Lufta e Vlorës, pse emrat e protagonistëve i harroi historia

2639
MSc. Albert HABAZAJ*/ studiues/
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, Lufta e Vlorës, 1920 dhe heronjtë e saj
Vijon nga numri i kaluar 
“Kuvendi zgjodhi një komitet prej 12 anëtarësh, – shkruan historia, – i cili u ngarkua për organizimin dhe për drejtimin e kryengritjes. Kryetari i tij u zgjodh përsëri Osman Haxhiu, ndërsa anëtarë Sali Bedini, Qazim Koculi, Hazbi Cano, Ahmet Lepenica, Murat Miftari etj. U zgjodh gjithashtu edhe një komision ushtarak, që do të merrej me organizimin dhe drejtimin e veprimeve të armatosura, në krye të të cilit u caktua në fillim Ahmet Lepenica dhe pak më vonë Qazim Koculi. Me përjashtim të disa bejlerëve vlonjatë, si të Eqrem bej Vlorës, që e quante “marrëzi” të ngriheshin armët kundër një fuqie të madhe, pjesa tjetër e rretheve me ndikim në qytet dhe në krahinë u rreshtua në anën e luftës”. Nuk na duket e drejtë që në tekstin më të rëndësishëm historik të Shqipërisë për kohën e sotme s’përmenden të 12 emrat e anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që drejtoi atë epope legjendare, e cila për nga lavdia dhe jehona që bëri krahasohet denjësisht me betejat epokale të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Koha dhe brezat vlen t’i kujtojnë për jetë emrat e viganëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, që përbëhej nga kryetari Osman Haxhiu vlonjat, me origjinë nga Armeni, ose Osmën Nuri, siç i thoshte populli, me anëtarë Sali Bedini nga Armeni, Hamit Selmani nga Dukati, Duro Shaska nga Koculi, Hazbi Cano nga Mavrova, Beqir Sulo Agalliu ose Beqir Sulo Vlora nga Vlora, Ali Beqiri nga Velça, Alem Mehmet Agai ose Alem Tragjasi nga Tragjasi, Hysni Shehu nga Sevasteri, Qazim Kokoshi nga Vlora, Murat Kapo Miftar Habazaj ose Murat Tërbaçi nga Tërbaçi, Myqerem Hamzaraj nga Kanina, ndërsa major Ahmet Cani Lepenica nga Lepenica dhe kapiten Qazim Koculi nga Koculi, kronologjikisht, ishin komandantët e Luftës së Vlorës. Kur komisioni i luftës e vendosi qendrën në Drashovicë, ku u formua prefektura, komanda, gjyqi, policia, xhandarmëria etj., Qazim Kokoshi u caktua prefekt, ndërsa komandant Qazim Koculi. (Më parë si komandant qe Ahmet Cani Lepenica, por në Kotë u zëvendësua nga Q. Koculi dhe Cani u caktua komandant i xhandarmërisë. U formua dhe një gjykatë. Sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” ishte Halim Xhelua. Ky informacion na vjen nga kujtimet e botuara të patriotit Gani Iljaz Abazi, i cili ka qenë pjesëmarrës me armë në dorë i Njëzetës, ka qenë ndërlidhës i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe njëkohësisht korespodent i gazetës së përjavshme politike e shoqërore “Drita”, gazetë që botohej në Gjirokastër nga Veli Harshova dhe që mbajti qëndrim patriotik, që u rendit në krahun përparimtar të kohës, që u ngrit kundër pushtimit Italian të Vlorës dhe kundër ndërhyrjeve të shovinistëve fqinjë në Shqipëri. Një libër më i vjetër historie shkruan se Kuvendi i Barçallasë zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 vetësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes. “Kryetar i komitetit u zgjodh përsëri Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përëbërë prej oficerësh nën kryesinë e Qazim Koculit, ish-oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake”. Nuk përmend asnjë emër tjetër nga ai komitet burrash me peshë specifike për kombin, sepse ideuan, organizuan dhe udhëhoqën drejt fitores Luftën e Vlorës, më 1920 dhe vendosi fatet e Shqipërisë. Studiuesi Enver Memishaj (Lepenica) i quan ata viganë “emblema e një epopeje”. Libri i historisë së Shqipërisë, botuar më 1965, që iu referuam, përmend vetëm këtë fakt: “Shembull të lartë heroizmi tregoi në këto luftime (në kodrat e Babicës, në qafën e Koçiut – shën. im: A. H) fshatari plak nga Salaria e Tepelenës Selam Musaj komandat i çetës së fshatit të vet, i cili ra dëshmor në ullishtet e Vlorës.”. Është interesant fakti, se si historia, si epika historike janë treguar indiferentë e të mbyllur ndaj figurave të udhëheqjes strategjike të luftës (të anëtarëve të KMK), duke i përmendur tepër pak, kur kontributi i tyre ishte tepër i madh. Ndaj figurave të udhëheqjes taktike (komandantëve të çetave të fshatrave apo dhe trimave apo dëshmorëve) historia e ’65-ës përmend vetëm heroizmat e plakut Selam Musai që u vra duke luftuar, kur tundej vendi nga “gunat përmbi tela” që agresori i kishte vendosur në front të pengonte përparimin e trupave kombëtare me luftim për shporrjen e italianëve pushtues nga Vlora; ndërsa historia e 2007-ës përveç S. Musait përmend dhe Zigur Lelon, Dule Dajlanin, Toto Bolenën, Myhedin Mystehakun, Sino Micolin, Kanan Mazen dhe Sali Muratin. Vihet re diçka më ndryshe, më e hapur, më pozitive, një farë korrigjimi për të ndrequr gabimet e të metat, që si historianët ashtu edhe krijuesit popullorë i kanë bërë, të diktuar nga presioni i diktaturave në rrjedhat e kohës. Folklori, gjithsesi ndryshe nga historia, sidomos për figurat e udhëheqjes taktike të luftës, për dëshmorët dhe për trimat e kësaj epopeje, qysh atëherë, kur vendi tundej nga “gunat përmbi tela”, ka shpërthyer furishëm me gjithë arsenalin shpirtëror, me një mozaik figurash artistike spontane që të befason. Këngët për të rënët në luftë, për trimat e “vegjël”, që s’ishin të dëmshëm për regjimet, asnjëherë nuk u ndaluan, as nga regjimi i Zogut, as nga ai i Hoxhës, sepse përfaqësonin masën e thjeshtë fshatare, që bëri sakrificën më sublime dhe që nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri hierarkike për ata që kërkonin himnet vetëm për vete dhe nuk ua cenonte dot kush kultin mitik që u thurnin vasalët të detyruar apo dhe njerëzit e mundshëm me dëshirë. 
Shkurt, e vërteta është se 12 anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të Luftës së Vlorës, 1920 (KMK të LV) gati janë lënë në harresë nga historiografia e kaluar.
2.2. Arsyet e vërteta që emrat e KMK t’i merrte harrimi memorial dhe zvetënimi historik
Me fillimin e erën së re demokratike, për Shqipërinë po shkonte, të paktën, haka morale tek i zoti që i takon. Por prapë zhurmënajë, mjegullnajë, rrëmujhane në vlerësime, në fjalime, në botime, në klasifikime. Tirrej e tirrej filli e s’po i vihej pika mbi ì personave historikë të lënë në errësirë e më keq akoma, të quajur armiq të popullit. Parë me syrin e kohës që lamë pas, jo vetëm anëtarët e KMK, por edhe luftëtarë të tjerë të shquar në LV, në personalitetin e tyre kanë patur dritë, por kanë patur dhe hije. Dje iu hoq drita, ju retushuan vlerat, u la vetëm profili i errët i tyre, i theksuar, i avancuar. Sot ju hoq hija, errësimi dhe iu la vetëm ndriçimi i qenësishëm, deri në dritë pa limit. Shumë i çuditshëm na duket ky qëndrim, kjo metamorfozë që dëmton e nuk bën mirë. Na duket se, për këto gjëra kemi të bëjmë me probleme karakteri, se të kalosh nga ekstremi në ekstrem, sipas erës që fryn, nuk ëshët cilësi pozitive. As rrumbullakosja, suvatimi e patimimi i dritave apo hijeve në personalitetin e figurave të LV nuk është i dobishëm për kurrkënd. LV, me historinë e saj të shkruar na dha heroin historik. LV, me ciklin e këngëve të EHLV, me folkorin e saj të kënduar, na dha heroin kulturor. Dhjetë nga dymbëdhjetë familjet e anëtarëve të KMK të LV u shpallën “armiq populli”. Shpëtoi vetëm familja e Sali Bedin Armenit dhe Murat Miftar Tërbaçi, se ishte xhaxhai direkt i Hysni Kapos, që, gjithsesi, për hir të së vërtetës, mbeti në hije. Këtë fakt e lexojmë dhe e interpretojmë kështu: Nuk iu përmend emri fare, as për mirë, as për keq, se, edhe pse xhaxha i H. Kapos, ai kishte miqësi e rrethana me Qazim Koculin e të tjerë burra të rëndë kazaje. Ky qëndrim, domethënë, hesht ti, xha Murat, se vërtet ke atë, po miqtë e tu sikur i di ku janë, ndaj…Luftëtarë të tjerë të rëndësishëm, që ishin gjallë më 1945, patën këtë fat: Qazim Kokoshi, anëtar i komisionit vdiq në burg; Avdul Kuçi, prokuror i luftës, deputet, u gjykua nga gjykatat pa jurist u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 1945; Hasan Hysua, luftëtar dhe komandant i çetës së Velçës, oficer i Zogut, komandant i BK, njeri me autoritet dhe influencë, s’ ia kishte nevojën askujt, pasi nuk kishte as ambicione, me një jetë të kulluar e panjollë, pa i bërë keq as mizës, kur thonë, vritet nga komunistët në Krujë më 31. 12. 1944; Tahir Hoxha, Feim Çelo Kallarati etj., u burgosën. Të vrarëve u vihej damka “armik”, “spiun”, “fashist”, “tradhëtar’, “borgjez”, “grabitës” etj. Në qytetin e Vlorës banon Fahri Shaska, 80 vjeç burrë, që është dhe një bartës i admirueshëm i memories sociale, ruajtës dhe përdorues racional i dokumentit original. Ka një bibliotekë të pasur ku gjen informacione të rralla me shumë vlerë historike dhe pothuaj të papublikuara më parë. Sipas tij kemi këto gjykime: Osmën Haxhiu, i pari i LV, u la në hije sepse Myedin O. Haxhiu, djali i Osman Haxhiut, edhe pse qe kryetar bashkie, iku nga Shqipëria dhe u etiketua “I arratisur politik”. Djali tjetër i tij, Galip O. Haxhiu, u arratis më 1944. U kthye e vdiq në Vlorë më 1993. Qazim Kokoshi ka qenë firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, 1912. Kryesoi LV më 1920, deputet e kryetar bashkie. Vdiq në burgun e Vlorës më 1947. Qazim Koculi – Komandant i Përgjithshëm në LV, 1920, senator, deputet, ministër, kryeministër. U vra nga italianët, më 02. 01. 1943. U shpall “armik i popullit”. Duro Shaska, me pasuri e shpirtin e sakrificës, që me Ismail Qemalin për atdhe, u anatemua, sepse edhe Sadik Duro Shaska, i biri i Avdurrahmanit, ishte oficer i I. Qemalit, por katër herë deputet i Zogut, kryetar i qarkorit të BK… Azis Çami, komandant i Grupit të Artilierëve në luftën e Njëzetës humbi, sepse u ekspozua si komandant i Ballit Kombëtar, pasi ra Hysni Lepenica. Alem Mehmet Tragjasi pati djalin aktivist të BK. Ushtarak me gradën kapiten. Arratiset më 1944. Vdes në Australi. Po kështu Emin Mehmeti, Dino Mehmet Alemi, Alem Mehmet Alemi, u dënuan si djemtë e Mehmet Alemit, po Alem Mehmeti i Parë i historisë i kishte nipër. Kështu edhe me Ali Beqirin, me kapital të madh dhe atdhetar bujar, një nga të Dymbëdhjetët, se kishte djalë Kujtim Beqirin, inxhinier me medalje të artë në Zvicër. Kujtimi dënohet dhe vritet më 22.11. 1946, në Maliq të Korçës. Kujtesa e largët fëminore na e sjell si vagëllimë të tjetërsuar, shkruar nga optika e letërsisë së angazhuar socpseudorealiste tek romani “Këneta” i Fatmir Gjatës. Ndërsa Mehmet Ali Beqiri u arratis. Po kështu, edhe krijues të këngëve të Njëzetës, njëkohësisht luftëtarë të dalluar të saj “me dyfekë e me këngë” si Rrapo Meto Premti nga Vranishti, plagosur në Luftën e Janinës dhe në LV, u vra, padrejtësisht dhe pabesisht gjatë LDB, ndërsa Sheme Sadiku me emër, i Dukat, s’u përmend, sepse i biri, Enver Sheme Kondi, qe i bugosur politik. Ago Agaj u diplomua në Austri, punoi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Qe ministër i Bujqësisë së Shqipërisë gjatë LDB, u emërua prefekt i Mitrovicës, njihej dhe si “kosovari nga Vlora”. U arratis për t’i shpëtuar diktaturës komuniste. Mbylli sytë në moshën 97 vjeçare në Florida, më 1994, kur po vinte koha që edhe ëndrrat e tij të bëheshin realitet dhe realiteti ëndërr. Sipas Visar Zhitit, epopeja në prozë “Lufta e Vlorës” është kryepuna e tij, një enciklopedi e trimërisë, e portreteve të luftëtarëve, e diplomacisë së asaj kohe, e dokumentacionit, e përzgjedhjes së folklorit, ku nuk mungojnë as largpamësia dhe as dhembja, por edhe grotesku e dialogu natyrisht, vdekja dhe pasvdekja, që së toku, e bëjnë veprën të lexohet dhe si roman i fatit kombëtar, përshkruar nga dashuria e dëshpërimi për vendin e të parëve si dhe nga një krenari fisnike. Këto janë të vërtetat e papublikuara më parë, për arsye nga më të ndryshmet, të cilat s’mund t’i quajmë kurajoze e civile, por të ngarkuara nga kompleksiteti parak: “O shkëlqim absolut, o damkën, që të mos ngrihet më”, që të mos bëjë më kurrë maj’, siç thoshin pleqtë e Lumit të Vlorës. Na kujtohet një pasazh nga një shprehje e prof. M. Çamit, kur argumenton se dëshmitë e pohimet që vinë në kundërshtim me të vërtetat [historike apo folklorike], nuk mund të cilësohen ndryshe veçse thjesht spekulime politike të diktuara (ose jo) nga koniukturat politike të kohës, të djeshme dhe të sotme, por përgjegjësia bie më shumë mbi ata që i servirin këto të pavërteta. Raste të tilla objektivisht shpien në shpërfilljen e vlerave patriotike të popullit tonë që shkëlqyen gjatë Luftës së Vlorës.

3. Nderimi presidencial për anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare
Kujtojmë se në kuadrin e 95 vjetorit të Epopesë termopiliane të Njëzetës, gjatë verën e vitit 2015, ish-Predidenti i Republikës Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” të Luftës së Vlorës (1920). Pikërisht, më 02.07.2015, me nr. dekreti 9152, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Luftës së Vlorës (1920), me anëtarë: Osman Haxhiun, Duro Shaskën, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Qazim Kokoshin, Beqir Sulo Agalliun, Hamit Selmanin, Hysni Shehun, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Sali Bedinin, Hazbi Canon u vlerësua me dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar në organizimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe mbrojtjen e lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për brezat pasues të Shqipërisë.” Në një ceremoni solemne, zhvilluar më 6 korrik 2015 në sallën e Teatrit “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), edhe personalitetet e shquara të kësaj lufte: Osman Haxhiun, Selam Musain, Zigur Lelon, Sali Muratin, Sado Koshenën, Kanan Mazen dhe Ahmet Canin (Lepenicën) me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin në organizimin e luftës epope të Vlorës të vitit 1920”, akorduar po ashtu më 02.07.2015 dhe përkatësisht me nr. dekreti 9153 Osman Haxhiun (pas vdekjes), Selam Musain (pas vdekjes) me nr. dekreti 9154, Zigur Lelon (pas vdekjes) me nr. dekreti 9155, Sali Muratit (Vranishtit) (pas vdekjes) me nr. dekreti 9156, Sado Koshenën (pas vdekjes) me nr. dekreti 9157, Kanan Mazen (pas vdekjes) me nr. dekreti 9158 dhe Ahmet Cane (Lepenicën) (pas vdekjes) me nr. dekreti 9159. Ky nderim i lartë nga kreu i Shtetit shqiptar tregoi edhe një akt fisnik reflektimi për të ridimensionuar me tërë madhështinë e saj epopenë e Luftës së Vlorës së 1920-s. 

Kujtojmë që z. Bujar Nishani, gjatë kohës që ishte President i Republikës, e ka vlerësuar Luftën e Vlorës ndër ngjarjet historike të rëndësisë së posaçme dhe ka kontribuar maksimalisht për promovimin e vlerave heroike dhe të lirisë, e mbi të gjitha të dinjitetit që Shqipëria dhe shqiptarët mbartin në gjen, në trashëgimi dhe në realitetin e sotëm. Në krahë të kësaj pune të duhur dhe fisnike, Ai ka patur dr. Bujar Leskaj, atdhetarin e zjarrtë, që krenohet për vendlindjen e vendorigjinën e tij, një intelektual i hapur dhe i ditur, bujar për njohjen, ndërlokalizimin dhe ndërkombëtarizimin e kulturës, arsimit, historisë, artit dhe folkorit shqiptar, sidomos të polifonisë labe. Falë dhe qëndrimit të tyre të vendosur e pozitiv, Lufta e Vlorës nuk ka lëkundje opinionistike. Jo vetëm historianët, etnologët, intelektualët dhe studiuesit e tjerë, por edhe njerëzit e thjeshtë e kanë të formatuar mendimin qartë, se pa Luftën e Vlorës dhe pa suksesin e saj, shteti shqiptar do të kishte rrezikuar seriozisht ekzistencën e tij. Shkëputja e Vlorës dhe e territoreve të tjera të shtetit shqiptar me Traktatin e Fshehtë të vitit 1915, ishte fillimi i një procesi që do të thellohej deri në shpërbërjen e shtetit shqiptar të krijuar vetëm pak vite më parë, më 28 Nëntor 1912. Lufta e Vlorës e ndali përfundimisht këtë proces shkatërrues për integritetin e shtetit të ri shqiptar, madje edhe për ekzistencën e tij. Në Njëzetën, Vlora dhe vlonjatët i janë mirënjohës pjesës tjetër të Shqipërisë për ndihmën që iu dha në këtë luftë. Lufta e Vlorës ka qenë e para luftë e suksesshme antikolonialiste në shekullin XX. Atyre që organizuan dhe drejtuan Luftën e Vlorës, si dhe gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, ne u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës përjetë. Lufta e Vlorës ishte një luftë mes dy kombeve që gjeografia i nxiste të ishin miq natyralë, jo armiq natyralë dhe që historia në pjesën më të madhe të saj e kishte konfirmuar këtë gjë, me disa përjashtime fatkeqe, siç ishte dhe ajo luftë. Në atë kohë shtypi keqdashës ndërkombëtar kishte krijuar shumë legjenda për gjoja keqtrajtimin e robërve italianë të Luftës së Vlorës nga ana e shqiptarëve, siç i quanin ata: “të egër”. Por kur mbaroi Lufta, doli se asnjë nga robërit italianë nuk ishte keqtrajtuar, dhe ata nuk qenë pak, por rreth 2000 ushtarë. Ata u kthyen shëndoshë e mirë në atdheun e tyre dhe shumë prej tyre dhanë dëshmi publike për trajtimin korrekt sipas ligjeve ndërkombëtare që iu bënë luftëtarët shqiptarë në atë kohë. [Për këtë çështje, në monografinë “Lufta e Vlorës, Historia në Epikën historike”, Tiranë, Neraida, 2013, 204 f., kemi trajtuar edhe raportin histori – folkor në rrafshin e marrëdhënieve Itali- Shqipëri; Europa në optikën e Epikës historike të Luftës së Vlorës (EHLV), 1920; shenja europianizimi dhe EHLV për Europën; Europa për Luftën e Vlorës, sipas historianit Muin Çami; trajtimi folkorik i faktorit europian në Ciklin e EHLV, etj., kështu që nuk e quajmë të nevojshme të zgjatemi]. Lufta e Vlorës, si çdo luftë ka heronjtë e saj, që koha dhe njerëzit i nderojnë me dinjitet.
Vijon në numrin e ardhshëm
Sigal