Papa Françesku bekon vendin e Shqiponjave

516
Sigal

Orë pas ore me të veçantat e Papa Françeskut në Tiranë

Papa Françesku është Papa i dytë që shkel në trojet shqiptare, pas Shenjtit Papa Gjon Pali II, më datë 25 prill 1993. Papa Françesku zgjodhi pikërisht Shqipërinë, sepse, siç edhe e ka theksuar, është ndër më të vuajturat, larë me gjak martirësh, që dhanë jetën për fe, liri, demokraci dhe për bashkëjetesë shembullore në paqe. Ati i Shenjtë mbërriti dje, më 21 shtator në orën 9:30 në tokën shqiptare, ku iu rezervua një pritje zyrtare nga Kryeministri Edi Rama dhe disa përfaqësues të Kishës Katolike. Gjatë rrugës së tij nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe deri tek presidenca, rrugët ishin të mbushura plot me njerëz, të cilët prisnin të emocionuar ardhjen e tij. Në orën 9:30 u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes në oborrin e Presidencës, shoqëruar me një vizitë kortezie me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në orën 10:00 Papa zhvilloi në sallën e pritjes së kreut të shtetit, në takim me autoritetet. Një orë më vonë, në sheshin “Nënë Tereza”, Papa kremtoi Meshën e Shenjtë, ku ishte një pjesëmarrje e jashtëzakonshme shqiptarësh, të të gjitha feve, turistë, si edhe gazetarë vendas e të huaj, të mbërritur nga çdo media kombëtare e lokale në botë, të cilët raportuan këtë vizitë historike. Në orën 13:30, Papa Françesku mori pjesë në një takim dhe drekë me ipeshkvijtë shqiptarë. Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa u takua me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera, si përfaqësues të Komunitetit Mysliman, Ortodoks, Bektashian, Katolik dhe Protestant. Në orën 17:00 u zhvillua kremtimi i lutjes së mbrëmësores në Katedralen e Tiranës, ku morën pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri. Ndalesa e fundit e Papa Françeskut ishte në Bupq të Fushë-Krujës, ku ati i Shenjtë u takua me fëmijët jetimë të qendrës “Betania” dhe një përfaqësi personash të qendrave të tjera të bamirësisë të Kishës në Shqipëri. Ndërsa në orën 19:45 për të përmbyllur këtë vizitë të shenjtë për kombin shqiptar, në aeroport u zhvillua ceremonia e largimit të Papës, i cili u largua nga Shqipëria në orën 20:00.

Imzot Rrok Mirdita: Për një Kishë të përkryer kemi nevojë për Atin e Shenjtë

 Imzot Rrok Mirdita, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri pas meshës së mbajtur nga Papa Françesku ka mbajtur një fjalim ku u shpreh se, “Me ndjenjat e mirënjohjes më të thellë për vëmendjen që treguat ndaj Kishës sonë, popullit tonë e trojeve tona, kam nderin t’ju shpreh, si ipeshkëv dioqezan, në emër të  gjithë të pranishëmve, dashurinë e sinqertë, që na lidh me ju, duke ju falënderuar nga zemra për praninë tuaj e për fjalët tuaja”. Imzot Rrok Mirdita, i ka kërkuar ndihmë Papa Françeskut, që kisha në Shqipëri të jetë një Kishë e përkryer. Kreu i Kishës Katolike theksoi se edhe pse kemi ecur në rrugën e martirëve tanë dhe të Nënë Terezës përsëri jem larg synimit. “Kisha u përpoq të ishte pranë njerëzve të thjeshtë e të fisëm të kësaj toke, prej këtej mund të dëshmojmë me siguri se populli ynë i vogël dhe bujar që për shumë kohë mbeti i panjohur për shkak të dallgëve të rrepta të historisë nuk është kërcënim, por pasuri e madhe për rajonin tonë dhe mbarë kontinentin. Duke ecur në gjurmët e martirëve tanë besnik dhe të Nënë Terezës kërkuam fytyrën e Krishtit në fytyrat e njerëzve. Megjithatë jemi ende larg synimit për të qenë Kishë e përkryer. Kemi nevojë që Ati, Papa Françesku të na mbështesë, të na përforcojë në fe, të na korrigjojë dhe të na japë zemër. Kemi nevojë shenjtëri për fjalët tuaja, për stilin tuaj dhe për dëshminë tuaj e sidomos për inkurajimin tuaj. Kemi nevojë për gjithçka që ju po ja ofroni kishës dhe botës. Që nga ai muzg i parë kur u dukë nga Sheshi i Pjetrit si ipeshkvi i ri.” Ai po ashtu u shpreh se, regjimi komunist premtoi parajsën pa Zot dhe gjatë kësaj periudhe populli shqiptar ka vuajtur, duke e bërë të vështirë ndërtimin e një shoqërie të drejtë, “23 vjet më parë, ndërsa shembej regjimi ateist komunist, që premtoi parajsën pa Zot deshi të marrë guximin për t’ i rrëmbyer shpirtin njeriut. Populli ynë bënte hapat e para të ndrojtura në udhën e lirisë. Por për fat të keq shumë shpejt në horizont, u duk mirazhi i një ideologjie tjetër, asaj që premtonte mirëqenien me çdo kusht, ky mirazh i ri errësoi shumë mendje dhe shumë ndërgjegje, duke nxitur disa nga vëllezërit tanë të kërkojnë shtigjet më të shkurtra, që e bëjnë edhe më të vështirë ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të paanshme. Këto vite provuan përvojën e hidhur të emigracionit, i cili rrëmbeu nga gjiri i ngrohtë i familjes shumë të rinj dhe të moshuar të popullit tonë, duke e vënë familjen në provë të rëndë. Pamë të thellohet hendeku ndërmjet pak të pasurve dhe shumë të varfërve, e pasi maska e materializmit ideologjik të komunizmit ra, njohim mijëra fytyra të rreme të materializmit praktik të konsumizmit.” Gjithashtu, Imzot Rrok Mirdita Kryeipeshkëv Metropolit i Tiranës, mbajti dhe një fjalim në hapje të takimit të Papës Françesku me klerin, rregulltarët, seminaristët dhe shoqatat e laikëve në katedralen e Shën Palit, ku u tha se:“Jemi këtu, së bashku me ju, në praninë e Zotit, e ngushëllohemi duke e ndjerë veten popull i Hyjit, popull i shikuar me dashuri e i prirë nga Shpirti i të Ngjallurit. Jemi këtu, në praninë Tuaj, praninë e Pasardhësit të Shën Pjetrit, me mendje të hapur e zemër të gatshme për të dëgjuar fjalë ngushëllimi, korrigjimi, drejtimi.”

Nishani – Papa Françeskut: Çdo bashkëkombës i imi dhe unë identifikoj veç mirënjohje për ju shenjtëri

 Presidenti i Republikës Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen Papa Françeskut përmes një fjalimi në ambientet e Presidencës, ku ndodheshin edhe personalitetet e larta të shtetit por dhe përfaqësues të opozitës. “Ati i Shenjtë. Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh. Një mik të shtrenjtë që sot ia ka hapur derën: Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja” tha Nishani duke i uruar mirëseardhjen Papa Françeskut.  “Të gjithë njëzëri ju thonë mirëserdhët në Shqipëri. Faleminderit që na zgjodhët ne të parët për udhëtimin tuaj në Europë. Çdo bashkëkombës i imi dhe unë  identifikoj veç mirënjohje për ju shenjtëri. Ati i Shenjtë, ne shqiptarët jemi një popull i vjetër dhe kemi një gjuhë po aq të rrënjosur e përbashkuese, tradite e zakone të njëjta por i falemi Zotit në mënyrë të ndryshme. Këtë akt e kemi bërë gjithmonë në paqe e në harmoni me njëri tjetrin.” Po ashtu, Nishani vlerësoi harmoninë e dukshme mes feve: “Mes nesh nuk ka diskriminimin intolerancë, ekstrizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi harmoni e barazi të plotë të trashëguar nga kushtetuta e shtetit tonë laik”.

Presidenti Nishani theksoi edhe një fakt në fjalimin e tij: “Vendi im i ka dhuruar martirë e shenjtorë Kishës Katolike ndër shekuj, ndërsa brenda historisë sonë kombëtare komuniteti katolik, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe kleri i saj zënë një vend nderi. Ne të gjithë jemi krenarë që gjuha shqipe e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë “Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e shpirtit shenjtë” në vitin 1462. Ky bekim hyjnor e ruajti atë nga zhdukja që i kanosej. Jo rastësisht libri i parë i gjuhës shqipe është një “Meshar” i vitit 1555, i murgut Gjon Buzuku, për të vijuar me të tjerë shkrimtarë e prelatë katolikë si Budi, Bogdani, Bardhi deri tek poeti kombëtar Gjergj Fishta e shumë të tjerë, të cilët ushqyen limfën e identitetit kombëtar në një periudhë të rëndë të historisë së kombit.” Në përfundim të fjalës së tij kushtuar ardhjes së Papës, kreu i shtetit shqiptar nënvizoi: “Integrimi europian është kryefjala e politikës shqiptare, e qeverisë dhe opozitës, fakt ky që e ridëshmon vokacionin evropian të shqiptarëve. Në këtë kontekst, Shqipëria marrëdhëniet me Shtetin e Vatikanit në vijim të historisë, të së tashmes dhe të së ardhmes i ka strategjike, jo vetëm në emër të komunitetit katolik dhe Kishës Katolike Shqiptare, por të krejt kombit, ndaj i dëshirojmë ato intensive, në nivelin më të lartë dhe të përjetshme.”

Papa Françesku: “Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj”

 Papa Françesku gjatë fjalës së tij në Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”, të mbushur si asnjëherë nga mijëra qytetarë, u shpreh se: “Ungjilli i sotëm na thotë se, përveç Dymbëdhjetë Apostujve, Jezusi thërret shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë dhe i nis ndër fshatra e qytete për të kumtuar Mbretërinë e Hyjit (cfr Lk 10,1-9.17-20). Ai erdhi për të sjellë në botë dashurinë e Hyjit e dëshiron ta përhapë përmes bashkimit e vëllazërisë. Prandaj formon menjëherë bashkësinë e dishepujve, bashkësi misionare, e atje i stërvit për mision, për “të shkuar”. Metoda misionare është e qartë dhe e thjeshtë: dishepujt shkojnë nëpër shtëpi e kumti i tyre nis me një përshëndetje plot kuptim: “Paqe në këtë shtëpi!” (v 5.). Nuk është thjesht përshëndetje, është edhe dhuratë: paqja! Duke ardhur sot mes jush, të dashur vëllezër e motra të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, dëshiroj ta përsëris këtë përshëndetje: paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj! Në misionin e shtatëdhjetë e dy dishepujve pasqyrohet përvoja misionare e bashkësisë së krishterë të të gjitha kohëve: Zoti i ringjallur e i gjallë nuk nis vetëm të dymbëdhjetët, por nis Kishën mbarë, nis çdo të pagëzuar për t’ ua kumtuar Ungjillin gjithë popujve. Në rrjedhë shekujsh, jo gjithnjë u pranua kumti i paqes, i sjellë nga lajmëtarët e Jezu Krishtit; nganjëherë ia mbyllën portat. Në një të kaluar jo të largët, edhe porta e vendit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e të ndalimeve të një sistemi, që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare. Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ishte e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit. Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria që, në kohët e apostullimit të Palit, përfshinte edhe trojet e Shqipërisë së sotme. Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Sot portat e Shqipërisë janë të hapura e përparon stina e protagonizmit të ri misionar për të gjithë ata, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit: secili i pagëzuar e ka një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në shoqëri. Secili duhet ta ndjejë veten të thirrur për të punuar bujarisht në kumtimin e Ungjillit e në dëshmimin e dashurisë; për të fuqizuar lidhjet e solidaritetit, për të krijuar kushte jete më të drejta e më vëllazërore për të gjithë. Sot erdha t’ju jap zemër ta përforconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit; Ungjilli i Tij ju tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rrezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishtin i jep kuptim jetës së njerëzve, të çdo njeriu. Me frymën e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve laikë, ju inkurajoj t’i jepni hov të ri veprimtarisë baritore e të vijoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës në gjirin shoqërisë. Posaçërisht u drejtohem të rinjve. Ishin shumë, që nga udha prej aeroportit e deri këtu. Po ky është popull i ri, shumë i ri e ku është rinia, është edhe shpresa. Dëgjojeni Zotin, adhurojeni Zotin e duajeni njëri -tjetrin, si popull si vëllezër. Mos kini frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që ju fton ta ndiqni! Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve. Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm, në udhën e dashurisë, të lirisë, të drejtësisë e të paqes. Amen!”

Papa Françesku në katedralen e “Shën Palit”

  ‘Zoti bëri për ju, atë që bëri dhe për popullin e zgjedhur të Izraelit‘-kështu tha në fjalimin e tij madhështor Papa Françesku, për popullin shqiptar në Katedralen e Shën Palit. Në shenjë simbolike, Ati i Shenjtë ka prekur kambanat në katedralen e kësaj kishe.

 Imzot Rrok Mirdita: Po rilindim nga persekutimi ateist

Me fjalë të zgjedhura, të ndjera, duke treguar vuajtjet ndër vite të Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirdita, tha se: “Jemi këtu me mendje dhe zemër të hapur. Kështu, kisha për këto 2 mijë vjeçar vijoi të punojë përmes pushtetit që nuk njeh kufi. Identiteti jonë shihet përmes flijimit. Paqja që kemi arritur është fryt flijimi që kemi arritur ndër vite. Jemi kishe e lashtë, pasi lindëm nga persekutimi ateist. Jemi kishë që shpirtin, Zoti e mblodhi nga katër anët. Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë dhe vizita e të Atit të Shenjt sot, tregojnë dashurinë e madhe që kanë për këtë popull”,-tha imzot Rrok Mirdita

 Papa flet për të përndjekurit

Nga Kisha Katolike e “Shën Palit”, Papa Françesku tregoi se teksa vinte nga aeroporti drejt Tiranës dhe shihte të varura në qendër portretet e martirëve të rënë gjatë kohës së komunizmit, kishte kuptuar vuajtjet e mëdha që kishte kaluar ky vend. Papa tha mes të tjerash se, “jam befasuar, s’e dija se populli juaj nuk kishte vuajtur kaq shumë gjatë historisë së tij. E nga aeroporti deri në shesh pash disa nga fotot e martirëve, e duket qartë, se jeni popull martirësh. Sot i pamë dy. Ato që ata thanë me fjalët e tyre të thjeshta, tregonin me thjeshtësi, por me shumë dhimbje. Ata kanë qëndruar, e kanë jetuar gjithnjë me ankth, nëse do pushkatoheshin apo jo dhe zoti i ngushëllonte”.

Takimi me Papën, Tahiri: I jashtëzakonshëm!

Të jashtëzakonshëm e ka quajtur takimin e Papa Franceskun, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Tahiri u shpreh se: “I jashtëzakonshëm takimi me Papa Francesku dhe inkurajimi i Atit të Shenjtë për të vazhduar me më shumë forcë luftën kundër drogës. Mu dha rasti të informoj Papën për rezultatet tona kundër drogës. Të paharrueshme fjalët; të shpëtojmë fëmijët e botës nga droga! Faleminderit Ati i Shenjtë!”-citohet në mesazhin e Tahirit. Gjithashtu, Tahiri falënderoi të gjithë për bashkëpunimin për mbarëvajtjen e plotë të vizitës historike të Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut.

Basha i dhuron “Çelësin e kryeqytetit” Atit të Shenjtë

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha si dhuratë i dorëzon Papa Françeskut çelësin e kryeqytetit. “Për mua është një nder i veçantë që në emër të qytetarëve të Tiranës t’i dorëzojë Atit të Shenjtë titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Rama: Papa si yll rock-u mbi bulevardin e Tiranës

 Kryeministri Edi Rama komenton vizitën e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në Shqipëri.

Nëpërmjet një statusi të publikuar në Facebook, direkt pasi Papa mbylli Meshën e shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”, ai shkruan se, “Shi, diell, det shpresash e emocioni dhe një At’ i Shenjtë me impaktin e një ylli rock-u mbi bulevardin e Tiranës, ku bota pa Shqipërinë ndryshe. Më tej Rama shkruan: “Tani që më e vështira kaloi një përqafim me mirënjohje të gjithë organizatorëve të eventit supermasiv e delikat! Flm pa asnjë përjashtim”!

Ati i Shenjtë në qendrën “Betania” në Bubq

Ora 18:00-Pas mbylljes së ceremonisë së lutjes së Mbrëmësores në Katedralen e “Shën Palit”, Papa Françesku u nis drejt Bubqit të Fushë-Krujës, ku vizitoi qendrën “Betania”, e cila ishte dhe ndalesa e fundit e Atit të Shenjtë. Duke falënderuar të gjithë drejtuesit për krijimin e kësaj qendre, Ati i Shenjtë tha se, besimi në Zot është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga e vuajtjet. “Të dashur miq, në momente si këto kemi besim tek feja dhe Zoti. Kjo qendër, dëshmon se është e mundshme se mund të ketë një bashkëjetesë paqësore mes njerëzve të bashkësive të ndryshme fetare. Këto diferenca nuk e pengojnë harmoninë”, -tha Papa Françesku.

Përshëndetja e fundit e Papës

 Ka përfunduar vizita historike e Papa Françeskut në vendin, e cila do të mbetet gjatë në kujtimet e çdo shqiptari, qoftë apo jo besimtar katolik. Nga Qendra e Bamirësisë “Betania” në Bubq të Fushë Krujës, ku shënoi dhe ndalesën e fundit, Ati i Shenjtë i shoqëruar nga eskorta e gjatë e makinave u drejtua drejt aeroportit të Rinasit, ku e prisnin delegacioni i autoriteteve shqiptare që i uruan dhe mirëseardhjen. Para se të fluturonte drejt Vatikanit, për disa minuta Ati i Shenjtë dhe kryeministri Rama kanë shkëmbyer një bisedë të shkurtër në sallën “Marubi” rreth gjithë zhvillimeve që karakterizuan vizitën e tij në Tiranë. Më pas ai është drejtuar drejt avionit, duke dhënë dhe përshëndetjen e fundit, jo si lamtumirë, por si një bekim për atë që ai e quajti vendi i shqiponjave.