Nesip Kaçi: Pse dështuan 12 sulmet e Hamit Matjanit

1903
Sigal

Historia e pa treguar e grushtit dërrmues të Kim Filbit, shkruar nga lordi konservator anglez Nikolas Bethel

Historia rrëqethëse e librit “Tradhtia e madhe”

Nesip Kaçi

 

– Nga fundi i vitit 1951 sigurimi shqiptar njihte nga afër çdo shqiptar të përfshirë në operacion diversionist

– Para se Filbi të hiqej nga detyra, komunistët kishin gjetur agjentë të tjerë për ta zëvendësuar atë

– CIA kishte vënë re suksesin e shkëlqyer të Hamit Matjanit, një diversant i aftë për të hyrë në Shqipëri

-Hamiti kishte bërë nga Greqia 12 sulme të befasishme në territorin shqiptar

-Papritur Matjani, Shehu, Branica, Sula, Malushi dhe disa dhjetar miq vendas të tyre, ranë në duart e Sigurimit

 

Filbi, burimi i tyre kryesor, nuk punonte më në zemër të operacionit, por ai lidhej ende me të, jo direkt,por nëpërmjet miqve të tij të SIS-it, që e simpatizonin atë dhe që besonin se ai nuk ishte trajtuar drejt. Me sa dukej ai ishte i zoti të shfrytëzonte këto takime për të mbledhur copëza informacioni rreth operacionit sekret të drejtuar më parë prej tij. Natyrisht, gjatë gjithë kësaj kohe ai mbante lidhje me padronët e tij sovjetikë, që bashkëpunonin ngushtë me shërbimet sekrete shqiptare për të depërtuar në qendrat e emigracionit. Nga fundi i vitit 1951 sigurimi shqiptar njihte nga afër çdo shqiptar të përfshirë në operacion, ata kishin familje në Shqipëri, atyre u bëhej presion për të zbuluar fakte mjaft të rëndësishme. Deri në kohën sa Filbi u hoq nga detyra, komunistët i kishin marrë të gjitha masat dhe kishin gjetur agjentë të tjerë për ta zëvendësuar atë. Kim Filbi jetoi deri në vitin 1963 diku i harruar. Në atë vit çau e iku në Moskë, ku tani jeton duke qenë kolonel i shërbimit sekret sovjetik. Gjithashtu, duhet shtuar se katër nga diversantët e përgatitur prej amerikanëve ishin kapur të gjallë në Shqipëri, dy në nëntor 1950 dhe dy në korrik 1951. Ata i kishin treguar policisë shqiptare gjithçka që dinin për operacionin. Gjatë procesit gjyqësor ata kishin dhënë emrat e të gjithë diversantëve të stërvitur në shkollën “sekrete”si dhe të atyre që ende po stërviteshin. Mund të merret me mënd se komunistët kishin edhe burime të tjera informacioni, se ata dinin më shumë gjëra se sa kishin publikuar.

Kapitullin e nëntë dhe të parafundit autori i këtij libri lordi Nikolas Bethel e titullon: Shansi i madh i fundit. Ai nënvizon se nga fundi i tetorit 1951 disa prej oficerëve amerikanë e britanikë, drejtues të operacionit u mblodhën në Romë për të diskutuar mbi gabimet e bëra në të kaluarën dhe mundësitë për të ardhmen. Megjithëse drejtuesit britanikë të operacionit hoqën dorë si palë në operacion, CIA nuk u dekurajua.Në një kohë që shumica e agjentëve të dërguar në Shqipëri kishin përfunduar keq, CIA kishte vënë re suksesin e shkëlqyer të Hamit Matjanit, një diversant i aftë për të hyrë në Shqipëri kur të donte, ai kishte bërë nga Greqia 12 sulme të befasishmenë territorin shqiptar, bashkë me dy ose tre shokë. Spiunazhi amerikan konfirmoi përshtypjen seishte pjekur momenti për një përpjekje serioze. Mbreti Zog zgjodhi njerëzit që do të shkonin me Hamit Matjanin për misionin vendimtar dhe ata ishin: Zenel Shehu, Halil Branica dhe Haxhi Gjyle. Mbreti Zog i dha secilit prej tyre nga një qeskë me flori. Të tre burrat shkuan në Athinë, u prezantuan me Hamit Matjanin dhe me dy njerëz të tjerë që do t’i shoqëronin, Xhelo Tresovën dhe Tahir Prençin. Prençi do të ishte radisti i grupit. Më 27 prill ata fluturuan prej Athine në Kastoria (Kostur), pranë kufirit shqiptar. Të nesërmen oficerët grekë i shoqëruan ata deri te kufiri dhe i vrojtuan kur kaluan matanë. Pasi arritën shëndoshë e mirë në krahinën e Matit, Haxhi Gjyle dhe Xhelo Tresova u kthyen për në Greqi, duke lënë Shehun dhe Prençin në gjirin e grupit antikomunist të rekrutuar prej Hamit Matjanit një vit më parë. Gjatë gjithë verës së vitit 1952 përfaqësuesit e OPC në Greqi ishin të kënaqur për kontaktet e vazhdueshme me agjentët e tyre në terren. Prençi i përgatitur mirë në mors dhe si shifrant, raportonte se po shtonin radhët, madje se kishin rekrutuar dhe tre vetë të Sigurimit, që ishin të gatshëm të shkonin në Greqi për t’u instruktuar dhe stërvitur për veprimtari antikomuniste. Halil Branica u shërua dhe në 4 gusht pilotët polakë e hodhën atë me parashutë në Shqipëri, në kohën dhe vendin e dhënë nga Prençi nëpërmjet një mesazhi. Sasira të konsiderueshme pajimesh u hodhën me kërkesën e Prençit: monedha ari, automatikë, municione, radioaparate, dylbi, fanella leshi, kapele, pantallona etj. Spiunazhi amerikan ishte tepër i frymëzuar për lajmet që vinin nga agjentët. Ata tregonin se bazat e rezistencës po ngriheshin dhe pajiseshin në rregull. Ndërkohë në shtabet e spiunazhit amerikan në Athinë vijonin të vinin raporte optimiste prej Shehut, Branicës dhe Prençit nga Shqipëria e mesme. Disa ditë më parë Ajzenhaueri ishte bërë president i SHBA, Xhon Foster Dallesi sekretar i shtetit të tij dhe Alen Dallasi drejtor i CIA-s, ishte momenti që të shkallëzohej më tepër prej CIA-s sipërmarrja shqiptare. Mesazhet e dërguara prej Shehut dhe Branicës po bëheshin përherë e më tepër entuziastë. Dukej që pozita e tyre si oficerë besnikë të oborrit të mbretit Zog, kishte ndryshuar balancën e forcave.Si CIA dhe mbreti Zog ishin entuziazmuar nga mundësitë për sukses, u dukej se kishin shanse reale për ta shkulur sistemin komunist të Enver Hoxhës prej Shqipërie. Rjeti i bazave të tyre po zgjerohej. Tani kishim të bënim me një bërthamë të oficerëve të ushtrisë dhe të policisë të gatshme për t’u ngritur kundër regjimit komunist. Pajimet e hedhura me parashuta ishin shpërndarë dhe së shpejti pritej të hynin në punë.Ajo që kërkohet tani,thoshin ata në mesazhe, është prania e Hamit Matjanit, për t’u dhënë atyre orientimet e duhura. Tani bazat e tyre ishin mjaft të sigurta, ndaj Matjani le të hidhet me parashutë .Pas kësaj Hamit Matjani u pajis mirë dhe i thanë të bëhej gati për rrugë. Ranë dakord që hedhjen e Matjanit ta bënin në ditën e 1 Majit, kur Sigurimi të ishte i zënë me festën. Hamit Matjani, Naum Sula dhe Gani Malushi u hodhën fare bukur me parashutë në një vend të paracaktuar në krahinën e Matit. Mesazhe të tjerë optimiste arrinin nga terreni deri tek shtabi i CIA-s në Athinë. Por edhe pse muajt kalonin asnjë plan i përcaktuar më parë nuk tregonte ndonjë shenjë materializimi në praktikë. Në vitin 1953 deri në fund të tij, seria e mesazheve të koduara për nga autenticiteti kishin filluar të ndiheshin false.

Goditja ndodhi në natën e vitit tëri kur radio Tirana shpalli se të gjithë njerëzit e stërvitur me kujdes për pjesën më vitale të operacionit: Matjani, Shehu, Branica, Sula, Malushi dhe disa dhjetëra miq vendas të tyre, ishin në duart e Sigurimit e po i priste gjyqi. Faktet që dolën gjatë procesit të madh gjyqësor të prillit 1954 në Tiranë zbulonin një katastrofë të plotë për spiunazhin anglo-amerikan, nuk kish më keq, shkruan në fund të librit të tij lordi Bethel. Prej tyre u mor vesh se Shehu ishte kapur sapo kishte arritur në Mat dy vjet më parë. Radisti Tahir Prençi ishte zhdukur, ose ishte vrarë, ose (siç besonin shumë shqiptarë) ishte futur në shërbim të kauzës komuniste. Sigurimi shqiptar për 18 muaj rresht kishte trilluar e transmetuar mesazhe me radio, (Radio-loja) mbi bazën e të cilave merreshin vendimet amerikane. Ata kishin qëruar gjithë rrjetin e agjentëve. Hamit Matjani ishte hedhur drejt e në duart e tyre prej aeroplanit amerikan. Sigurimi e kishte bërë shkëlqyeshëm punën e vet, jo vetëm për operacionin Shehu-Matjani, por edhe për pesë vjet intriga antishqiptare. Forma legale e gjyqit ishte groteske por faktet e tij bazë janë konfirmuar prej shqiptarëve që kanë mbetur gjallë dhe, sipas mendimit të autorit, lordit Bethel, janë të përpikta. Më 12 prill 1954 kur mbreti Zog dhe familja e tij ishin ulur dhe dëgjonin rreth radios në vilën e tyre në Aleksandri (Egjipt), gjyqtari në Tiranë shpalli se të akuzuarit provohen se janë fajtorë dhe dha vendimin: Shehu, Branica, Sula dhe Malushi u dënuan me pushkatim, Hamit Matjani me varje.

Në parathënien e paanshme,që i ka bërë librit të lordit Bethel “Tradhtia e madhe”, zoti F. Zanaj shkruan se autorit, iu desh të rrëmonte për afro tre vjet në kujtesën dhe shpirtrat e trazuar të njerëzve, në dokumente të ruajtura për 35 vjet si “tepër sekret”për të na dhënë një pamje plot larmi të operacionit. Publiku shqiptar para se të njihej me librin e këtij autori perëndimor është njohur me tregime, novela, skica, filma dokumentarë e artistikë të autorëve shqiptarë që e prekin këtë operacion. Në ato krijime ka edhe njëanshmëri e pasaktësi. Kundër kësaj njëanshmërie në vlerësimin e kësaj ngjarjeje historike përpiqet të ngrihet lordi Bethel në librin e tij. Mirëpo të ngrihesh kundër njëanshmërisë së njërës palë, nuk do të thotë se automatikisht ke zbuluar të vërtetën e pastër. Jeta provon, nënvizon zoti F. Zanaj, se drejt saj tentojnë të tëra palët “sipas interesave të tyre”. Me gjithë përpjekjet për të arritur tek e vërteta, një lloj njëanshmërie nuk i shpëton dot dhe autori i këtij libri mbi operacionin e spiunazhit anglo-amerikan kundër regjimit komunist shqiptar në vitet 1949-1953. Zoti F. Zanaj, në parathënien e tij shkruan se lordi Bethel gjithë këtë operacion e interpreton nga prizmi i interesave të vendeve perëndimore. Në këtë libër të lordit Bethel flitet për vrasje diversantësh dhe për shuma parash të harxhuara nga spiunazhi perëndimor, por nuk flitet asnjë fjalë për vrasjet në radhët e njerëzve të ndershëm në Shqipëri, për djegiet, sabotimet e krimet e kryera prej diversantëve shqiptarë. Për ne shqiptarët ky ishte vazhdim i tragjedisë së vëllavrasjes. Në këtë logjikë faktori njerëzor shqiptar përfillej pak, qoftë ai i vënë në shërbim të Perëndimit, qoftë ai i palës tjetër.

Zoti Zanaj nënvizon gjithashtu, në parathënien e tij se, autorit i shpëtojnë mjaft gjykime e vlerësime subjektive për zhvillimet politike të Shqipërisë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas saj. Ai harron të shpjegojë ose nuk dëshiron të kuptojë ndikimin e veçorive të regjimit politik shqiptar të atyre viteve në dështimin e operacionit, Shqipëria nuk banohet nga popull sllav, Shqipërinë nuk e çliruan trupat sovjetike, siç ndodhi me të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore. Shqipërinë e çliruan nga pushtuesit fashist italian dhe nazistët gjermanë partizanët shqiptarë, madje ata i ndoqën hitlerianët deri ne Vishegrad dhe një segment përfaqësues i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare mori pjesë, më 9 maj 1945, në Berlin, në festimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore.