Rrëfimet e Viron Notit për ëndrrën e Radio Tiranës dhe ngjarjet e ’97-s

285

Në kuadrin  e Dossierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes Radio dhe Televizion deri në vitin 1991.

Kujtoj me respekt Vera Zhejin, Agim Bejlerin, Elsa Xhajin, Kiço Fotjadhin, Liljana Meçanin etj….

Do të veçoja emisionin “Takim me Shekspirin” një emision me 12 seri ku përfshihen të gjitha veprat e tij

Pengu i vetëm është që nuk dola njëherë në ekran

Ngjarjet e vitit 1997 ka qenë periudhë shumë e vështirë

Albert Z. ZHOLI

 Viron Noti padyshim është një nga ikonat e radiofonisë shqiptare. Me një stazh prej 35 vjetësh pranë mikrofonit të Radio Tiranës, ai ka qenë prezent në çdo familje shqiptare në një seri të pafundme emisionesh, por zëri i tij potent njihet kryesisht si folës në Emisionin qendror të lajmeve të orës 20-00. “Ju Flet Tirana”, ka qenë dhe mbetet për çdo shqiptar brenda dhe jashtë atdheut, trifjalëshi më i bukur, më emocionues, më drithërues që i mbërthente dhe i mbërthen shqiptarët pranë aparateve fonikë për të dëgjuar zërin e atdheut. Impresionet, kujtimet, mbresat, e Vironit në ambientet e RTSH janë një libër me vete, që do t’i kishte zili çdo gazetar i ri, për të nisur rrugëtimin e profesionit të vështirë me një eksperiencë tepër të vlefshme. I qetë, i saktë, familjar, gjithmonë i qeshur, në bisedë Vironi rikujton mbresat kur hyri në këto ambiente pa vënë brisk në faqe dhe deri sa doli në pension. Një jetë të tërë në një Institucion kaq të rëndësishëm. Në Faltoren e lajmit të paqtë. Ndoshta është një ndër rastet më unike (në të gjithë rastet e veçanta), ku një gazetar profesionist i nivelit të Vironit del në pension në të njëjtin vend pune. Dhe pikërisht aty, ku çdo gazetar e ka si ëndërr të fshehtë të ulet qoftë edhe për një moment pranë mikrofonit magjik, për të thënë me zërin e zemrës përshëndetjen mbresëlënëse “Ju flet Tirana”.

-E kishit menduar në vitet e para të shkollës, se një ditë do të punonit në Radio Tirana?

-Në atë kohë dëshira ime që të dëgjoja radion ishte e madhe. I dëgjoja vazhdimisht transmetimet, lexoja gjithmonë gazetat “Zëri i Popullit” dhe“Bashkimi” dhe më pëlqente sidomos faqja e katërt, ku shkruhej për ngjarjet që ndodhnin në botë. Unë isha i abonuar dhe më vinte në shtëpi gazeta. Admiroja shumë folësit e famshëm që ishin në Radio-Tirana si: Agim Bejleri dhe Vera Zheji. Këta i kam pasur idhuj dhe më vonë i kam pasur kolegë. Dhe pse babai më la në moshën 2-vjeçare, gjithmonë mendoja se, a do të kem edhe unë një mundësi siç janë përgatitur këta të jem edhe unë në gjendje se një ditë po të më jepej mundësia të flas në radio. Kjo ishte një dëshirë e brendshme e imja. Fati e solli që në vitin 1973, Drejtoria e Përgjithshme e Radio-Televizionit bëri një konkurs për folës në radio dhe në televizion. Konkurrova. Unë fitova në televizion. Për fat të keq unë nuk punova në televizion, por në radio dhe jo si folës, por punova si gazetar. Mbasi punova një vit si redaktor në radio arrita që të kryej emisione në redaksinë e fëmijëve, (ku Reshat Arbana ka qenë shef redaksie në atë kohë), pastaj kalova në redaksinë e programacionit në radio si folës profesionist. Por puna ime nuk ishte vetëm dhënie lajmesh, anketa muzikore dhe emisione të ndryshme, komente, poezi nga më të ndryshmet. Në këtë periudhë unë punova me kolegë shumë të afirmuar, shumë të respektuar, si: Vera Zheji, Agim Bejleri, Elsa Xhaji, Kiço Fotjadhi, Liljana Meçani dhe të tjerë që ishin të jashtëm.

-Konkurrimi ka emocione të veçanta. Si ishin kërkesat e asaj kohe në konkurrim?

Ne na u dhanë materiale nga më të ndryshmet, ku komisioni ishte shumë profesionist. (komisioni kishte folës me përvojë siç ishte Vera Zheji që më vonë ishte edhe pedagoge në Institutin e Arteve). Në konkurs u panë aftësitë komunikuese, zëri, logjika dhe teknika e të folurit, por jo e perfeksionuar. Ajo dalloi cilësitë e mira folëse, zërin e pjekur, kulturën, ngrohtësinë në të folur, nga materialet e ndryshme që na u dhanë dhe ajo i çmoi këto. E ndjeva veten shumë të kënaqur që u vlerësova dhe me kalimin e kohës arrita që me eksperiencë të ecja përpara, duke menduar  gjithmonë që kjo punë do pasion dhe punë. Unë kam pasur gjithmonë një moto “më pak talent dhe më shumë punë”, më mirë se sa shumë talent dhe pak punë, sepse atë talent ti do ta fitosh në sajë të punës. Çdo folës ashtu si edhe aktori që nuk punon dhe motoja e punës sime ka qenë që duhet punë e vazhdueshme. Duhet të punosh me materialin. Është si puna e aktorit. Aktorët bëjnë vokalizma sepse krijohen intonacione, shikohet logjika e autorit se çfarë ka dashur në këtë dramë ose në këtë material letrar që ka shkruar dhe t’i mbasi njihesh me këtë, krijon intonacionin dhe i afrohesh natyralizmit. Është njëlloj si folësi dhe aktori, se të dy duhet të punojnë shumë. Kur materiali është sado i lehtë apo i vështirë, unë do të punoj me tekstin. Unë punoj me çdo fjalë dhe kjo më ka dhënë suksesin. Për mua është më e vështirë puna paraprake (që është puna me tekstin), se sa direkt dita e incizimit.

-Në momentin kur ju për herë të parë kapët mikrofonin e Radio –Tiranës si jeni ndjerë?

-Ai moment ishte në vitin 1973, kur unë u futa direkt në emision dhe emisioni që kam bërë ka qenë për shqiptarët jashtë atdheut. Ishte një moment magjik. Mikrofoni është i pushtetshëm. Të mbërthen. Ai ti jep të gjitha, mjafton që ti, t’i lexosh ato. Këtu fillon lidhja

– Si ishte kërkesa e llogarisë në monizëm, për sa i përket anës profesionale?

-Në atë kohë vlerësohej shumë ana profesionale. Në aktivizimin e njerëzve të mikrofonit, në atë kohë duhej të kaloje nëpër konkurse. Duhej të ishe shumë profesional që të merrje mikrofonin e Radio-Tiranës që ishte i vetmi institucion i medias në Shqipëri, dhe çdo gjë bazohej mbi profesionalizmin. Llogaria ka qenë shumë e madhe, bëhej analizë. Çdo ditë kishte mbledhje. Shikohej ndonjë e metë, sugjerime, se çfarë opinioni kishin redaktorët, kishte edhe gazetarë shumë të mirë në atë kohë që punonin si Nasi Lera, Reshat Arbana e shumë të tjerë.

-Cila ka qenë dita më e vështirë në radio?

-Dita më e vështirë ka qenë kur u largova nga ky institucion që punova një jetë të tërë me një nostalgji të madhe me një dashuri të madhe. U largova me një keqardhje pasi mendova se aty ku punova kaq vjet, tani nuk do të jem më. Aty që kalova kaq emocione, kaq net dhe ditë…Kujtoja ngjarjet e vitit 1997, ku ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Gjatë viteve kam pasur ngjarje nga më të ndryshmet, por detyra ishte që ne të punonim edhe me orë të zgjatura natën edhe deri në mëngjes ka pasur raste. Dhe kur largohet njeriu i kujton të gjitha këto ngjarje me nostalgji (loton).

Si specialist i kësaj fushe kush është defekti më i madh i folësve të sotëm shqiptarë?

Unë them se këtu nuk ka një shkollë të posaçme për të përgatitur njerëz. Mund të përgatisin folës vetëm ata që kanë një eksperiencë të madhe në këtë fushë, por shkollë nuk ka. Defekti është se këtu nuk punohet për të nxjerrë njerëz që të flasin. Mund të punosh për shembull me një regjisor, por regjisori është regjisor. Shumë folës, që kanë dalë, kanë dalë ose nëpërmjet kolegëve të tyre ose nëpërmjet redaktorëve, por duhet njeriu profesionist që t’i trajnojë. Unë kam pasur fatin e mirë që në vitin 1978, bëra një kurs, që ishte kursi më i plotë që u bë për të përgatitur folës për në radio Televizion ku morën pjesë 25 folës. Ishte një kurs me tema teorike dhe praktike, ku u ftuan shumë regjisorë si: Albert Minga, Mevlan Shanaj, Vera Zheji, kishte pedagogë nga Instituti i Arteve, pedagogë nga Instituti i Folklorit, nga Histori- Filologjia. Ky ishte kursi më i fortë që u bë për perfeksionimin e atyre që kishin hapat e para në radio dhe në televizion. Unë tani për fat të keq nuk shikoj ndonjë kusht, që të jetë për këta njerëz që përgatiten për folës. Kam shprehur dëshirën që ta merrja përsipër një gjë të tillë pa shpërblim

-Vironi është marrë ndonjëherë me politikë?

-Me politikë absolutisht nuk jam marrë. Ne e përçonim politikën. E kërkonte vendi i punës që atje nuk mund të reflektosh asnjë preferencë, atje ke vetëm anën profesionale. Neve në radio na vinin materiale nga të gjithë partitë politike. Ndikimi mund të jetë në kutinë e votimit kur janë zgjedhjet ndërsa radioja mund të them se ka qenë i depolitizuar.

-Kush ka qenë emisioni më i mirë që keni realizuar?

-Do të veçoja emisionin “Takim me Shekspirin”. Një emision me 12 seri ku përfshihen të gjitha veprat e Shekspirit. Ky emision u realizua nga Televizioni Shqiptar. Këto vepra janë vënë në gojën e një pedagogu të aktrimit në Angli, të cilat përçojnë një filozofi të tërë jetësore. Mënyra e realizimit të këtij emisioni nga pedagogu anglez të mbërthen, të magjeps, të shtang. Këtu flitet për veprat më të mëdha botërore, tragjeditë e famshme dhe të papërsëritura të Shekspirit, si: Otello, Hamleti. Pra unë interpretoj pedagogun, sipas mënyrës së tij për t’ju përshtatur në mënyrë sa më origjinale. Zë i qetë i shtruar ai e studion fjalën e përcjellë, me timbrin, elokuencën, vështrimin. Është një kombinim i veçantë elementësh që vetëm personalitete të rralla të aktrimit mund ta realizojnë në perfeksion. Si e shpjegon ai këtë vepër ashtu duhej të flisja dhe përcillja dhe unë. Nuk isha vetëm në rolin e folësit. Absolutisht jo. Zëri ishte një nga element, por aty duhej studiuar çdo fjalë. Sepse humbja e theksit dhe në një fjalë të vetme humb logjikën e veprës. Ky material ishte një interpretim i mirëfilltë, i cili më tërhoqi shumë. Aktor, folës. Kur ma besuan këtë serial kam lexuar me ditë të tëra disa herë tekstin. Thuajse e mësova përmendësh tekstin. Doja të dija çdo fjali, çdo lidhje. Folësi këtu dilte në plan të dytë. Ishte njohja e materialit me detaj, duhej një lloj komunikimi i veçantë, aktrues.

-Ju si gazetar, çfarë mendoni se i mungon gazetarisë së sotme shqiptare?

Po të marrësh e të shikosh televizionet do të dallosh menjëherë nga mënyra e transmetimit se ky televizion anon nga e djathta apo nga e majta. Të njëjtën gjë mund të them edhe për gazetat. Unë mund të them se këtu ke të bësh me një shtyp, i cili është me plot kuptimin e fjalës i pavarur, pra të ketë një krah dhe jo raport të drejtë midis pozitës dhe të opozitës. I mungon pavarësia.

-Çfarë mendimi keni për librin duke pasur parasysh numrin e madh të mediave vizive?

-Libri është i pazëvendësueshëm. Është pasuri, kulturë. Për mua njeriu duhet ta gjejë kohën e lirë edhe në mes të natës për të lexuar nëse do. Por njeriu ka ngarkesë dhe vjen i lodhur dhe e ka më të lehtë të hapë televizorin se sa të marrë të lexojë një libër.

-Sa filma dokumentar keni realizuar?

-Rreth 2000. Ato ndodhen në të gjitha televizionet shqiptare.

-A ka ndonjë peng Viron Noti në rrugëtimin e tij 35- vjeçar në radio?

-Pengu i vetëm është që nuk dola njëherë në ekran. Kam bërë shumë emisione për televizionin, mjaft të bukura. Cikle emisionesh dhe dokumentarë që janë me mijëra në televizionin shtetëror, Klan, Arbëria dhe televizione të tjera, por unë nuk preferova të dilja një herë në ekran. Kam punuar gjithmonë jashtë kamerave. Ky është pengu i vetëm.

– Një nga problemet e mëdha të shoqërisë së sotme janë edhe divorcet e shumta, kush është mendimi juaj nga se vijnë dhe koncepti juaj mbi familjen?

-Për mua divorcet vijnë nga problemet ekonomike. Unë nuk jam as sociolog, as psikolog, por problemet ekonomike krijojnë grindje familjare. Krijohen mospërputhje të nevojave familjare. Televizioni ka një influencë, jeta e shthurur, droga, fenomenet negative që ndodhin për të arritur në një objektiv. Këta janë faktorët që të çojnë në një jetë të shthurur, drejt krimit. Po ta shikosh, sistemi ekonomik që jetojmë, krahas anëve pozitive ka edhe anët negative. Në vitet ‘90 sapo u ndërruan sistemet kam ikur në Greqi. Aty kam marrë kontakt me grekë, të cilët në bisedë më thanë se ju me të vërtetë keni hyrë në demokraci, por në të ardhmen do të keni shumë fenomene, si droga, krimi, prostitucioni që janë fenomene të pashmangshme në ekonominë e tregut.

-Jeni supersticioz në jetë?

-Nuk jam supersticioz. Kam besim në forcat e mia, në jetën time. Unë kalova edhe një sëmundje të rëndë. Ku mund t’i thuhet një diagnozë të tillë, njeriu kalon edhe në fatalitet, vetëm duke pasur besim në jetë unë kalova këtë periudhë të vështirë dhe tani e ndjej veten më mirë dhe jam optimist.

-Në kontekstin e përgjithshëm, çfarë pozicioni duhet të zërë në jetë një gazetar?

-Gazetari ka një rol shumë të madh. Gazetari duhet të jetë një njohës i mirë i realitetit dhe, në qoftë se nuk e ka këtë brenda vetes ai nuk mund të presë nga intervistat që bën nga njerëz të ndryshëm atë që kërkon. Sa më i ngritur të jetë profesionalisht, sa më shumë ta njohë jetën, aq më shumë i suksesshëm do të jetë në gazetari.

-Folësi dhe këngëtari kanë një hallkë shumë të fuqishme zërin, cili është sekreti i ruajtjes së zërit, kësaj magjie të qënies së tyre?

-Të dy jemi vokalistë, si folësi edhe këngëtari. Zëri është elementi i parë i yni. Për fat të keq në një periudhë të caktuar të jetës edhe unë nuk kam qenë në gjendje të flas nga kordat për dy javë. Duhet që njeriu në këtë profesion ta ruajë zërin, sepse ai me atë zë duhet të punojë. Eshtë mekanizmi i profesionit. Nuk duhet abuzuar, duke pirë gjëra të ftohta, nuk duhet të hash gjëra që të vrasin dhe të shkatërrojnë kordat. Por mund të pihen gjëra të tilla që shërbejnë për daljen e pastër të zërit. Këngëtarët e mirë mund të përdorin elementë ushqimorë, që i ruajnë dhe nuk i konsumojnë kordat. Si futbollisti që i ruan këmbët sepse me ato ai bën punën e tij. Kështu është edhe për folësin, këngëtarin, aktorin duhet të ruaj vokalin e tij.