Si e çliruam Tiranën me gjakun e 327 dëshmorëve/ Kujtimet e luftëtarve Ziqiri Mero dhe Abaz Hoxha: Urdhëri I Enverit për të marrë Tiranën me çdo kusht dhe roli I Kryekomandantit Mehmet Shehu. Ja luftimet që sollën lirinë në 17 Nëntor 1944

489

Kujtimet e kundëradmiralit Ziqiri Mero, ish-zëvendëkomisar i Brigadës I S: Si e sulmuam kryeqytetin. Urdhri i Enverit: “Tirana duhet marrë me çdo kusht”. Organizimi i brigadave në luftë ku dhanë gjakun 327 dëshmorë

Ai mban mend deri në detaje gjithçka ka ndodhur 64 vite më parë. Në vesh i oshëtijnë ende gjëmimet e topave ndërsa para syve parakalon e gjithë situata e e një beteje të përgjakshme. Kujton se është luftuar në çdo qoshe muri, shesh, rrugicë e dritare. Në këtë mënyrë, arena e luftimeve për të mbajtur me çdo kusht, apo marrë me çdo kusht kryeqendrën shqiptare, u bë tepër e egër. Kundëradmirali në pension, 88-vjeçari Ziqiri Mero, i cili në atë kohë ka qenë dhe zëvendëskomisari i një prej njësive më të lavdishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigadës I Sulmuese, rrëfen edhe një herë me ngjyra të gjalla, atë çka ndodhi gjatë 19 ditëve të luftës frontale për çlirimin e Tiranës. Gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Ziqiri Mero shpjegon se përparimi i ushtrisë sovjetike në të gjitha frontet, dhe që më 15 tetor çliroi Nishin, i detyroi trupat ushtarake naziste për të mos mbetur të bllokuara, të tërhiqeshin nga Ballkani, duke përdorur rrugët përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës. Trupat gjermane u përkisnin gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 veta kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste, që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 shqiptarë të armatosur që ishin bashkuar me forcat gjermane. Armiku në qytet kishte bërë fortifikime dhe vende-vende si në ndërtesa kryesore, kazerma, centralin elektrik, etj. kishte vendosur mina.

Çfarë kujtoni nga lufta për çlirimin e Tiranës?

Kanë kaluar 64 vjet, që atëherë kur u zhvillua beteja më e ashpër dhe më e rëndësishme e UNÇL. Kjo u bë e mundur pasi krahinat dhe qytetet më të shumtë në Shqipëri ishin çliruar dhe kur Ushtria jonë e lavdishme e kalitur në luftime të pandërprera, duke përballuar me sukses edhe dy operacione të mëdha të armikut, ishte plotësisht në gjendje të çlironte Kryeqytetin.

Si u përgatit faza e parë e sulmit?

Një grup artilerie gjendej në kodrat rreth Pallatit të Brigadave, një tjetër në Tiranën e Re, shuma mortaja të rënda e të lehta, një repart tankesh, ishin vendosur në kryqëzime të rrugëve. Plani i Komandës së Përgjithshme përcaktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike dhe mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni i I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën e III, për çlirimin e asaj krahine. Në fazën e dytë do të futeshin në luftim Brigadat VIII, X, XXIV. Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi me aftësi të rrallë operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni i I dhe Brigadat VIII e X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje armikut gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.

Çfarë përmbante plani i luftës?

Komanda e Divizionit I, forcat e të cilit vepronin rreth Tiranës, kishte më tepër se një muaj që punonte për të përgatitur me hollësi planin e mësymjes, në bazë të njoftimeve të marra nga qyteti dhe informacioneve që jepnin grupet e zbulimit, të cilat futeshin natën në Tiranë për të zbuluar përqendrimet dhe mbrojtjen e armikut. Ajo kishte caktuar drejtimet dhe detyrat e brigadave. Morali i partizanëve dhe kuadrove komanduese ishte tepër i lartë. Ata kishin fituar përvojë në aksione e luftëra të shumta dhe prisnin me padurim të sulmonin pushtuesin nazist në kryeqytetin e tyre. Por këtu kishte edhe një problem, se lufta në qytet e sidomos në qytete të mëdha kishte veçoritë e saj, të cilat nuk ishin të njohura siç duhet dhe për këtë veçanërisht ishin të preokupuar kuadrot; pra, në këtë drejtim njerëzit duhet të tregoheshin tepër të vëmendshëm. Por me thënë të drejtën edhe ky shqetësim kaloi shpejt, në sajë të vendosmërisë, shkathtësisë, guximit e trimërisë që treguan të gjithë luftëtarët, partizanë dhe drejtues, duke përballuar me sukses gjatë luftimeve edhe momente të paparashikuara e tepër të vështira.

Cilat ishin detyrat e njësisë ku ju u bëtë drejtues?

Brigadës së I iu caktua detyra të mësynte nga kodrat në lindje e verilindje drejt qendrës së qytetit. Brigada e IV do të bënte presion të vazhdueshëm mbi Tiranë nga ana e jugut dhe jugperëndimit dhe një pjesë e forcave të saj do të vepronte në rrugën Tiranë-Elbasan. Brigada XXIII do t’i jepte goditje armikut gjatë rrugës Tiranë-Shkodër. Mësymja filloi në orën 18.00 të 29 tetorit. Vështirësia më e madhe për partizanët e Brigadës I u paraqit tek kazermat e Xhenios (sot Akademia Ushtarake). Aty kishte pozicione të fortifikuara. Gjermanët rezistuan për një kohë, por kur panë se do të rrethoheshin plotësisht, u detyruan të tërhiqen dhe kazermat ranë në duart e partizanëve, si dhe spitali civil e ushtarak që ishin pranë njëri-tjetrit. Duke kontrolluar ndërtesat e zëna, iu dorëzuan partizanëve 40 e ca ballistë të armatosur që ishin fshehur. Luftime u zhvilluan në rrugët “Bajram Curri”, Tafajve, Shenasi, Dishnica, në Kodrën e Kuqe, Medrese, në postën pranë “Varrit të Bamit”, në rrugën “Hoxha Tahsim”, para sheshit “Avni Rustemi”. Brigada e IV sulmoi në kodrat afër Pallatit të Brigadave dhe në Tiranën e Re.

A u vu në zbatim i gjithë plani i përgatitur?

Pas 10 orë luftimesh Brigada I doli në rrugën e “Barrikadave”, armiku u tërhoq me nxitim dhe nuk mundi të vinte në zbatim planin për të hedhur në erë depot e ujit, spitalet, komandën e xhandarmërisë, etj. Fillimi i mbarë i mësymjes tregonte përgatitjen e divizionit për betejën e madhe, vendosmërinë e komandave e luftëtarëve për të çliruar Tiranën. Ky fillim i mbarë iu dha krahë partizanëve dhe ngjalli gëzim të madh në popullsinë e qytetit. Ja si e përshkruan këtë komandanti i operacionit Mehmet Shehu: “Ndërsa partizanët ndiqnin këmba-këmbës gjermanët, kur nëpër rrugët e qytetit kërcet bomba, mitralozi, automatiku, pushka, populli i Tiranës (plakat, të rinjtë, pleqtë, të gjithë) dalin nëpër qoshet për të përshëndetur partizanët duke brohoritur. Pas tri ditësh mësymje, partizanët kishin asgjësuar nyje të rëndësishme në sistemin e mbrojtjes armike, kishin zënë gjysmën e qytetit dhe ishin në qendër të tij. Komanda e Korparmatës I i raportonte komandantit të Përgjithshëm: “Populli në prapavijë qëndron fare mirë, me moral të lartë, punon bashkë me partizanët në ngritjen e barrikadave. Forcat tona ndihmohen nga këshillat e komandat e lagjeve”. Deri më 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Partizanët jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë në brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 11 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes.

Çfarë përmbante faza pasardhëse?

Në fazën e dytë erdhën edhe Brigadat VIII, X, XVII, XXIV, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Të gjitha këto vareshin nga shtabi operativ. Brigada VIII mori detyrë të mësynte nga ana e jugut e perëndimit të qytetit së bashku me një pjesë të Brigadës IV. Brigada X, XXIV dhe Batalioni “Antonio Gramshi” (i Brigadës I) kishin për detyrë të bllokonin rrugën Tiranë-Vorë, ndërsa Brigada XXIII do të vepronte gjatë rrugës Vorë-Shkodër.

Si u gdhi 17 nëntori ’44?

Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 ditë luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, ku vetëm në qytet humbën jetën shumë luftëtarë, kryeqyteti ynë u çlirua. Kjo ishte fitorja më e shkëlqyer, kurorëzimi i të gjitha luftimeve, përpjekjeve e sakrificave të pallogaritshme, që bëri populli ynë gjatë sundimit nazi-fashist. Në operacionin për çlirimin e Tiranës, brenda në qytet, dhanë jetën 227 kuadro e partizanë, (94 prej të cilëve ishin të Brigadës I) ndërsa jashtë 100 të tjerë. Pra gjithsej ranë dëshmorë për kryeqytetin tonë 327 veta, veç qindra të plagosurve, luftëtarë të lirisë e të pavarësisë së Atdheut. Kryeqyteti ynë Tirana ishte i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua me forcat tona. Parisi, Varshava, Roma, Athina etj u çliruan nga ushtritë e aleatëve. Me rastin e çlirimit të Tiranës komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha iu drejtua popullsisë dhe njësive partizane me një urdhër dite, ku thuhej: “Partizanë e partizane, komandantë e komisarë, detyra juaj nuk ka mbaruar. Duhet çliruar gjithë Shqipëria dhe të ndiqet e asgjësohet armiku këmba-këmbës, i cili, i dëmtuar rëndë, po përpiqet të tërhiqet drejt Shkodrës e Podgoricës.

 

SULMI

Si u zhvilluan luftimet

“Mësymja vendimtare do të fillonte në ora 16.00 të datës 11 nëntor. Mësymja filloi sipas detyrave të vëna në të gjitha drejtimet. Më 12 nëntor Tirana buçiste nga zjarri i armëve të luftës. Armiku bënte përpjekjet e fundit për të rezistuar, me shpresë se mund t’i vinin në ndihmë forca që tërhiqeshin nga Greqia. Më 14 e 15 nëntor forcat e Brigadës I u takuan me ato të Brigadës IV dhe VIII në Rrugën e Kavajës. Më 13 nëntor, në kulmin e ashpërsisë së luftimeve në qytet, erdhi lajmi se një kolonë ushtarake gjermane prej 6000-7000 veta, pasi kishte lënë Elbasanin, qe ndarë më dysh. Gjysma afrohej për Tiranë, ndërsa gjysma tjetër për Durrës. Komanda e Korparmatës dhe Shtabi Operativ kishin marrë masa që kolona armike të asgjësohej pa mbërritur në Tiranë. Kjo detyrë i qe ngarkuar Brigadës XVII dhe forcave kryesore të Brigadës IV e VIII. Këto të fundit në qytet lanë vetëm nga një batalion. Një batalion i Brigadës së I do të zinte pozicione në hyrje të Tiranës.

Më 14 e 15 nëntor kolona gjermane u godit nga forcat tona në Mushqeta, Bërzhitë e Ibë. Luftimet u zhvilluan të ashpra. Gjatë këtyre luftimeve mbetën të vrarë mbi 1500 nazistë, shumë të plagosur e të kapur rob. Me ndihmën e tankeve mundën të vazhdojnë rrugën rreth 300 vetë, të cilët u goditën më pas. Në qytet mundën të hyjnë vetëm disa tanke. Këto forca ishin të Korpusit XXII dhe të Divizionit 133, që të tërhiqeshin nga Greqia. Asgjësimi i tyre ishte një fitore e madhe për partizanët që luftonin në Tiranë. Situata për gjermanët ishte bërë tepër e vështirë. Ata përgatiteshin për t’u tërhequr, por nuk dinin nga të dilnin. Më 16 nëntor sulmet partizane vazhduan pa ndërprerë deri natën vonë. Armiku përpiqej të çante në ndonjë anë me tanke dhe më në fund, i përgjysmuar, mundi të dalë në një drejtim” rrëfen kundëradmiral Ziqiri Mero për gazetën “Telegraf”.

OPINIONI

Ziqiri Mero:

“Sikur në Shqipëri të ishte ndjekur vija e bashkëpunëtorëve me armikun kuislinge, ballisto-zogiste, pas lufte nuk do të shkonte njeri në tryezën e bisedimeve, përkundrazi do të kërkohej llogari për bashkëpunim me fashizmin dhe pavarësia e vendit tonë do të ishte me pikëpyetje dhe rrezik për copëtim të Shqipërisë edhe njëherë. Populli ynë e mbështeti Greqinë më 1940- 1941 në luftën kundër Italisë, por pavarësisht nga kjo na akuzuan dhe akoma sot e kësaj dite nuk e kanë hequr atë ligj lufte absurde ndaj nesh. Sot falsifikatorët e historisë, në përpjekje për rishikimin e saj, qëllimin kryesor, parësor kanë zhvlerësimin e luftës Antifashiste NAÇl. Një përpjekje e tillë është goditja me e rëndë që i bëhet trashëgimisë, vlerave atdhetare që ajo luftë i ngriti në lartësi të papara. E përse bëhet gjithë kjo? Sigurisht për të ngritur lart ata që i shërbyen pushtuesve barbarë fashist me të gjitha fuqitë e tyre dhe që u diskredituan me tradhtinë që bënë. Flamurin për këtë e kanë marrë pinjollët e të mundurve të djeshëm e disa servilë që i mbështesin ata. Kjo duket sheshit, në libra që botohen, në disa gazeta e ekrane televizionesh, ku edhe nëpërkëmbet figura e ndritur e partizanit nga disa karagjozë të televizionit e veçanërisht në ditë festash. Duket në tendencat për heqjen e monumenteve të heronjve, të memorialëve, të emrave, të rrugëve, shkollave etj dhe e zëvendësimit të tyre me lapidare dhe emra kolaboracionistësh e ballistësh me dhënie dekoratash etj, gjë që vetëm në Shqipërinë tonë ndodh kjo. Të nëpërkëmbësh luftën dhe gjakun e derdhur për lirinë e pavarësinë e vendit është veprimi më antikombëtar. Çdo popull nderohet me luftën e bërë për të fituar lirinë e pavarësinë, por jo me kuislingët e bashkëpunëtorët e pushtuesit të huaj. Pra pinjollët e të mundurve, falsifikatorët e sotëm të historisë së LANÇ-it, do të ishte më mirë të heshtnin se historia nuk ç’bëhet. Është mali me dokumente, brenda dhe jashtë vendit që vërteton çdo gjë, kush luftoi e kush bashkëpunoi me armikun. Vala e sulmit të falsifikatorëve të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare është rritur. Ne i përgjigjemi me fakte reale për të vërtetën historike, sepse kemi qenë aktorë të saj. Falsifikatorët ta dinë mirë se ato bulevardet e Tiranës, ku lëvizin me bena luksozë, të karpadisur, janë shtruar me gjakun e partizanëve legjendarë. Ne dimë ta mbrojmë luftën që kemi bërë kundër secilit që e mohon atë qoftë edhe pushtetar i lartë apo politikan. Sulmit të falsifikatorëve ne i përgjigjemi me propagandën tonë intensive me të gjitha mënyrat, përfshi edhe protestat ndaj njerëzve me pushtet, pavarësisht sa mund të dëgjojnë, po ama jemi të sigurt që opinioni vrojton. Ne kemi idealin dhe moralin tonë. Nuk luftuam që të marrim një karrige për pushtet, siç bëhet sot. Ne nuk jemi të tillë se dhe një lugë kur e gjenim gjatë luftimeve e dorëzonim. Sot korrupsioni është në rendin e ditës, që në instancat më të larta të shtetit. Me ne askush nuk mund të krahasohet e jo më të nëpërkëmbemi. Ne i qëndrojmë besnike e të palëkundur amanetin e atyre mijërave dëshmorëve dhe patriotëve që ndihmuan dhe sakrifikuan gjithçka për luftën, se e vërteta historike do të jetojë. Ne nuk do të lejojmë kurrë që lufta jonë e lavdishme të deformohet apo ç’vlerësohet nga falsifikatorët”.