Shqiponja dibrane

668
Nga Sevo TARIFA 
Kur nis të shkruaj për dëshmorë, ashtu si dhe shokë të tjerë, nuk e kam të lehtë. Më pushtojnë emocionet. E përfytyroj dëshmorin që hidhet në sulm si luan dhe bie me lavdi në fushën e nderit. Dhe sytë më mbeten te ai, te shpirti luftarak i tij. Njëherazi krenohem. Kjo ndjenjë njerëzore më ndryshon gjendjen shpirtërore. Dhe gjej guxim e vazhdoj të shkruaj…

Dëshmorja me dy mbiemra!
Në libra dhe shtypin e përditshëm kam botuar mbi dyqind portrete dëshmorësh, që kanë dhënë jetën në lulen e rinisë, për idealin e lirisë. Por nuk më është dhënë rasti të shkruaj ndonjë portret si ky, për një luftëtare dëshmore me dy mbiemra! Nuk është fjala se u martua një vajzë, u bë nuse dhe mbajti mbiemrin e familjes së saj, mori dhe mbiemrin e dhëndërit dhe u bë me dy mbiemra. Jo! Puna qëndron ndryshe. Është një vajzë partizane dibrane, dëshmore, prindrit e së cilës u ndanë nga jeta dhe ajo mbeti katër vjeçe jetime, pa nënë, pa babë, pa vëlla, pa motër, që u rrit me sakrifica dhe, adoleshente, rrëmbeu armën, fluturoi si një sjhqiponjë, luftoi me trimëri dhe ra heroikisht në emër të Nënës së madhe Shqipëri! Kjo është Rukie Roshi nga Begjuneci, fshat i vogël majë një kodre afër qytetit të Peshkopisë. Çdo bëhej paskëtaj kjo vogëlushe? Ishte gonxhe, si do rritej e do bëhej lule? E vogël, vinte rreth nëpër shtëpi si një kanarinë. Kërkonte nënën dhe babin, të këpuste shpirtin. Dilte aty afër shtëpisë në një lëndinë luante me shoqe dhe kthehej në shtëpi si dallëndyshja në folenë e saj. Kujt nuk i vinte keq për këtë jetime nga bashkëfshatarët? Njerëzit bisedonin, shprehnin keqardhjen, u pikonte në zemër. Dhe nuk qëndruan sehirxhinj. Hodhën dorën e tyre të ngrohtë të afërmit e saj. Kujdeseshin si për vajzën e tyre. Ajo rritej, vente-vinte, luante, qeshte, bëlbëzonte. Nisi shkollën fillore. Më të rriturit e shikonin në bebe të syrit. Vajzë e zgjuar. Dinamike. Merrte nota aq të mira, gëzonte. U bë 13 vjeçe. Zbukurohej. Do kalonte adoleshencën. E ndiente nevojën e prindërve, sdomos të nënës. Ndërkaq u ndodh një familje mirëbërëse në qytetin e Peshkopisë, me kryefamiljar avokatin e nderuar me shpirt humanitar, Emin Barçi, që kishte dy çupa, Dritën e Sadien dhe duke marrë Rukien u bënë tri, tri si motra, shoqe, sikur të ishin trinjake të një shtëpie. Fëmijët miqësohen shpejt. Ditët e Rukies kalonin me njerëz. Shoqëri e këndshme. Tri vajza ishin si “tri motërza”, kudo bashkë në shkollë, në familje dhe jashtë saj. Me kukulla në duar. Aktivizohen në punë të lehta shtëpijake. I shihje me fshesë në dorë duke pastruar. Me qese artikujsh industrialë e bujqësorë që kthehen nga pazari. Ndihmonin familjen “Barçi”. Rukia nuk dallohej se ishte nga një familje tjetër. Trajtohej si vajzë nga e njëjta familje. Ishin si tri flutura. Punëtore si bleta. Në ato vite Rukia më shumë njihej me mbiemrin “Barçi” sesa me mbiemrin “Roshi”. Dhe i mbetën të dy mbiemrat. Portreti i saj në “Yje të pashuar” figuron “Rukie Barçi”, ndërsa lapidari dhe një rrugë në fshatlindjen, Begjunec kanë emrin “Rukie Roshi”! Me dy mbiemra, por është po ajo, e njëjta vajzë, pa prindër, por “prindërit” u gjendën dhe ajo u rrit në prehërin e ngrohtë të tyre dhe të të afërmëve dashamirës fisnikë,. Vazhdoi jetën e përbashkët si në shtëpinë e vet, me njerëz të dashur e bujarë. 

Dritë në fund të tunelit
Vite lufte. Jetë e pasigurtë. Në fshat prapambetje. Moshë e veçantë, me kërkesa specifike. Nga një mjedis i mbyllur fshati, Rukia jetonte tani në qytet. Hapet në shoqëri. Mëson, ndryshon jetën, sjelljen, mirëqenien. Sheh më shumë përparim, hapësirë. Nuk shikon vajza që janë të mbyllura brenda katër mureve të shtëpisë. Është larg asaj varfërie të fshatit. Në sytë e saj rrëzatohet qytetari. Dëgjon zhvillime të gjendjes të kohës së Luftës, shton njohuritë e saj. Të tria vajzat tërhiqen në organizatën e rinisë antifashiste, në veprimtari aktive. Lexojnë libra me autorë Sami e Naim Frashëri, Haki Stërmilli, Andon Zako Çajupi etj. Dëgjojnë episode e tregime nga Lufta partizane. frymëzohen nga veprime luftarake të shoqeve me armë në dorë: Hibe Palikuqi, Zinete Kerliu, Vera Najdeni, Nezhmije Xhuglini, Qefsere Greva, Esma, Qefsere, Myzejen, Sadoshe Baholli, Ora Kazazi, Vera Nura etj. Sytë e Rukies tani u çelën më shumë. Horizonti i saj po zgjerohej. Ajo mësonte gjëra të reja, që nuk i dinte. Po rritej ndjenja e atdhedashurisë. Në zemrën e saj kishte mbirë një “Manushaqe”, Manushaqja e Naimit, Shqipëria, “E bukura e dheut”, “pikuar nga lart, nga reja”, që “ndrit si margaritar”, “e bardhë si shkuma e detit”. Rritej, mësonte, kuptonte se Malet dhe liria janë të lidhur ngushtë. “Liria është thelbi i zemrës dhe i mendjes. Ary ku s’ka liri, edhe shpirti thahet si pema pa ujë”. Po e shikonte Shqipërinë të rrethuar me male, që e bëjnë edhe më shumë bukuroshe. Të fortë si çeliku. Të pathyeshme si diamamnti. Të patundur si vetë malet që ngrihen lart mbi tokë. Male me kreshta. Me shpate. Me përrenj. Me gryka. Me lugina. Me kurrizë. Me brinja. Me qafa. Me faqe. Me shkëmbinj… Shihte dritë në fund të tunelit. Shpirti i saj i ri ndizej si barut i thatë. Zemra e saj rrihte nga gëzimi. Buzëqeshja e saj ishte si lule. I qeshnin dhe ata sy të zinj, të ndritur. Në ata male dëgjohen pushkë. Janë pushkë që këndojnë në duar të trimave partizanë. Ata janë në roje të Shqipërisë. Atdheu rënkon nën thundrën fashiste. Shoqe ka, midis tyre dhe më të rritura. Dhe këto bisedojnë me të, e futin dhe në “politikë”. Rukia dëgjon, i shikon shoqet në sy, sot di më shumë se dje, të nesërmen di më shumë se sot. Mëson gjithnjë më mirë e më shumë pse vuajnë njerëzit e varfër. Dhe arrin në përfundim, se jeta është luftë. Se fashizmi po na shtyp. Çdo ai në Shqipëri? Duhet luftuar për liri, kundër pushtuesve dhe sahanlëpirësve të tyre. Shikojeni në këtë fotografi, në të cilën mund të dallohen qartë dy pamje: ana e jashtme, përmes së cilës kuptohet dhe bota e brendshme, gjendja shpirtërore e vajzës. E veshur thjeshtë. Ka mbajtur gërshetat e vajzërisë. Në fytyrë e vërejtur, shpreh mërzitje. Po edhe urrejtje. Mërzitje se është fatkeqe, jetime. Urrejtje për pushtuesit dhe veglat e tij.

“Mos më kërkoni. Jam në mal”! 
Qyteti i Peshkopisë po zbrazej. Luftonin partizanët për çlirimin e tij nga pushtuesit gjermanë dhe tradhtarët. Njerëzit iknin nga qyteti në fshatra, aje ku të ishte më e sigurt jeta e tyre. Rukia po vinte në moshën gati 17 vjeçare. Nuk dihej ku ishte. Pyetej: çu bë Rukia? Ku shkoi? U mësua se mbërrii ne fshatin e saj. Andej në mal, te partizanët! U hap fjala e Rukies: “Mos më kërkoni, jam malit, do luftoj për lirinë e populli!t” Ishte fillimi i tetorit 1944. Rukia hyri në rtadhët e Brigadës IV Sulmuese, në batalionin e 4-t, me komandant Mitat Goskova, i cili tregon se “Rukieja është një vajzë sypatrembur, partizane e vendosur, e disiplinuar, që lufton me trimëri, pa pyetur se do të japë dhe jetën e saj, pret me padurim ta shohë Atdheun të çliruar. Ka dashuri e respekt për luftëtarët e lirisë. Ështe me shpirt sulmues. E shkuar me vëllezërit partizanë. I ndritin sytë që ishte me armë në sup dhe e shkrepte pa mbyllur sytë”… Shqipëria po shkontë drejt çlirimit të plotë. Lajmet pasonin njëri-tjetrin. Zemra e Rukies hidhte valle. Brigada IV mori detyrën t’i afrohet Tiranës, të luftonte për çlirimin e saj. Ishte mesi i tetorit dhe gjysma e parë e nëntorit. Çaste vendimtare për t’i dhënë godijen pushtimit nazist. Beteja e kësaj brigade po zhvillohej në kodat e Kasharit. Luftë e ashpër. Partizanët donin ta çlironin sa më parë kryeqytetin. Në ballë të sulmit ishte dhe Rukie Roshi, e cila me shkathtësi hidhej nga pozicioni në pozicion, duke luftuar kundër gjermanëve. Dhe në luftë e sipër një plumb e gjermanit e godit në gjoks. Ra trimëreesha 17 vjeçare. Puthi tokën dhe në frymëmarrjen e fundit arriti të thoshte: “Përpara shokë, mos u ndalni. Rroftë Shqipëria! Rroftë Partia Komuniste!”. Ishte 20 tetori 1944. Trupi i saj u rrethua nga parizanët. Nderim me grusht, heshtje, një minutë zi! Betimi partizan: Do t’ia marrim hakën! Rukia nuk arriti ta shohë çlirimin e Tiranës. Por u shua me besimin se Tirana dhe gjithë Shqiperia shpejt do çlirohej. Ditët iknin, Tirana u çlirua më 17 dhe e gjithë Shqipëria më 29 Nëntor 1944. Ndjej këaqësi të veçantë që shkrova këto radhë për një vajzë dëshmore, shqiponjë dibrane, e cila, edhe pse e rritur jetime në vorbullat e jetës, përmes vështirësive e sakrificave, qëndroi e papërkulur dhe luftoi trimërisht për Çlirimin e Atdheut, duke rënë dëshmore në fushën e nderit! Meritojnë përgëzime e falënderimne dy shokët dibranë, për punën kërkimore që bënë dhe mundësuan botimin e këtij portreti: Veterani major Selim Pira dhe zëv.kryetari i Komitetit të Veteranëve të rrethit Peshkopisë, Hilmi Cani.