Luftimet në territoret e ish-Jugosllavisë, varfëria ekstreme dhe koha e acartë

472
Safet N. Ramolli

– Vijon nga numri i kaluar –
Naxhi Zhupa, pas pak ditësh hyn në vitin e 89-të të jetës. Partizan në Ushtrinë Nacional-Ҫlirimtare nga fillimviti 1944, pjesëtar i Brigadës së 8-të Sulmuese, një ndër formacionet partizane më të konsoliduara dhe më rezultative
Lexuesi është i interesuar të dijë më shumë për kushtet e motit dhe të terrenit, por edhe për mbështetjen që gjetët tek njerëzit e thjeshtë.
Kemi vepruar në kushte tejet të vështira. Ato kohë të sjella tani para lexuesit mund të duken të pabesueshme. Nuk e tepronin disa shokë kur shpreheshin: “Këtu nuk e marrim vesh se kur lind dhe kur perëndon dielli, jo vetëm në ditë me rreshje dhe mjegull, por edhe në kohë me diell”. Në këto kushte të gjithë ne kishim nevojë për ndihmën e “të zotit të shtëpisë”, pra të komandave partizane jugosllave etj. Por atë ne nuk e pamë dhe as e gjetëm, sikurse e kishte nevojë lufta e përbashkët. Me të drejtë na lindi pyetja e ligjshme por edhe torturuese: “Përse kështu?!” Por edhe menjëherë na vinte përgjegja, por krejt e qartë, por edhe kjo munduese: “Ata janë duke luftuar dhe duke u marrë me veprime “të mëdha” andej nga Bosnja Jugore e gjetkë”. Por edhe kur u takuam dhe që na lidhnin veprimet luftarake, binte në sy dukshëm ftohtësia prej akulli e tyre. Në veçanti në disa zona të Bosnjës Jugore ku edhe kaluam, ky qëndrim ishte krejt i lexueshëm. Në zonat e Malit të Zi, ku edhe popullsia ishte më e varfër, qëndrimi ishte më dashamirës, kurse në Bosnjë nuk ndodhte kështu. Sa më shumë largoheshim nga kufiri shtetëror, aq më tepër na shtoheshin vështirësitë për ushqim, municion dhe ndihmë mjekësore. E kishim të qartë se burimi për armatim ishte armiku, prandaj kështu edhe vepruam në Mal të Zi dhe në Bosnjën Jugore. Por edhe kjo nuk mund ta zgjidhte problemin, sepse kapnim vetëm armatim gjerman, kurse partizanët kishin armatim të prodhimit nga më të ndryshmët: italian, grek, anglez, francez etj. Por, siç e theksuam më lart, uria zinte kudo vendin e parë ndër rreziqet. Aqë e theksuar ishte kjo, sa që prej 28 dhjetorit 1944 deri më 2 shkurt 1945 në veri të Plevles nuk “u takuam” asnjëherë me asnjë lloj buke, përveç tre rasteve që intedenti na ndau bukë tërshëre. Kishim dëgjuar se mund të rrohet edhe me bar, dhe këtë provë e kaluam në Mal të Zi dhe në Bosnjën Jugore në fshatrat Mataruge dhe Brulje. Intedenti ynë këtë e kuptonte mirë, por nuk kishte nga t’ia mbante dhe ku të mbështetej, përveçse t’i drejtohej popullsisë së rrallë vendase për ndonjë kokërr patate apo një gjysmë kalliri misër të zjerë në ditë, që do të ishte ushqimi ynë më i shijshëm. 

Në luftë ka ngjarje që lënë gjurmë të pashlyeshme, ju lutem na sillni në vëmendje 2-3 të tilla.
Në çdo ditë luftimi ka ngjarje që mbahen mend përjetësisht. Ato kryesisht janë trishtuese dhe rrallë edhe të gëzueshme. Ja dy-tri nga ato. Pasi kemi kaluar luginën e thellë që nis diku në afërsi të maleve të Verushës, më 6 janar 1945 arrijmë në jugperëndim të qytetit të vogël Kolashina. Ndalemi pak për të pritur radhën e kalimit mbi lumin e rrëmbyeshëm. Këtu kalimi i reparteve dhe i banorëve të paktë vendas, bëhej mbi një dërrasë të vetme pishe të mbështetur mbi kullën e një tanku gjerman të dalë jashtë funksionimit, të cilin popullsia e zonës dhe partizanët e kishin rrokullisur në mes të lumit dhe shërbente si këmbë mbajtëse e urës. Ky tank i mallkuar, tregonin vendasit, u kishte shërbyer për një kohë të gjatë gjermanëve për të kontrolluar kalimin mbi urë dhe për të goditur me zjarr zonat për rreth. Por ja që më në fund kishte përfunduar edhe vetë në mes të lumit, sepse ndjekja nga partizanët ishte aq e befasishme sa që nazistëve nuk u dha kohë të merrnin frymë dhe jo më të ndiznin motorrin në atë të ftohtë therës, që shpesh herë i kalonte minus 26 gradë. Ata, me që tanku mund të binte në duart e partizanëve, i shpërthyen predhat e artilerisë të topit të tankut. Shokët e pararojës, pasi qenë këshilluar edhe me banorët vendas, nuk kishin gjetur mundësi tjetër kalimi veçse ngritjes së një kalimi të përkohëshëm. Prandaj shfrytëzuan pjerrësinë e terrenit dhe akullin e trashë për ta shtyrë këtë mjet kaqë të rëndë drejt e në mes të lumit. Nga kulla e tankut në të dy brigjet ishte një hapësirë afërsisht 6-7 m. Mbi kullën e harkuar të tankut mund të vendosej vetëm një dërrasë ose binar 20-30 cm. i gjerë, por në atë zonë nuk mund të gjeje qoftë edhe një kokërr të vetme gozhde, për ndërtimin e kalimit. Me sopata u gëdhendën në formë dërrase dy binarë, dhe me shumë mundim u shtrinë nga kulla në të dy anët e lumit. Pra “ura” u ngrit, dhe mbi të kalonin për matanë banorët e paktë dhe luftëtarët, duke patur nën këmbë atë kullë metalike hijerëndë me kryq të zi të thyer dhe grykë të ngulur në tokë. Por kalimi i një hapësire prej 10-12 m. mbi një dërrasë të vetme kur shpejtësia e erës dhe e ujit poshtë këmbëve ishte e madhe, nuk ishte gjë e lehtë. Nuk bëhej fjalë për dëmtim apo për t’u lagur nga uji, por për rrezikimin seriozisht të jetës për secilin që i vinte radha për kalim. Aq më tepër që mundësi dhe masa shpëtimi, të cilat i njohim dhe përdorim në kohët e sotme, nuk mund të siguroje. Me kujdes filloi kalimi i kompanisë, dhe deri afër fundit gjithçka shkoi mirë. Shumica e shokëve kishin përvojë të mjaftueshme, sepse në dimrin 1943-1944 dhe gjatë verës e vjeshtës 1944, u kish rënë rasti disa herë të kalonin në këmbë dhe të kapur dorë për dore lumenjtë; Vjosa, Drinos, Osum, Shkumbin, Erzen, Mat etj. Më 6 janar 1945, rreth orës 09.oo, kur prisnim që të kalonim me sukses edhe shokët e skuadrës së fundit, njëri prej tyre rrëshqiti nga “dërrasa-urë”, dhe në pak sekonda u gjend në lumin e rrëmbyeshëm, të cilin e përpiu rryma. U duk sikur çdo gjë mori fund për keq, por ja që komisar Skënderi nuk u pajtua me “oreksin” e së keqes. Si zakonisht me shpejtësi “rrufeje”, siç thotë populli, lëshoi automatikun në dorën e një partizani, dhe sikur të ndodhej në ndonjë pishinë noti me prezencën e notarëve të sprovuar për sigurinë, u zhyt në lumë sa të hapësh e të mbyllësh sytë. E kapi për cepin e kapotës dhe e tërhoqi drejt rrjedhës për në bregun më të afërt. Ndërkohë disa nga ata që i shkuan në ndihmë, i nxorrën jashtë rrjedhës së ujit. Njëri nga partizanët, në mos gaboj Shefqeti, e kapi shokun e ngopur përgjysmë me ujë, e ngriti nga shpina, e vendosi përmbi gjurin e këmbës, dhe filloi ta shtrydhte si limon për të nxjerrë ujin e thithur. Kështu shoku ynë erdhi përsëri në jetë. Komanda e Përgjithëshme, në analizë të situatave konkrete por edhe duke gjykuar perspektivën, urdhëroi kthimin e Partizanëve-Pionierë 14-15 vjeçarë në Shqipëri, për t’i arsimuar si kuadro të së ardhmes. Data 25 janar 1945, na gjeti pjesërisht në fshatin Biogovica të rajonit Buce, rreth 10 kilometra në juglindje të qytetit të vogël Rudo, të Bosnjës Jugore. Pikërisht në këtë kohë në Njësitë e Divizionit vjen “Urdhri Nr.456, dt. 5 Dhjetor 1944” i Komandës së Përgjithshme të UNҪSH. Në urdhër, në mënyrë taksative, theksohej, se kjo kategori e partizanëve kishte më shumë nevojë se çdo kategori tjetër për t’u shkolluar, për të përmbushur nevojat që kishte Ushtria Shqiptare për kuadro kompetentë. Në Tiranë, ishin marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u çelur e para Shkollë e Mesme me profil civilo-ushtarak. Fillimisht ky institucion u quajt “Shkolla e Pionierëve” (në vitin 1945), paksa më vonë (më 1946), u quajt “Shkolla e Kadetëve”, dhe pas një viti, mori emrin “Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, emërtim që pati mjaft jetëgjatësi. Por kthimi, sikurse do ta shprehim më poshtë, u shoqërua me mjaft vështirësi, për shkak të pengesave dhe pasigurive, jo vetëm të natyrës dhe motit por edhe të ballafaqimit të mundshëm nga çasti në çast me armikun. Grupi që kthehej, përbëhej nga rreth 73 persona, (nga të cilët 8 ishin shoqe partizane), por edhe dy toga me luftëtarë armenë (ish robër lufte të kapur nga Ushtria Gjermane në pranverë 1942 në Ukrahinë dhe të kthyer në ushtarë për llogari të tyre, të vendosur në bregdetin shqiptar, konkretisht në Shetaj, midis Manzës dhe Gjirit të Lalëzit, pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943). Fillimisht nuk dinim asgjë se përse na kishin thirrur. Por, me të ardhur gjithë të lajmëruarit nga Brigadat e Divizionit të 6-të, përkatësisht nga Brigada e 6-të, e 7-të, e 8-të dhe e 22-të, Sami Aliaj (Muhametaj) nga Kajca e Dëshnicës së Përmetit, i cili ishte njëherësh edhe komandant i batalionit të 3-të të Brigadës së 8-të, pa hyrje e dalje, na komunikoi gojarisht urdhërin e Komandës së Përgjithëshme, pa na lënë aspak kohë për të bërë ndonjë ankesë apo për të sqaruar ndonjë paqartësi. Në njëfarë mënyre nuk ndiheshim “të qetë” që po largoheshim nga vija e parë e frontit me armikun. Për të udhëhequr rrugëkalimin e kthimit ishte caktuar Xhako Kajca, që e njihnim të gjithë, jo vetëm si burrë të moshuar, por edhe si luftëtar i hershëm, si komandant partizan që ishte kthyer gati në legjendë për trimëri, urtësi dhe kompetencë në drejtimin e batalionit. Me Xhakon vumë re që ishte ngarkuar edhe një djalë i ri, rreth të njëzet e pesave, quhej Gjergj Marku. U grupuam sipas Brigadave që u përkisnim, dhe nisëm rrugëtimin drejt jugëperëndimit nga kishim ardhur. Darka na zuri në qytetin e vogël dhe gjysëm të shkatërruar të Plevljes. U strehuam në dy-tre dhoma boshe të një ndërtese qytetare, por natyrisht pa asnjë lloj ngrohjeje apo mbulese. Më 26 janar 1945 vijuam rrugën, dhe pas nja 12-14 orë marshim arritëm në fshatin Suhavicë, i cili i kishte shtëpitë shumë të përhapura në ca gryka e kodrina të mbuluara me shkurre. Unë në gjithë rrugëkalim udhëtova hap pas hapi me dy shokë të mi të fëmijërisë, të Luftës, të shkollës dhe të jetës, të rrallë si të tillë. Njëri ishte Zenel Koshaj, nga Medari i Kolonjës (Kurveleshit), tjetri ishte Naçi Sevo Prifti, nga Piqerasi, me të cilin ishim jo vetëm shokë fëmijërie, por edhe kishim miqësi familjare shumë të hershme. Në Suhavicë, të tre na bazuan në një familje boshnjake, që dukej krejt qartë, se ishte e varfër midis të varfërve në atë zonë. Kur dëgjuan prezantimin tonë me emrat Zenel, Naxhi dhe Naçi, menjëherë na thanë: “Ovaj imeni je arabci” – “ky emër është arab”, dhe njëkohësisht artikuluan edhe emrin Egjypt. Nuk kaloi as një orë, dhe një kazan prej bakri, ndoshta 60-70 litrash, ishte gati në brinjë të dhomës, në një tip aneksi, i cili ndriçohej vetëm nga zjarri i dhomës. Në atë banjë “moderne”, bëmë banjë njëri pas tjetrit, dhe veshëm teshat rezervë që na u ndodhën nëpër çantat e shpinës. Në darkë të zotët e shtëpisë na vunë përpara për të ngrënë vetëm disa kokrra patate të ziera, por edhe një kupë me oshaf (kumbulla të thata) apo komposto, por të pa ëmbëlsuara me sheqer. E hëngrëm çka kishim përpara me mjaft nxitim, kuptohet si të uritur që ishim. Por, me sa duket, plaka e shtëpisë na kishte vrojtuar me kujdes mënyrën si u darkosëm, dhe si pa kuptuar e përsëriti “menunë”. Pas kësaj na kaluan në një dhomë tjetër, dhe atje na kaplliti gjumi si “të vdekur”. Të nesërmen, siç e kishim lënë fjalën me përgjegjësit tanë, u ngritëm herët nga gjumi, me qëllim që të arrinim sa më parë në kufirin e Malit të Zi, drejt qytetit Kolashina, dhe për të vazhduar sa më shpejt të ishte e mundur drejt kufirit tonë shtetëror. Ndiheshim kaq të kënaqur nga këta njerëz tejet të varfër por me shpirt të gjërë dhe human.

Safeti: Zoti Naxhi, krejt natyrshëm, Ju keni shumë për të thënë, por unë do t’Ju falënderoja për këto përjetime të prekshme që i pëcillni lexuesit. Ato, edhe pse të shkuara në kohë, me që vijnë nga njerëz që kanë qënë pjesëmarrës aktivë në ato zhvillime, janë bindëse dhe kanë vlerë më tepër se sa leksionet që mund të japin edhe historianët më të besueshëm. Duke përfunduar ju uroj: jetë të gjatë, shëndet të mirë, mendje të kthjellët, dhe pse jo, edhe penë të mprehtë, për të sjellë nga “arkiva” e juaj e pashterrur, më shumë informacion për atë periudhë të lavdishme të popullit shqiptar.

Naxhiu: Ju faleminderit ju për mundësinë që na jepni, që hera-herës t’u rikthehemi atyre viteve të stuhishme, “të shtrydhim” kujtesën dhe të zbardhim shënimet e mbajtura me laps kopjativ në blloqe xhepi, të cilat i ruajmë si gjëra të shenjta dhe të shtrenjta.