Prof. Luftulla Peza: LANÇ nuk baltoset nga kolaboracionistët

238

Neoballistët si Agron Tufa dhe Çelo Hoxha me përpjekjet e tyre të dëshpëruara mundohen të hedhin baltë mbi LANÇ dhe mbi të gjithë partizanët dhe komunistët shqiptarë.

 

LUFTA NACIONAL-ÇLIRIMTARE ËSHTË E SHENJTË, NUK MUND TË BALTOSET

 

Luftulla PEZA

 

Kohët e fundit disa neoballistë nga Instituti i Studimeve për pasojat e krimeve të Komunizmit në Tiranë janë gjallëruar, duke u munduar të baltosin Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar (LANÇ). Neoballistë në përpjekjet e tyre të dëshpëruara për të fituar kredi politike, mundohen të hedhin baltë mbi LANÇ dhe mbi të gjithë partizanët dhe komunistët e Shqipërisë. Midis tyre spikatin Agron Tufa, drejtor i Instituti dhe Çelo Hoxha, zv/drejtor i këtij instituti dhe autor i një libri të marrë, ku të gjithë komandantët e LANÇ i cilëson kriminelë Lufte.

Duke e cilësuar LANÇ si “rrugë të gabuar” dhe “luftë civile”, neoballistët mundohen të përligjin bashkëpunimin e organizatës së Ballit Kombëtar me pushtuesit fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por lufta partizane dhe historia ju dha vendin e merituar si pushtuesve fashiste ashtu edhe bashkëpunëtorëve të tyre ballistë.

Krismat e para të qëndresës antifashiste i kemi që me zbarkimin e trupave italiane në Durrës, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, por lufta e organizuar Nacional-çlirimtare kundra fashizmit e popullit shqiptar filloi në Pezë, nga Çeta Atdhetare e Pezës, e cila u themelua më 5 qershor 1940 nga Babë Myslim Peza dhe luftëtarët e saj të parë dhe me një herë filloi veprimet luftarake.

Luftëtarët e parë të Çetës së Pezës (dëshmorë i Atdheut)

 

Duke e parë rrezikun e madh, që ju vinte nga ky formacion luftarak, fashistët italianë ndërmorën rrethimin e Çetës së Pezës. Në Luftën e parë të Pezës më 16 mars 1941 ata pësuan disfatë të madhe me 84 oficerë dhe ushtarë fashistë të vrarë dhe shumë të plagosur. Por në këtë luftë të shenjtë për lirinë e Atdheut ranë heroikisht, duke luftuar me armë në dorë edhe 5 dëshmorët e parë të Pezës: Hasan Peza, Muharrem Haka, Sadi Sinani, Vath Korriku dhe Xhafer Durishti. Për këta heronj dhe të tjerë pas tyre asnjë kujdes nuk ka pasur dhe as ka nga qeveritë shqiptare. PD i urren, asnjë herë nuk kanë vënë lule tek varret e tyre, PS i përqesh, ju vë lule tek varri, por familjarëve të tyre, ju vë gishtin prapa!

Peza shpejt u bë qendra kombëtare e luftës për liri. Prandaj qindra të rinj nga të gjitha trojet shqiptare erdhën në Pezë si luftëtarë dhe luftuan deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Për këto arsye Peza u sulmua shumë herë nga fashistët italianë, gjermanë dhe ballistët dhe, sidomos u sulmua pas Konferencës së Pezës.

I kujtoj neoballistëve Tufa dhe Hoxha se mizori të mëdha në Pezë kanë bërë edhe forcat e Ballit Kombëtar, aleate dhe bashkëpunëtore të pushtuesve fashistë. Në vjeshtë të vitit 1942 forcat balliste sulmuan egërsisht fshatrat Gror, Grecë, Pajon etj., të Pezës dhe masakruan popullsinë civile, duke vrarë mbi 50 gra, burra të moshuar dhe fëmijë. Një masakër tjetër kanë bërë forcat balliste në fshatin Germanj të Kavajës, më 1 qershor 1944, kur deshën të asgjësonin batalionin e tretë të Pezës.

Por LANÇ ka mbaruar ka 75 vjet dhe nuk duhet të hapen problemet e saj, duke e baltosur atë, sepse nuk sjell asnjë fitim për asnjë palë. Të gjithë luftëtarët dhe partizanët luftuan për çlirimin e vendit të tyre nga fashizmi dhe jo për të vendosur komunizmin në Shqipëri. Vendosja e komunizmit ka qenë ndërmarrje e situatës politike ndërkombëtare dhe e disa udhëheqësve të LANÇ, ku nuk mund të futen të gjithë ata që luftuan. Gjatë kohës së LANÇ komandantë të formacioneve të Pezës, që drejtuan operacione të ndryshme ose i ndihmuan ato janë heronj të Luftës për çlirimin e Atdheut dhe nuk mund të përgojohen nga ballistët e rinj. Myslim Peza, Bejto Bultica, Esat Dishnica, Haxhi Lleshi, Mustafa Gjinishi, Mustafa Xhani, Sejfulla Maleshova, Shaban Rexha, Xhevdet Petrela etj., janë heronj të LANÇ shqiptare. Por me gjithë karakterin mjaft të drejtë dhe qëllimin e lartë për çlirimin e vendit nga okupatorët fashistë dhe tradhtarët e vendit, gjatë LANÇ nga disa komandantë të njësive të ndryshme partizane dhe pas çlirimit, janë bërë edhe krime, që duhet t’i dënojmë, për të mos u përsëritur më kurrë.

Kur kapitulloi ushtria italiane në vitin 1943, shumë oficerë dhe ushtarë të saj u bashkuan me forcat partizane. Mjaft prej tyre erdhën në Pezë dhe luftuan trimërisht kundra fashizmit. Disa prej tyre ranë dëshmorë në Luftë dhe kemi propozuar të shpallen të tillë dhe të vendosen në varrezat e dëshmorëve në Pezë, por asgjë nuk është bërë. Më shumë se 30 oficerë dhe ushtarë italianë shkuan në Çorrush të Mallakastrës, për t’u bashkuar me Brigadën I si partizanë, por në vend të priteshin me dashamirësi, u pushkatuan pabesisht nga komandanti i kësaj brigade.

-Në gusht të vitit 1944 u vra në pabesi Mustafa Gjinishi. anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl, ish-anëtar i Lëvizjes së Fierit, ish komisar i Çetës së Pezës, njeri nga kuadrot kryesore të LANÇ nga komanda e Divizionit të parë e përbërë nga Dali Ndreu, Hysni Kapo, e deleguara e KQ të PKSh Liri Gega dhe shkrehësi i automatikut Ndreko Rino, në afërsi të Peshkopisë. Siç del nga dokumentet në librin e bukur që ka bërë mbi këtë hero shkrimtari Astrit Kaziu, vrasja e tij ishte orkestruar nga Miladin Popoviç dhe Enver Hoxha.

-Në janar 1944 në Çermë të Lushnjes u pushkatuan pa gjyq 69 robër ballistë të pafajshëm, me urdhër të komandantit të Brigadës I Mehmet Shehu.

– Gjatë muajve tetor-nëntor 1944 në Luftën për çlirimin e Tiranës, janë pushkatuar pa gjyq dhe pa asnjë arsye nga forcat partizane, 33 intelektualë të njohur të vendit, midis të cilëve Ismail Agë Petrela, njëri nga nacionalistët, pjesëmarrës në Konferencën e Pezës. i biri i tij Xhevdet Petrela në këtë kohë ishte komisar batalioni në formacionet luftarake të Pezës.

Krime të tilla gjatë LANÇ ka pasur edhe të tjera, që njollosin urdhëruesit dhe ekzekutorët dhe duhen dënuar me guxim dhe forcë. Por partizanët dhe komunistët e thjeshtë nuk mund të njollosen me këto veprime, ata luftuan me heroizëm dhe komunistët në ballin e luftimeve, prandaj duhet të nderohen si heronj të kombit nga të gjithë. Krime janë bërë edhe pas Luftës, bile mund të them edhe më të tmerrshme. Por në vendin tonë ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe për këto përgjegjësi mban Instituti i sipërpërmendur i të përndjekurve politikë. Për këto nuk duhet të nisemi nga ideologjia por nga faktet. Tufa dhe Çelo sërish përmendin si të poshtër komunistët, por kjo është propagandë injorantësh. Komunistët e thjeshtë e çliruan dhe e ndërtuan Shqipërinë, duke luftuar dhe punuar në frontet më të vështira. Bile komunistët dhe bijtë e tyre e rrëzuan regjimin komunist në Shqipëri dhe iu dhanë lirinë të burgosurve politikë të mbyllur në Spaç, Tepelenë e gjetkë. Po të mos ishin komunistët shqiptarë, që e rrëzuan regjimin komunist, atë regjim do ta kishim gjallë edhe sot. Krimet janë bërë edhe gjatë reformës agrare, kur edhe dëshmorëve të Atdheut dhe mjaft partizanëve ua morën tokat dhe pronat dhe i kthyen në proletarë. Kam njohur njërin prej tyre Dervish Merepeza, nga Peza e Vogël, burrë fisnik me mendje të kulluar, pasanik para luftës, por erdhi në Çetën e Pezës, pjesëmarrës në Konferencën e Pezës dhe luftoi deri në fund. Pas Luftës i shkon për vizitë në shtëpi Enver Hoxha dhe i thotë të hyjë në kooperativë.

Mor Enver, po unë kooperativën e kam këtu, kam toka, ullishte dhe po i punoj. Ne nuk luftuam, që të dorëzojmë tokat pas Luftës. Kush të dojë le të bëhet kooperativë”, i thotë ai.

Dervishi nuk u fut në kooperativë, e shpallën kulak dhe ia morën të gjitha. Kështu ma ka treguar vetë Dervishi historinë, që njihet nga të gjithë. Dervishin e shpallën armik dhe deri në vitin 2005 asnjë veteran nuk i shkonte në shtëpi. Unë i pari i kam shkuar në shtëpi dhe e kam përqafuar. Nuk shihte i shkreti, por mendjen e kishte top.

Babai im, njeri nga themeluesit e Çetës së Pezës, një pjesë të mirë të pasurisë së tij e harxhoi për luftëtarët e Pezës dhe Luftën për liri. Megjithëse dëshmor i atdheut, atë pasuri që nuk e hëngrën partizanët dhe nuk e vodhën fashistët, truallin, tokat dhe ullishtat, regjimi komunist i shtetëzoi në vitin 1946, mua me nënën time ish-partizane, na qitën në mes të rrugës, vetëm me rrobat e trupit. Edhe sot Qeveria Shqiptare, që pretendon se është demokratike, nuk ia kthen familjes pronat. Gjyqi i deputetëve është tjetër masakër komuniste pas Lufte. Si mund të pushkatohet Bari Omari një atdhetar i shquar, që la Amerikën, ku punonte si kryeredaktor i gazetës “Dielli” dhe u kthye në atdhe të ndihmojë në ndërtimin e vendit të vet? Intrigat e K. Xoxes dhe të E. Hoxhës, që e kishte burrë motre dhe e strehonte në shtëpinë e tij. Për këtë lexoni librin e bukur, plot dhimbje dhe heroizma të shkrimtares Donika Omarit “Bari Omari”. Kooperativizmi me dhunë ka qenë në vetvete një krim i rëndë. Pse duhet të mbahej në fuqi 40 vjet sistemi i kooperativave, që mbolli vetëm varfëri në fshat? Xhaxhai im, Xha Dyrri nuk ka pasur arsim, por ka qenë njeri me zemër të madhe. Njëri nga themeluesit e Çetës së Pezës dhe gjatë viteve 43-44 ishte komandant i njësitit partizan, që mbronte Pezën. Sa herë forcat gjermane sulmuan Pezën dhe afroheshin pranë lagjes Çiflik, rreth 3 km. larg qendrës së Pezës, fillonte të villte plumba, mitralozi i Xha Dyrrit nga Kodra e Zgurajve, më pas mitralozi i Myrt Karajt, nga kodra Marreth dhe forcat gjermane, pasi lenin disa të vrarë, ia mbathnin këmbëve në drejtim të Tiranës. Kështu Peza u mbrojt nga trimat e saj dhe asnjë herë nuk u pushtua nga gjermanët, megjithëse 16 km. larg Tiranës.

Ku e gjenin këtë forcë këta njerëz, të pa ngrënë, të pa veshur dhe të pa armatosur plotësisht?” Pyet komandanti gjerman në kujtimet e tij dhe më pas shton: “Historia e Pezës duhet të mësohet në të gjitha akademitë ushtarake të botës, se si një popull i vogël partizan i bëri ballë një ushtrie të stërvitur dhe armatosur deri në dhëmbë”. Kështu, me notat më të larta e vlerëson trimërinë e Pezës armiku objektiv, por asnjë merak të vogël nuk patën për të as udhëheqja komuniste dhe as bishti i saj në politikën e sotme shqiptare. Xha Dyrri doli nga Lufta invalid, njërin krah e kishte çyryk nga plumbi gjerman dhe pak e përdorte në punë. Gjatë viteve 70 kooperativa i kishte dhënë një tufë derra për të rritur. E vizitoja herë mbas here xhaxhanë tim, më donte dhe e doja shumë. Shkova ta takoj dhe e pashë që po përpiqej të mblidhte derrat, por ata i iknin sa majtas djathtas. E ndihmova dhe u ulëm në bar. Ishte gjithë djersë dhe i rraskapitur.

Pse mor Lalë i thashë, për këtë luftuat ju, që populli të vuajë për bukën e gojës?” Xhaxhai më pa me vërejtje dhe m’u përgjigj: “Ti s’i din të gjitha or çun. Ne luftuam për mo mirë, por na doli mo keq”.

“Po sikur të t’ bëjnë thirrje prapë, a do dilje partizan”? e pyeta unë: Ai m’u përgjigj:

“Pse për këta mutër do të luftoj unë? Kurrë!” Copëza të tilla bisedash me xhajën tim kam shumë, ai ishte zemër luan, e dinte mirë qëllimin pse kishte luftuar dhe analizonte mjaft bukur varfërinë e popullit. Unë gjithashtu e njihja varfërinë në Pezë dhe kudo në Shqipëri, ku kisha punuar si gjeolog. Krime të mëdha janë bërë në Mirditë, Shkodër, Malësi të Madhe etj. Masakra e Tivarit ende kërkon zgjidhje. Toger Baba gjatë viteve 50-60’ u bë tmerr në Mirditë, duke pushkatuar qindra njerëz të pafajshëm. Prek Cali, hero i Malësisë, luftoi dhëmb për dhëmb, kur u vendosën kufijtë e Vermoshit dhe me agjentët serbo-malazezë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas Luftës këtë hero e vrau pabesisht udhëheqja komuniste. Në shtëpitë e malësorëve më kanë treguar mjaft ngjarje rrëqethëse për sjelljen barbare të forcave të ndjekjes. Kur flasim mbi krimet e komunizmit nuk duhet të flasim në përgjithësi, por të përmenden personat, që kanë bërë krime. P.sh. Kush i vrau gjeneralët tanë Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon? Megjithëse nuk ka të dhëna, që të ketë urdhëruar pushkatimin e tyre, E. Hoxha ka përgjegjësinë e tij, por hetuesi i B. Ballukut dhe ish-kryeprokurori kanë deklaruar se gjeneralët nuk ishin tradhtarë dhe nuk kanë pasur ndërhyrje nga sipër. Atëherë pse këta dhanë dëshmi të rreme mbi gjeneralët, pse i quajtën tradhtarë dhe pse propozuan pushkatimin e tyre? Nga kjo del se gjeneralët u vranë nga hetuesit, dëshmitarët e rremë, prokurori dhe kryetari i gjykatës Aranit Çela.

Po vjen 75-vjetori i çlirimit të vendit, por asnjë përgatitje nuk ndjehet për ndonjë manifestim serioz. Shqipëria është i vetmi vend, që e çliroi vendin me forcat e veta. Ky është heroizëm i madh, por përbën edhe krenari të madhe kombëtare. Pushtetarëve tanë nuk u intereson asgjë, nuk i intereson krenaria kombëtare, prandaj asgjë nuk u zhvillua vitin e kaluar për Skënderbeun dhe as për Lidhjen e Lezhës, në mars të këtij viti, ngjarje me rëndësi botërore. Që të marrë rrugë të drejtë problemi, LANÇ dhe luftëtarët e dëshmorët e saj të nderohen, por edhe krimet e bëra të dënohen, është e nevojshme, që drejtori dhe zëvendësi i tij, në Institutin e të përndjekurve politikë, që baltosin Luftën e shenjtë për liri dhe komandantët e saj, të largohen menjëherë nga drejtimi i Institutit. Ky është Institut i shqiptarëve, që bënë dhe fituan Luftën mbi fashizmin, ndërtuan Shqipërinë, rrëzuan komunizmin, çliruan nga burgjet dhe iu dhanë lirinë të burgosurve politikë dhe jo i ballistëve, që bashkëpunuan me fashizmin dhe tani duan të errësojnë historinë. Shqipëria, ndofta i vetmi vend, ka qeveri të paligjshme dhe parlament të paligjshëm. Qeveria erdhi në pushtet me vota të vjedhura dhe parlamenti shqiptar zuri vend me mandate të blera. Prandaj asnjë nuk punon për popullin dhe vendin, por vetëm për xhepin e vet.

Me mjaft të drejtë rinia ka dalë nëpër rrugët e Tiranës me parullat: “DUAM KRYEMINISTËR QË E DO SHQIPËRINË! TI SHQIPËRI S’MË JEP NDER, MË JEP EMRIN MËRGIMTAR!”

Por kjo organizatë ka ngelur levë besnike e neokomunistëve dhe as përpiqet për familjet e dëshmorëve, që i ka mbytur varfëria dhe skamja. Kryesia e organizatës është mbushur me miq dhe shokë, që ende e mbajnë yllin e kuq në ballë. Dhe po kritikove sistemin komunist, të shpallin armik të popullit. Në konferencën për zgjedhjet vitet e fundit kritikova regjimin komunist që i shtetëzoi pronat e dëshmorëve dhe të babait tim dhe gjendjen e varfërisë në familjet e dëshmorëve. Me një herë si përgjigje më hoqën nga kryesia e organizatës. Si bir dëshmori dhe kryetar i organizatës së familjeve të dëshmorëve të Pezës, i jam drejtuar disa herë për ndihmë kryesisë së organizatës, por asnjë herë nuk mora përgjigje. Sot Shqipëria ndodhet para luftës civile nga qeverisja arrogante dhe mospërfillja e shumicës parlamentare. Kjo e detyroi opozitën shqiptare të braktisë kuvendin. Si në politikën e brendshme ashtu edhe atë jashtme. Në të gjitha vendet e botës pronar i një prone mund të bëhesh vetëm kur e blen atë, e trashëgon ose kur dikush ta fal. Vetëm në Shqipëri bëhesh pronar kollaj fare, duke e pushtuar pronën e tjetrit. Sipas kësaj praktike, ruaje komshiun kur të shkojë me leje dhe vrapo zëri shtëpinë dhe menjëherë shtëpia e komshiut me certifikatë pronësie bëhet e jotja. Më shumë se tetë mijë shqiptarë janë vrarë, pikërisht për krimet e kryera me pronat në Shqipëri. Shqipëria nuk mund të futet në familjen demokratike evropiane, pa zgjidhur problemin e pronave të rrëmbyera nga regjimi komunist dhe të vjedhura nga neokomunistët e sotëm! Në politikën e jashtme ka vetëm zhgënjime. Çështja çame po harrohet, dhënia e detit Greqisë po ligjërohet, ndarja e Kosovës gjithashtu po stimulohet. Kontradiktat kanë arritur kulmin, më keq se në vitin 1997. Gjithçka që bëhet është në kundërshtim me popullin e vet dhe interesat e tij, prandaj kudo ka protesta, që po ashpërsohen çdo ditë. Duhet patjetër qeveri tranzitore dhe pa njerëz të korruptuar, që të drejtojë vendin deri në zgjedhje.

Presidenti i Republikës është mirë t’i shtyjë zgjedhjet për 6 muaj, gjë që është në interesin e vendit.