Kujtimet e “Mjeshtrit të Madh”, regjisorit të talentuar, Kujtim Gjonaj

383

– Ishte viti 1973 do
shfaqej një film për ekspozitën “Shqipëria sot” dhe do vinte Enver Hoxha, të
gjithë pas tij

– Kur Enveri mori
papritur një kthesë, i shkela këmbën pa dashur Mehmet Shehut, më ngriu gjaku

– Gjatë xhirimeve për
eliminimin e pasojave të tërmetit të vitit 1967, në Dibër, Mehmet Shehu qëlloi që një nga anëtarët e
Byrosë Politike

– Kur pa se grupi
xhirimit nuk ishte mes vullnatarëve Mehmeti urdhëroi që grupi i kineastëve me
Hamdi Ferhatin në krye të nisën në këmbë për kthim.

– Ishte viti 1976 dhe
më kishin ngarkuar të xhironja një film kronikal për vizitën e Norodom
Sihanukut

– Ndërkohë më afrohet
një nga shoqëruesit e Adil Çarçanit dhe më thotë, se më kërkon shoku Adil.

– Adili njihej si një
nga udhëheqësit e urtë dhe zemërmirë dhe më thotë: – Mos je bërë për t’u
qethur?

– Morën nga kabineti i
kryeministrit dhe pyetën në kinostudio, se kush ishte ai qafëlesh, që keni
dërguar në Rinas

– Në Kalkutë për
dokumentarin e Nënë Terezës një hipnotizues na “vodhi” dollarët

 

Albert Z. ZHOLI

E veçanta e
filmit është se një grup i caktuar njerëzish, që formojnë grupin e filmit, me
mendësi dhe formim të ndryshëm, por me një qëllim të përbashkët, përfundimin e
një filmi,nisen dhe largohen nga familjet e tyre. 
Krijimtaria e Kujtimit përshkruan viset
e bukura shqiptare dhe heronjtë që bënë shumë për vendin e tyre në lëmin e
diturisë dhe trimërisë. Ajo ka një diapazon të gjerë hapësinor duke përfshirë
historinë, kronikën dhe lajtmotivin ndjesor. Duke e filluar karrierën e tij nga
letërsia dhe gazetaria, duket se Kujtim Gjonaj ka qenë në shtratin e vet në
gazetarinë e filmit. 
Duket se çdo gjë tek ai dallgëzohej si në një
vargmal, ku dashuria për fjalën konvertohej në dashurinë për imazhin. Ishte një
pasion që atij i lindi plot zulmë
 dhe që rridhte nga kërkesa rigoroze që ai kishte ndaj vetes që në rininë e tij
të hershme. Këmbëngulje, por dhe trans artistik që i vorbullohej nga qenësia
 e tij. Që në
fillimet e hershme
,
ai dallohej nga të tjerët për elokuencën e fjalës dhe më pas në karrierën e tij
të gjatë artistike do të dallohej hershëm
 për vlerat e tij regjisoriale. Është vlerësuar me shumë
tituj dhe është cilësuar si një nga regjisorët më të mirë të filmit dokumentar
në Shqipëri në shumë evenimente dhe konkurse që zhvilloheshin në kohën e
diktaturës, por dhe më pas. Kritikët e kanë cilësuar si kalorësin e historisë
dhe në fakt ai e meriton të quhet, legjionar nderi i historisë shqiptare në
filmin dokumentar. Është një dashuri që plazmohet nga filmi në film, nga heroi
në hero, nga regjisura në regjisurë. Gati 50 vjet krijimtari artistike në lëmin
e filmit që i ka dhënë dhe primatin e jetëgjatësisë në karrierën e
dokumentarit. Ai ka shënuar historinë dokumentare të Shqipërisë me imazhe të arta,
që do i mbeten përjetësisht kinemasë shqiptare. Ka hedhur historinë e të
tjerëve në celuloid, duke shënuar me shkronja të arta emocionet dhe idetë e tij
artistike.

 

 

Një film për ekspozitën “Shqipëria sot”

 

Sheshi i xhirimeve
krijon skena nga më të paparashikuarat, herë të hidhura apo të shqetësuara, se
nuk ecën gjithnjë puna e herë gazmore. Gjithmonë ka kërkuar me këmbëngulje, se
ai plan apo sekuencë që duhej xhiruar, duhej xhiruar po atë ditë. Asnjëherë nuk
e duronte pretendimin e kolegëve kur thoshin: “E lëmë për nesër!”. Jo, ajo që
mund të bëhej sot, duhej bërë sot! Fakti që ai është tepër korrekt dhe kërkues
krijon dhe skena irritimi. Filmi në kohën e tyre ka qenë i vështirë, se dhe
aparaturat ishin të rënda. Por kërkesa ishte maksimale për cilësi. Filmi ka
shumë nevojë për bashkëpunim dhe bashkërendim. Ai bëhet kur je në gjendje të
mirë emocionale. Ka shumë momente që ndikojnë për mirë dhe kur i kujtojnë sot, iu
krijohet idea që vërtet kanë kaluar një jetë të bukur dhe marramendëse. 

Xhironin një film për
ekspozitën “Shqipëria sot” dhe do vinte Enver Hoxha për ta parë. Kishin caktuar
Kujtimin për ta bërë filmin. Ishte viti 1973. Duhej bërë shpejt si film. Dhe në
këto raste punohej me vrull dhe me reokupacion, se ishte film i rëndësishëm. Me
një bllok shënimesh në dorë, bashkë me grupin e gazetarëve të radios, të
televizionit dhe gazetave qendrore ndiqnin hap pas hapi Enver Hoxhën. Mbante
shënime çfarë thoshte Udhëheqësi dhe njëkohësisht udhëzonte kameramanët për
xhirim. Në një moment Enver Hoxhës i tërheq vëmendjen një stendë
dhe merr një kthesë të papritur. Kujtimi tërhiqet mbrapsht për t’i hapur rrugë,
dhe shkel dikë. Kur kthehet, sheh që ishte Mehmet Shehu. “Oh ç’më gjeti!”,
mendoi. Pranë tij ndodhej dhe Agron Çobani, i televizionit, që ngriti supet pa
folur. Ngriu i tëri. Kryeministri njihej për rreptësinë e tij të tejskajshme.
Por atë ditë ndodhi çudia. Siç duket, kryeministri ishte në qejf. Buzagaz u
afrua pranë tyre, i zuri për krahu dhe bëri disa hapa me ta: 

– Hëm, si shkon puna?

– Mirë.

– Po mbani shënime? A
dini stenografi?

– Jo.

– Nuk mbahen mend të
gjitha kështu, duhet ta mësoni që të kapni gjërat shpejt!

– Do përpiqemi, – foli
Agroni. Se tjetrit ende nuk i kishte ardhur gjuha në vend. 

Pastaj i shtyri drejt
Komandantit. Nuk kaluan disa minuta kur drejtori i sigurimit të shtetit i kapi
dhe i nxori përjashta. Ishte një incident që më pas u sqarua. 

Mehmet Shehu ishte një
burrë shteti. Ishte njeri i sertë dhe kërkues. Të gjithë i druheshin atij, se
kishte hije të rëndë dhe ishte i prerë. Kineastët e vjetër tregonin për të, se
gjatë xhirimeve për eliminimin e pasojave të tërmetit të vitit 1967, në Dibër,
qëlloi që një nga anëtarët e Byrosë Politike, grupin e filmimitt e kishte
adresuar në një vend tjetër dhe Mehmet Shehu, duke shkuar në fshatin që kishte
planifikuar për atë ditë, has rrugës një turmë të gëzuar që po festonte
mbarimin e punimeve. Gëzimi i vullnetarëve, që kishin kryer me sukses para
afatit ndërtimin e shtëpive, e entuziazmoi Mehmet Shehun, që u bashkua dhe u bë
një me gëzimin e vullnetarëve. Prania e tij e ndezi akoma më shumë festën.

– Ku është grupi i
xhirimit? – pyeti ai, kur pa gjithë atë ngazëllim të ndërtuesve. – Pse nuk janë
këtu? 

Askush nuk foli. As
anëtari i Byrosë Politike që i kishte nisur në drejtim tjetër. Në inat e sipër
kryeministri urdhëroi:

– Të shporren në
Tiranë! Ashtu siç janë!

Dhe grupi i kineastëve
me Hamdi Ferhatin në krye u nisën në këmbë për kthim. 

Vonë-vonë dikush mori
guximin t’i thotë kryeministrit, sesi qëndronte puna dhe çdo gjë u sqarua.

Ishte kërkues. Ishte i
rreptë, por edhe i drejtë. Ishte ndryshe nga Enver Hoxha. Enveri ishte njeri
shumë mediatik dhe sillej shumë mirë me të gjithë punonjësit e propagandës. Ai
e nuhaste kamerën kur e shoqëronte. E ndiente në ajër kur diçka nuk shkonte
mirë dhe i ripërsëriste veprimet. Kishte dëshirë të shfaqej gjithnjë sa më mirë
në ekran. Ndryshe ishte Mehmeti. Tregojnë se kur ishte në një festë përvjetori
të politeknikumit “7 nëntori”, sot shkolla e mesme politeknike “Harry Fultz”,
kineastët nuk arritën të filmonin në kohë momentin kur një nga nxënësit po i
lidhte në qafë shaminë simbolike të festës. Regjisorja i afrohet me kujdes dhe
gjithë mirësjellje i thotë:

– Shoku Mehmet a mund
ta bëjmë dhe njëherë?

Dhe ai përgjigjet: Ik moj shporru! Ç’u
bëra unë, artist kinemaje!

Ky ishte Mehmet
Shehu. 

 

 Një film kronikal për vizitën e Norodom
Sihanukut

 

Ishte viti 1976 dhe
Kujtimin e kishin ngarkuar të xhironte një film kronikal për vizitën e Norodom
Sihanukut, princ i Kamboxhias, mik i Shqipërisë në atë kohë. Atë ditë bënte
ftohtë dhe ai kishte temperaturë. I mbledhur kruspull nga ethet, me jakën e
pardesysë së ngritur lart e të mbledhur rreth qafës, së bashku me Saim Kokonën,
operatorin, po prisnin në pistën e aeroportit ardhjen e mikut nga Kamboxhia.
Frynte një erë e ftohtë që i shpupuriste flokët. Ndërkohë i afrohet një nga
shoqëruesit e Adil Çarçanit dhe i thotë se e kërkon shoku Adil. Afrohet pranë
zëvendëskryeministrit dhe pret. Adili njihej si një nga udhëheqësit e urtë dhe
zemërmirë. 

– Mos je bërë për t’u
qethur?

– Mundet, shoku Adil.
Sa të shkoj në Tiranë dhe…

– Mirë. Mirë. Vazhdo
punën!

Kaq ndodhi në
aeroport. Mbaruan xhirimet dhe menjëherë kthehet në Kinostudio për të dorëzuar
materialet e filmuara në laborator. Në oborr has zëvendësdrejtorin, Bujar
Kolaneci, që njëkohësisht ishte dhe sekretar i byrosë së partisë. 

– Kur u qethe, ti?

– S’jam qethur akoma.
Tani sa erdha nga Rinasi. 

Bujari shikonte me
habi. Ai vërtet nuk i kishte flokët e gjata dhe dukej normal. 

– Bela e madhe! – foli
pas pak. – Morën nga kabineti i kryeministrit dhe më pyetën se kush ishte ai
qafëlesh, që keni dërguar në Rinas. Kështu më thanë. 

Djaloshi ngriti supet
i dëshpëruar dhe i tregoi bisedën me Adil Çarçanin. 

– Hej bela! – shfrynte
sekretari i partisë. 

Dhe bënë një mbledhje
të kolektivit ku ai bëri autokritikë për flokët e gjata, që nuk i kishte të
gjata. Por duhej thënë diçka, diku. Vërejtjet edhe kur s’kishin bazë, dukeshin
marrë me konsideratë. Ndaj e bënë dhe atë mbledhje. 

 

Kur xhironin filmin “Burim i pashtershëm”

 

Kur takohen me Ilia
Terpinin, me të cilin janë miq të mirë, kanë se ç’të kujtojnë nga koha që kanë
punuar bashkë. Është një jetë e tërë mbushur me ndodhi, kujtime të mira, shaka,
dhe herë-herë me momente tragjiko-komike. Po xhironin filmin “Burim i
pashtershëm”, që kishte si objekt festivalin folklorik të Gjirokastrës të vitit
1973. Kujtimi kishte shkruar skenarin e filmit dhe siç ndodhte shpesh, merrte
pjesë dhe gjatë xhirimeve të filmit. Bashkë me Marianthin, regjisoren e filmit
dhe Ilian përbënin grupin kryesor. Se në fakt, duke ditur rëndësinë, hapësirën
e filmit, grupi realizues përbëhej prej 15-16 vetash. Të lodhur nga dita e
gjatë e punës, ata kishin lëvizur për të piketuar vendet e xhirimit në Gjirokastër
dhe zonën përreth. Në mbrëmje shkuan në hotel për të pushuar. Një trokitje e
fortë në derë, i befasoi dhe kur e hapën atë, shohin zëvendësministrin e
kulturës Mantho Balën me dy persona të tjerë. Të dy burrat që rrinin pas
zëvendësministrit, kishin hije të rëndë. 

– Ku e keni futur?

– Kë? – pyeti
Ilia. 

– Atë kurvën, me flokë
të shkurtra! – flet me ton, një nga burrat pas Manthos. 

– Cilën kurvë? – pyeti
i habitur Kujtimi. – S’kemi ndonjë kurvë.

– Mos bëni sikur
s’kuptoni! – foli rëndë Mantho Bala. Dhe me ton urdhërues vijoi: – Nxirreni
tani!

Kineastët vështronin
të habitur.

– Atë me xhaketë të
kuqe. Keni bredhur varavingo tërë ditën me xhip nëpër Gjirokastër. 

Habia u kthye në
buzëqeshje. 

– Për Marianthin është
fjala, shoku Mantho?

– Po. Po. Për atë
është! – foli sigurimsi gjirokastrit. 

Ata qeshën me të
madhe, ndërsa Mantho Bala u bë gati të shpërthente. 

– Po ajo është
regjisorja e filmit. Është Marianthi, gruaja e shokut Gani. Regjisore
veterane. 

Kështu ngjau në
Gjirokastër. Dhe të nesërmen ia treguan koleges së tyre, që shpërtheu në të
qeshura. Filmi ka dhe nga këto episode. Ç’të bësh? Jeta e filmit ka shumë
adrenalinë. Është një nga eksperiencat dhe përvojat më interesante të njeriut.
Përmbledh aventura dhe të papritura nga më të çuditshmet. 

Ktheheshin nga një
shërbim i gjatë ku kishin xhiruar në bregun e Jonit. Pothuajse gjithë grupit u
kishin mbaruar të hollat. Kishin lekë sa për një turli sade dhe gjysmë panine.

Ndalojnë tek lokali i
vogël në hyrje të tunelit tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Drekonin shpesh atje se
kishte çmime të lira.

Futen njëri pas
tjetrit në lokal. Kamerieri i njihte dhe i priti me buzëqeshje.

– Çfarë ka? – pyet
Kujtimi.

Dhe ai nis të numërojë
ato gatime standard e me mish.

– Unë dua një turli
sade, – foli regjisori.

– Edhe unë, – tha
tjetri pas tij.

Kur po bëhej gati të
fliste i treti, kamerieri numëroi grupin dhe dha porosinë në sportel me ton
autoritar:

– Porosit shtatë
Kinostudio!

Ata qenë mësuar me
jetën e vështirë të grupeve të xhirimit dhe e dinin që kineastët në kthim ishin
trokë.

 Në Kalkutë për dokumentarin e Nënë
Terezës 

 

Ndodheshin në Kalkutë
për dokumentarin e Nënë Terezës dhe po xhironin një tempull të lashtë. Kalkuta,
me kontrastet e saj, u kish bërë përshtypje të madhe. Tempulli që po xhironin
ish një vend i shenjtë, ku shumë vendas faleshin dhe luteshin çdo ditë. Në
nderim të vendit të shenjtë ata hidhnin monedha dhe rupi letër, në një kuti të
vendosur poshtë një skulpture të një shenjti budist. Ndërkohë, pranë Fuatit,
administratorit të filmit, afrohet një djalë vendas dhe po i fliste në gjuhën e
vet. Fuati e shikonte si i shastisur pa kuptuar asgjë. Indiani vijonte të
fliste dhe si pa e kuptuar disa monedha dhjetëdollarëshe, që Fuati nuk di pse i
nxori dhe i mbante në dorë (ndoshta po kërkonte një dollar për ta hedhur në
kutinë e ndihmave), fluturuan. Kur hipnoza mbaroi, dhe Fuati erdhi në gjendje
reale thirri:

– Ku shkuan dollarët?

Dhe pa nga indiani.
Ndërkohë që ata vështronin të habitur, indiani ia këputi vrapit. Të katër
kineastët mbetën si të shastisur.

India ishte vërtet
vendi i çudirave, një botë krejt e panjohur për kineastët shqiptarë. 

Kur po xhironin disa
pamje të bukura në Delhi panë një burrë që mbante pranë një majmun të lidhur.
Indiani i binte një fyelli dhe majmuni bënte numra nga më të çuditshmet. Pastaj
rrinte pak dhe, sikur të ishte një lodër me kurdisje, niste të kërcente
përsëri. 

– Xhiroje Gavrosh,
është interesant!

Dhe e xhiruan
majmunin, i cili kur ndjeu se kishte tërhequr vëmendjen, të paktën atyre ashtu
iu duk, nisi të kërcente më me dëshirë. E habitshme, por e vërtetë. Ndoshta e
nxiti edhe i zoti që i tha diçka me zë gjysmë të lartë. Po bëheshin gati për
t’u larguar, kur indiani zuri të bërtiste:

– Moneymoney!

Dhe bënte shenjë me
dorë.

– Ç’thotë ky? – pyeti
Fuati. 

– Do lekë, se i
filmuam majmunin. 

– Ik, o tutje, –
shfryu Fuati.

 Indiani filloi
të bërtiste me zë akoma më të lartë. 

– Jepi diçka, të na
lërë rehat! – ndërhyri Ruka. 

– Si t’i jap, nuk e
kemi në preventiv. 

Ata qeshën. Sa herë
ndodhej ngushtë me kërkesat e tyre, Fuati përmendte preventivin dhe vinte si
barrikadë Limozin, producentin. U detyruan t’i jepnin një 5 dollarëshe, se nuk
shkulej indiani.

 

 

-vijon-