Dilaver Goxhaj/ Policia e fshatit ose xhandarmëria

1225
Nevoja e krijimit të një force policore më të përshtatshme për parandalimin e krimeve dhe shkeljeve ligjore në zonat e thella rurale, si dhe në periferitë e qyteteve, sikundër janë gjuetia dhe shfrytëzimin i pyjeve dhe i lumenjve pa kriter, kultivimit të bimëve narkotike etj. të cilat kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje, ka kohë që ka dalë si një domosdoshmëri. Dhe kjo forcë është policia e fshatit, që ndryshe njihet me emrin xhandarmëri.
Pak histori
Termi Xhandarmëria nuk është i panjohur për popullin tonë, por edhe jo i pëlqyer prej tij, si në periudhën e sundimit turk, ashtu edhe gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, ku xhandarmëria ish shndërruar në gogol, ngaqë efektivat e saj kanë qenë totalisht të paarsimuara dhe me sjellje barbare. Xhandarmëria shqiptare e ka fillesën në vitin 1914, e shndërruar në xhandarmëri moderne në vitet 1925-1939, me ndihmën e specialistëve anglezë, me komandant gjeneral Xh. Aranitasi dhe shef shtabi Gustav Mirdac, me një efektiv prej 3000 vetë dhe 131 oficerë, në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Arma e xhandarmërisë e asaj kohe ka qenë e ndarë në katër zona: e Veriut, e Lindjes, e Shqipërisë së Mesme dhe e Jugut, me qendra Shkodrën, Peshkopinë, Tiranën dhe Përmetin, me komandën e përgjithshme në Tiranë. Në secilën zonë kishte nga një inspektor anglez. Komandanti i përgjithshëm dhe inspektori i përgjithshëm, (anglez), ishin drejtpërdrejt nën urdhrat e Komandantit të Përgjithshëm, Mbretit. Prej 7 prillit 1939, deri në 1945 ajo vijoi të ekzistonte kryesisht në zonat fshatare, por e eklipsuar prej karabinierisë italiane dhe më pas nga Gestapua gjermane. Pas çlirimit nga pushtimi nazifashist ajo u eliminua si lloj force, duke u zëvendësuar me forcat e Divizionit të Mbrojtjes Popullore e që më vonë morën emrin Forcat e Ndjekjes, të cilat u përqendruan pothuaj në ato rajone të paraluftës: Pukë, Peshkopi, Librazhd, Tepelenë, qendra në Tiranë. Por edhe këto u shkrinë në fund të viteve 60-të, kur ushtria kaloi në Pika Hapjeje dhe kur prona u bë totalisht e përbashkët. Në këto kushte shteti u shndërrua në shoqëri të ekonomisë së planifikuar, duke u kthyer në shtet autoritar, ndaj dhe forcat e ndjekjes në ato kushte dolën të panevojshme, pasi edhe i gjithë populli u organizua në struktura të ushtrisë dhe policisë. Fjala xhandarmëri vjen prej fjalës franceze “gens d’ armes”, që do të thotë burra të armatosur. Historikisht, edhe në kohët e mesjetës edhe në ato moderne, ky term i referohej kavalerisë së armatosur rëndë, të cilët vinin prej familjesh fisnike dhe që shërbenin në ushtrinë franceze. Napoleon Bonoparti e filloi organizimin e xhandarmërisë vetëm katër muaj pas grushtit të shtetit. Ai e shndërroi atë për herë të parë në një lloj force të armatosur, e cila nuk kish si qëllim të vetëm pacifikimin e zonave rurale, por njëkohësisht shërbente për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë edhe në ato zona, gjë që policia nuk mund ta realizonte përsosmërish. Në Shqipëri emërtimi xhandar është i njohur shumë herët, por fillimisht në periudhën e Turqisë Otomane njihej me emrin Subash dhe më vonë me emrin Xhandarmëri dhe që e kryenin jeniçerët.
Riaktivizimi i xhandarmërisë, një nevojë e kohës
Çdo lloj reforme ekonomiko-shoqërore, në çdo lloj sistemi shoqëror, ndërvaret nga sistemi i pronës. Aktualisht sistemi ynë shoqëror ndryshoi pothuajse totalisht, duke u bërë privat ose shtetëror i dhënë me koncesion. Në këto kushte shteti nuk e ka më atë autoritet që kishte shteti monopartiak. Për ta kompensuar atë autoritet që i humbi shtetit dhe për ta çuar plotësisht drejt shtetit ligjor, edhe në skajin më të largët të vendit, ka dalë si domosdoshmëri krijimi i një lloj strukture e sigurtë dhe tepër efikase, e aftë të veprojë në kohën e duhur, në vendin e duhur, e cila të ketë si detyrë kryesore parandalimin e krimit dhe jo zbulimin e tij, sikundër po bën policia në këtë çerek shekulli pluralist. Sistemi aktual mbrojtës dhe kontrollues i shtetit ligjor, veçanërisht në zonat rurale, duke patur vetëm një polic për dhjetëra fshatra malorë e kodrinorë, (76% e territorit tonë është kodrinor dhe malor tepër i thyer), ku policit i duhet të lëvizë vetëm në këmbë, ndërkohë që kontrabandistëve, sikundër e shohim për ditë, nuk u mungon as helikopteri, bën që jeta e popullsisë dhe prona individuale e ajo publike, sidomos në zonat rurale, të jetë tërësisht e pambrojtur. Ngaqë në ato zona gjithçka është jashtë kontrollit dhe mbrojtjes së shtetit, ndaj dhe kultivimi i bimëve narkotike, përpunimi dhe trafikimi i tyre po lulëzon gjithnjë e më shumë, pa folur për kontrabandën jashtë traut të doganave si dhe në rrugët rurale e nacionale. Të gjitha këto kanë sjellë si rrjedhojë shtimin gjithnjë e më shumë të krimit të organizuar e të paorganizuar, gjë që e tregon edhe dënimi i gati treqind personave me burgime të përjetshëm, vetëm në këtë fillim shekulli. Kjo ka sjellë edhe mosmbrojtjen e pasurisë kombëtare, sikundër janë kullotat dhe pyjet, të cilët po shkojnë drejt shfarosjes totale të tyre së bashku me florën tonë kombëtare. Edhe shfrytëzimi pa kriter i lumenjve ka sjellë humbje të mijëra hektarëve toké (arë) gjatë brigjeve të rrjedhës së tyre dhe në bregdet, si rrjedhojë e aluvioneve nga ai shfrytëzim kriminal i lumenjve. Mungesa e prezencës së shtetit në zonat rurale ka sjellë shfarosjen e gjithë faunës tokësore, ujore e detare si rrjedhojë e moskontrollimit të gjuetisë së kafshëve të egra e shpendëve dhe të peshkimin, gjë që tregon se sistemi policor aktual është i paefektshëm, kur bëhet fjalë për zonat rurale. Dhe, që të parandalohet e gjithë kjo veprimtari kriminale, dhe të mbrohet pasuria kombëtare edhe në skajin më të largët të vendit, del si nevojë adekuate krijimi i një strukture shtetërore mbrojtëse, më e efektshme se policia aktuale e shtetit. Dhe kjo është xhandarmëria kombëtare.
Çfarë është xhandarmëria kombëtare?
Ajo është një lloj arme, një lloj force ushtarako-policore e përhershme, e nevojshme në të gjitha kohërat, përkrah Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, e ngarkuar si me detyra për sigurinë publike, ashtu dhe me detyra policore për popullatën civile, për policinë ushtarake dhe me detyra të Gardës Kombëtare. Për zbatimin e këtyre detyrave, Xhandarmëria do të bashkëpunoi me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit. Forcat e Xhandarmërisë në vende të ndryshme kanë emërtime të ndryshme, si p.sh. në Itali thirret Karabinieri, në Portugali Roja Nacionale Republikane, në Spanjë Roja Civile, në Kanada Xhandarmëria Mbretërore dhe është tradicionalisht një forcë ushtarake, në Serbi thirret thjesht Xhandarmëri, në SHBA thirret Roja Bregdetare, ndërsa në Argjentinë xhandarmëria është totalisht një forcë ushtarake por që për qëllime ligjore quhet edhe Forcë Sigurie, e cila gjatë luftës për ishujt Folklend ajo morri pjesë totalisht në luftime. Xhandarmëria turke është pjesë e Forcave të Armatosura dhe është përgjegjëse për mbajtjen e rendit publik në zonat në të cilat janë jashtë juridiksionit të forcave të policisë, me mision për sigurimin e sigurisë së brendshme si dhe kontrollin e kufijve, etj.
Xhandarmëria, forcë parandaluese e rëndësisë së veçantë
Bazuar në Nenin 4 të Ligjit për Policinë e Shtetit, kjo përgjigjet për mbrojtjen e gjithçkaje në të gjithë territorin e vendit, përfshi edhe kufijtë tokësorë e detarë. Mirëpo, sikundër e prekëm më lartë, mosefektiviteti i mbrojtjes së jetës së njerëzve, (ku nuk ka ditë pa vrasje makabre në fshat dhe qytet), kryesisht për shkaqe pronësie dhe përfitimi, tregon se Policisë së Shtetit i është dhënë një ngarkesë jashtë mundësive të saj, sado të përkushtuar t’i ketë drejtuesit dhe pjesëtarët e saj, pavarësisht se ajo është fuqizuar dhe fuqizohet çdo ditë, në çdo drejtim. Gjithashtu, në kushtet e një demokracie të gjithanshme dhe të një pluralizmi politik në “luftë” të përhershme për të marrë me çdo kusht pushtetin, si dhe konkurrenca e egër në aktivitetet prodhuese e tregtare, me pjesëmarrjen edhe të investitorëve të huaj, në kushtet edhe të një gjallërimi të kontrabandës së gjithanshme,(sidomos trafiku i lëndëve narkotike),ku korrupsioni po shndërrohet në mënyrë jetese jo vetëm ndër politikanët por në të gjitha strukturat e shtetit, ka bërë që në duart e Policisë së Shtetit të përqendrohen detyra dhe fuqi e tejskajshme, gjë që lind si nevojë e përgjithshme edhe kufizimi i kësaj fuqie, me qëllim parandalimin e ndonjë të keqe edhe më të madhe. Ngritja e Xhandarmërisë bën të mundur që kjo fuqi të mos jetë në një dorë të vetme, pasi në një moment të caktuar, mos të na duket çudi, mund të shkaktoi edhe grusht shteti, sikundër ka ndodhur me xhandarmërinë në vitin 1935, e njohur me mërin “kryengritja e Fierit” si dhe në vitin 1937, “kryengritja e Delvinës”, të cilat u shtypën nga ushtria dhe forcat rezerviste, të cilat paguheshin mirë dhe rregullisht, pasi mbaheshin vetëm për atë qëllim. Këto të dyja, policia dhe xhandarmëria, është mirë të kontrollojnë dhe kundërbalancojnë njëra-tjetrën në të gjitha fushat. Mbajtja e gjithë kësaj fuqie në një dorë të vetme,sikundër është policia aktuale, duam apo nuk duam, të çonte në abuzime. Ekzistenca e dy policive, por me varësi të ndryshme, i parandalon këto abuzime dhe njëkohësisht shton konkurrencën midis dy këtyre institucioneve. Në të gjitha vendet ku ekzistojnë xhandarmëria dhe policia e shtetit, gjithnjë ka rivalitet dhe tension midis tyre si dhe ekzistojnë edhe reputacione të ndryshme, ku Xhandarmëria është gjithnjë më e vlerësuar nga ana e popullatës, por eliminohet e keqja më e madhe. Për shembull, në datën 01.10.2010, në Ekuador, policia, duke qenë e fuqishme, si në rastin aktual tonin, bëri përpjekje për grusht shteti, por dështoi si rrjedhojë e ndërhyrjes së ushtrisë. Mirëpo, faktikisht ushtria jonë është më e dobët se policia e shtetit, pasi edhe forcat elitë i ka jashtë vendit, si rrjedhojë e detyrimeve e të qenit në NATO. Në rastin e ekzistencës së xhandarmërisë nuk mund të bëjnë grusht shteti as ushtria, as policia e shtetit, sado të fuqishme të jenë, pasi janë tre lloj forcash dhe është e pamundur të bien në ujdi. Njëkohësisht, ushtria nuk e ka të lehtë të ndeshet me xhandarmërinë, por edhe xhandarmëria nuk e ka të lehtë të ndeshet me ato të dyja, për një tentativë të atillë. Gjithashtu, duke qenë se xhandarmëria ka varësi të dyfishtë, (sikundër do ta shohim më poshtë), e ka shumë të vështirë që ajo vetë të bëjë grusht shteti dhe, si rrjedhojë, del garantë në këtë drejtim.
Sigal