DOSJER/ Dhjetor 1943. Nga rrëfimi i kolonel Nevruz Sulajt për pushkatimin e këshilltarëve. Çfarë ndodhi në Mallakastër gjatë Operacionit të Dimrit në vitet ’43-’44. Si u përpilua lista me 102 këshilltarë jokomunistë

Leonard VEIZI

Ditën e lindjes e kanë të ndryshme, por atë të vdekjes të njëjtë. Janë dhjetë këshilltarët e Hekalit, të cilët u kapën  në befasi pas një tradhtie dhe pas gjashtë ditë torturash të rënda, më 13 dhjetor të vitit 1943, pushkatohen nga një skuadër ushtarake gjermane. Ka qenë shumë afër për të qenë një dëshmitarë okularë. Por gjithsesi, Nevruz Sulaj, në atë kohë një partizan i besuar në krah të Mehmet Shehut, është kthyer në vendlindjen e tij Hekal për të marrë të freskët historinë e pushkatimit të 10 këshilltarëve të këtij fshati martir. Në këtë mënyrë ai tregon jo vetëm detaje nga 13 dhjetori i 66 viteve më parë, por bën dhe një ekspoze të të gjithë masakrës, që u krye në Mallakastër gjatë Operacionit gjerman të Dimrit ’43-’44, deklaron për Telegraf.

Urdhri i prerë për shkatërrim

Deri në vitet që po flasim, Hekali njihej si një nga fshatrat e mëdha të Mallakastrës. Ky fshat me tradita i dha Luftës 170 partizanë dhe 40 dëshmorë. Historia e Hekalit zë fill që në lashtësi. Rrënjët e jetës mund t’i gjesh në Hekal që nga periudhat më të hershme. Dëshmi e kësaj lufte është Bylisi, nga më të lashtët vendbanim ilir. Po nga ky fshat doli dhe Rrapo Hekali. Edhe në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare hekalasit e dhanë fjalën e tyre. Për këtë arsye, të gjithë oficerët pushtues që komandonin reparte për Hekalin kishin urdhër të prerë: “Hekali duhej të digjej”. Në këtë mënyrë u dogjën shtëpitë, kasollet, stanet. U vranë njerëz. Por Hekali ishte dhe një fshat që rrihej nga topat e ushtrisë. Në vitet e kësaj lufte në fshat vinte përherë grahmat e erës së barutit, buçimat e Vjosës dhe gjëmimet e  topave.

Iniciativa e Mehmet Shehut dhe Bilbil Klosit

Organizimi i Pushtetit Popullor në Hekal, në nëntor ‘42-‘44, u krijua me iniciativën e Mehmet Shehut e Bilbil Klosit. Mehmet Shehu thirri Shefqet Hekalin dhe Eqerem Shehun dhe iu dha porosi që të zgjidhnin njerëzit më të mirë për të plotësuar Këshillin e Hekalit. Ky këshill u formua në 28 nëntor 1942. Në luftën e Qafës së Sykuqit, në 5 shkurt 1943, Hysen Qazimi, u largua nga Këshilli Nacionalçlirimtar dhe u hodh me Ballin Kombëtar. Në korrik 1943, për të njëjtat motive, u largua dhe Zenel Brahushi.

Mes dy periudha lufte

“Kalorës të Ismail Qemalit”, kështu u quajtën aso kohe këshilltarët. Është i përbashkët ky epitet për këta burra. Disa nga ata ishin pjesëmarrës në ditën e ngritjes së flamurit në vitin 1912. Dhe pikërisht, në atë ditë të shënuar, u betuan: “Për këtë flamur do të luftojmë gjersa të zbojmë pushtuesit nga vatrat tona!”. Atdhedashuria dhe heroizmi i tyre është vazhdim nëpër vite dhe e përbashkët për të gjithë.

Në vitin 1920

Një nga këshilltarët kishte komanduar një çetë me 40 luftëtarë nga Hekali, që morën pjesë në luftimet për çlirimin e Vlorës më 1920. Epopeja e Luftës së Vlorës mbante prush të ndezur në ato vende atdhedashurinë, në veçanti te ata që ishin pjesëmarrës në këto luftime. Në jetëshkrimet e çdo këshilltari ka motivacionin e dekorimit me Urdhrin e të Flamurit ose me Urdhrin për Veprimtari Patriotike si pjesëmarrës në Luftën e Vlorës. Dhe Lufta e Vlorës është e përbashkët për ta.

E përbashkëta e të dhjetëve

Këshilltarët kishin punë. Të rënda ishin hallet dhe dertet e luftës. Kërkoheshin furnizime për vijat e luftës dhe dërgoheshin. Kërkohej të dërgohej bereqet në male për zonat që kërcënoheshin nga uria. Kërkohej të priteshin e të përcilleshin luftëtarët e reparteve partizane. Duhej të hidhej fara në tokë se s’dihej sa do të zgjaste lufta. Kërkohej… E çfarë nuk kërkohej nga këshilltarët. Kërkohej që njerëzit të mbanin dorën te puna e syrin te pushka. Ishin të përbashkëta hallet për të dhjetë burrat e zgjedhur në këshillin e fshatit, deklaron për Telegraf

Të panënshtruar

Nuk e bënë baltë hekalasit dhe në vitet sundimit të mbretit Zog. Ja, në jetëshkrimin e një ish- këshilltari shoh një fletë-arrestimi si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit. Për çdonjërin flitet që kishte të bënte me revoltat kundër mbretit. Hekalasve do t’u printe në krye Zenel Hekali dhe zbritën në Fier në ’35-ën. Shkuan dhe më tej. Hekalasit u rreshtuan në krah të kryengritjes. Edhe në këtë ngjarje janë së bashku këta 10 burra.

Islam Sadiku

U lind në Hekal, më 10 prill 1880. Ishte 63 vjeç, kur u zgjodh anëtar i këshillit. Në vitin 1912, Islam Sadiku e gjen veten kalorës me Ismail Qemalin gjatë ngritjes së Flamurit. Ai u veçua për trimëri në vitin 1920, në Luftën e Vlorës. Në vitin 1942, si burrë me të kaluar atdhetare, zgjidhet nga hekalasit, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Gjatë gjithë kohës Islam Sadiku qëndroi luftëtar i patundur në frontin e Luftës. Ai është dekoruar me Urdhrin e Flamurit.

Ali Ismaili

U lind në Hekal, më 6 qershor 1988. Ishte 56 vjeç, kur u zgjodh anëtar i këshillit. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës më 1920, pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit dhe i dënuar. Është dekoruar me Urdhrin Për Veprimtari Patriotike dhe me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Dytë. Ali Ismaili mori pjesë në luftimet e aksionet e para, si në Qafën e Sykuqit, në Rruzhdie, Patos dhe në luftimet e ashpra që u bënë në qershor-korrik të vitit 1943 kundër trupave fashiste italiane.

Isa Zeqiri

U lind më 5 mars 1898 në Hekal. Ishte 45 vjeç, kur u zgjodh anëtar i këshillit. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Isai ishte njëri nga 25 burrat e Hekalit që u arrestua në Lëvizjen e Fierit në 1935. Është dekoruar me Urdhrin për Veprimtari Patriotike. Ai u qëndroi me grusht hundëve të pushtuesve dhe tradhtarëve. Gjatë luftës u shqua si veprimtar. Është dekoruar dhe me Urdhrin e Lirisë së Klasit II si dhe me medalje të tjera.

Hamza Jonuzi

U lind më 9 qershor 1880, në Hekal. Ishte 63 vjeç, kur u zgjodh në Këshillin Nacionalçlirimtar të fshatit. Në 1912-ën Hamzai shkoi kalorës me Ismail Qemalin. Shërbeu në këtë detyrë deri sa u largua Ismail Qemali nga qeveria. Mori pjesë në Luftën e Vlorës, në vitin 1920 dhe u veçua për trimëri. Hamzai përqafoi Nacionalçlirimtaren. Është dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe për Veprimtari Patriotike.

Veli Hasani

U lind më 16 tetor 1899, në Hekal. Ishte 45 vjeç, kur u zgjodh anëtar i këshillit. Ishte 21 vjeç kur mori pjesë në Luftën e Vlorës bashkë me babanë e tij, Hasanin. Përqafoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u bë veprimtar i saj. Pas pushkatimit të tij me grupin e këshilltarëve të Hekalit është dekoruar me Urdhrin për Veprimtari Patriotike.

Hetem Sheme

U lind më 11 nëntor 1893, në Hekal. Ishte 50 vjeç, kur u zgjodh anëtar i këshillit të fshatit. Është dekoruar me Urdhrin Për Veprimtari Patriotike. Hetem Sheme, që në fillim përqafoi LANÇ. Hetemi u dallua në disa luftime. Në Operacionin e Qershorit 1943 fashistët i vranë vëllanë e madh. Humbja e vëllait nuk e tronditi, por e bëri më të fortë. Hetemi doli me armë në Luftë. Është dekoruar me disa urdhra dhe medalje.

Taip Ymeri

U lind më 4 maj 1900. Ishte 43 vjeç, kur u zgjodh në këshill. Taip Ymeri vjen nga trungu i një familjeje atdhetare, qysh në kohën e Rrapo Hekalit. Taipi ishte i thjeshtë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Ai u bë një nga veprimtarët më të flaktë në përkrahje të Luftës Çlirimtare. Në çdo mbledhje të fshatit e në çdo alarm Taipi ishte i pari. U pushkatua së bashku me 9 shokët këshilltarë. Është dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe dekorata të tjera.

Godo Kamberi

Lindi në Hekal, më 8 gusht 1902. Ishte 42 vjeç, kur u zgjodh në këshillin e fshatit. Familja e Godos mbështeti qeverinë e Fan Nolit. Ajo ishte një familje antizogiste. Godua u rrit më frymë atdhetare. Së bashku me Derish Hekalin organizuan një çetë. Me armë e pa armë, që më 13 gusht 1935, zbriti në Fier. Me dështimin e kryengritjes,  Godua persekutohet dhe futet në burg. Në vitet e Luftës ishte një nga aktivistët e parë. Është dekoruar me  Urdhrin e Lirisë.

Qerim Jemini

U lind më 10 tetor 1880, në Hekal. Ishte 63 vjeç, kur u zgjodh në këshill. Ngritja e flamurit në Vlorë, në vitin 1912, e gjeti Qerimin me pushkë në dorë. Ai, si shumë të tjerë, ndjehej krenar që ishte kalorës i Ismail Qemalit. Në vitet e Luftës së Parë Botërore burgoset dhe internohet, pasi refuzon të shërbente. Në 1920 mori pjesë në çlirimin e Vlorës. Në shtator ’42, kur u krijua njësiti i fshatit, veç djemve të tij, mori pjesë dhe Qerimi 63 -vjeçar.

Reshep Ymeri

U lind më 2 shtator 1880, në Hekal. Ishte  63 vjeç, kur u zgjodh këshilltar. Në vitin 1912, Rexhepi me një grup luftëtarësh nga fshati merr pjesë në mbrojtjen e qeverisë së Ismail Qemalit. Në vitin 1920, Rexhep Ymeri mori pjesë në Luftën e Vlorës së bashku me vëllanë e tij, Sakon. Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare Rexhepi u bë veprimtar i saj. Dekorohet me Urdhrin Për Veprimtari Patriotike.

HISTORIA/ Mallakastra, krahina ku u masakruan 41 këshilltarë

 “Mallakastrës i bënë benë/ Dogjën, vodhën, vranë e prenë”. Kjo këngë popullore shpesh një fakt, sa të vërtetë, aq edhe tragjik, këtu e 61 vite më parë në Mallakastër, gjatë Operacionit të egër gjerman të Dimrit ’43-’44. Nga fundi i nëntorit 1943, mbas luftimesh të përgjakshme kundër forcave të shumta gjermano-balliste, një pjesë e Brigadës së Parë Sulmuese dhe Grupi i Tretë i Mallakastrës, kaluan në zonat e lira të Skraparit, Tepelenës dhe në malet e Kurveleshit. Mallakastra u okupua plotësisht. Komandanti i operacionit në jug të vendit, kolonel Hysni Dema, me shkresën numër 236/1, datë 7. 12. 43 urdhëronte: “Të mposhtet me çdo mjet rezistenca në Mallakastër. Simpatizantët, aktivistët dhe këshilltarët, në rast se nuk nënshtrohen, të pushkatohen”.

Për të realizuar këtë synim, u krijua në Fier Batalioni i Xhandarmarisë Civile, me komandant, majorin Besim Belishova.  Në mbështetje të tij, u radhitën çetat e Ballit, të Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës. Kontingjenti i këtyre forcave njihej fare mirë nga populli, ata ishin spiunë, kriminelë, keqbërës, hajdutë ordinerë e deri fukarenj të gënjyer me ndonjë karroqe misër apo leckë lufte. Së dyti, ata piketuan më së miri shtëpitë dhe familjet baza të Luftës Antifashiste, nismëtarët, aktivistët e në radhë të parë këshilltarët, me format më të pabesa, me premtime, presione, spiunllëqe, me kërcënime, djegie shtëpish, marrje të pasurisë, internim familjesh e deri te arrestimi e torturimi i prindërve, grave dhe fëmijëve. Batalioni i Xhandarmërisë Civile mundi të shtinte në dorë shumë nga këshilltarët e Mallakastrës. Duke filluar nga 13 dhjetori i vitit ‘43, ditën kur u pushkatuan dhjetë këshilltarët e Hekalit e deri në fund të marsit ’44, ky batalion famëkeq, veç krimeve të paskrupullta dhe egërsinë me popullin, pushkatoi barbarisht 41 burra, këshilltarë të Mallakastrës. Por këta ishin vetëm një pjesë e emrave të listës, pasi në të vërtetë ajo ishte e përbërë nga 102 aktivistë dhe patriotë, midis tyre dhe disa nëna dhe gra. Ata ishin të gjithë anëtarë këshillash.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, mosha e tyre varionte nga 40 deri në 65 vjeç. Disa nga këta kishin marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Në përgjithësi rezultojnë luftëtarë të 1920-s. Asnjë prej tyre nuk ishte komunist. Asnjë prej tyre nuk u kap i armatosur në luftime e veprime luftarake. Nevruz Sulaj thotë: “Et’hem me bindje se ata nuk dinin se ku binte Mukja, as ç’ishte thënë e bërë atje. Ishin të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli. Ata bënin detyrën e rëndë, por patriotike të këshilltarit, kujdeseshin për fshatin, ndihmonin të varfrit dhe të pastrehët, pajtonin grindjet dhe zgjidhnin mosmarrëveshjet, mblidhnin ndihma për luftën, prisnin, strehonin dhe furnizonin me ushqim çetat me partizanë. Këtu lind pyetja: Përse brenda një muaji u pushkatuan 41 këshilltarë në Mallakastër? Cilët qenë inkuizitorët e xhelatët e ekzekutimit të tyre? Duhet të jepnin llogari kriminelët që lanë duart me gjakun e popullit?” ( Dhënë për Telegraf  në Janar 2007 )

QËNDRESA: Pushkatimi pas gjashtë ditë torturash

Këshilltarët e Hekalit u kapën të tradhtuar, deklaron për Telegraf. Disa ditë radhazi ata u torturuan keqas. Nevruz Sulaj thotë se ata u vunë nën tortura nga nazistët dhe ballistët. Ishin pikërisht ata këshilltarë, të cilët luftuan dhe shërbyen nën qeverisjen e Ismail Qemalit. U vunë nën tortura gjithashtu ata që sulmonin në vitin 1920 në Shashicë e Drashovicë. Gjashtë ditë nën tortura. Nevruz Sulaj thotë se ata nuk u dhanë për asnjë çast, duke mos e tradhtuar idealin e tyre. Thonë dëshmitarët: “Edhe para pushkatimit, ata 10 burra nuk u dhanë”. Foli njëri prej tyre, Sadiku: “Frikacakun e ndjek frika si rrodhe. Qëndroni vëllezër!” Tjetri, që ishte në krah të tij, psherëtiu, “Eh, Eh”!  Përse ai e lëshoi atë rënkim të rëndë? Ai gjithë jetën fjeti me dyfek nën kokë, dhe ja, kur iu desh, nuk e pati. Qëndronte i heshtur se ishte krahëkëputur. Një i tretë, shau. U lëshoi pështymën vrasësve. Gjithë kohën ai i kishte goditur armiqtë me plumba. Edhe në çastet e fundit ai foli: “Qëllo, o bir bushtre! Qëllo, o tradhtar! O bastard i kombit”. Ai tjetri, që mbahej këngëtari më i mirë i fshatit, njeriu që i thurte këngët në gëzime, në poganiqe djemsh, në dasma e në vaje, edhe në çastin që i drejtuan pushkën për ta vrarë, ia mori këngës. Dhe ata burra sypatrembur, më 13 dhjetor 1943, i kositën plumbat e togës së pushkatimit.