Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Për çlirimin e qytetit të Tiranës u krijua një grup operacional me pjesëmarrjen e disa batalioneve të UNÇSH. Për të mos lejuar këtë gjendje, nga grupi operacional u vendos që me forcat e 10 batalioneve, konkretisht një batalion i Br. I S, tre të Br. IV S, dy të Br. VIII S dhe katër të Br. XVII S, të goditej e të asgjësohej autokolona gjermane, që vinte nga Qafë-Kërraba për Tiranë. Njësitë e tjera të Korparmatës I S vijonin goditjet kundër autokolonave gjermane në sektorin ku ndodheshin, e duke u shkaktuar atyre sa më shumë humbje. Forcat e tjera të Br. I, IV, VIII S, gjithsej 7 batalione që mbetën brenda në Tiranë, vijonin mësymjen në frontin e brendshëm të operacionit për asgjësimin e forcave gjermane të rrethuara në kryeqytet. Batalioni i pestë i Br. IV S u mbajt në rezervë. Ardhja e mjaft forcave gjermane në Tiranë e rriste numrin e tyre në mënyrë të konsiderueshme. Grupimi luftarak gjerman “Steyer” që ishte larguar i fundit nga Greqia, me një efektiv prej rreth 7.000 veta, u tërhoq nga Elbasani në dy drejtime: Një autokolonë me rreth 3.000 forca lëvizi në rrugën Elbasan-Tiranë, e ndjekur nga një pjesë e forcave të Br. XV S, autokolona tjetër me efektiv rreth 4.000 forca, lëvizi në rrugën: Elbasan-Peqin-Kavajë-Durrës-Vorë e goditur nga forcat e Br. XI, XII S, në rrugën Peqin-Kavajë. Tërheqja e forcave gjermane në dy rrugëkalime bëhej me qëllim që të siguronin kushte sa më të mira lëvizjeje, të merrnin me vete garnizonet e vendosura në të dy drejtimet, si dhe tu vinin në ndihmë forcave të rrethuara në Tiranë nga drejtimi i Qafë-Kërrabës dhe i Vorës. Autokolona gjermane që tërhiqej në rrugën Elbasan-Tiranë, më 13 nëntor u godit ashpër e befasisht në rajonin e Qafë-Kërrabës nga forcat e batalionit I të Br. IV S. Armiku nuk mundi të kalonte sektorin e pritës, pësoi humbje dhe për shkak se e zuri nata, u detyrua të ndalej në vend.

Nga vlerësimi i gjendjes u arrit në përfundimin se autokolona gjermane që tërhiqej nga Qafë-Kërraba drejt Tiranës, mund të përparonte deri tek ura e Erzenit dhe aty të ndahej në dy pjesë: njëra të lëvizte në grykën e rrjedhës së lumit Erzen, drejt fshatit Picall, tjetra të vijonte lëvizjen drejt rrugës automobilistike. Autokolona tjetër, pasi të grumbullohej në rajonin e Vorës, me një pjesë të marshonte drejt Tiranës për të goditur nga shpina forcat partizane, ndërsa me forcat e tjera të tërhiqej drejt Shkodrës. Prita në Mushqeta Prita në rajonin e Mushqetasë u organizua me dy kurthe: i pari prej Qafë-Kërrabës e deri te ura e Erzenit nga 8 batalione me rreth 1.500 luftëtarë dhe i dyti prej urës së Erzenit deri te ura e Farkës nga 3 batalione, me rreth 700 luftëtarë. Manovra e forcave u krye me shpejtësi e me fshehtësi dhe zgjati rreth 22 orë. Organizimi i luftimeve në pritë u realizua në kohë shumë të shkurtër, për 1-2 orë dhe përfundoi në orën 16.00 të datës 14 nëntor. Forcat u vendosën të maskuara deri 50 m larg rrugës. Pasdite kreu i autokolonës gjermane arriti te ura e Erzenit, ndërsa fundi në rajonin e Qafë-Kërrabës. Ajo u fut e tëra në kurthin e parë të pritës, pa diktuar asgjë. Në këtë kohë forcat partizane hapën zjarr të befasishëm me të gjitha llojet e armëve. Luftimet morën karakter shumë të ashpër. Ato u zhvilluan në largësi të vogla e kryesisht me luftim trup me trup. Në mëngjesin e 15 nëntorit forcat gjermane ndodheshin të rrethuara nga të gjitha anët.

Gjermanët u hodhën në kundërsulme të egra, të mbështetur nga tanke e autoblinda. Pas përpjekjeve të shumta, kreu i autokolonës armike mundi të kalonte kurthin e parë e të futej në të dytin, ku ra përsëri në zjarrin e forcave partizane. Pak forca gjermane (300 veta) u futën në kryeqytet, sepse jo vetëm që çanë me mjete të blinduara, por u ndihmuan dhe nga autoblindat e tanket e ardhura nga Tirana. Deri në këtë kohë nuk ishte arritur një rezultat aq i madh e me leverdi, siç ishte prita e Mushqetasë, ku armikut iu vranë më se 2.000 veta, iu kapën 300 robër dhe iu shkatërrua e u kap i gjithë armatimi, teknika luftarake dhe materiali tjetër. Ky sukses u arrit në saj të marrjes në kohë të të dhënave për lëvizjet e armikut, vlerësimit të shpejtë të gjendjes, marrjes së vendimit të drejtë, vënies në kohë të detyrave luftarake, përqendrimit të një sasie të madhe forcash, manovrës së shpejtë, organizimit të mirë të pritës, shfrytëzimit të terrenit, zhvillimit të luftimeve në largësi të vogla e mbi të gjitha në sajë të moralit të lartë e mjeshtërisë luftarake të luftëtarëve. Ndërkohë që zhvilloheshin me sukses luftimet në pritën e Mushqetasë autokolona tjetër gjermane, që lëvizte në rrugën Elbasan-Rrogozhinë-Durrës-Vorë, u godit dhe u dëmtua rëndë nga forcat e Br. XII S në Bishqem dhe nga forcat e Br. XI S në kodrat e Rrogozhinës. Të dyja këto brigada i vazhduan goditjet kundër armikut në tërheqje dhe çliruan qytetet Peqin, Rrogozhinë e Kavajë.

Kësaj autokolone dhe forcave të tjera gjermane të garnizonit të Durrësit iu shkaktuan humbje të tjera, nga një pjesë e forcave të Br. X S, të cilat pas luftimesh të ashpra më 16 nëntor çliruan Durrësin e Shijakun. Asgjësimi pothuajse tërësisht i autokolonës gjermane në Mushqeta dhe dëmet e shumta që iu shkaktuan autokolonës tjetër armike në rrugën Peqin-Durrës-Vorë, i vunë në gjendje tepër kritike forcat gjermane të rrethuara në Tiranë. Ato humbën çdo lloj shprese shpëtimi. Mbrojtja e armikut në fortifikata Shtabi i Përgjithshëm i Vermahtit, duke vlerësuar gjendjen e këtyre forcave, vinte në dukje se zhvendosja e pikës së gravitetit nga veriu vonohet të paktën dy javë, për shkak të aktivitetit intensiv të bandave kundër lëvizjeve të marshimit dhe evakuimit në zonën eTiranës. Goditja kryesore në frontin e brendshëm të jepej me krahët e brendshëm të dy Br. IV, VIII S në sektorin e Tiranës së Re dhe ajo ndihmëse me Br. I S në Tiranën e Vjetër, kurse ndërtimi operativ përbëhej në një skalion, me rezervë një batalion. Br. I S mori detyrë të vijonte mësymjen nga vija e zënë e të asgjësonte armikun në pikëmbështetjet e tij në: autorepart, Burgu i Ri, shtypshkronja “Atdheu”, tek ndërtesa Njësia 3, Radio Tirana, hotel “Dajti”, Bashkia, sheshi para Muzeut Historik Kombëtar, e të dilte në qendër të sheshit “Skënderbej”. Br. IV S të ngushtonte frontin, të vijonte mësymjen në vijën: Pallati Mbretëror (Pallati i Brigadave), në të majtë të kishës së Shën-Prokopit (rreth 2.5 km front), Tiranës së Re, sheshin e ministrive, ku të merrte takim me forcat e Br. I, VIII S. Me qëllim që të rritej vëllimi i zjarrit në sektorin e Tiranës së Re, ku mbrojtja e armikut ishte më e fortifikuar, u bë përqëndrimi i artilerisë së brigadave. Bateria e artilerisë e Br. I S iu dha në përforcim Br. IV S, me detyrë të bënte zjarr në pikëmbështetjet e armikut në Pallatin Mbretëror e në kishën e Shënprokopit. Bateria e artilerisë e Br. VIII S mori detyrë të bënte zjarr në pikëmbështetjen e armikut në, kazermat “Shkumbini”. Para fillimit të mësymjes, u dhanë udhëzime që të viheshin në veprim të gjitha armët e rënda, si artileria, mortajat, pushkët kundërtanke e mitralozat e rëndë.

Sulmi duhet të vijonte pa ndërprerje. Qëndresa që do të paraqiste armiku në objektivat e parë të sulmit nuk duhej të ndalonte përparimin e forcave tona për tu futur në thellësi të tij. Vendet që paraqitnin qëndresë, të mbaheshin të veçuara dhe të kapeshin një nga një më pas. Gjatë natës së 10-11 nëntorit u zhvilluan veprime sulmuese në të gjithë sektorët e mësymjes, pa ndryshuar regjimin e mëparshëm të luftimeve. Kjo i hoqi mundësinë armikut që të zbulonte përgatitjet që bëheshin për fazën përfundimtare të operacionit dhe për një mësymje më të gjerë. Më 11 nëntor shtabet e brigadave, veçanërisht ai i Br. VIII S dhe ato të batalioneve, u njohën me terrenin dhe organizuan luftimin, ku përcaktuan mbrojtjen e armikut, sektorët dhe drejtimet e mësymjes, rendimin e luftimit, objektet e sulmit, mënyrën e veprimit për marrjen e pikëmbështetjeve, u dhanë detyrat luftarake, u organizua bashkëveprimi etj. Të gjitha armët e rënda, si mortajat, mitralozat e rëndë, pushkët kundërtanke u vendosën në pozicione të përshtatshme. Kujdes iu kushtua, organizimit të ndërlidhjes, për të cilën u caktuan nga 4 lajmëtarë, që nga kompania e lart, dhe u organizua ndërlidhja me radio ndërmjet shtabit të Divizionit dhe Korparmatës. Veprim taktik shpinëmarrës Para se të kalohej në mësymje, mbi pikëmbështetjet e para të armikut u hap zjarr i dendur dhe i përqëndruar me të gjitha armët e rënda. I efektshëm ishte veprimi taktik shpinëmarrës i një toge të batalionit të pestë të Br. I S, e cila gjatë natës së 10-11 nëntorit depërtoi në brendësi të armikut që mbrohej në ndërtesat e Maternitetit e të shtypshkronjës “Atdheu”, e sulmoi atë në befasi të plotë nga shpina dhe e kapi këtë rajon. Batalioni i dytë i Br. I S, sulmoi armikun në pikëmbështetjen te Burgu i ri, por nuk e mori dot. Pas këtij veprimi, një pjesë e forcave e mbajti të rrethuar armikun ashtu si edhe më parë, kurse pjesa tjetër përparoi në thellësi të qytetit dhe kapi ndërtesën e Radio-Tiranës. Batalionet e tjera të Br. I S me sulme të shpejta e të vijueshme kapën kodrat e Fuat Beut, ndërtesat e Legatës Amerikane, krejt Pazarin e Vjetër etj. Sukses arritën edhe forcat e Br. IV, VIII S të cilat me krahët e brendshëm shpërthyen mbrojtjen e armikut ndërmjet kishës së Shënprokopit dhe kazermave “Shkumbini”. Një pjesë e forcave hynë thellë në zonën e Tiranës së Re, duke mbërritur te fusha e Shallvares, shkolla 9 vjeçare “20 vjetori” e ndërtesat rreth saj. Në këto kushte armiku, për të mos rënë në rrethim në kishën e Shënprokopit, u tërhoq. Armiku, i detyruar nga sulmet e vrullshme të forcave të tri brigadave, u tërhoq sidomos në sektorin e Tiranës së Re dhe u grumbullua në qendër të Tiranës, si në: ndërtesat e ministrive, te Sahati, hotel “Dajti”, Banka, Bashkia, hotel “Kontinental”, (hotel “Internacional”), Shtëpia e Oficerëve. Gjithashtu ai qëndronte me këmbëngulje në kushte rrethimi në pikëmbështetjet: Burgu i Ri, Pallati Mbretëror, kazermat “Shkumbini”. Armiku në këto pikëmbështetje u mbajt i rrethuar për disa ditë, pa lidhje zjarri e taktike me forcat e tjera të tij të rrethuara në qendër të Tiranës. Komanda gjermane në këto kushte dha disa kundërsulme, me qëllim që të zgjeronte unazën e rrethimit, të mbante të hapur rrugën e Elbasanit e të rimerrte Radio-Tiranën. Kundërsulmi i armikut dhënë më 12 nëntor nga sheshi “Skënderbej” drejt rrugës së Elbasanit nuk pati sukses, sepse batalioni i tretë i Br. I S e goditi atë në të dyja anët e rrugës nga Sahati e deri te Biblioteka Kombëtare, sot dega e Bibliotekës Kombëtare dhe e detyroi të hiqte dorë nga qëllimi i tij. Kundërsulme të tjera të përsëritura dha armiku më 13 nëntor, drejt rrugës së Kavajës të shoqëruar me disa autoblinda, me anën e të cilave mundi të rrimerrte Radio-Tiranën vetëm për pak orë, sepse forcat e batalionit të dytë të Br. I S e ato të batalionit të tretë të Br. VIII S e kapën atë përfundimisht. Ndërkohë dhe njësitë e tjera të Korparmatës zhvilluan goditje të vijueshme kundër garnizoneve armike dhe autokolonave të tij në lëvizje, në të gjithë zonën e operacionit. Kjo bëri të mundur që të dështonin të gjitha përpjekjet që bënë autokolonat gjermane për tu futur në. kryeqytet, sidomos nga drejtimi i rrugës Vorë-Tiranë. Forcat e Br. X, XXIV S dhe të batalionit “Antonio Gramshi” nëpërmjet pritave të organizuara në rrugën Tiranë-Vorë i goditën rreptë forcat armike, gjë që çoi në dështimin e të gjitha përpjekjeve të autokolonave gjermane për tu futur në kryeqytet. Forcat e Br. XV S, pas luftimeve të ashpra, më 11 nëntor çliruan qytetin e Elbasanit. Tirana u çlirua më 17 nëntor 1944.