Regjisori dhe ikona e transmetimit Dhimitër Gjoka

1667
Sigal

Fillimet në Radio-Tirana, prezantimet e festivaleve, si i lexova lajmet për vdekjen e Mehmetit e Enverit. Kujtimet për Haki Bejleri, Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule, Alfons Gurashi, Vera Zheji, Tefta Radi, Lliljana Meçani, Viron Noti, Dhimitër Anagnosti, Timo Flloko, Gëzim Kame, Pirro Mani, Skënder Plasari etj

Në kuadrin  e dossierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” dhe përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes Radio dhe Televizion deri në vitin 1991.

Intervista/ Flet folësi i talentuar Dhimitër Gjoka: Jam “marrosur” pas magjisë së televizionit

02- Ishte 10 Nëntor 1974, kur u futa në studion e Radio Tiranës. Isha në studio me të Madhin, Viron Noti

03-Kur lexova nekrologjinë e Mehmet Shehut m’u dha si orientim që leximi të ishte i thjeshtë

04-Kujtoj heronjtë e vërtetë, folësit e supertalentuar: Haki Bejleri, Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule, Alfons Gurashi, Vera Zheji, Amalia Dhamo, Feride Konomi, Tefta Radi, Isamil Sharra, Shefqet Bregu, Roland Roshi, Kujtim Meçaj, Meropi Matlia, Elsa Xhai, Liljana Meçani, Viron Noti

05- Në rrugën e aktrimit kujtoj figura madhore si: Dhimitër Anagnosti , Esat Oktrova, Timo Flloko,, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Kadri Roshi, Pirro Mani, Anastas Kristofori, Vangjush Furrxhi,Drita Agolli, Skënder Plasari

Albert Z. ZHOLI


Një jetë në ekran. Nga njëri stacion prestigjioz në tjetrin, me hapa të vendosur. E gjen aty ku televizioni merr frymën dhe perfomancën e kohës. Pra, si një gjuetar perlash në labirinthet e pafundme të detit, në kërkim të së bukurës, perfektes, të veçantës. Dhe “deti televiziv”, sa më thellë të futesh aq më shumë xhevaire të rralla ka. Një jetë plot emocione, përgjegjësi, kërkesa, që përmblidhen brenda formatit të një profesioni sa delikat po aq dhe të bukur. Por…gjithmonë i freskët dhe energjik, potent dhe sharmant, kështu kujtohet që nga fillimet e tij,regjisori dhe spikeri elokuent Dhimitër Gjoka, puna e të cilit është përmbledhur tashmë në “Top Channel” në edicionet kryesore të lajmeve. Prej vitesh e njohim si një përcjellës të lajmit në televizionet më të rëndësishme shqiptare duke pasur parasysh se ai është dhe një regjizor i diplomuar që i ka dhënë sigurinë, por dhe të qënit luajal në përcjelljen e lajmit. Fillimet e tij janë si folës i lajmeve në Radio Tirana dhe më pas në TVSH, ku punoi për një kohë të gjatë edhe si regjisor i shumë emisioneve, koncerteve dhe dokumentarëve. Ndoshta është një nga folësit më të kompletuar. Profesionalizmi i Dhimitër Gjokës ndërthuret edhe me look-un e tij. Ai është njeriu që ka gjithmonë veshjen e duhur, duke e përcjellë fjalën bukur duke ruajtur sensin e masës në raportet dimensionale të përputhura që kërkon larmia dhe gjeografia e lajmit. E veçantë ?..Kurrë nuk bën asgjë të tepërt në ekran. Në intervistën me të, zbulojmë disa anë sekrete profesionale, shoqërore, por edhe ato të veçantat e karakterit të tij njerëzor. Sipas shumë specialistëve të kësaj fushe, ai mbetet një nga emblemat e pazëvendësueshme të folësve radiotelevizivë shqiptarë të të gjitha kohërave, me një komportim të shkëlqyer, eklipsues ndaj teleshikuesit, magjik në forcën e logjikës që përcjell, padyshim një nga yjet e ekranit shqiptar. Një intelektual i hapur dhe komunikues, arti më i vështirë në shoqërinë e sotme shqiptare në këtë tranzicion, ku karakteret njerëzore janë shpalosur me ngjyrat e tyre më të vërteta.

 

 

Biografi

 

Më 1984 diplomohet shkëlqyeshëm për regjisurë në Akademinë e Arteve.

Më 1986 i jepet medalja e artë si folësi më i mirë në festivalin e 6- të dokumentarëve dhe filmit vizatimor Shqiptar.

Prezantues festivalesh të këngës në R T SH , spektaklesh, koncerteve të Dekadave të Majit…

Më 1993 diplomohet shkëlqyeshëm për gazetari elektronike pranë Radiotelevizionit Grek E R T I .

Më 1997-1999 emërohet Drejtor Artistik i Televizionit Shqiptar.

Më 1999 i jepet Çmimi “LUX CLARIOR” në festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve zhvilluar në Asizi, Itali për regjinë dhe skenarin e dokumentarit “O JETO”.

Më 1999-2000 Drejtor i televizionit kombëtar T V A.

Në vitin 2000 në 40-vjetorin e Televizionit Shqiptar për kontribut të shquar televiziv i jepet çmimi “ANTENA E ARTË”.

Më 2000-2002 kryeregjisor në Televizionin Shqiptar.

Më 2002-2004 themelon profesionalisht së bashku me grupin e punës Televizionin Kombëtar ALSAT.       

Gjithashtu në karrierën e tijë të gjatë televizive ka mbi 40 dokumentar me regji dhe skenar së bashku. Mijëra orë pune në regjisurë të shumë emisioneve të drejtpërdrejta ose të regjistruara të departamenteve të kulturës, ekonomisë, informacionit, sportit të fëmijëve Regjisor i më shumë se 300 ndeshjeve të futbollit kombëtare dhe ndërkombëtare. Gazetar i qindra kronikave informative në departamentin e informacionit të TVSH, si dhe mjaft shkrime në shtypin e përditshëm.

Nga viti 1976 e vazhdim i përnatshëm drejtpërdrejtë në edicionet qendrore të lajmeve si spiker në televizionet TVSH, ALSAT, dhe së fundi në TCH, ku aktualisht punon.

Sot flitet shumë për profesionet apo profesionin. Çdo profesion ka të veçantat apo të fshehtat e tij. Ç’do të thotë për Dhimitrin të bërit profesion në përgjithësi?
Profesioni është pjesë e jetës. Nuk mund të kuptohet jeta pa profesionin. Ka shumë përkufizime për profesionin. Të bësh profesion do të thotë të ruash sensin e masës, të jesh i kujdesshëm, të mos e teprosh. Kur je në ekran teleshikuesi të mat dhe lëvizjen e qerpikut dhe dëshirën ose mungesën e saj para kamerave. Kështu që unë e ushqej veten më dëshirën për të qenë mirë e për të bërë profesion. Unë kërkoj të panjohurën dhe të ndryshmen në profesion. E nesërmja është gjithnjë premierë për mua.
Para ekranit keni qenë folës në radio?
-Po. Radio Tirana ishte shkolla ime e parë apo Akademia e dytë. Radioja të mrekullon, televizioni të magjeps. Ishte 10 Nëntor 1974, kur u futa në studion e Radio Tiranës. Isha në studio me të Madhin Viron Noti. Pikërisht ishin lajmet e orës 10:00. Kisha shumë emocione. Në duar mbaja letrat e lajmeve. Duart filluan të më drisheshin dhe letrat më ranë në tokë. Shtanga. U hutova. U mbulova nga djersët. Nuk dija ç’të bëja. Viron Noti mbylli sinjalin e komunikimit, mblodhi letrat, mi vuri përpara duarve dhe vazhdova i emocionuar vijueshmërinë e tyre. Në fund ai më buzëqeshi dhe filloi të më jepte kurajo. Isha në merak. Kisha frikë se mos më largonin nga radioja. Përgjegjësi i emisionit të lajmeve Taqo Katro, më dha kurajë. Ishin njerëz që të kuptonin. Kjo ditë ishte dita më e vështirë e imja në rrugën e gjatë, të vështirë, të bukur, të folësit. Ishte besimi që më dha për të mos u pa shkëputur nga mikrofoni.
Pra, një jetë në ekran dhe para mikrofonit. Si do të na e përshkruanit rrugëtimin tuaj në ekran?
-Kur e kthej kokën mbrapa them se kam rrugëtuar shumë. Kur shoh para them se s’kam ecur fare. Por di që kam punuar shumë. I jam përkushtuar televizionit me shpirt, me pasion e me dëshirë dhe shumë gjëra të tjera i kam lënë mangët. Kam braktisur shoqërinë në kohë dhe situata të caktuara, kjo në kuptimin e mirë të fjalës. Në vend që të pija një gotë birrë me miqtë kam preferuar më shumë të merrem me punë. Kjo në fillim të karrierës kur kisha nevojë të isha sa më pranë kamerës, sa më pranë profesionistëve për të thithur gjithçka nga profesioni i idhujve. Një gjë që e kam bërë me shumë dashuri.
Ju keni transmetuar në TVSH dhe radio vdekjen e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, ku ishte dallimi midis këtyre dy nekrologjive?
Kur lexova nekrologjinë e Mehmet Shehut m’u dha si orientim që leximi të ishte i thjeshtë, i ftohtë, pa emocion, shumë normal, pa nuancë, sikur s’ka ndodhur asgjë. Ai kishte kryer vetëvrasje dhe një akti i tillë ishte i dënueshëm.
…dhe vdekja e Enverit ?
-Aftësia për të komunikuar të tilla ngjarje janë pjesë e karakteristikave të mia profesionale. Këtu duhet të dilte në pah ana emocionale, pjesë e përjetimit të së tërës, për kohën që jetonim, kushtet në të cilat kalonte dhe përjetonte Shqipëria. Ishte ngjarje e veçantë, ku diksioni, emocioni, intonacioni, duhet të ngjallte tek shikuesi (dëgjuesi) dhimbjen e së tërës. Kur m’u dha urdhri për leximin e lajmit nga drejtori Marash Hajati, nuk m’u dha asnjë orientim, si në leximin e nekrologjisë së Mehmet Shehut.

Ikonat e folësve në RTSH, sipas jush?
-Së pari Haki Bejleri, numri një, në historiografinë shqiptare, në klasën e madhe të folësve shqiptarë. Pastaj, Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule, Alfons Gurashi, Vera Zheji, Amalia Dhamo, Feride Konomi, Tefta Radi, Isamil Sharra, Shefqet Bregu, Roland Roshi, Kujtim Meçaj, Meropi Matlia, Elsa Xhai, Liljana Meçani, Viron Noti (një zë i veçantë me karakteristika të jashtëzakonshme, besnik i radios), dhe ndonjë tjetër që tashmë nuk po e kujtoj…Ku janë sot ata zëra të papërsëritshëm! Të merr malli për ata që përcillnin me art, dashuri, përkushtim, përgjegjësi, patos,- poezinë, përrallën, tregimin, fabulën, teatrin fonik, dialogun, sikur të ishin shumë zëra brenda një zëri. Që s’mund t’i dalloje në zë nga një gjini, në një gjini tjetër e të lexuarit. Ne jemi rritur me ta, me zërin e tyre brilant. Ata mbeten të papërsëritshëm profesionalisht, të mahnitshëm deri në pa besueshmëri. Ata mbeten shkollë me vete. Shkollë shqiptare e radiofonisë
dhe televizionit.
Dhimitër Gjoka midis Radios dhe televizionit…
-E cekëm paksa më lart…Radioja mbetet dashuria ime e parë, abc-ja e rrugës time, e të mësuarit ç’është mikrofoni. Nuk mund ta braktis radion, por jam marrosur pas magjisë së televizionit.
Mësuesit e tu?
-Pa dyshim janë nga intelektualët më të shquar shqiptarë të të gjitha kohërave në fushën e artit dhe të kulturës, që për mua do të ngelen të pavdekshëm.
Dhimitër Anagnosti, Esat Oktrova,Timo Flloko, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Kadri Roshi, Pirro Mani, Anastas Kristofori, Vangjush Furrxhi, Drita Agolli, Skënder Plasari, janë këta që më ngjizën mënyrën dhe dashurinë e të bërit profesion, por dhe anën njerëzore.
-Është ideja ime apo televizioni shqiptar i asaj kohe ka pasur arritje të jashtëzakonshme?

-Kjo është e vërtetë. Televizioni i atëhershëm ishte vendi ku ishin mbledhur gjithë elita e kulturës televizive shqiptare. Pati figura të mëdha të televizionit shqiptar dhe të tjerë pas tyre patën çfarë morën, nga kjo kulturë. Sigurisht që tani ata janë shpërndarë dhe secili prej tyre jep kontribute personale në televizione të tjera.

-Si punohet në Top Chanel?

-Është një televizion avangardë me njerëz thellësisht profesionistë, ambiciozë ku punohet shumë dhe kërkohet shumë nga ana profesionale.

Shkolla shqiptare e radiotelevizionit…
-Në fillimet tona ne merrnim eksperiencë në mënyrë të vjedhur nga RAI, pra shkolla italiane. Por në krahasim me vendet ballkanike në këtë fushë ne kemi qenë shumë përpara Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, etj…Gjatë një vizite në Televizionin shtetëror grek në vitet e para të demokracisë (viti 1991), EPT, kur unë u thashë kolegëve grek se televizioni shqiptar i ka fillimet në vitin 1960, ata nuk e besonin, pasi televizioni shtetëror grek filloi me vonesë në vitin 1964. Pra, ne nuk kemi pse marrim eksperienca të huaja. Ne kemi një eksperiencë të madhe dhe profesionistë që mund të konkurrojnë denjësisht kudo në Evropë. Një gjë e them sinqerisht dhe me bindje absolute, eksperienca e radiotelevizionit shqiptar është për t’u marrë shembull dhe si shkollë eksperience nga të tjerët. Sot nga televizionet shqiptare nuk po shfrytëzohen korifenjtë e dalë nga TVSH mëmë. Ata janë thesare të pazëvendësueshëm që çdo shtet do t’i ruante dhe përkrahte si margaritarë. Ata kanë ç’të japin ende, pasi thesare të tillë, kanë rezerva dhe vlera që do të ndihmonin dhe përmirësonin imazhin e çdo televizioni. Përvoja e tyre është jashtëzakonisht e madhe dhe frytdhënëse.
Por folëm për mësuesit, kolegët dhe lamë paksa në heshtje drejtuesit, një prej të cilëve dhe Marash Hajati…
(Më ndërpret). Për mua ai ngelet një drejtues sa profesionist po aq dhe tolerant. Dua të theksoj se (mendimi im) të arrish shkallën më të lartë të drejtimit dhe profesionit duhet të tolerosh dhe të bësh për vete njerëzit. Këtu qëndronte suksesi i tij, tek kultura e gjerë.
Ju së bashku me Kiço Fotjadhin keni spikatur sidomos në leximet e veçanta të lajmeve apo komenteve për ngjarjet në Kosovë në vitet 1981…
Ishte një moment delikat në historinë e vëllezërve tanë. Folësi kryesor në edicionin Qendror të lajmeve ishte Kiço Fotjadhi, i dyti isha unë. Ky lloj leximi i shkonte intonacionit të Kiços dhe gjithmonë në krah të tij kam qenë unë që e zëvendësoja sidomos në lajmet e orës 22:00. Atëherë isha i ri dhe m’u besuan kryesisht qëndrimet e plenumeve të KQPPSH-së, të cilat ishin të rralla dhe në kohë jo të afërta.
-Disa herë puna të lodh, disa herë të relakson. Vite të tëra në ekran dhe shihet se ju nuk keni ndryshuar?
Çdo profesion ka sekretet e veta. Mënyra se si i zotëron ato ndikon në gjithë qelizat e trupit. Ndoshta është efekti i televizionit. Sigurisht që kënaqësisë së teleshikuesit duhet t’i përgjigjesh me freski, me ndryshim pozitiv dhe pse jo me përmirësime.

Kjo gjendje e mirë fizike mos vallë merreni me ushtrime fizike?
-Shpeshherë thuhet se ka një sekret, mirëpo nganjëherë nuk ka edhe sekret është një përkujdesje e përditshme, është një përkushtim i imi. Ndoshta si pa dashje në fillimet e mia të daljes në ekran sigurisht që ka ndikuar njëfarë përgatitje dhe interesi karshi vetes për të përcaktuar disa gjëra strikte që nuk mund të dilje dot prej tyre . Me kalimin e muajve, viteve ato sikur bëhen pjesë të së përditshmes tënde, jo se standardizohesh në këto gjëra, por ke kujdesje për look-un. Nuk është look-u vetëm xhaketa, këmisha apo kollarja, por look-u është fytyrë, trupi, look-u është bashkësia e veshjes me trupin tënd, sa mirë të qëndron që të ndjehesh rehat. Më tej akoma, ushqimi, kujdesi i madh për të, larg abuzimeve. Unë jam nga ata konsumatorë të alkoolit dhe duhanit në fillimet e mia. Ato ikën dhe u sfumuan me vitet që mbeten pas. Tani nuk pi duhan, nuk jam i tavolinave ose për një gotë të tepruar alkooli, birre apo vere. Pra, gjithmonë u jam larguar këtyre gjërave që janë në dëm të së tërës në kompleks.
Në një analizë të vetvetes nga vegjëlia e deri në ditët e sotme cili është bilanci i jetës suaj?

– Kam punuar shumë. I jam përkushtuar televizionit me shpirt, me pasion e me dëshirë dhe shumë gjëra të tjera i kam lënë mangët. Kam braktisur shoqërinë në kohë dhe situata të caktuara, kjo në kuptimin e mirë të fjalës. Në vend që të pija një gotë birrë me miqtë kam preferuar më shumë të merrem me punë. Kjo në fillim të karrierës kur kisha nevojë të isha sa më pranë kamerës, sa më pranë profesionistëve për të thithur gjithçka nga profesioni i idhujve. Një gjë që e kam bërë me shumë dashuri.

Çdo sukses ka disa elementë. Cilët janë elementët që kanë ndikuar në suksesin tuaj?
-Po t’i numërosh… Mendoj se në radhë të parë janë kushtet që më janë krijuar, pastaj është qetësia shpirtërore dhe pastaj zë vend dhe kolektivi, ku e ndjej veten mirë. Në punën që bëj ka një ambicie tejet profesionale . Sigurisht që me një frymë të tillë është e natyrshme të ecësh përpara.
Në këtë gamë elementësh, ajo që duhet të jetë më kryesorja ndoshta është familja?
 -Qenia mirë e familjes pasqyrohet në të përditshmen e njeriut. Familja është pjesa më kryesore e jetës. Unë kam një jetë normale dhe një familje që e kam ndërtuar sipas dëshirës. Është një familje që përkujdeset totalisht për mua që nga fillesat e përgatitjes tek rezultati profesional, i cili është gjithnjë nën vëzhgimin e gruas sime.
Në këndvështrimin tuaj si përcillet tek lexuesi familja?
-Them se familja është e suksesshme kur ka mirëkuptim, respekt të ndërsjellë, në të gjitha detyrat apo punët e përditshme. Shtëpia ka shumë probleme dhe secili duhet të marrë përsipër detyrat e tij. I zgjuari nuk kërkon kryevend, nuk ha më tepër se duhet dhe trurit nuk i ngarkon më shumë se mban.
-Familja shqiptare ka pasur disa tradita. Roli i burrit është disi i veçantë për të mos thënë shumë parësor. Ju jeni ende me këtë traditë familjare shqiptare?
-Kjo është një mendësi shqiptare, ku unë nuk është se bëj pjesë shumë. Përgjithësisht jam një kryefamiljar shumë familjar. Gjithnjë kemi gjetur mirëkuptim në familje. Dhe mund të them dhe shumë origjinal. Në familje nuk është se do ndahen gjëra që na ndajnë, por diskutohen gjëra që na bashkojnë. Në familje gjithë problemi është tek ndarja e përgjegjësive të vogla. Ne kemi ditur dhe dimë t’i ndajmë ato. Nëse thua atë çka dëshiron, duhet të dëgjosh dhe atë çka nuk dëshiron. (Hegeni)
Kur flitet për origjinën tuaj?
-Po! Jam nga qyteti i bukur, piktoresk i Himarës. Vendit që ka ngjallur kureshtjen e poetëve, historianëve, arkeologëve. Aty kam marrë mësimet e para, dhe ku kam mësuar gjërat më të bukura të të qenit njeri. Himara është një vend ku lulëzon kultura e familjes. Aty deti, kaltërsia e tij, bukuria natyrore të kultivojnë disa ndjesi të veçanta për familjen. Në zonat tona gjithmonë janë rritur burra të mençur, të pushkës dhe penës. Burra. Në kuptimin që problemet i zgjidhin sipas rëndësisë. Burrë nuk do të thotë ashpërsi, por saktësi, seriozitet, marrja e vendimeve të rëndësishme, me urti, pa hezitim dhe pse mund të ketë dhimbje brenda.
Ndoshta dhe natyra e personalitetit tuaj ka përbrenda elementë të tillë?
– Po. Unë kam kërkesat e mia. Janë kërkesa që kanë të bëjnë me të mësuarit, të sjellit. Në përgjithësi kemi një raport marrëveshjeje me fëmijët dhe preferojmë parashtrimin e problemeve. Flasim shumë me njëri- tjetrin për t’i qartësuar gjërat.
Njerëzit i ndjekin me vëmendje lajmet. Bile lënë çdo gjë për t’i ndjekur. Ju, jeni përcjellës i lajmit. Disa herë lajmet janë nga më befasuesit. Si i përballoni situatat e përcjelljes së konfliktualitetit dhe sa vend zënë tek ju?
-Kur flasim për vrasje, fatkeqësi natyrore, vdekjen e një miku, shoku, fëmije të krijon shqetësim për vetë kuptimin e saj, por e gjitha kjo bëhet pa e tepruar sepse ke të bësh me një marrëdhënie me publikun. Eksperienca e 30 vjetëve ka bërë punën e vet.

Kush nga moderatorët e sotëm meshkuj të lajmeve ju pëlqen?

-Janë disa me shumë nivel të lartë. Pse të mos i përmendim, më herët Arben Kamberi, ndërsa sot, Reiz Ciço, Ilir Paço (një talent i veçantë ky). Të tjerë të shkëlqyer, Arben Mevlani, Denis Dyrnjaja, Arsen Hoxha, Denis Minga, etj..etj…

-Po nga moderatoret femra, kë do mund të veçonit?

-Pa dyshim që dhe ato përbëjnë krenarinë tonë kombëtare. Më herët Vjollca Vokshi, një talent i papërsëritshëm akoma i ekranit tonë. Po më herët Elda Pino, Eni Vasili, Ilva Tare apo të tjera sot në nivele shumë të larta profesionale si Juli Krisafi, Eriona Shehu, Genta Popa, Monika Stafa, Beti Njuma, Sonila Meço, Fjoralda Shehu, Daniela Kostandini, Valbona Kurti apo ekipi simpatik i femrave folëse të News 24. Sigurisht që këtu nuk ka rëndësi renditja ato mbeten pa dyshim krenaria e ekranit shqiptar. Por jo vetëm këto, ka dhe të tjera, të cilat të më falin që s’iu kujtoj emrin për momentin.

 -A ndikon mosha në këtë profesionin tuaj?
-Një përvojë e gjatë në televizion ka një domethënie të madhe. Por dhe ai që starton duhet të jetë në krah, sepse duhet një kombinim moshe në mënyrë që të mos bjerë profesionalizmi. Ka shumë folës në botë që në moshë edhe shumë të madhe kanë po aq fansa apo dëgjesa sa në të ri të tyre.
Sa rëndësi ka për ju pamja e jashtme?
-Të qenit njeri televiziv ka të mirat dhe të këqijat e veta, së pari ana vizive duhet të jetë tepër e pranueshme, brenda një etike që të pëlqejë syrin e teleshikuesit. Në veçanti për mua si gazetar informativ look-u shpeshherë nuk ka qenë në dorën time. Gjithmonë ai që merret me atë punë jep karakteristikat e veshjes për t’ju përshtatur sigurisht atij edicioni informativ, por sigurisht nuk është vetëm ajo, por edhe kujdesi im personal për të qenë sa më estetik në paraqitjen time përpara teleshikuesit.
Gardëroba një shqetësim me vete…?
-Unë jam nga ata që në morinë e kostumeve, këmishëve dhe kollareve të mbetem në preferencën time të ngjyrës së zezë. Nuk e di, është një mbartje ime e hershme ku e zeza gjithmonë për pozicionin informativ më ka pëlqyer shumë, për vetë faktin se karakteri i lajmeve është serioz dhe veshja e zezë, të paktën xhaketa është gjithmonë një tendencë për të ruajtur në formë një anë të seriozitetit të dhënit të lajmeve. Më pëlqen shumë kontrasti, këmisha e zbardhur, kollarja e kuqe ose drejt familjes së të kuqes dhe xhaketa e zezë. Në më të shumtën e rasteve kjo është veshja ime vizive. Ndërsa veshja ime e çelur ose shumëllojshmëria e kostumeve është për një anë tjetër televizive, për anën e spektakleve dhe emisioneve që kanë show.
Mendoni se duhani dhe alkooli janë armiqtë kryesorë të shëndetit?
Për mua, ajo nuk ka të thotë, sepse secili ka një koncept të vetin për këtë gjë. Unë e kam parë që deri në njëfarë mase ato kanë qenë jo në funksion të dëshirave ose të qëllimeve të mia televizive dhe kanë mbetur në një vend, skutë të errët të jetës sime, por kjo nuk do të thotë që dikush që e pi duhanin, që mund të pi një gotë verë apo birrë ose e kalon masën e asaj të mos jetë një njeri i nderuar dhe i respektuar i ekranit apo i skenës në përgjithësi.
Cili është parfumi që përdorni më shpesh?
Në tërë karrierën time televizive unë jam munduar që të jem larg kimikateve, larg shkëlqimeve të rreme të ekranit, larg pudrave dhe lyerjeve, larg lapsave të zinj, të kuq, me përjashtim të një krem pudre që është e domosdoshme për lyerjen e fytyrës për një unifikim të fytyrës që e kërkon edhe kamera. Ndërsa parfumi nuk bie erë në televizion, preferoj gjithmonë të përdor Hugo Boss.
-Sot edhe meshkujt i lyejnë flokët...
-Respektoj shijet e gjithkujt. Unë jam me thinja sepse mosha bën të vetën, por jam kategorikisht larg anëve kimikate të vendosjes në trupin mashkullor, jam në mënyrë kategorike kundër lyerjes së flokëve, kundër çdo grimi të tepruar, jam në mënyrë kategorike partizan i origjinalitet.

 

Kjo është një nga parimet bazë të miat që nga starti i parë.
Ndaj kujt mbani distancë?
-Keqdashësit. Fjalët e keqëdashesit janë si qymyri, që edhe po s’të dogjën, të nxijnë përkohësisht.
Koncepti për lumturinë?
Për të qenë i lumtur nuk duhet vetëm të dish, por edhe të duash.
Kujt i ruhesh në jetë?
-Gabimeve. Gabimet që harrohen, përsëriten.
Synimet e së ardhmes ?
Të lexoj, krijoj, studioj. Çdo hap drejt kulturës, është hap drejt lirisë.