Ahmet Saliaj*/ Heroi Dervish Hekali ‘Legjenda’ që del përtej kufijve të Mallakastrës

3305
Sigal

“Heroi i Popullit” Dervish Hekali u lind më 12 prill 1912  dhe u vra trimërisht më 12 prill 1944

“Heroi i Popullit” Dervish Hekali i lind më 12.04.1912 në fshatin Hekal të Mallakastrës. Fëmijërinë e kaloi në gjirin e asaj natyre magjepse që impononin muret e Bylysit të lashtë, brigjeve të Vjosës së furishme, ndër këngët dhe legjendat për Rrapo e Hamit Hekalin, në buzë të varfërisë dhe bujarisë së nëntokës Mallakastër. Me kuriozitetin e fëmijës, me kurajën dhe vullnetin e një të rrituri, ndonëse i mbetur jetim, Dervishi mundi të vazhdonte e të përfundonte shkollën fillore të Ballshit, aq modeste, por aq të vlefshme për kohën. Pas kësaj, mbi supet e tij të brishtë, ra barra e rëndë e punës për të mbajtur familjen, për të siguruar me ndër bukën e gojës. Për disa vite me radhë, ai punoi në minierën e Selenicës. Merr pjesë në kryengritjen antizogiste të Fierit në vitin 1935 dhe burgoset nga regjimi. Në 7 prill 1939 në ballë të patriotëve, ai zbret në Ballsh, kërkon armë për ta pritur pushtuesin fashist me pushkë. Në vitin 1940-1941 Dervishi punon në Durrës. Aty vihet në lidhje me luftëtarët antifashistë, me patriotë dhe gjendet ne krye të demonstratës së madhe të 28 Nëntorit, shquhet për guximin e trimërinë, pjekurinë e iniciativë në kryerjen e detyrave që i ngarkohen. Veprimtaria e tij bie në sy të agjenturës fashiste dhe arrestohet. Dervishi del nga burgu dhe kthehet në Mallakastër. Me 4 shkurt 1943 u formua çeta “Plakë” e Mallakastrës me komandant Mehmet Shehun. Dervishi emërohet zëvendës komandant i çetës. Nisin luftimet, përpjekjet, aksionet. Dervishi gjendet në ballë të tyre në Patos, Selenicë, në Ruzhdie, për të ardhur në ditët e mëdha të operacionit fashist në Mallakastër, Qershor-Korrik 1943 krah për krah me Mehmet Shehun, Hysni Capon e Bilbil Klosin. Dervish Hekali udhëheq jo vetëm forcat partizane, por organizon dhe formon këshillat antifashiste në çdo fshat, çetat territoriale, frymëzon qëndresën popullore, demaskon manovrat e tradhtarëve dhe bëhet një “legjendë” që del përtej kufijve të Mallakastrës. Më 5 gusht 1943, u krijua batalioni “Isamil Klosi”, komandant i tij u zgjodh Dervish Hekali. Më 8 tetor 1943, u krijua grupi i tretë partizan i Mallakastrës, ku emërohet zëvendëskomandant i këtij formacioni të madh partizan. Me krijimin e Brigadës së Pestë Sulmuese më 20 Janar 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇI,duke njohur e vlerësuar meritat e Dervish Hekalit e emëroi atë Zv/ Komandant Brigade. Që nga kjo ditë në luftime të pandërprera kundër nazistëve e tradhtarëve në gjithë bregdetin tonë jugor, nga Himara në Kudhës e Kuç, në malet e Çikës dhe Vetëtimave, Dervishi meriton nderin të quhet “Biri i Kurveleshit”.

Dhe atje në ato male, në zemër të Labërisë në Kuçin e Gjolekë Mandileziut, atje e fali gjakun. Ja se si: 12 Prill 1944, një forcë gjermano-balliste prej 500 vetësh kishte hyrë në Kuç dhe po i vinte zjarrin fshatit. Partizanët, me Dervishin në krye i rrethuan forcat armike dhe u hodhën në sulm mbi pozicionet e tyre. Për orë të tëra lufta vazhdoi shtëpi më shtëpi, shkëmb mbas shkëmbi derisa qëndresa e armikut u neutralizua plotësisht. Mëse 40 gjermanë kishin mbetur të vrarë, shumë të tjerë mbetën të plagosur e robër, të tjerët ua mbathën këmbëve. Dervishi, që kishte luftuar si luan në krye të trimave të tij, informohet se partizani Asllan Gjika, ishte plagosur rëndë. U ngrit nga pozicioni për t’iu ndodhur pranë shokut, për ta hedhur në krahë e për t’i thënë ato fjalë që vetëm Dervish Hekali dinte t’i thoshte. Pikërisht në këtë moment ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Një oficer gjerman qëlloi mbi të nga dritarja e një shtëpie, ku ishte strukur. Kjo ishte dhe pushka e fundit që u zbraz në muzgun e asaj beteje dhe ajo kushtoi shumë shtrenjtë. Ai plumb i mallkuar e kishte marrë Dervishin atje ku goditen trimat, në gjoks, në zemër. Atë ditë, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL kishte nxjerrë urdhrin: Dervish Hekali emërohet Komandant i Brigadës së Tetë Sulmuese. Populli këndoi një këngë: Ditë Prilli 12/ Dervish o lule/.

 *Anëtar i Kryesisë të Komitetit të Veteranëve Tiranë