Osman Murati: Në dhjetor 1984 u izolua 1/3 e popullsisë. Ja ku u mbështetëm për ndihmë

402

Kujtimet e ish-ministrit Osman Murati: Nga Çekosllovakia në Vietnam për ndihma, po shtrinim dorën

-Problemi kryesor ishte mungesa e mallrave në treg

-Si u morën masa për ushqimet në zonat e mbuluara nga dëbora

– Në dhjetorin e vitit 1984 dhe janarin e viti 1985, ra një dëborë ku u bllokuan rrugët automobilistike në gati 1/3 e popullsisë

– Hekuran Isaj së bashku me mua me helikopter ushtarak shkuam për të verifikuar situatën e kësaj gjendjeje të krijuar nga natyra

-Situatë alarmante, Enver Hoxha kërkonte të dinte situatën

 

Problemi kryesor ishte mungesa e mallrave në treg

 

Për mendimin tim, pa nënvlerësuar aspak kritikat shumë të rrepta që i bëheshin një shitësi apo kamerieri, problemi kryesor ishte mungesa e mallrave në treg, prandaj dhe mbulohej paaftësia e jo pak punonjësve të tregtisë së brendshme që e nënvleftësonin rrit- jen e nivelit të shërbimit ndaj popullit. Ndodhte në jo pak raste fshehja e mallrave nën banak, e një kg mishi, apo ndonjë rrobe të veshjes. Po të ishte dyqani i mbushur me sasi e larmi mallrash qofshin ushqimor apo të veshmbathjes, mobilie, orendi, apo pajisje shtëpiake, shitësi nuk kishte pse të fshihte mall nën banak, por do të shtrëngohej e do të vihej në lëvizje për të thithur kërkesën konsumatore, për të shitur mallin që të mos i prishej, sepse përgjigjej para ligjit për krim në ekonomi. I parë problemi i furnizimit të popullit në këtë këndvështrim, theksoi se edhe ato studime që bënin për kërkesën konsumatore, mbeteshin në letër për pamundësinë e plotësimit të tyre nga organet prodhuese dhe importi, pavarësisht për saktësinë e atyre studimeve, të cilët, ndoshta ishin të pa argumentuara në shkallen e duhur. Në kuadrin e kësaj gjendje te vështirë ekonomike aparati i Ministrisë ishte mjaft i ingranuar në punë operative, informacionet nuk na mungonin, ashtu si dhe unë kam informuar rast pas rasti me njoftime e me raporte të analizave mujore si kryesinë e Këshillit të Ministrave ashtu edhe aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Këtë fakt, nuk e them për të mbuluar përgjegjësitë e mia si titullar dikasteri, po për të qenë i ndërgjegjshëm se problemet e asaj gjendjeje të pa dëshiruar ishin të njohura e të diskutuara disa herë, por hezitohej për të hapur portën gardiane që kish vendosur ish kupola e PPSH-së, edhe mbas vdekjes se E, Hoxhës. Me sloganin e njohur “nuk na lejon kushtetuta!” Në këto situata të vështira që kalonte vendi ynë, problemet e furnizimit të popullit me mallra të dorës së parë, si ato ushqimore e të veshmbathjes, të furnizimit punëtorëve, deri dhe me ushqimin në mensat dhe antidod; problemet e furnizimit me karburante dhe pjesë këmbimi të ekonomisë etj., zënin vendin dhe përparësinë e duhur në punën e organeve të tregtisë, që gjatë viteve 1980-1990 dhe ritmet e zhvillimit të ekonomisë kishin pësuar një stanjacion dhe me tendencë në rënie. Në analizë të fundit tek dyqani apo lokali i tregtisë shprehej politika e Partisë për mirëqenien e popullit. Njëherazi, krahas trajtimit dhe ndjekjes me preokupim të veçantë të realizimit të planeve për prodhimin në kohë të mallrave të konsumit të popullsisë me dikasteret prodhuese, preokupimi ynë ishte i ndërthurur me ngritjen e nivelit të shërbimit tregtar dhe ruajtjen e mallrave, që ishin detyra të drejtpërdrejta të kësaj ministrie me organet e saj në rrethe. Me shumë përparësi ndiqej plotësimi i rezervave dimërore me mallra ushqimore e industriale, në zonat kodrinore dhe malore, që bllokoheshin nga dimri. Është fakt se çdo vit këto zona bllokoheshin nga bora dhe bëhej mjaft e vështirë kalimi i mjeteve te transportit dhe lëvizjes së mallrave apo të pasagjerëve. Për këtë arsye, Ministria e Tregtisë së Brendshme në bashkëpunim me organet e partisë në rrethe që nga malësia e Shkodrës, Puka, Tropoja, Kukësi, Mirdita, Mati, Dibra, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Erseka, Skrapari e disa fshatra malorë të rrethit të Tiranës ishin të detyruar t’i furnizonim me rezerva mallrash ushqimorë të dorës së parë që nga buka dhe yndyrat e deri te veshjet. Veçanërisht rëndësi të veçantë i kushtohej furnizimit të mensave të punëtorëve. Për këtë qëllim ishin ngritur edhe ndërmarrje të veçanta NFP-të për të pasur përparësinë e duhur që nga mensat dhe fjetoret e deri tek dyqanet dhe resto- rantet e qytezave të tyre. Për furnizimin e zonave kodrinore dhe malore fillonte puna që në muajin gushtshtator të çdo viti. Këto rezerva mallrash duhet të ishin të mjaftueshme për popullsinë e zonave të bllokuara nga di- mri për 5-6 muaj. Për këtë qëllim puna me ndjenjë të lartë përgjegjësie për grumbullimin dhe transportimin të mallrave të tillë si orizi, vaj vegjetal, mielli, sheqeri, makarona, e deri te kripa e gjellës duhet të gjendeshin në çdo kohë në dyqanin e shtetit të tyre. Zbatimi i kësaj detyre sidomos pas heqjes të oborrit kooperativistë bëhej edhe më e vështirë. Ky problem i mprehtë ndiqej me aq shumë vëmendje edhe nga aparati dhe Komiteti Qendror i Partisë. Dua të vë në dukje me këtë rast se edhe më parë, edhe gjatë zbatimit të detyrës time si ministër nga kujdesi që tregohej me gjithë dimret dhe stuhitë jo të pakta që unë njoh, përgjatë 10 viteve të asaj kohe, nuk na është krijuar asnjë problem shqetësues. Mbahet mend në dhjetorin e vitit1984 dhe janarin e viti 1985, ra një dëborë e madhe dhe pothuajse u bllokuan rrugët automobilistike dhe këmbësore në gati 1/3 e popullsisë së vendit tonë. Organet qendrore të partisë dhe te pushtetit u vunë në alarm si për furnizimin e popullit me mallra ushqimore të dorës së parë, ashtu edhe për shpëtimin e bagëtive, për bazën ushqimore të tyre. Është më se e kuptueshme se edhe ne si Ministrí ishim mjaft të angazhuar sepse megjithëse ishim të sigurt që planin e parashikuar për këtë grup mallrash e kishim dërguar në destinacionet përkatëse, shqetësoheshim për ndonjë situatë të paparashikuar apo të ndonjë neglizhencë të ndonjë drejtuesi e shitësi, në ndonjë zonë ose fshat që, me dashje apo pa dashje, bënte punën e armikut për të krijuat trazira të padëshiruara. Me datën 13, 14, 15 janar të viti 1985, kërcisnin zilet e telefonave dhe telegramet në ministrí nga organet e tregtisë së rretheve duke na informuar se nuk kemi asnjë shqetësim në zonat dhe fshatrat e izoluar, sepse ishin marrë me kohë masat përkatëse. Mirëpo, për këtë problem lidhej jo vetëm tregtia, po edhe bujqësia për ushqimin e bagëtive, ministria e transporteve për hapjen e rrugëve, shëndetësia për transportin e të sëmurëve nëpër spitalet në qendrat e qyteteve, për furnizimin me ilaçe, apo për lëvizjen e ambulancave nëpër zonat e bllokuara nga dëbora. E pra, siç shihet, problemi ishte mjaft kompleks. Për këtë qëllim, udhëheqja e lartë e partisë në Komitetin Qendror të saj kishte vendosur që shoku Hekuran Isaj së bashku me mua do të shkonim në disa rrethe, me helikopter ushtarak për të verifikuar situatën e kësaj gjendjeje të krijuar nga natyra. Shoku Hekuran më merr ne telefon, më informoi për këtë detyrë dhe rakorduam së bashku që më datën 16 janar, do të udhëtonim për në Kukës për të marrë një takim me shtabin e emergjencës së rrethit që ishte krijuar për mënjanimin e pasojave të dimrit që kishte pllakosur edhe këtë rreth. U nisëm ditën e parë dhe nga stuhia e paparashikuar nuk mundëm të kalonim në grykën e Gjallicës për të zbritur në Kukës. Madje pilotët na thanë dhe na u lutëm që të kthehemi urgjentisht, sepse rrezikohemi për të rënë në greminë, nga era e fortë. Të nesërmen u përmirësua koha dhe nga Tirana mbërritëm ne Kukës për një orë. Në sheshin e qytetit na pritën qytetarë dhe drejtues të rrethit, sepse po takoheshim në një kohë të vështirë, të bllokuar për gati 15 ditë. Pasi u takuam, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit na raportoi në mbledhjen e shtabit se në këtë rreth deri në atë kohë ishim marrë të gjitha masat për zonat e bllokuara nga bora, si për furnizimin e popullatës, ashtu edhe për ushqimin e bagëtive të kooperativave bujqësore. Si unë dhe shoku Hekuran Isaj, nëpërmjet postë-telegrafës u lidhëm ne telefon me disa zona të këtij rrethi si me Hasin, Shistavecin, Krumën dhe zona të tjera, të cilët na përgëzuan dhe na dhanë informaionin për të mos u shqetësuar, se edhe për një kohë rezervat dimërore janë të siguruara dhe nuk kemi asnjë shqetësim për popullsinë. Sigurisht pati edhe mospëlqim në gjithë atë punë, ku ndonjë fshatar na u shpreh edhe në mënyrë ironike se ata qenë mësuar me dimra të tillë, se rezervat dimërore i kanë të siguruara, porse po shqetësoheshin për ne atje në Tiranë, se po i çmendte Radiotelevizioni shqiptar dhe fliste sikur ata kishin mbetur jashtë në dëborë dhe se po kërkonin ndihmë nga “qielli”. Dhe kërkonin që t’ua vinim në dukje. Disa fshatarë të tjerë thoshin që të rrinim të qetë dhe të linim edhe ata të qetë që të përballonin situatën e krijuar.

Para një embargoje të fortë

Siç kam përshkruar më lart, Shqipëria për arsye që diheshin nga prishja e marrëdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik, SHBA dhe së fundi më Republikën Popullore te Kinës, thuajse ishte para një embargoje të fortë me botën e jashtme. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike ishin reduktuar së tepërmi, megjithatë eksporti dhe importi i mallrave vazhdonte me disa vende të lindjes, me Turqinë, Vietnamin, Kubën etj. Aty nga fundi i muajin janar dhe në fillim të muajit shkurt të vitit 1985 edhe mua më ra shorti të kryesoja delegacionin qeveritar tregtar për shkëmbimin e mallrave me Vietnamin. Udhëtimi për në Vietnam ishte i rëndësishëm, sepse më jepej mundësia për të dalë jashtë shtetit dhe vetë rruga e gjatë në vajtje dhe në kthim të këtij udhëtimi më dha mundësinë për të parë disa vende të lindjes e te perëndimit.

 

Udhëtimet befasuse

Unë së bashku me tre punonjës të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme e filluam udhëtimin me avion, nga Tirana për në Budapest dhe nga Budapesti në Pragë brenda ditës. Aty fjetëm një natë që kishte përcaktuar përfaqësia e ambasadës tonë në Çekosllovaki. Gjatë një dite ku ndenjëm në Pragë, për të pritur avionin për t’u nisur në Vietnam. Megjithëse ishim tranzit në këtë qytet bëmë disa lëvizje të lira. Unë vërtet pata kënaqësi gjatë vizitës së shkurtër në Pragë, një qytet të nivelit bashkëkohor, me një plan rregullues modern, godina shumëkatëshe ku gërshetohej stili i vjetër i arkitekturës me atë modern të kohës. Aty pashë rrugë e sheshe të gjëra, me larmi transportesh të lëvizjes së qytetarëve dhe me dyqane e vitrina që unë në të vërtetë i kisha parë vetëm në filma dhe as që i konceptoja deri në atë kohë për tu bërë në vendin tonë. Më bëri shumë përshtypje fakti se objektet fetare si, kishat apo objekte te tjera fetare, ngriheshin në sheshe kryesore të qytetit, hijerënda me një krenari të besueshme për popullsinë. Ndërkohë nuk mungonin edhe parqet e bukura saqë ndieje çlodhje mendore duke i parë ato. Megjithatë s’e ndjeva veten të poshtëruar, sepse populli shqiptar dhe vendi im, ndonëse mbetej populli më i vjetër i Evropës, perandoritë që kanë kaluar nëpër Shqipëri, sidomos pushtimi turk për afro 500 vite, na kishte lënë në një varfëri të tejskajshme dhe poshtëruese. Me veten time murmurija se edhe mbas vitit 1912, sikurse e kishim mësuar nga historia e asaj kohe, nuk duhet harruar kurrë se pushtuesit e huaj dhe mercenarët me armiqtë e mëdhenj e të vegjël të popullit tonë në bashkëpunim e nënshtrim të serbëve, e grekëve e deri tek pushtimi fashist e nazist në Luftën e Dytë Botërore, na kanë bërë shkrumb e hi disa herë, na kanë copëtuar si komb, e rrudhur nëpër male dhe, për rrjedhojë, duhej koha e nevojshme për ta marrë veten.

Nga Çekosllovakia (Praga) në Vietnam (Hanoi)

 

Nga Çekosllovakia (Praga) në Vietnam (Hanoi), delegacion ynë u nis në mbrëmjen e datës 31 janar, duke bërë 18 orë rrugëtim në ajër. Ky ishte rrugëtimi i parë me avion dhe natyrisht më bëri goxha përshtypje, sepse qëndrimi për kaq kohë të gjatë në hapësirë brenda avionit ishte i organizuar në mënyrë të përkryer, si me qëndrimin, ushqimin dhe fjetjen. Por sidoqoftë na kish përfshirë ankthi, sepse ky rrugëtim ishte jo i lehtë për mua si për herë të parë. Aty nga mesdita e datës 1 shkurt mbërritëm në Hanoi, kryeqyteti i Vietnamit, dhe në aeroport na priti një nga zëvendësministrat e tregtisë së jashtme, i cili na shoqëroi si delegacion, drejtpërdrejt në pritjen që na bëri shoku Lekhac, Ministër i Tregtisë së Jashtme. Është e kuptueshme se mua më përshkuan mjaft emocione, por mënyra e takimit me ministrin në Vietnam ishte aq dashamirës e miqësor dhe se na u duk sikur ishim takuar disa herë metë. Si zakonisht në këto takime, fillimisht u bënë përshëndetjet e rastit në të dy shtetet dhe të udhëheqësve respektivë. Ai vuri theksin në radhë të parë tek fitorja e Vietnamit nga lufta me SHBA-në. Amerikanët kishin bërë reprezalje të papara ndonjëherë. Siç theksoi shoku Lekhac, populli vietnamez me fuqinë e tij e kish përzënë këtë bishë të egër “mishngrënëse”. Ndërkohë Vietnami ndodhej edhe nën presionin dhe embargon e “imperializmit” kinez të asaj kohe që, sipas tij, kishte lidhur aleancat me SHBA… Me gjithë këtë Ministri vuri në dukje që edhe për këtë periudhë të shkurtër pas çlirimit te vendit, qenë arritur suksese në zhvillimin e ekonomisë, pavarësisht se prodhimi i brendshëm ishte në nivele të ulëta, me çmime të larta dhe me një papunësi të madhe. Ne si delegacion e falënderuam për mikpritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe filluam direkt në temë për sasinë e mallrave që do të shkëmbenim me klering për vitin 1985. Eksport-importi llogaritej rreth 7, 4 milionë rubla midis dy vendeve. Ne do të importonim rreth 1 mijë ton oriz, 200 ton vaj ushqimor, një sasi kafeje, çaj e disa mallra të tjera. Ndërsa nga ana jonë Vietnami do të importonte bitum në fuçi, tela bakri, tekstile, minerale, koncentrat piriti etj. Ne insistuam mjaft edhe për më shumë eksporte nga ana jonë me propozime konkrete por mundësitë kufizoheshin shumë për mungesë te trasportit. Ditën e dytë, meqenëse marrëdhëniet politike midis dy vendeve ishin prioritare, bëmë takimin me ish kryeministrin, shokun Fan Van Dong, të cilit i përcollëm përshëndetjet e udhëheqjes së partisë dhe shtetit shqiptarë. Ndërkohë që edhe ai me shumë superlativa na transmetoi për falënderimet shumë të përzemërta, në emër të popullit vietnamez për shokun Enver Hoxha dhe popullin shqiptar, për përkrahjen e luftës së drejtë të Vietnamit dhe për të gjithë popujt e Indokinës. Ai me shumë besim shprehu optimizmin e tij për fitoren e lirisë dhe demokracisë, du- ke theksuar se bota do të tregojë për shembullin e popullit shqip- tar dhe atij vietnamez se jemi në rrugë të drejtë dhe se epoka jonë, është epoka e revolucioneve. Ai theksoi edhe një herë dhe shprehu vlerësimin se vizita e delegacionit tonë do të shënonte hapin e duhur për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Mbasi bëmë këtë takim, përshtypjet tona ishin mjaft domethënëse, sepse kudo, si në takim edhe në lëvizje të lira vinim re dashamirë- sinë dhe shprehjen e miqësisë edhe nga njerëz të thjeshtë si në a- paratin shtetëror dhe lëvizjet e lira jashtëtyre.

Programi i delegacionit

 

Në programin e delegacionit tonë, ishte parashikuar nga pala vie- tnameze për të bërë vizita në dy qytete dhe fshatra të Vietnamit (Vuktau, Hoshimin). Për të qenë realist kudo që vajtëm, ndonëse pritja qe shumë e përzemërt ndaj nesh, perceptoje në çdo ambient varfërinë ekstreme të këtij vendi dhe kudo që vajtëem na shpje- gonin, në radhë të parë, për luftën rraskapitëse që kishin bërë për çlirimin e vendit, të cilat përshkruheshin edhe nëpër stenda dhe muzetë e çdo qyteti. Unë me veten time mendoja, se ne në Shqipëri jemi të varfër por, nuk e tregojmë varfërinë, paska edhe më keq se ne…

Mbyllja e veprimtarisë ne Vietnam u shoqërua me firmosjen e marrëveshjes tregtare duke e lënë të hapur që gjatë vitit mund të bëheshin edhe përmirësime të mëtejshme. Si zakonisht edhe nga pala vietnameze dhe ambasadori ynë u shtruan darkat përkatëse të mikpritjes dhe përcjelljes dhe u bëmë gati për të bërë rrugëtimin e kthimit.

Mbyllja e veprimtarisë në Vietnam përsëri do të shoqërohej me një udhëtim të gjatë për t’u kthyer në Tiranë. Këtë radhë qe ndryshuar itinerari. Nga Vietnami do udhëtonim jo më me anë të Pragës por do të kalonim nëpërmjet Parisit të Francës. Udhëtimi i bërë më 5-6 shkurt zgjati nga Hanoi në Paris 21 orë, me një pushim për furnizim me karburant në Karaçi. Rruga ishte e gjatë e lodhshme e me surpriza.