Faruk Sejdini: “Flamurtari e meritoi finalen e Kupës”

461
Sigal

Mjeshtri i bankinave flet për “Telegraf”: “Formula e kampionatit e gabuar, solli tensione”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, nuk e konsideroi aspak surprizë kalimin e Flamurtarit në finalen e Kupës së Shqipërisë, së bashku edhe me Kukësin. “Xhaxhi” është një nga njohësit më të mirë të futbollit shqiptar, pasi ai ka një eksperiencë 14 vjeçare si lojtar dhe 30- vjeçare si trajner. Ai shtoi se, formula e këtij sezoni ishte tërësisht e gabuar. Sejdini, i cili ka fituar titullin kampion si trajner me Dinamon, në sezonin 2001-2002, tha se ish-skuadra e tij do ta ketë vështirë për t’u rikthyer në Kategorinë Superiore. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978). Faruk Sejdini, ish-ndihmës  i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999.

 – Zoti Sejdini, Kupa e Shqipërisë njohu dy finalistët e edicionit të 62-të të saj, Kukësin dhe Flamurtarin. Në rast se, për kuksianët dukej i mundshëm kalimi, ai vlonjatëve duket si një surprizë e bukur. Cili është mendimi juaj?

– Mendoj se, në këtë fazë të edicionit nuk mund të flasim më për surpriza. Befasi mund të jetë ndonjë allishverish. Jemi në fund të kampionatit dhe Kupës, ekipet janë disi të lodhura dhe të konsumuara nga ana fizike, por dhe psikologjike. Në këtë këndvështrim, nuk mendoj se duhet ta konsiderojmë një befasi kalimin në finale të Flamurtarit. Skënderbeu kishte dhënë sinjale se sikur po përpëlitej, domethënë kishte humbur stabilitetin. Përsa i përket Kukësit, në këto javët e fundit është treguar më i stabilizuar.

– A mendoni se ardhja e Sulejman Starovës në krye të Kukësit e ka dhënë efektin e saj?

– Sigurisht. Vazhdoj të jem i mendimit se, trajneri kosovaro-turk (Naxhi Shensoj) ishte disi kaotik, më shumë bënte zhurmë sesa punë. Ardhja e Sulës influencoi te Kukësi, pasi e njeh mentalitetin më mirë se dikush që vjen nga jashtë. Edhe në kampionat, përderisa edhe matematika ia lejon, Kukësi mund të konsiderohet edhe si pretedent për titullin kampion.

– Tre humbje rresht dhe eliminim nga Kupa. Çfarë mendoni se, po ndodh me Skënderbeun?

– Shoh një Skënderbe të pamotivuar. Ndoshta, edhe për ndonjë moment tolerimi, kjo ka sjellë pasoja. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Dinamon para katër sezonesh dhe e shihni si ka përfunduar. Në futboll humbjet lënë shumë pasoja dhe shumë gjurmë.

– Bylisi është përjashtuar nga kampionati, ndërkohë që Kastrioti e Lushnja duken shumë afër rënies në Kategorinë e Parë. Cila mendoni se do të jetë skuadra e katërt e Superligës që do të bjerë një kategori më poshtë?

– Mendoj se, formula e këtij kampionati ishte shumë e nxituar. Ne nuk jemi vend që, mund të eksperimentojmë kaq fuqishëm, nuk jemi aq civilë sa të krijojmë skema të tilla. Nuk mund të nxjerrësh katër ekipe direkt, formula duhet të ishte diçka më e zbutur. E kam thënë edhe në fillim të këtij sezoni se, ky kampionat do të ishte shumë i vështirë që të përfundonte pa incidente. Ne e dimë se, ku jetojmë. Përsa i përket luftës për mbijetesë, Kastrioti e Lushnja kanë më pak mundësi, ndërkohë që si ekipin e katërt shoh Besën si më të rrezikuar. Kavajasit patën një hop nga mesi i kampionatit, duke krijuar edhe një diferencë prej katër-pesë pikësh, por tani ka humbur terren.

– Kë shikoni në Europë?

– Përveç Skënderbeut, apo dhe një midis Kukësit dhe Flamurtarit, që do të fitojë Kupën, në luftën për dy vendet e tjera në Europë janë Kukësi, Partizani, Laçi dhe Teuta. Po, e mori Kukësi Kupën, atëherë në Ligën e Europës do të shkojë ekipi i katërt në renditjen e kampionatit. Teuta mori një goditje të rëndë në këto javët e fundit, kështu që shoh Laçin si më të mundshmin. Kuptohet që, Partizanin e shoh në Europë.

– Sipas jush, a ka ndikuar në këtë ecuri negative ardhja e trajnerit italian Roberto Sorrentino te Teuta?

– E kam thënë edhe më parë se, Teuta bëri gabim që e largoi Gugash Maganin, pasi ekipi ishte në vend të dytë dhe skuadra ishte e konsoliduar. Nuk e di pse, drejtuesit e bënë atë. Nuk kishin asnjë arsye pse ta hiqnin Maganin si trajner në atë moment. Ekipi ishte në luftë për titull.

– Dinamo edhe këtë vit nuk ka shanse të ngjitet në Kategorinë Superiore…

– Besoja shumë në fakt, së këtë sezon ajo do të ngjitej në Superligë, pasi edicionin e ardhshëm do të jetë akoma dhe më e vështirë, pasi do të shtohet numri i ekipeve pretendente. Gjithsesi, Dinamo është e destinuar të vuajë pasi ajo vazhdon të mos ketë ambiente. Nuk ka çati ku të fusë kokën. Ajo duhet të ketë fushën e saj.

– Elbasani është shumë pranë rikthimit në Superligë.

– Është kënaqësi që, Elbasani do të rikthehet në Kategorinë Superiore, pasi është një ekip me traditë në futbollin tonë dhe i përket elitës. Është skuadër e një qyteti të madh dhe ka mundësi të sigurojë investime, për të bërë një grup të mirë lojtarësh. Unë besoj se, kjo do të jetë hera e fundit që Elbasani do të jetë pjesë e kategorive të ulëta. Tani ata do të kenë dhe një stadium modern, kështu që do të jenë më shumë arsye për të qenë në elitë.

Shqipëria humbet 16 vende në FIFA

 Kombëtarja Shqiptare humbet terren në renditjen e FIFA-s për muajin Prill, duke zbritur plot 16 pozicione për t’u klasifikuar në vendin e 70-të (468 pikë) nga 209 shtete që ka organizata më e madhe e futbollit në botë. Në fakt, Kombëtarja e De Biazit nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, por ka humbur terren si pasojë e rillogaritjeve të ekipeve të tjera. Për të nisur ringritjen, kuqezinjtë duhet të presin deri më 31 maj kur të ndeshen me Rumaninë, në një test miqësor në Sion të Zvicrës. Përsa i përket skuadrave të Grupit I të eliminatoreve të Europianit Francë 2016, në të cilin bën pjesë edhe kombëtarja Shqiptare, renditja i ka buzëqeshur Portugalisë dhe Armenisë, ndërsa kanë pësuar ulje të lehtë Danimarka dhe Serbia. Portugalia e Kristiano Ronaldos tani është në vendin e tretë, pas Spanjës (e para) dhe Gjermanisë.

KUNDËRSHTARËT

E EURO 2016

04 Portugalia      1245

23 Danimarka     819

30 Serbia            759

33 Armenia         750

70 Shqipëria 486

RENDITJA NË BOTË

69 Salvador  488

70 Shqipëria 468

71 Sierra Leone  466

RENDITJA NË EUROPË

32 Irlanda    504

33 Shqipëria 468

34 Polonia          479

Peshëngritësi i famshëm shkodran triumfoi në Kampionatin Europian të zhvilluar në Izrael

  Erkand Qerimaj: “Pas Europianit, dua Botërorin”

  Erkand Qerimaj, Kampioni i freskët i Europës në peshën 77 kg, me dy medalje të arta në Kampionatin Europian të zhvilluar në Izrael, synon tani podiumin në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Kazakistan në muajin nëntor. Shtangisti shkodran në rikthimin e tij bëri shumë falënderime: “Ndihem shumë krenar që arrita të fitoj titullin kampion Europe dhe të bëj të këndohet himni shqiptar në Izrael. Izraeli foli shqip dje. Falënderoj tifozët kuqezi, falënderoj ministren Nikolla dhe të gjithë ata që janë të pranishëm këtu”. Suksesi i Erkandit vjen si një arritje historike për Shqipërinë, por dhe një vënie e drejtësisë në vend për peshëngritësin shkodran që në momentin e suksesit nuk harron ditët e vështira të skualifikimit teksa shpjegon vështirësitë e garës. “Ishte shumë e vështirë sepse të fitosh titullin Kampion Europe nuk është e lehtë. Kemi kaluar shumë sakrifica bashkë me trajnerin tim Zef Kovaçi dhe familjen time. Dhe gjithë ato sakrifica u shpërblyen me medalje ari. Ishte një emocion shumë i lartë të ngrija flamurin shqiptar”. Kampion i vërtetë jo vetëm në pedanë, por dhe jashtë saj, për Qerimajn ky nuk është vetëm suksesi i tij, por suksesi i gjithë shqiptarëve. Vështrimi mbetet gjithmonë nga e ardhmja ku pas Europës, tani Qerimaj synon gjithë botën, por duke kërkuar edhe mbështetjen e duhur. “Kemi kampionatin botëror në Kazakistan. Premtoj që nëse do të kem mbështetjen e duhur do jem në majën e botës shumë shpejt. Dua të bëj të këndohet himni shqiptar edhe në botëror”. Dhe premtimi për mbështetjen nga ana e shtetit veç deklaratave erdhi dhe me prezencën e ministres së arsimit dhe sportit Lindita Nikolla në pritjen e kthimit të kampionit të Europës në atdhe. “Erkandi e mbajti premtimin e tij, atë për tu kthyer me medaljen, sinjalet janë të mira për një rritje të mbështetjes të sportistëve elitarë dhe nga politika, por ndryshe nga premtimet e sportistëve historia na mësoi që ato të politikanëve duhet që më parë ti shohim të realizuar se sa ti besojmë”. Erkand Qerimaj triumfoi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Izrael, me shkodranin që fitoi medaljen e artë në dygarësh në kategorinë e peshës deri në 77 kg, duke koleksionuar me paraqitjen e tij të shkëlqyer tre medalje: dy të arta (në shtytje dhe dygarësh) dhe një të bronztë (në shkëputje). Vendi i dytë ishte sërish kuqezi, me Daniel Godellin që fitoi tre medalje argjendti po në këtë peshë (shkëputje, shtytje e dygarësh), pavarësisht se ngriti në total 349 kg. Por, fitues doli Qerimaj, i cili kishte vetëm 200 gram më pak peshë trupore se Godelli: Erkandi, 76,68 kg; ndërsa Danieli, 76,70 kg.

Gjashtë medalje

Gjashtë medalje në total për Shqipërinë në Europianin e Izraelit: dy të arta, tre argjendi dhe një bronzi. Një mision i kompletuar.

Radha e Tabakut

Peshëngritësi i fundit shqiptar që garon në Europian është Ervis Tabaku në peshën 94 kg, i cili do të garojë sot, më 11 prill.

Dështimi i Begajt

Një dëmtim gjatë zhvillimi të garës nuk i dha mundësinë Romela Begajt të kthehej me medalje. Ajo garoi në peshën deri 63 kg.

Sot, shorti i Ligës së Kampioneve

 Sot, në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, ku marrin pjesë Real Madrid (Spanjë), Atletiko Madrid (Spanjë), Bajerni Munih (Gjermani) dhe Çelsi (Angli). Reali ka fituar 9 herë Ligën e Kampioneve, Bajerni 5 herë, Çelsi 1 herë ndërsa Atletiko Madrid asnjëherë. Shorti është i lirë, kështu që mund edhe të kemi një gjysmëfinale tërësisht spanjolle Real-Atletiko Madrid. Shorti do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, i shoqëruar nga Luis Figo, ambasadori i finales së Lisbonës. Po, sot do të hidhet edhe shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Europës.