Spikerja Tefta Radi: Ju rrëfej mbresat nga jeta ime në RTSH

1737
Sigal

DOSSIER/ Rrugëtimi i rrallë i RTSH

Në kuadrin e Dossierit “Historia e rrallë e RTSH” tek lexuesi do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete që hodhën themelet e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” përbëjnë një thesar edhe për këtë historik kaq të rëndësishëm të së vetmes radio dhe televizion deri në vitin 1991.

 Intervista/ Spikerja dhe skenaristja Tefta Radi rrëfen mbresat nga jeta në ekranin më të ndjekur të shqiptarëve atë të RTSH

01-Kur isha mësuese në Fushë-Arrëz u njoha me Frankon, njeriun ideal

02- Rreth 23 vjet kam qenë gazetare gjithë ditën dhe folëse në mbrëmje

03- Vera Zheji, Haki Bejleri, Nevzat Dibra, Agron Çobani u rehabilituan për arsyen e vetme, sepse ishin të domosdoshëm për aftësitë e tyre

04- Haki Bejleri,Vera Zheji, Nevzat Dibra, Kiço Fotjadhi, Elsa Xhai, Viron Noti, Virgjil Kule mbeten unikë

05- Unë nuk kam pasur rast ta takoj Enver Hoxhën, edhe pse kam punuar mbi një dekadë në atë sistem, kishte gazetarë të caktuar për të

 

Albert Z. ZHOLI

E lidhur prej një jete me ekranin shqiptar gazetarja e njohur Tefta Radi është një nga ikonat e këtij televizioni. Zëri i saj i ëmbël, delikatesa, mënyra e përçimit të lajmit, komunikimi, veshja, një sërë elementësh që do ti kishte zili çdo gazetare dhe lajmëse e ekranit, e kanë bërë Teftën një ikonë potente të TVSH-së. Rrugëtimi i saj në këtë televizion i ngjan një tregimi, ku janë të ndërthurura në një të vetme, e vërteta me të pabesueshmen ( jo e marrë si element artistik), për vetë faktin, se nga ky televizion, fidanishte e televizioneve shqiptare, janë përhapur lajmet më sensacionalë të Shqipërisë në kohërat e shumëdiskutueshme ndërmjet dy sistemeve, atij monist dhe sistemit demokratik. Në ekranin e tij janë bërë publike vdekja e ish kryeministrit Mehmet Shehu, vdekja dhe rënia e bustit të Enver Hoxhës, lëvizjet studentore 1990, krijimi i Partisë Demokratike, ngjarjet e çuditshme të viteve 91-92, apo ato të viteve 1997-98. Në gjithë këto ngjarje, Tefta ndoshta ka qenë e vetmja folëse ekrani që ka qenë përçuese dhe memoria e gjallë e TVSH-së. Korrekte, simpatike, e sigurt, fytyra më e njohur e ekranit shqiptar duket se ndër vite ka krijuar një lidhje të pazgjidhshme, që nuk është tronditur kurrë as nga oferta e shumta që ajo ka pasur për të kaluar në televizione private.

 -Duket sikur keni lindur në RTSH por në fakt, kur ka filluar Tefta Radi për herë të parë punë në Televizionin Shqiptar?

-Në vitet 79-80. Fillimisht kam punuar në fushën e mësuesisë. Kam përfunduar studimet në Gjuhë –Letërsi në Universitetin e Tiranës. Mora emërimin në një nga rrethet më veriorë të vendit, në Pukë. Kam punuar kryesisht në Fushë-Arrëz si mësuese në shkollën e mesme. Arrita të filloj në Televizion pas një konkursi kombëtar që u bë për folës.

-Sa veta konkurruan në këtë konkurs?

-Në atë kohë kishte një komision artistik që vendoste, dhe konkurrenca ishte e fortë. Konkurrentë kishte shumë, fitova dhe kjo qe edhe arsyeja e tërheqjes nga mësuesia. Në atë vit ishte e vështirë të shkëputeshe nga Veriu dhe të ktheheshe përsëri në Tiranë. Ka qenë Radio Tirana që këmbënguli dhe bëri që unë të shkëputesha nga Fushë-Arrëzi. Nuk mund ta them se e kam kaluar keq në Fushë Arrëz. Atëherë kanë qenë vitet e rinisë ku flija me ëndrra, me nostalgji, me forcë fizike dhe me një pasion për mësuesinë. Në Fushë Arrëz ruaj kujtime shumë të mira me mijëra malësorë, me njerëz fisnikë, mikpritës, me të cilët vazhdoj akoma të ruaj lidhjet. Shumica e tyre tani janë jashtë shtetit.

-Një moment nga jeta juaj që e keni vërtetë të veçantë nga Fushë-Arrëzi?

-Momenti kur unë u njoha me Françeskun. Më parë nuk njihesha. E kisha njohur vetëm nga ekrani si një zë i njohur në fushën e muzikës. Ai ishte i internuar në Pukë mbas Festivalit të 11-të. Në atë vend u njohëm më mirë dhe nga viti 1975 e deri tani jemi bashkë.

-Nuk e more parasysh se ai ishte i internuar dhe mund të kishe probleme me të ardhmen tuaj?

Me qenë realiste edhe në atë kohë janë bërë lëshime, ku trurin, sistemi monist për hir të vërtetës ka ditur ta shfrytëzojë. Sipas interesave. Këtë e them edhe nga fakti se shumë nga spikerit e Radio-Tiranës kanë qenë me cene politike; që nga Vera Zheji, Haki Bejleri, e shumë të tjerë. Nevzat Dibra, Agron Çobani e të tjerë gazetarë me emër vuajtën nga regjimi, po përsëri u rehabilituan për arsyen e vetme, sepse duheshin.

-Në atë kohë si e fituat konkursin, a ndihej pesha e mikut dhe të qenit anëtar partie që ju të bëheshit folëse?

-Ekzistonin. Por në një masë të tillë, jo. Kërkesat ishin të forta. Është normale. Kishte shumë kërkesa artistike që duhej t’i plotësoje, si p.sh., zëri radiofonik, qartësia. Unë fillimisht kam punuar në Radio -Tirana. Më vonë fillova paralelisht edhe në Televizion sepse kishte nevojë për folës. Kërkesat e llogarisë nga ana profesionale kanë qenë shumë të forta.

-Cili ka qenë emisioni i juaj i parë që keni dhënë në Radio Tirana?

-Ka qenë një ditë e enjte vjeshte, muaji tetor. Kam qenë nga natyra një tip i qetë, jo shumë emocionale, gjë që mua më ndihmoi shumë në atë kohë që të dilja në ekran apo të punoja me mikrofon. Kam ditur ta përmbledh veten. Gjakftohtësia më ka shoqëruar në të gjitha transmetimet e mia. Kjo më ka bërë që të jem më e sigurt. Ky emision ka qenë në vitin 1979.

 -Po në televizion në ç’vit keni filluar?

-Në televizion kam filluar në vitin 1980.

-Si kanë qenë emocionet kur keni bërë kalimin nga Radio në Televizion?

-Radio për ka mua ka qenë një shkollë e madhe. Të gjithë folësit që kanë kaluar nga radio kanë qenë shumë të mirë në shumë aspekte. Radio mbetet një nga studiot më të dashura që vazhdoj ta dua, por ana televizive ishte diçka tjetër ku edhe emocioni ishte më i madh, sepse duhej të punosh paralelisht me lajmin, logjikën, transmetimin, paraqitjen vizive dhe gjestet. Ku mendja të shkonte në shumë gjëra; si flokët, veshja, si dukem, është një kompleksitet gjërash, ndërsa në radio mund të rrish në çdo pozicion dhe mund të flasësh më lirshëm. Televizioni kërkon tjetër impenjim, tjetër prezencë. Të mendosh edhe regjimin ku çdo gjë ishte strikte, ku lapsuset ndodhnin dhe tërhiqej vëmendja edhe për një të tillë. Është normale që kisha emocion.

-Njerëzit e tu të afërm çfarë kanë thënë atë ditë dhe a të kanë dhënë urime?

-Më kanë pritur mirë të gjithë, edhe kolegët dhe nga ata që më kanë ndihmuar në radio që nga Elsa, Vironi, Kiço Fotjadhi etj.

-Si e shikoje veten të nesërmen kur nga një spikere në radio kalove në televizion. A e ndieje veten më komode në sytë e njerëzve?

-Nuk e ishte e lehtë në atë kohë që aq shpejt të bëheshe publike. Kërkonte shumë punë dhe seriozitet për të vënë një emër. Besoj se jam përmbajtur.

-37 vjet në Radio-Televizion, kush ka qenë dita më e bukur në ekran?

-Dita më e bukur është kur ndihesh mirë me punën unë them se janë të bukura të gjitha. Ditë të bukura quhen edhe ata që përcjell një lajm që vërtetë është i bukur,që i bën njerëzit e lumtur, dhe të tilla kanë qenë jo pak ashtu edhe kur në një ditë të trishtuar kur arrin të japësh një lajm tragjik.

 -Ka pasur ndonjë moment kur ke bërë një lapsus dhe kritika të ka tërhequr vëmendjen?

-Në përgjithësi kam qenë e saktë. Nuk kam gabuar edhe pse në atë kohë nuk ishte teknologjia që është sot. Sot folësit e kanë materialin dhe e lexojnë në një ekran të madh, që i bën më të pavarur dhe të zhdërvjellët në të shprehur. Ne përpiqeshim të lexonim me shkrimin e makinës së shtypit herë me bojë e herë pa bojë, herë dukeshin germat dhe herë nuk dukeshin, me fjalë që shkruheshin edhe me shkrim dore. Kushtet e leximit në atë kohë kanë qenë më të vështira se sa sot. Sot për mua media është luks, për sa i përket folësve dhe jo në aspektin e gazetarit. Sot të jesh folës nuk është aq e vështirë sa ishte në kohën që kaluam ne. Veshjet janë më ndryshe. Ne në atë kohë veshjet i kishim të kufizuara. Para viteve ’90, ne zakonisht visheshim me xhaketa, me uniformë, me xhaketa blu, të errëta, pa shumë tualet, pa shumë bizhu. Kur punonim në terren kërkonim të nxirrnim gjërat ku jo gjithmonë përputheshin me realitetin, ku të intervistuarit të visheshin bukur, kur mos të kishte ndonjë mur të gërvishtur mbrapa të intervistuarit, të mos kishte flokë të gjata apo baseta. Pra, të përfaqësonte njeriun e kohës. Ndërsa sot është tjetër liri dhe tjetër mundësi për të punuar. Sot nëse do të bësh një gazetari të mirëfilltë, ke mundësi ta bësh.

-A ka ndryshuar mentaliteti sot për folëset në radio-televizion?

-Sot ka ndryshuar mentaliteti. Në atë kohë folësi, së pari duhet të kishte zërin radiofonik dhe televiziv. Duhet të kishin prezencë. Sot duket se gjërat kanë ndryshuar, meqë edhe koha vetë ecën përpara. Spikeri nuk është më aq pozant. Sot gazetari mund të punojë në një televizion, edhe kur nuk i ka këto mendësi arrin t’ia dalë. Megjithatë mirë është që t’i ketë, që të jetë një figurë morale, të jetë një figurë e besueshme të ketë një lloj pjekurie. Nuk mund të jetë i besueshëm një i ri 18-19 vjeç në ekran. Atij i mungon prezenca, i mungon logjika, i mungon zëri etj. Mirë është të merren parasysh edhe disa elementë që i plotësojnë figurën e të qenit folës-gazetar

-Kë do të veçonit ju nga të gjithë folësit në Radio-Televizion që kanë lënë gjurmë?

-Unë e kam të vështirë t’i ndaj, sepse kemi pasur shumë, që nga Haki Bejleri, Vera Zheji, Nevzat Dibra, Kiço Fotjadhi, Elsa Xhai, Viron Noti, Virgjil Kule që për mua akoma është i paarritshëm, është një figurë model. I kompletuar në çdo drejtim.

-Ndoshta sot mungon një shkollë profesioniste për të qenë folës/e në Televizion?

– Sot tentohet për të qenë gazetar dhe folës bashkë. Nuk janë më ato nocionet e një folësi klasik. Sot njerëzit duan thjesht të marrin lajmin. Sot edhe regjimi i jetës është ndryshe dhe e folura është ndryshe. Koha ecën edhe gjërat ndryshojnë. Po t’i hedhim një sy të shkuarës sonë, unë kur kam filluar spikere kam pasur një tjetër të folur nga paraardhësit e mi. Po të krahasojmë dhe të dëgjojmë folëset e viteve ’50, qoftë edhe nëpër dokumentarë të Kinostudios ka qenë një e folur në funksion të ideologjisë së kohës, me nota të larta propagandistike për të nxjerrë atë madhështinë e sistemit. Ishte ideologjia e diktaturës. Ndërsa sot dëgjuesi i thjeshtë i intereson të marrë lajmin. Nuk pajtohem edhe me anën tjetër, që sot në ekran ka njerëz që të lodhin kur i dëgjon, me zërat e tyre qaramanë, që nuk kanë një shqipe të pastër, apo pa redaktorë të mirëfilltë të lajmeve. Një emër qyteti ose fshati ose personaliteti jepet me emërtime nga më të ndryshmet. Janë sot folës ku nuk njohin gjeografinë e vendit të tyre. Nuk dinë të shqiptojnë një emër lumi, mali, fshati, personaliteti etj. Kanë një lloj mendjemadhësie, se e kanë për turp të pyesin. Unë sot që i kam lënë të 56-tat në çdo gjë që kam pasiguri vazhdoj të pyes dhe nuk më duket se është turp. Njeriu gjithmonë duhet të gjejë më të mirën, më të bukurën, dhe duhet bërë ashtu siç është.

 -Shikoj që ju jeni shkëputur nga të qenit folëse apo ndiheni më mirë si gazetare terreni?

-Unë gjithmonë kam qenë edhe folëse edhe gazetare, i përkas atij brezi vetëmohues. Nuk e kam ndarë kurrë terrenin nga ekrani. Rreth 23 vjet kam qenë gazetare gjithë ditën dhe folëse në mbrëmje. Për mua terreni është i rëndësishëm. Nëse do të bëhesh një gazetar i mirë duhet të provosh terrenin. Terreni të bën të aftë, të mbush me shumë informacion, të zotin, me shumë lidhje dhe nuk do t’i ndaja kurrë.

-Ju duke qenë gazetare terreni, Françesku është bërë ndonjëherë xheloz për ju apo ju për të?

-Françesku i përket fushës së artit dhe asnjëherë nuk është bërë kurrë xheloz.

 -Kur ka qenë dita më e bukur për jetën tuaj?

-Dita më e bukur ka qenë dita e kurorëzimit. Nuk ishte e lehtë që unë të merrja Françeskun. Unë vija nga një familje me një tjetër traditë, me një baba ushtarak që nga ’74, edhe pse ishte i përjashtuar nga partia këmbëngulte që unë të merrja një njeri me biografi të mirë. Nga ana e familjes së Françeskut kishte prestarë të pushkatuar. Françesku kishte një xhaxha të nënës që u dënua. Ai ishte një njeri me dije të mëdha, ishte shkolluar në Austri, ishte shkrimtar, por u burgos dhe u kalb burgjeve të politikës, pa asnjë motiv. Ai kishte një xhaxha Lazaratin që kishte marrë medalje ari në Romë dhe nga monizmi u akuzua për shumë gjëra. Ai pas daljes nga burgu i internimit ka qenë model për mua. Ai më mësoi se si njeriu duhet të punojë, se si njeriu duhet të falë e të mësojë në jetë. Dhe shpirt madhësia njerëzore tek ai njeri i vuajtur tërë kohën ishte virtyti kryesor i jetës. Njerëz të tillë janë të rrallë në jetë. Nëse kam një idhull sot është Lazarati nga i cili kam mësuar shumë gjëra. Një brez të vuajturish duke u ndalur këtu edhe tek një libri juaj që keni arritur ti merrni këta njerëz në intervistë që kanë vuajtur, persekutuar dhe përsëri mbeten aq të lidhur dhe të dhënë pas Shqipërisë dhe se një pjesë e tyre sot është integruar në botën jashtë me pasion edhe me shumë dashuri, dhe me atë ndjenjën e madhe të faljes dhe të mos harrimit të së të kaluarës edhe të faljes për një ideal akoma më të madh si të thuash ecjen e kombit përpara. Do të përmendja këtu emra si Vitore Stefa Leka. Ka një brez edhe më të ri siç është Alida Hisku, Këze Zylo, Nirvana Pistuli, Edlira Dedja, Maya dhe emra shumë që unë nuk mund t’i them të gjithë edhe si Astrit Leka, të cilët kanë vuajtur dhe kanë punuar. Dhe përsëri kokën e mbajnë nga Shqipëria duke ndihmuar me sa munden shqiptarët në vendin ku ata jetojnë edhe punojnë, por duke u bërë edhe pjesë e Shqipërisë me aftësitë e tyre të shkruara me ngjarjet që ata sjellin për të mësuar më mirë të kaluarën, gjithmonë në funksion e një të ardhme më të mirë, larg mllefit dhe të urrejtjes.

-Kush ka qenë periudha më e vështirë e punës suaj si folëse në Televizion?

-Por do të veçoja si vitet e një gazetarie me vështirësi të mirëfilltë, vitet e ndërrimit të sistemit në vitet ‘97-’98, që për mua kanë qenë vite të tmerrshme, ku shqiptarët u ngritën kundër shqiptarëve, ku nuk dihej se çfarë kërkonin, ku qëllohej nga të gjitha anët, dhe ku jeta e shqiptarit më është dukur më pa vlerë se kurrë. Kur askush nuk trembej nga kallashët, nga predhat, të gjithë nxirrnin kokat në dritare dhe asnjë nuk kishte frikë. Në ’97-n kujtoj atë natë kur televizioni u braktis tërësisht, ku thuhej se do i vinin mina. Ku folësit kishin filluar të nxirrnin sebepe; jo jam sëmurë, nuk vij dot etj. Në atë kohë jam ndjerë e vetme me një grup shumë të vogël gazetarësh. Ishte një natë tmerri ku një natë përpara, para sheshit të “Rognerit” ishte vrarë një nga policët, ndërsa me ne, kur kishim lënë turnin e punës na dalin pas pemëve në bulevard dhe na ndalojnë 4-5 njerëz me kapuçë në kokë me armë. Më kujtohet se ne atë natë mbetëm vetëm në televizion. Kam qenë në një zyrë me teknikun Kastriot Fejzo dhe aty lindi dhe ideja për të dalë dhe për të bërë një thirrje publike në ekran. Njerëz që vriteshin, nëna që i jepnin gji fëmijës dhe ashtu në gji i vrisnin plumba qorr. Aty bëra atë thirrjen publike që si nënë, si grua dhe si gazetare t’i themi stop armëve.

-Ju vetë e ideuat këtë tekst?

-Kjo ishte një gjë e dalë nga shpirti në një moment mjaft të dhimbshëm. Fill pas këtij momenti ka ardhur mjeku kardiolog Anesti Kondili, i cili doli nga shtëpia në mes të plumbave për të bërë një thirrje të dytë pas thirrjes time. Thirrja e tij ishte një zë intelektuali, mjeku, shqiptari të vërtetë, në emër të jetës, vëllazërisë, për të larguar armët nga duart.

-Këto ishin jashtë programit?

-Nuk bëhej fjalë fare për program. Dua të theksoj këtu drejtorin e asaj kohe të informacionit Ardian Tepelena që ka qenë nga njerëzit e paktë, që atë natë kishte vënë krevatin dhe ishte gdhirë në dhomën e informacionit. Ai ka punuar shumë. Ishte koha kur një pjesë e gazetarëve e kishte braktisur televizionin. Ishte Amalia Dhamo, Afërdita Sokoli, që nuk u shkëputën, pikërisht ato që u rritën me televizionin dhe e shihnin edhe në këtë moment si pjesë të shtëpisë së tyre. Por atë natë kur unë u ndodha vetëm me teknikun dhe me dy njerëz në gjithë këtë ambient vetëm me aparate dhe teknologji, nuk do ta harroj kurrë.

 -Çfarë programesh transmetonte televizioni në këtë moment delikat të historisë shqiptare?

-Ditën kishte programe të ndryshme pa shumë përzgjedhje. Ishte një moment i vështirë ku kishte të shtëna armësh, ishte një luftë pa front. TVSH u braktis për një moment, pasi kur u tha se do të vihej bombë, do ta pushtojnë etj. Të gjithë u trembën. Nuk dua ta kujtoj më. Episode të marsit të ’97 unë kam kaluar shumë, sepse isha gazetare e terrenit. Por nuk jam prekur, kurrë pasi kam bërë një gazetari të mirëfilltë. Dhe atë vit kam qenë një gazetare terreni, por terren lufte. Kudo që shkoje, shikoje njerëz të armatosur dhe një vend të braktisur, të shuar. Do të kujtoj Qafën e Muzinës, ku kam qenë me Naum Laskun duke shkuar për në Sarandë për të xhiruar, në Gjirokastër, në Lazarat etj. Unë kam qenë e pranishme kudo. Dilnin në rrugë njerëz me maska, me doreza të zeza, me armë me automatik etj. Mua më thoshin kalo motër nuk kemi gjë me ty, sepse ishte fituar ai besimi i figurës të të sjellurit e lajmit ashtu siç ishte. Kemi takuar edhe një prift në Qafë Muzinë me Naumin. Ai me dashamirësi më tha: -Shiko jetën tënde, se është më e vlefshme se sa kjo që po bën!” Ndërkohë që shikoje patrulla policie që kontrollonin njerëz dhe një nga këta njerëz ishte edhe ky prift. Nuk ia mësova dot emrin, por më ka ngelur në mendje. Një moment tjetër… Koha e sulmit ndaj Televizionit, në vitin 1998, ishte një nga kohët më të shëmtuara, një nga ditët më të shëmtuara. Ishte një ngjarje e dhimbshme, e hidhur, ku u braktis i gjithë shteti. Shteti ra si kështjellë rëre, u dorëzua për disa orë. Televizioni kaloi çaste tensioni, kolapsi.

 -Në gjithë këtë karrierë dhe njohje, si nuk u stacionua në ndonjë punë më të rehatshme Tefta?

-Jeta ime është ajo e një gazetarie të mirëfilltë, ku nuk kam bërë kompromise me asnjë klan. Jam nga ato gazetare që njoh shumë nga e majta dhe nga e djathta, që gjithkujt mund t’i kisha kërkuar një nder, për të mos pasur këtë pagë që kam sot apo për ndonjë vend pune më të mirë. Por nuk dua që t’i them faleminderit njeriu për punën time. Besoj se kam bërë një punë për tre dekada në këtë institucion dhe duhet të kisha një vlerësim sot. Në demokraci shpërblimi jepet sipas meritave dhe punës jo sipas bindjeve politike.

 –Shikohet që shumica e emrave që përmendët më lart janë personalitete në diasporë, mos vallë ende vazhdon një largim i trurit shqiptar?

-Është mëse e qartë. Largimi i trurit shqiptar ka vite dhe këtë do ta cilësoja si një fatkeqësi për kombin, dhe e keqja është se nuk po mundim ta thithim trurin e tyre. Vihet re se një përqindje e madhe e studentëve që sot frekuentojnë studimet jashtë, ndër ta me kokrra janë ata që mund të kthehen në vendin e tyre, sepse nuk gjejnë atë vlerësim, nuk gjen një vend pune për pozicionin ku ata kanë mësuar ose gjejnë një punë shumë me mundësi të paktë për t’u paguar ose vijnë e provojnë dhe ikin përsëri.

-Duke pasur parasysh që ju keni fëmijët në emigracion, a e ke menduar ndonjëherë që të ikni në emigracion?

-Kam filluar ta vë në pikëpyetje, edhe pse kam një moshë jo të përshtatshme jam zhgënjyer edhe unë si shumë të tjerë. Kam punuar edhe unë ku kam dhënë shpirtin tim, rininë time ku nuk kam ndarë ditën nga nata, ku nuk i kam vënë fëmijëve të mi një pjatë gjellë të ngrohtë përpara, ose kur i kam lënë ata me temperaturë për të kapur transmetimin dhe nuk u vlerësova kurrë, sepse nuk isha pjesë e asnjë klani, pse nuk isha pjesë e një imoraliteti. Fatkeqësisht sot njerëzit që marrin poste janë njerëz militantë, janë njerëz që nuk dinë të vlerësojnë atë çka përbën vlerë dhe po të vësh re dalin emra nga më të çuditshmit që nuk i kanë dhënë një sekondë televizionit, njerëz që nuk vijnë në punë, sot mbajnë emërtesa nga më të çuditshmet dhe mund të paguahen 2-3 herë më shumë se unë.

 -A është marrë ndonjëherë me politikë Tefta?

-Nuk jam marrë edhe pse kam pasur mundësi të merrem me politikë. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë politika, madje do të thosha se më është kërkuar që të merrja një funksion si sekretare e rinisë së Rrethit por nuk kam pranuar kurrë ashtu si edhe sot në vitet e demokracisë. E kam parë veten larg politikës. Më pëlqen liria e gazetarit, më pëlqejnë njerëzit, ku mund të afroj për ta diçka një zgjidhje, nj ë mundësi etj. Politika shqiptare sot nuk të ofron asgjë për ta admiruar. Politika më e mirë për mua është të sjell një lajm të gëzuar, një reportazh, një portret njerëzor, një nën që lind një fëmijë,

 -Si është një ditë pune për Teftën?

-Puna për mua është pasion. Dhe nëse ka një fjalë agresive, unë shprehjen agresive unë do ta përdorja vetëm në punë. Gjithmonë kam qenë agresive në punë, në kuptimin që çdo gjë që e kam nisur kam dashur ta mbaroj në kohë rekord. Nuk i kam zvarritur kurrë gjërat, është një punë që e kam dashur dhe vazhdoj ta dua, edhe pse në televizion ka njerëz që nuk duan të punojnë. Nuk dua të errësoj gjithçka, gjen me të vërtetë njerëz militantë, por gjen edhe njerëz që e kanë pasion punën që ashtu si unë, kanë dhënë shumë për atë ekran, por ka edhe të rinj që vijnë me horizonte për të sjellë diçka të re.

-Keni ndonjë peng të të qenit gazetare në Televizion?

-Nuk jam bërë pishman kurrë se po të isha bërë pishman do ta kisha lënë. Një peng kam që, pas kaq shumë vite pune, mua tani, më hiqet statusi i gazetarit dhe kaloj në redaktore. Është një moment i cili unë do të kthehem dhe do ta kërkoj në rrugë ligjore, më duket një padrejtësi që më është bërë. Jam njeriu më i papaguar në televizion, edhe pse përpiqem të punoj më shumë se sa të tjerët, sepse akoma nuk kam dhënë atë që unë mund të jap, maksimumin. Kam ende rezerva, pasi kam eksperiencë. Mendoj se nuk është bërë ndonjë vlerësim për njerëzit që i kanë dhënë shumë televizionit. Zakonisht vlerësimi bëhet kur vdes. Vdis pa të të duan është shprehja popullore. Kështu ka ndodhur shumë me kolegët tanë. Kur del në pension një punonjësi të televizionit nuk i thuhet faleminderit, nuk i jepet një tufë lule, nuk i jepet një dorë miqësie, një dorë mirënjohjeje për t’i thënë faleminderit për vitet e punës. Kjo është gjëja që vuaj më shumë. Nuk flas për veten, unë flas për të gjithë brezin tim. Mënyra se si ikin shumë prej ikonave të TVSH është shumë e shëmtuar. Kurrë në televizion nuk organizohet një festë dhe t’i thuhet një faleminderit këtij njeriu që po del në pension.

 

-Ju nuk jeni larguar asnjëherë nga televizioni shqiptar, edhe pse keni pasur oferta, cila është arsyeja ?

-Arsyeja ka qenë ndoshta se jam përkushtuar në përgjithësi. Edhe ata që janë larguar kanë pasur një konflikt me televizionin për motive politike. Nuk jam me atë të qenit të përjetëshëm, absolutisht jo. Çdo gjë ka kohë, ka prurjet e veta ashtu si edhe unë kur gjeta një brez tjetër. Por puna është se çdo brez duhet vlerësaur dhe i duhet dhënë ajo që i takon.

-Në radio televizion ka më shumë folës femra se sa meshkuj, kjo ndodh se ka rënë rendimenti i folësve meshkuj, apo është ndonjë dëshirë e pronarëve që femra të jetë më prezent në televizion?

-Unë nuk e mendoj kështu, por mendoj se nuk kërkohet për të pasur një balancë, Vazhdojnë të hyjnë një pjesë me miq. Unë nuk mendoj se mungojnë meshkujt folës sot në Shqipëri. Mendoj se po të kërkosh gjen gazetarë folës shumë të përgatitur njohjes të informatikës të gjuhëve të huaja.

– Familja shqiptare përjeton një krizë. Divorcet shtohen. Personalitete të ndryshme mendojnë se një pjesë e problemit janë dhe shpenzimet e tepruara të seksit femër. Cili është mendimi juaj?

-Unë nuk e shikoj krizën e familjes shqiptare vetëm tek shpenzimet e tepërta apo, tek veshja e femrave. Shoqëria shqiptare sot po përjeton një krizë, një krizë identiteti, një krizë ekonomike. Në Shqipëri janë formuar dy shtresa një shumë e pasur dhe një e varfër. Nuk ka një shtresë të mesme, dhe po rritet shtresa e të varfërve. Kushtet, ekonomia, baza sociale, është gjithçka për mua dhe e dyta po rritet deri diku një brez egoist. Janë të paktë ata të rinj që pajtohen me realitetin dhe të çajnë në jetë, ndërsa pjesa tjetër në rrugë, ku pjesa më e madhe janë femrat shqiptare që kërkojnë të vishen bukur, edhe pse vijnë nga një familje që nuk kanë, kërkojnë që të kenë një makinë luksoze, edhe pse nuk kanë bërë një ditë punë, kërkojnë të kenë një shtëpi edhe pse nuk kanë asnjë të ardhur. Dhe këto kërkojnë t’i gjejnë nëpërmjet rrugëve amorale apo imorale, për mua kjo është arësye kryesore. Pastaj, ka familje ku dikush e mbivlerëson veshjen. Veshja të jep edhe një lloj identiteti, këtu nuk dua të kaloj edhe anën intekektuale. Sepse të vishesh pa pasur intelekt në shoqëri del bllof. Por që të vishesh normal më duket normale. Unë vetë jam larg ekstravagancës, larg asaj që mund të shëndërrohet në mit të modës, duke mos pasur asgjë. Nuk mund të kapësh majën kur ti nuk ke firmosur një ditë punë.Disa femra përpiqen të arrijnë gjithshka në një kohë rekord që kur janë studente, duke manipuluar me njerëz duke u bërë herë pas here dhe prishëse të familjeve, duke penetruar në format më të ndryshme për të qenë dikushi kot.

 -Kë vlerëson më shumë tek një njeri Tefta Radi?

-Vlerësoj sinqeritetin. Vlerat që ai ofron për shoqërinë. Vlerat që nisin që nga familjet, për mua janë esenciale. Sepse ka më pak krizë, më pak divergjenca, grindje, fyerje në rrethet shoqërore. Mendoj se njerëzit me vlera duhen vlerësuar.

 

– Ju mbani lidhje me shumë mikesha në diasporë. Dhe në disa raste ato shprehin dy gjëra; se Tefta ka ngelur e re edhe nga ana vizuale ashtu edhe në mendim edhe në dashuri njerëzore, ku qëndron sekreti?

-Për këto mendime i falënderoj të gjithë miqtë e mi kudo që janë. Jam një njeri që lëviz shumë, punoj shumë. Për dashurinë për njerëzit jam edukuar në një familje që t’i dua dhe t’i respektoj, pasi nektarin e dashurisë i kam marrë gjysh dhe gjyshe ku kaloja muajt e beharit, të cilët nuk i harroj kurrë.

 -Ju keni qenë në TVSH në sistemin monist, a keni pasur ndonjë rast ta takoni Enver Hoxhën?

-Unë nuk kam pasur rast ta takoj Enver Hoxhën, edhe pse kam punuar mbi një dekadë në atë sistem si gazetare. Gazetarët që mbulonin atëherë Enver Hoxhën ishin të caktuar. Jo kushdo mund të shkonte atje. Kanë qenë Alfons Gurashi, Agron Çobani, Zamira Koleci. Unë kam punuar thjesht si gazetare dhe folëse.

 

Nesër do të lexoni

Intervista/ Flet ISMET BELLOVA “Mjeshtri i Madh”:

  • I madhi Anton Mazreku më dha mikrofonin shumë shpejt në dorë, qëkur isha nxënës.
  • Ka qenë një ndeshje në viti 1950në stadiumin “Qemal Stafa” midis Partizanit dhe Vllaznisë, ku kam transmetuar 7 minuta.
    03-
    Enver Hoxhën e kam takuar në një kongres të Rinisë, pasi sportin nuk e kishte qejf

04–       Shumë dashamirës i sportit ka qenë Adil Çarçani, njeri i përsosur dhe i qetë