Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë/ Flasin Bardhyl Kollçaku, Rustem Peçi, Thoma Konduri. Sot në orën 13.00 ceremonia madhështore në Muzeun Historik Kombëtar

177

Libri për gratë oficere, një punim serioz publicistik dhe historik që na ka munguar. Mirënjohje grave oficere, trimëreshave fisnike të kombit dhe si e ndryshuan përgjithmonë peizazhin ushtarak modern të Forcave të Armatosura. Kurset e para, komandantët, komisarët dhe shefat e shtatmadhorisë së shkollës

 

Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë : Një komb me kaq shumë gra të shquara në fushën ushtarake, dëshmon vitalitet dhe fuqi për të vrapuar edhe më shpejt

 

Falënderim nga autorët e librit: Kujtim Boriçi & Suzana Jahollari

 

Vështirësia e librave të tillë, për shkak të karakterit të tyre, volumit të punës në arkiva e kontakte të shumta me personazhe e faktorë të tjerë shtetërorë e shoqërorë, janë të papërballueshme, nëse nuk je i përgatitur për këtë ndërmarrje e, mbi të gjitha, nëse në përgatitjen e tij nuk angazhohen shumë intelektualë e njerëz dashamirës të përkushtuar. Pikërisht, ka qenë ndihma e pakursyer dhe angazhimi i dhjetëra kolegëve, ushtarakë madhor, drejtues të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, shkrimtarë e historian, që u bënë pjesë e stafit që përgatiti këtë libër, duke qenë dhe garanci për vazhdimin e pjesës së dytë të tij. Ndaj, për ne autorët, është pak vetëm falënderimi i zemrës për ‘ta, por gjithsesi, duke i përmendur disa (ndjesë për shumë të tjerë që nuk e gjejnë veten në këto rreshta), mendojmë se sadopak, shprehim mirënjohjen për kontributin që dhanë. Falënderojmë Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka që në vazhdimësi na ka mbështetur në punën tonë evidentimin e historisë së ushtrisë shqiptare dhe personaliteteve të saj (një rast kuptimplotë qe ai i vitit 2018 në pjesën e tretë të enciklopedisë “Skënderbegasit ndër vite….”); gazetarin e Zëvendësministrin e Mbrojtjes Petro Koçi, i cili ka qenë pranë nesh jo vetëm me sugjerime, por dhe me ndihmë konkrete në përgatitjen e këtij libri që keni në dorë; z. Thoma Konduri, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë që përgatitjen e librit e vlerëson si një detyrim për brezat, duke qenë pjesë në përgatitjen e tij dhe angazhimin e strukturave të SHKURSh; znj. Liliana Mero, ushtarake e lartë dhe pedagoge e njohur që ishte pjesë e stafit; të palodhurën Tatjana Çuko, ushtarake në rezervë, intelektualen e pedagogen e njohur që e bëri natën ditë në kontaktet me personazhet e përfshirë në libër dhe bërjen e tyre pjesë të tij; Profesor Bernard Zoto, ndihma e të cilit, veçanërisht për kapitujt e historisë së oficereve (grave tribune) në shekuj është e pa zëvendësueshme; Prof. Teki Kurtin, Drejtor i Muzeut Qendror të Forcave të Armatosura; Pedagogun e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, Agim Gjinin; Prof. Dr. Luan Nikollarin, mjekun e funksionarin e lartë në Institucionet Shëndetësore të Ministrisë së Mbrojtjes; shkrimtarin dhe poetin ushtarak, mikun tonë Arben Duka; shkrimtarin e poetin ushtarak Ferit Fixha, bashkëpunëtor dhe konsulent i këtij libri; z. Zyhdi Kroj, President Nderi i SHKURSH; shkrimtarin dhe poetin e njohur ushtarak Sali Frangu; mikun e kolegun tonë me banim në SHBA, krijuesin me emër Veri Talushllari; Drejtorin e Gazetës “Telegraf”, z. Engjëll Musai, i cili vuri në dispozicionin tonë arkivin e gazetës, si dhe krijoi hapësira të vazhdueshme për promocionin e librit; z. Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve; gazetarin e kolegun Xheladin Çelmeta etj… Siç e përmendëm më lart, nëse do të vazhdonim, kjo listë do të ishte tepër e gjatë… Faleminderit të gjithëve.

 

Për ato që ndryshuan përgjithmonë peizazhin ushtarak modern të Forcave të Armatosura

Bardhyl Kollçaku

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Që nga qytetërimet e lashta, në shumicën e tyre, kanë qenë burrat ata që merrnin përgjegjësinë dhe angazhoheshin në çështjet ushtarake dhe luftarake…por jo gjithmonë. Gjatë gjithë historisë, ka pasur shumë gra që kanë udhëhequr kombet dhe drejtuar forcat ushtarake në luftë. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për një komb si kombi ynë, që ka nxjerrë gra të tilla luftëtare, duke filluar nga Teuta e Ilirisë e Shota e Drenicës dhe, deri në një armatë vajzash e grash oficere profesioniste sot. Gratë shqiptare kanë ndezur risi dhe kanë bërë histori ushtarake dhe luftarake përgjatë gjithë historisë sonë kombëtare. Këtë shprehe dhe libri “Oficeret shqiptare në rrjedhën e shekujve”. Ky libër nuk ka nevojë për parathënie, por për dy fjalë para përgatitëse për atë çka do të gjej çdo lexues në faqet e tij. Ai është një rrugëtim me atë pjesë të shoqërisë, historisë dhe kombit tonë në shekuj që ka përballuar furtuna, privime, lot e hidhërime më shumë se çdokush tjetër, por gjithmonë ka ngjallur gëzime, lindje jetësh dhe shprese. Libri i jep lexuesit oaze dashurie të vajzës, gruas, motrës, nënës dhe bashkëshortes ushtarake, por edhe oaze sfidash, përkushtimi, krenarie dhe fisnikërie të tyre në një botë të vështirë, të ashpër dhe shumë specifike, siç është ajo ushtarake.

Mirënjohje grave oficere, trimëreshave fisnike të kombit!

Rustem Peçi

Ish-Komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”

Shkolla e Lartë e Bashkuar e “Oficerëve “Enver Hoxha”, të cilën unë pata fatin ta drejtoj për shumë vite, ka qenë dhe mbetet një nga institucionet elitare të shtetit shqiptar, ku përgatiteshin oficerë të devotshëm për kombin, ndërsa studentet ushtarake dhe oficerët që kanë dal nga kjo shkollë, mbeten model i përkushtimit dhe sakrificës në mbrojtje të vendit. Ai institucion, ajo ushtri e kohës, ishin model dhe të përgatitur në çdo kohë për të mbrojtur territorin shqiptar dhe lirinë me çdo kusht, deri dhe në sakrificën më sublime, për flamurin dhe betimin ushtarak. Janë këto djem e vajza oficerë që ishin dhe janë shembull në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, që duke vlerësuar më shumë lirinë dhe interesat e kombit se sa jetën e tyre, jo vetëm e mbajtën Shqipërinë të paprekshme, por shumë prej tyre, luftuan me heroizëm ku disa dhanë dhe jetën, në luftën për çlirimin e Kosovës.

 

Kol.(R) Thoma Konduri: Një libër me vlera të veçanta historike (President i SHKURSH)

Rreth një viti më parë, autori Kujtim Boriçi me bashkautorin Maksim Fejzulla, nëpërmjet një ceremonie të veçantë në “Tirana Internacional”, të mbështetur plotësisht nga Ministria e Mbrojtjes, si një nga aktivitetet kryesore të SHKURSh, promovuan pjesën e tretë të enciklopedisë “Skënderbegasit ndër vite…”. Sot kemi në duar një libër tjetër të kësaj natyre, pjesën e parë të librit “Oficeret shqiptare në rrjedhën e shekujve” me autor Kujtim Boriçin dhe Suzana Jahollarin, një nga ushtaraket madhore të Shqipërisë, aktualisht Prefekte e Qarkut të Tiranës.

 

Meme Limaj-Novruzaj, oficere dhe mësuese e suksesshme

 

Meme Limaj-Novruzaj, ka lindur më 13.03.1955 në Tërbaç të Vlorës. Është oficere në pension dhe banon në qytetin e Fierit. Ka këtë arsimim: Në vitet 1971-1975, shkolla e mesme “Kozma Naska” në Elbasan; në vitet 1976-1980, Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve ‘Enver Hoxha’ në Tiranë; në vitet 2005-200, Part-Time, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, dega mësuesi për Matematikë- Fizikë. Meme Limaj ka këtë eksperiencë pune: Në vitet 1980-1989, Instruktore e Edukimit Fizik e Ushtarak, shkolla e mesme e bashkuar “Adem Vrapi” në Rroskovec; në vitet 1990-1993, Shefe Sekretarie-Shifre në Repartin Nr. 7001 në Rroskovec; në vitet 1994-1996, Shefe Sekretarie-Kuadri në repartin ushtarak Nr. 6070 në Patos. Në vitin 1996 del në reformë si oficere, në kuadër të riorganizimit të strukturave të Forcave të Armatosura. Pas daljes në rezervë, Mereme Limaj-Novruzaj, iu përkushtuar mësuesisë. Kështu, në vitet 2014-2014, ajo jep mësim në shkollën e mesme “Andon Profka” në Seman të Fierit. Për profesionalizëm e suksese sistematike në përmbushjen e detyrave të kryera në strukturat e Forcave të Armatosura, Meremja është vlerësuar zyrtarisht me medalje e mirënjohje të shumta zyrtare nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe struktura të tjera shtetërore. Njëkohësisht ajo është vlerësuar me mirënjohje të tjera si: “Ambasadore për paqe”; anëtare e Kryesisë së Komitetit të Veteranëve të Rajonit Nr. 3 në Fier; nënkryetare e Organizatës së Veteranëve të Luftës; aktiviste e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH), aktiviste e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”; anëtare e kryesisë së Shoqatës Kulturore Atdhetare “Tërbaçi”, dega Fier etj.

 

Arjana Baçi-Kapaj, tri dekada në përgatitjen e rinisë shkollore

 

Arjana Baçi-Kapaj ka lindur, më 26 shkurt të vitit 1957, në Tiranë. Në Tiranë ka kryer dhe shkollën tetëvjeçare she shkollën e mesme të përgjithshme. Në shtator të vitit 1975 nis studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar “Enver Hoxha” në Tiranë, fakulteti Gjitharmësh. Në periudhën 1975-1979 kryen me sukses studimet në këtë shkollë, merr diplomën dhe me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, titullohet oficere aktive. Në shtator të këtij viti nis karrierës në strukturat e Forcave të Armatosura. E emërojnë komandante batalioni në me Rininë Shkollore të Armatosur, njësi e cila përfshinte shkollat e mesme Ekonomike, Pedagogjike dhe Ndërtimit në Tiranë. Në këtë detyrë qëndron nga viti 1979 deri në vitin 1993. Në vitet 1993-1994 kryen detyrën e shefes së sekretarisë e shifrës në Brigadën e Tankeve në Sauk të Tiranës. Në periudhën 1994-1996 është në sekretarinë e Komandës së qytetit të Tiranës. Në vitet 1996-2001 është shefe e sekretarisë në batalionin e tankeve në Zallherr të Tiranës. Në periudhën 2001-2006 është shefe e Protokollit në batalionin e ndërlidhjes së Forcave Tokësore në Tiranë.

 

Liljana Thomollari, vajza oficere nga Përmeti, ‘Qyteti i Luleve’

Liljana Vangjel Thomollari ka lindur më 6 gusht të vitit 1959, në Përmet. Në vendlindje ajo ndjek shkollën shtatëvjeçare, të cilën e përfundon me rezultate të mira. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër në vitet 1974-1978. Ndër dëshirat për të ndjekur shkollimin e lartë që kishte vajza nga ‘Qyteti i luleve’, ishte dhe shkollimi i lartë për oficere. Është vera e vitit 1974. Një ndër tri degët që ajo plotëson në kërkesën e saj në seksionin e arsimit të rrethit të Përmetit, është aj e ndjekjes së shkollës së oficerëve në Tiranë. Në ditët e para të muajit gusht 1974 e njoftojnë se i është miratuar e drejta e studimit për oficere dhe, më 1 shtator të këtij viti, së bashku me 3-4 shoqe nga qyteti i lindjes dhe nën shoqërimin e një përfaqësuesi të Degës Ushtarake të rrethit, paraqitet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Pasi vishen me uniformën e blertë ushtarake dhe nisin një jetë të re, krejt ndryshe nga jeta e deritanishme, me orar veprimesh dhe në një organizim perfekt të të gjithë aktivitetit ditor, i ndajnë dhe degët ku do të ndiqnin studimet. Janë ditët e para të muajit shtator. Liljanën e caktojnë në degën Gjitharmësh, një degë e vështirë pasi përveç mësimeve teorike, një pjesë të mirë të programit e zinte stërvitja dhe përgatitja fizike. Në korrik të vitit 1981 përfundojnë mësimet dhe me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, titullohet oficere aktive në specialitetin ‘Gjitharmësh’. Teksa priste në ankth emërimin, aty në kinemanë e shkollës, ndjenë një gëzim të pa përshkruar… E emërojnë në qytetin e saj të lindjes, në Përmet. Në vitet 1981- 1991 ka qenë instruktore për problemet ushtarake në shkollën e mesme Këlcyrë-Përmet; në vazhdim, instruktore e stërvitjes në Divizionin e Përmetit.

 

Nënkolonele Anthulla Kollçaku, oficere në Shtabin e Përgjithshëm të FA

Anthulla Thoma Kollçaku, me gradën ‘Nënkolonele” është një nga oficeret financiere, së cilës i janë besuar detyra të rëndësishme në reparte e njësi të ndryshme ushtarake, deri në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Anthulla është e datëlindjes 28 korrik 1971. Ka lindur në Gjirokastër dhe banon familjarisht në Tiranë. Në vendlindje ka përfunduar shkollën tetëvjeçare, ndërsa në vazhdim, në vitin 1989, ka përfunduar me rezultate të mira arsimin e mesëm profesional në shkollën e mesme bujqësore “Koto Hoxhi” në Qesarat. Në të njëjtin vit nis studimet në degën e Logjistikës në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Në vitin 1993 përfundon arsimin e lartë ushtarak dhe me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, titullohet oficere aktive. Në periudhën 01.04.1993 deri më 15.04.1993, qëndron në dispozicion të repartit ushtarak Nr 5500 në Divizionin e Gjirokastrës. Ndërsa në vazhdim, ka kryer këto funksione: Nga 15 prilli 1993 deri më 01.12.1995, shefe finance në Brigadën e Tankeve në Gjirokastër; në periudhën 01.12.1995-20.10.1997, shefe veshmbathje në BrT në Gjirokastër; në periudhën 20.10.1997-01.02.1999, shefe veshmbathje në të njëjtin repart;nga 01.02.1999 deri më 16.01.2002, shefe finance në repartin ushtarak Nr 1099 MCR në Gjirokastër; në periudhën 16.01.2002-16.08.2003, shefe finance në repartin ushtarak Nr 1099 MCR; nga 16 gushti 2003 deri më 7 prill të vitit 2007, shefe finance në repartin ushtarak Nr 16615, MCR Gjirokastër; nga 7 prilli 2007 deri më 15 shtator 2008, oficere shtabi në seksionin e buxhetit në KML në Tiranë; në periudhën 15 shtator 2008-01.09.2009, kursi njëvjeçar i Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë; në periudhën 1 shtator 2009-1 qershor 2010, shefe e seksionit të financës në Komandën e Doktrinës e Stërvitjes në Tiranë; në periudhën 1 qershor 2010-1 tetor 2012, specialiste në sektorin e planifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes; në periudhën 1 tetor 2012-10 janar 2014, specialiste në Ministrinë e Mbrojtjes; në periudhën 10 janar 2014-11 mars 2014, në dispozicion; në periudhën 12 mars 2014 deri më 30 shtator 2014, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; nga 1 tetori 2014 e në vazhdim, oficere shtabi e analizës së mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në formimin profesional të oficeres së karrierës Anthulla Kollçaku, përfshihen dhe kualifikime të shumta, ndër të cilët: Kursi i Oficerit të Shtabit dhe Kursi i Oficerit të Shtabit të Përgjithshëm. Gradat e nënkolonele Anthulla Kollçaku janë marrë: “Kapiten” në vitin 1995; “Major” në vitin 1998 dhe “Nënkolonel” në vitin 2010.

 

Oficerja Remzije Morina, nga luftëtare e UÇK, nënokolonele e ushtrisë së Kosovës

Nënkolonele Remzije (Hazir) Morina ka lindur më 26 Qershor të vitit 1967 në Çikatovë të vjetër, Drenas, Kosovë. Arsimin e mesëm Remzija e ka mbaruar në shkollën “Leonik Tomeu” në Drenas, me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1993 ajo mbaroi Studimet e rregullta në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Prishtinës në degën “Ekonomia dhe Organizimi i Organizatave”.

Në korrik të vitit 1998, ajo iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (UÇK) dhe shërbeu deri në përfundim të luftës në qershor të vitit 1999. Pas përfundimit të luftës, në mars të vitit 2000, u sistemua në Shtabin e Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) si administratore për një periudhë të shkurtër në Departamentin e Komunikimit dhe në vitin 2001, transferohet në Departamentin e Inspektoratit si mbikëqyrëse e administratës. Në vitin 2003 ajo u vlerësua me gradën e ‘Majorit’ dhe emërohet në Departamentin e Financave si oficere e buxhetit. Në periudhën 2007-2009, Remzia përfundoj studimet e magjistraturës me rezultate të larta në Universitetin e Prishtinës, ne degën Menaxhment me informatikë. Në vitin 2009, si rezultat i transformimit nga Trupa Mbrojtëse e Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzija përfundoi kursin bazik për pjesën aktive të FSK-së në KDS/KFOR. Në vitin 2011, përfundoi kursin e gjuhës angleze (BMEC), ne St. John University-Britani e Madhe. Po ashtu, në këtë vit, ajo përfundoi edhe kursin e Menaxhimit të financave publike ne institutin SHKAQK- Prishtinë. Si rezultat i performancës për kontributin e sajë në mbështetje të institucioneve të Kosovës, në nëntor të vitit 2012, ajo mori mirënjohje për ‘Shërbim Meritor’. Duke treguar një përkushtim dhe korrektësi të madhe në punën e sajë, në prill të vitit 2013, Remzija u gradua ne gradën e ‘Nënkolonelit’ dhe emërohet Shef i Sektorit për Plan dhe Programe të buxhetit, në Departamentin e menaxhimit të Financave, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në tetor të vitit 2016, Remzija fillon Kursin e Lartë të Oficerit pranë Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 2017.