Thaçi-Vuçiç takohen të dielën në Bruksel, Mogherini flet për fazë intensive dialogu

474
Sigal

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen më 24 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimi, që do të lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini do të ketë në fokus diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

Mogherini dhe presidentët thuhet se do të vazhdojnë punën e tyre për normalizim të raporteve, do të shqyrtojnë marrëveshjet ekzistuese dhe do të diskutojnë hapat në vazhdim të një faze intensive të bisedimeve.