi në Apel, kthim sërish në Shkallën e parë”, duke luajtur me nervat dhe jetën e qytetarëve. Mangësi dhe abuzime janë konstatuar edhe në disa procese penale, ku janë dënuar minorenë për akuza të pabazuara në ligj. Ekipi i Kontrollit i Ministrisë së Drejtësisë shumë shpejt pritet të dalë me propozime konkrete për dy gjyqtarët, duke evidentuar raste të tjera, ku shkelja e ligjit dhe procedurave lidhet me aferat e pista. Puna e dobët e disa gjyqtarëve në Shkallën e Parë, lidhjet edhe me emërimin e tyre dhe lidhjet me rrjetin e korrupsionit, duke zbehur rezultatet pozitive të atyre që kanë gjykuar dhe dënuar me 25 vjet apo me burgim të përjetshëm kriminalë. Raporti i Kontrollit të Ministrisë Drejtësisë, ka evidentuar shkelje flagrante të gjyqtarëve që proceset i kthejnë prej vitesh në treg-shitje. Seancat gjyqësore shpesh zhvillohen me shkelje etike dhe ligjore, ku shpesh palëve u mohojnë edhe të drejtën e fjalës dhe paraqitjes së provave. Situata e krijuar prej vitesh, natyrisht, kërkon masa ndëshkuese ndaj çdo gjyqtari që në zyrë dhe sallën e gjykimeve sillet si gardian dhe jo si ruajtës i ligjit dhe drejtësisë.