Lufta e Drashovicës, 1943

1373
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Garnizoni ushtarak i Drashovicës

Lufta e Drashovicës është një ndër betejat e ashpra e të përgjakshme të LANÇ-it, është lufta frontale kundër garnizonit gjerman të fortifikuar në Drashovicë, të zhvilluar nga 14 shtatori deri më 4 tetor 1943. Përreth kodrave të këtij fshati, prej nga ku, Osman Haxhiu me luftëtarët dhe çetat e Labërisë, u vursulëm me guxim dhe hodhën në det pushtuesit italian në Luftën e Vlorës në vitin 1920, bijtë e po këtij populli, brezi i ri i luftëtarëve, e përsëritën këtë epope 23 vjet më pas, por kundër një armiku më të egër, më të fortë dhe më barbar që kishte parë historia e njerëzimit, pushtuesve nazistë gjermanë. Pas kapitullimit të Italisë fashiste më 9 shtator 1943, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH urdhëroi të gjitha repartet partizane që të çarmatosnin trupat ushtarake fashiste italiane. Në bazë të këtij urdhëri, forcat partizane të Qarkut të Vlorës organizuan sulmin kundër garnizonit armik të Drashovicës. Në këtë qendër fashistët italianë kishin grumbulluar forca dhe materiale të shumtë luftarak qysh kur përgatiteshin për luftën grabitqare e pushtuese kundër Greqisë në tetorin e vitit 1940. Nazistët gjermanë, duke patur parasysh rëndësinë e kësaj zone luftarake dhe me peshë për luftën dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare, përqëndruan me shpejtësi në Kotë, Mavrovë dhe Drashovicë rreth 1.000 ushtarë dhe artileri të shumtë.Këto forca ishin vendosur në pozicione e fortifikata të ndërtuara qysh më parë nga trupat fashiste italiane. Forcat partizane përbëheshin nga batalioni partizan “Halim Xhelo” dhe një pjesë e forcave vullnetare të krahinës së Drashovicës, ku iu caktua detyrë luftarake, për të rrethuar dhe më tej për të çarmatosur garnizonin italian në Kalanë e Kaninës. Ndërsa batalionit partizan “Isamil Qemali” dhe vullnetarët e krahinës së Treblovës, morën për detyrë që të rrethonin e të çarmatosnin batalionin Italian në Selenicë. Më tej, çetës së Bregdetit dhe vullnetarët e asaj krahine do të rrethonin e të çarmatosnin stacionin e Marinës në Qafën e Llogorasë, 1 km, në jugpërëndim të Palasës. Këto garnizone të armikut në mëngjezin e 11 shtatorit të vitit 1943, u rrethuan plotësisht nga forcat parizane e vullnetarët popullorë, të cilët u bënë thirrje për dorëzim të armëve e të pajisjeve të tjera. Italianët, megjithëse nguruan për disa orë, më në fund, në mbrëmje të asaj dite u dorëzuan tërësisht. Gjatë ditëve 11 e 13 shtator u grumbullua materiali luftarak i zënë dhe u plotësuan me armatime e pajisje dy batalionet partizane “Halim Xhelo” e “Ismail Qemali”; u formatuan dhe u armatosën edhe katër batalione vullnetarësh popullorë: i Mesaplikut, i Kudhësit, i Treblovës dhe i Tragjas-Drashovicës, duke formuar kështu një forcë solide prej gati 2.000 partizanë e vullnetarë. Armët që iu morën italianëve ndihmuan për të organizuar dhe për të ndërmarrë një operacion të fortë goditës mbi garnizonet e nazistëve gjermanë në Drashovicë.

Grupimi operativ dhe detyra luftarake
Plani i veprimeve luftarake për këtë goditje u studiua me kujdes të veçantë nga komanda partizane, pra, Grupimi Operativ, i cili në atë kohë drejtohej nga Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Kështu, natën e 13 shtatorit 1943, në një fshehtësi të plotë, duke qenë nën hundën e armikut, me urdhër të komandës së Grupit Operativ, që komandohenj nga Kapiten Islam Radovicka, komandant i Shtabit të ZIOp., forcat u afruan me kujdes në vijën e nisjes për sulm. Ato ishin vendosur në formë gjysmërreth për të lejuar goditje të menjëhershme ballore, anësore e koncetrike mbi pozicionet kryesore të armikut. Në orët e para të mëngjezit të datës 14 shtator 1943, forcat partizane ishin në gatishmëri të plotë për luftim, duke pasur edhe artilerinë e mortajave në pozicionet e zjarrit të përcaktuara që më parë. Pas mezit të natës të datës 14 shtator, artileria partizane hapi zjarr kundër pozicioneve të armikut. Dhe ndërkohë, partizanët filluan mësymjen. Deri në mëngjes forcat partizane të krahut të majtë të lumit Shushicë, arritën në kazermat e Drashovicës. Ata që sulmuan në qendër, hynë në pozicionet e armikut në Mavrovë, ndërsa ata që sulmuan në krahun e djathtë, iu afruan urës së Drashovicës. Por gjatë ditës fashistët gjermanë, të mbështetur nga mjetet e blinduara dhe aviacioni, u hodhën në kundërsulm për të rimarrë pozitat e humbura. Ndërsa forcat e tjera vazhdonin luftimet në front, batalioni vullnetar i Mesaplikut i zuri pritë autokolonës armike që vinte prej Tepelenës me ushtarë italianë të çarmatosr e të shoqëruar nga fashistët gjermanë, të cilën, i goditën nga pozicionet e zënë me ngutësi në Qafën e Dushkut dhe e shpartalluan. Të njëjtin përfundim pati edhe autokolona tjetër naziste e ardhur nga Vlora, që u godit në Sherishtë. Me të rënë mbrëmja, forcat partizane ndërmorën dhe një sulm të ri të fuqishëm në të gjitha drejtimet, sidomos në atë të Mavrovës. Pas luftimesh të përgjakshme, forcat partizane azgjësuan pothuajse krejt autokolonën. Nazistët gjermanë, duke parë se nuk mund t’i mbronin më pozicionet e tyre, u vunë zjarrin depove luftarake. Luftimet vazhduan pa rreshtur me ashpërsinë më të madhe gjatë ditës dhe natës së 15 dhe 16 shtatorit. Nazistët me luftime u tërhoqën dhe u vendosën në vijën Kaninë-Maja e Xhyherit-Babicë-Qafë e Koçiut. Pas luftimesh të ashpëra dhe deri edhe trup me trup, duke luftuar edhe brenda në fortifikatë, e fortifikatë më fortifikatë, partizanët e çliruan fshatin Drashovicë. Drashovica për nga fortifikimi ishte një garnizon për kohën tepër i fotifikuar, por dhe një pozicion që nuk pushtohej lehtë. Në fushën e betejës fashistët gjermanë lanë mjaft të vrarë dhe të plagosurve. Në duart e forcave partizane ranë autoblinda, topa, kafshë pune dhe ngarkese, si dhe një sasi e shumtë municioni e material tjetër luftarak. Nga kampi i përqëndrimit u çliruar rreth 8.000 robër italianë (ushtarë) dhe 100 jugosllavë të internuar. I gjithë materiali që u zu u tërhoq me rregull dhe disiplinë nga forcat partizane.

Forcat partizane thyen kundërsulmin nazist
Forcat partizane, pasi çliruan fshatin Drashovicë dhe rrethinat e tij, vazhduan përparimin në drejtim të vijës së re të mbrojtjes armike. Artileria partizane goditi forcat naziste gjermane të përqëndruara në në Kalanë e Kaninës, në Qafë të Koçiut dhe përmbi lagjen Topana të Vlorës. Me gjithë humbjen e madhe që pësoi, armiku rezistoi me këmbëngulje. Deri më 22 shtator forcat partizane arritën në Qafë të Serishtës dhe në Qafë të Brumbullit. Nazistët gjermanë, duke patur frikë se mos humbisnin qytetin e Vlorës, grumbulluan forca të shumta dhe më 26 shtator ndërmorën një kundërsulm me forca më të mëdha, duke përdorur mjete të shumta të blinduara, artileri dhe aviacion. Forcat partizane mundën të thyenin me sukses kundërsulmin. Por armiku vazhdoi të hedhë në sulm forca të reja. Në mjaft raste u zhvilluan luftime deri edhe trup me trup. Luftimet vazhduan deri më 4 tetor 1943, ditë në të cilën komanda partizane dhe urdhër për tërheqje. Forcat gjermane kishin pësuar një goditje të rëndë.

Dëshmorët dhe përmendorja e Drashovicës
Në këtë betejë ranë dëshmorë 11 partizanë dhe u plagosën 45, midis tyre dhe zëvendëskomisari i Zonës së Parë Operative, Hysni Kapo. Ndërmjet dëshmorëve të rënë ishin Pelivan Jaho, Pilo Muharremi, Duro Fejzo, Fejzo Gjomema, Njazi Selami, Musa Ramo, Sulo Derri, Leven Imo, Sami Mehmeti, Isamet Çakërri, Vasil Puka, Sulo Selmani, Selfo Kajtasllani, Azbi Çino, Sherif Mato, Lilo Harizi, Seit Musini etj. Fashistët pushkatuan dhe 22 fshatarë të fshatit Armen, që i kishin marrë peng më parë. Në këtë mënyrë, për 20 ditë rresht, populli i krahinës së Vlorës, së bashku me partizanët luftoi me heroizëm të rrallë.Drashovica njihej edhe më parpara në historinë e popullit tonë. Më vitin 1920, në luftën kundër imperialistëve italianë, këtu shqiptarët i treguan botës se për lirinë e vendit të tyre ata nuk e kursenin dhe jetën. Dhe ja, pikërisht në Drashovicë, 23 vjet më pas, nga ajo ditë kur shqiptarët hodhën gunat përmbi tela me gjëmba e i zunë armikut topat nga gryka, brezi i luftëtarëve të rinj, përsëriti me një forcë më të madhe epopenë… në shenjë kujtimi dhe nderimi të këtyre dy betejave të mëdha në historinë e popullit tonë në shek. XX, është ngritur një përmendore që ju bën jehonë heroizmit masiv të treguar prej popullit dhe luftëtarëve të tij.