Qëndresa shkodrane në Luftën e Parë Botërore

567

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(100 vjet më parë në kuadrin e Luftës së Parë Botërore)

Thirrjet për një program politik

Në prag të konfliktit botëror si dhe gjatë e pas tij, populli shqiptar megjithëse i paorganizuar dhe me veprime lokale iu kundërvunë me armë në dorë synimeve të fuqive evropiane e atyre të fqinjëve. Konflikti botëror e gjeti një pjesë të mirë të vendit të pushtuar nga monarkitë fqinje ballkanike. Në rrethana të tilla tepër të vështira filloi të ndihej gjithnjë e më shumë nevoja e mbështetjes në forcat e vetë popullit, të ndihej domosdoshmëria e bashkimit të këtyre forcave si kusht kryesor për të përballuar gjendjen. Thirrjet për këtë bashkim ishin hedhur edhe më parë se të fillonte lufta botërore, kurse në fillim si dhe gjatë saj ato u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Filluan edhe përpjekjet për t’i shndërruar thirrjet për bashkim në masa konkrete. Në kuadrin e këtyre përpjekjeve ishte dhe thirrja e disa rretheve patriotike në Shkodër për të mbajtur më 1 nëntor 1914 një kongres kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e shtetit shqiptar. Iniciativën e morën Mustafa Qulli e Sali Nivica që botonin në Shkodër gazetën “Drita” e “Populli” si dhe të tjerë. Thirrja e Kongresit synonte të përcaktohej një program politik i përbashkët dhe të krijohej një qendër e vetme drejtuese për të gjithë vendin. Por, për arsye të ndryshme kjo nuk arriti të vihej në jetë. Pas dështimit të mbledhjes së Kongresit, në Shkodër dështuar edhe orvatjet e tjera të kësaj natyre dhe lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk arriti të krijonte as në fillim, as gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore një qendër të vetme drejtuese, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kjo ishte një mungesë e madhe që shpjegohet me divergjencat politike dhe copëzimin politik të vendit, me dobësimin e borgjezisë sonë kombëtare që nuk kishte arritur të krijonte as parti politike të veta, me konfuzion dhe hezitimet që krijoi tek ajo Lufta e Parë Botërore, si dhe me ndërhyrjet përçarëse të forcave të jashtme.

Kundërshtim të madh sulmit malazeze

Pushtimi i një pjese të Shqipërisë nga ushtria serbe e pasoi pushtimi i Shqipërisë Veriore nga ushtria malazeze. Qëndresa e armatosur e shqiptarëve kundër pushtuesve malazeze ishte diku më e fortë, diku më e dobët. Në Gash dhe Krasniqe shqiptarët kishin rrokur armët dhe u grumbulluan vullnetarisht duke luftuar me pushtuesin. Pas një rezistence të ashpër ato u thyen pas tre ditë luftimesh. Nga ana e malazezëve pati të vrarë dhe të plagosur. Kolona tjetër e ushtrisë malazeze nuk hasi në ndonjë qëndresë serioze, por ajo që goditi në drejtim të Kelmendit nuk e pati dhe aq të lehtë përparimin e saj dhe e arriti objektivin duke pushtuar Krastën. Për çështjen e qëndresës së armatosur për mungesën e organizimit të saj patrioti i njohur shkodran Nikolla Ivanaj e shpjegon me faktin se Vjena kishte një farë ndikimi mbi borgjezinë shkodrane dhe mbi klerin katolik të cilët ishin dakord me politikën e Vjenës. Malësorët shqiptarë i bënë një kundërshtim të madh sulmit malazeze megjithatë Shkodra kishte qenë e paarmatosur nga kontrolli ndërkombëtar dhe u mor lehtë, ka shkruar studiuesja angleze Edith Durhan. Ndërsa Sali Nivica në gazetën “Populli” do të shkruante, se populli shqiptar nuk i qëndroi dot invazionit me pushkë … pse një popull i pakrye, i parregullt dhe organizim, pa top e mitraloz, i padroje e mbështetje, i ngatërruem me propaganda gjithfarësh, s’mund t’i qëndronte dot një ushtrie. Megjithëkëtë për këtë luftë duhej një organizim, sepse kundërshtarët i ka të shumtë ky popull shkruante Sali Nivica dhe më tej vazhdonte, se “në këtë ditë të vështirë për popullin tonë shqiptari asht në luftë me grekun, asht në luftë me serbin, asht në luftë me Malin e Zi, asht në luftë me Austrinë e me Italinë, asht në luftë me Turqinë!”

Protesta dhe manifestim i qytetarëve shkodranë

Në këto pohime Sali Nivica donte të vinte në dukje gjendjen tepër të vështirë të Shkodrës e të Shqipërisë dhe se populli nuk ishte në gjendje të organizonte një luftë të armatosur në plan të gjerë kundër pushtimit, nuk e pushoi asnjëherë qëndresën e tij, qëndresë e cila shpeshherë u kthye në heroike duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme e të kushtueshme. Një qëndresë të vërtetë ushtarët malazezë gjetën në Malësinë e Shalës. Mbasi kaluan dy-tre javë nga pushtimi, populli i Shalës u ngritën duke rrethuar fillimisht post-komandat dhe duke asgjësuar disa prej tyre. Kjo qëndresë e shaljanëve në korrik 1915 u zgjerua më tej. Në luftimin e kryer në qafën e Kalçit nga 150 malazezë mezi shpëtuan 40 prej tyre, duke e detyruar repartet e armikut të tërhiqen deri tek ura e Valbonës. Malazezët kërkuan ndihmë nga Shkodra, por fillimisht nuk patën sukses. Vetëm, kontingjenti i dytë që përbëhej prej një numri të madh ushtarësh bëri të mundur shpëtimin nga rrethimi të trupave malazeze. Qëndresa e armatosur kundër pushtuesve malazezë vazhdoi dhe më vonë por me goditje të vogla dhe spontane. Ajo do të ndërpritej vetëm kur vendin e pushtuesve malazezë e zunë pushtuesit e rinj austro-hungarezë në janar 1916. Pushtuesit e rinj austro-hungarezë vendosën një regjim ushtarak pushtimi sapo ato vunë këmbë mbi tokat shqiptare. Pasojat e këtij pushtimi me kalimin e kohës populli shqiptar filloi t’i ndjente. Gradualisht lindën dhe reagimet e para, më të theksuara këto brenda në qytetin e Shkodrës. Vlen për t’u përmendur protesta e qytetarëve shkodranë dhe manifestimi në oborrin e Xhamisë Plakë kundër autoriteteve të pushtimit. Protesta ishte kryesisht e karakterit ekonomik por në memorandumin e dërguar autoriteteve pasqyroheshin edhe shumë kërkesa politike. Pas kërkesës së autoriteteve drejtuar popullit që të shpërndahej, gjë e cila nuk u realizua komanda austro-hungareze futi batalionet e ushtrisë për të shpërndarë popullin. U zhvillua një përleshje e përgjakshme trup me trup midis popullit të Shkodres dhe ushtarëve austro-hungarez. Nga të dy palët pati mjaft të plagosur dhe si përfundim u arrestuan 920 qytetarë shkodranë. Në qoftë se do t’i referohemi shifrave të atëhershme kjo tregon se gjysma e shtëpive në Shkodër kishte nga një person në revoltë gjë që shpreh qartë masivitetin e kësaj revolte.

Edhe Malësinë e Gjakovës në qëndresë…

Por qëndresë nuk pati vetëm qyteti i Shkodrës, heroike ishin luftimet që u zhvilluan në Malësinë e Gjakovës kur atje depërtuan trupat austro-hungareze. Në Gash vepronin çetat e Mal Bajramit dhe Hazis Colit, në Shishpan ajo e Sharr Ahmetit, etj., por gjithashtu kishte dhe grupe të vogla që vepronin në krahinat përreth. Më pas fillon edhe zgjerimi i lëvizjes në fshatrat e tjerë si në Lekbibaj, Valbonë, Krasniqe, Pac, Berishë ku vepronin çetat e Gjelosh Ramës, Syl Brukut, Zog Binakut, Binak Gashit, etj. Nga këto çeta u organizuan sulme kundër garnizoneve të pushtuesit që morën karakteristika organizimi vetëm në vitin e fundit të luftës. Kështu në pranverën e viti 1918 në luftë me këto pushtues u vranë me dhjetëra malësorë trima. Më të kombinuara veprimet luftarake të çetave të mësipërme u kryen gjatë vjeshtës të vitit 1918 duke bashkëpunuar me çetat e Kosovës si me atë të Azem Galicës në Drenicë, Bajram Baklanit në rrethet e Gjakovës, me çetat e Kaçanikut e Cërrnavilës, me ato të rretheve të Pejës, Hasit e të Pukës etj., që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë e në krahina të tjera përreth. Pikërisht në këto moment qëndresa e patriotëve shqiptarë mori karakterin e një lufte të organizuar. Tipik është sulmi i përgjithshëm kundër forcave austro-hungareze në Malësinë e Gjakovës në fillimin e tetorit 1918. Batalioni austro-hungarez që ndodhej në Bujan u ndodh i rrethuar nga çetat e malësorëve. Pas disa ditë luftimesh ky garnizon u asgjësua në pjesën më të madhe të tij duke lënë dhjetëra të vrarë e të plagosur. Ndihmat që u nisen nga Tropoja nuk mundën të arrinin pse malësoret me veprime të shkathta prenë rrugët e furnizimit. Forcat kryesore të garnizonit u dorëzuan, vetëm 20 vetë mundën të dalin nga rrethimi, por ata u zunë rob nga forcat e tjera malësore që vepronin në Qafën e Morinës.