JA DATAT KUR DO NDAHEN SHPËRBLIMET E PENSIONISTËVE

713
Grafiku, ja datat kur do të ndahen shpërblimet për pensionistët
ISSH dhe Posta Shqiptare firmosin marrëveshjen për ndarjen e pagesave. Kur duhet të paraqiten të moshuarit dhe çfarë ndodh me pensionet në banka
Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare firmosën dje marrëveshjen për ndarjen e shpërblimeve të fundvitit për të gjithë pensionistët. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Posta Shqiptare merr përsipër të kryejë pagesën e shpërblimit të festave të fundvitit pensionistëve, në qendrat e saj paguese. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, është hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. Sipas grafikut, të gjithë përfituesit e këtij shpërblimi, duke filluar nga dita e nesërme, 15 dhjetor deri më datë 30 dhjetor 2017. Pensionistët që e marrin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, shpërblimi i fundvitit do t’u kalohet në llogarinë bankare të çelur për kreditimin e pensionit mujor. Kalimi i shpërblimit në llogarinë bankare do të bëhet në datën 20 dhjetor 2017.

Nga ky vendim do të përfitojnë gjithsej 648 916 persona. Përkatësisht, do ta përfitojnë shumën prej 3 mijë lekësh 498.242 persona, të cilët përfitojnë pensione urbane pleqërie, invaliditeti dhe familjar, 132.530 persona, të cilët përfitojnë pensione fshati, pleqërie, invaliditeti e familjar, 11.876 persona, të cilët përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, 4.018 persona, të cilët përfitojnë trajtimin e veçantë financiar të ish-punonjësve të nëntokës dhe ish- punonjësve të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake, si dhe 2.250 personat, të cilët nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për Merita të Veçanta apo që marrin pension social. Sipas marrëveshjes, të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 30 dhjetor do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin janar e në vazhdim gjatë vitit 2018.

Drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, u shpreh se në prag festash pensionistët meritojnë vetëm lajme të mira. “Falë mundësisë që na ka dhënë marrja në kohë e këtij Vendimi nga Këshilli i Ministrave, jam i sigurt që shpërndarja e shpërblimit do të bëhet në kohë dhe me cilësi, duke iu dhënë mundësinë përfituesve që ta tërheqin atë, duke filluar nga dita e nesërme deri në datën 30 dhjetor 2017”, tha Hado. Sipas tij, për të gjithë ata përfitues që nuk mund ta tërheqin shpërblimin deri në këtë datë, ata mund ta marrin atë në çdo kohë. “Për ne është e rëndësishme që qytetarët të marrin përfitime të drejta dhe në kohë sa më të shpejtë, sepse ata që kanë punuar gjithë jetën meritojnë respekt dhe trajtim dinjitoz”, u shpreh kreu i ISSH-së.

Qeveria vendosi dy ditë më parë se efektet financiare, që rrjedhin nga shpërndarja e shpërblimit për pensionistët dhe arrijnë në rreth 2 miliardë lekë, do të përballohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore, i miratuar për vitin 2017. Kjo shumë do të ndahet: 1.948 milionë lekë për dhënien e shpërblimeve dhe 12 milionë lekë për pagesën e komisioneve të shërbimit për pagesën e shpërblimeve.
GRAFIKU I PAGESAVE
Pagesa e Shpërblimit do të kryhet në qendrat paguese të pensioneve në të gjithë vendin, duke filluar nga data 15 deri më datë 30.12.2017, si më poshtë:
Më datë 15 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 dhjetor 2017. 
Më datën 18 dhjetor do te tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 4 dhjetor.
Më datën 19 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 5 dhjetor.
Më datën 20 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 6 dhjetor.
Më datën 21 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 7 dhjetor.
Më datën 22 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 8 dhjetor.
Më datën 25 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët qe tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 11 dhjetor.
Më datën 26 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në ketë datë dhe ata që e kane tërhequr pensionin në datën 12 dhjetor.
Më datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 13 dhjetor.
Më datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 14 dhjetor.
Më datën 29 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe raste te tjera që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara.

Për pensionistët që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 20 dhjetor e në vazhdim.
Sigal