Kujtim Boriçi sjell për herë të parë “Oficeret shqiptare, nw rrjedhën e historisë”. Flasin: Shefi i Shtabit të FA, Bardhyl Kollçaku dhe ish-komandanti Rustem Peçi. Ja emrat e drejtuesve të shkollës

1421
Sigal

Libri për gratë oficere, një punim serioz publicistik dhe historik që na ka munguar. Mirënjohje grave oficere, trimëreshave fisnike të kombit dhe si e ndryshuan përgjithmonë peizazhin ushtarak modern të Forcave të Armatosura. Kurset e para, komandantët, komisarët dhe shefat e shtatmadhorisë së shkollës

 

Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë. Ja dokumenti i parë zyrtar

 

01

Falënderim nga autorët e librit: Kujtim Boriçi & Suzana Jahollari

 

Vështirësia e librave të tillë, për shkak të karakterit të tyre, volumit të punës në arkiva e kontakte të shumta me personazhe e faktorë të tjerë shtetërorë e shoqërorë, janë të papërballueshme, nëse nuk je i përgatitur për këtë ndërmarrje e, mbi të gjitha, nëse në përgatitjen e tij nuk angazhohen shumë intelektualë e njerëz dashamirës të përkushtuar. Pikërisht, ka qenë ndihma e pakursyer dhe angazhimi i dhjetëra kolegëve, ushtarakë madhor, drejtues të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, shkrimtarë e historian, që u bënë pjesë e stafit që përgatiti këtë libër, duke qenë dhe garanci për vazhdimin e pjesës së dytë të tij. Ndaj, për ne autorët, është pak vetëm falënderimi i zemrës për ‘ta, por gjithsesi, duke i përmendur disa (ndjesë për shumë të tjerë që nuk e gjejnë veten në këto rreshta), mendojmë se sadopak, shprehim mirënjohjen për kontributin që dhanë. Falënderojmë Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka që në vazhdimësi na ka mbështetur në punën tonë evidentimin e historisë së ushtrisë shqiptare dhe personaliteteve të saj (një rast kuptimplotë qe ai i vitit 2018 në pjesën e tretë të enciklopedisë “Skënderbegasit ndër vite….”); gazetarin e Zëvendësministrin e Mbrojtjes Petro Koçi, i cili ka qenë pranë nesh jo vetëm me sugjerime, por dhe me ndihmë konkrete në përgatitjen e këtij libri që keni në dorë; z. Thoma Konduri, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë që përgatitjen e librit e vlerëson si një detyrim për brezat, duke qenë pjesë në përgatitjen e tij dhe angazhimin e strukturave të SHKURSh; znj. Liliana Mero, ushtarake e lartë dhe pedagoge e njohur që ishte pjesë e stafit; të palodhurën Tatjana Çuko, ushtarake në rezervë, intelektualen e pedagogen e njohur që e bëri natën ditë në kontaktet me personazhet e përfshirë në libër dhe bërjen e tyre pjesë të tij; Profesor Bernard Zoto, ndihma e të cilit, veçanërisht për kapitujt e historisë së oficereve (grave tribune) në shekuj është e pa zëvendësueshme; Prof. Teki Kurtin, Drejtor i Muzeut Qendror të Forcave të Armatosura; Pedagogun e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, Agim Gjinin; Prof. Dr. Luan Nikollarin, mjekun e funksionarin e lartë në Institucionet Shëndetësore të Ministrisë së Mbrojtjes; shkrimtarin dhe poetin ushtarak, mikun tonë Arben Duka; shkrimtarin e poetin ushtarak Ferit Fixha, bashkëpunëtor dhe konsulent i këtij libri; z. Zyhdi Kroj, President Nderi i SHKURSH; shkrimtarin dhe poetin e njohur ushtarak Sali Frangu; mikun e kolegun tonë me banim në SHBA, krijuesin me emër Veri Talushllari; Drejtorin e Gazetës “Telegraf”, z. Ëngjëll Musai, i cili vuri në dispozicionin tonë arkivin e gazetës, si dhe krijoi hapësira të vazhdueshme për promocionin e librit; z. Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve; gazetarin e kolegun Xheladin Çelmeta etj… Siç e përmendëm më lart, nëse do të vazhdonim, kjo listë do të ishte tepër e gjatë… Faleminderit të gjithëve. Për pjesën e dytë të këtij libri që është në proces, lutemi të gjithë grave shqiptare oficere (aktive dhe në rezervë) dhe të tjerëve që duan të sjellin materialet me jetëshkrim, dëshmi, ngjarje apo kujtime për ‘to, të kontaktojnë me autorët në rrjetet sociale apo si më poshtë: Numrat telefonikë 0682097756 dhe 067306983; e-mail-et: [email protected], dhe [email protected]

02

Libri për gratë oficere, një punim serioz publicistik dhe historik që na ka munguar

Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf

Duke e ndjekur dhe në proces përgatitj

en e librit të mikut e kolegut tim Kujtim Boriçi për rolin e grave oficere në historinë e Shqipërisë, në bashkautorësi me Suzana Jahollarin dhe duke iu ofruar me kënaqësi arkivin e gazetës, dua të pohoj se ky libër krejt i veçantë në publicistikën historike të 20 viteve të fundit, është para së gjithash një punim serioz publicistik dhe historik i munguar deri tani. Nëpërmjet dokumenteve të arkivave në kohë të ndryshme, në Shqipëri e jashtë saj, nëpërmjet portreteve, dëshmive e ngjarjeve mbi rolin e grave ushtarake ndër shekuj, në pjesën e parë të këtij libri, sillet një pjesë e historisë së qëndresës së popullit tonë përballë invazioneve, veçanërisht për rolin e pazëvendësueshëm të grave shqiptare. Njëkohësisht, kam kënaqësinë dhe nderin të promovoj këtë libër në gazetë për një lexues më të gjerë. Urime dhe suksese në vazhdim autorëve!

Shënim: Ky fragment shoqëron në gazetën “Telegraf” materialin e parë promovues të marrë nga libri. Kjo gazetë, për dhjetëra numra në vazhdim, ka promovuar në faqet e saj pjesë të tjera të librit.

 

03

Për ato që ndryshuan përgjithmonë peizazhin ushtarak modern të Forcave të Armatosura

 

Bardhyl Kollçaku

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

 

Që nga qytetërimet e lashta, në shumicën e tyre, kanë qenë burrat ata që merrnin përgjegjësinë dhe angazhoheshin në çështjet ushtarake dhe luftarake…por jo gjithmonë. Gjatë gjithë historisë, ka pasur shumë gra që kanë udhëhequr kombet dhe drejtuar forcat ushtarake në luftë. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për një komb si kombi ynë, që ka nxjerrë gra të tilla luftëtare, duke filluar nga Teuta e Ilirisë e Shota e Drenicës dhe, deri në një armatë vajzash e grash oficere profesioniste sot. Gratë shqiptare kanë ndezur risi dhe kanë bërë histori ushtarake dhe luftarake përgjatë gjithë historisë sonë kombëtare. Këtë shpreh dhe libri “Oficeret shqiptare në rrjedhën e shekujve”. Ky libër nuk ka nevojë për parathënie, por për dy fjalë para përgatitëse për atë çka do të gjejë çdo lexues në faqet e tij. Ai është një rrugëtim me atë pjesë të shoqërisë, historisë dhe kombit tonë në shekuj që ka përballuar furtuna, privime, lot e hidhërime më shumë se çdokush tjetër, por gjithmonë ka ngjallur gëzime, lindje jetësh dhe shprese. Libri i jep lexuesit oaze dashurie të vajzës, gruas, motrës, nënës dhe bashkëshortes ushtarake, por edhe oaze sfidash, përkushtimi, krenarie dhe fisnikërie të tyre në një botë të vështirë, të ashpër dhe shumë specifike, siç është ajo ushtarake. Në trajtim të rolit dhe femrës ushtarake shqiptare në shekuj, në këtë punim, pasqyrohet me dashuri dhe realizëm mozaiku dhe mikrokozmosi historik i vajzës dhe gruas shqiptare në uniformë, si pjesë e historisë sonë kombëtare, e patreguar dhe e pashkruar ndonjëherë. Të gjitha ato copëza historie, jete, sakrifice dhe fisnikërie të gruas dhe vajzës oficere, të përshkruara në këtë libër, s’kanë ardhur nga përrallat, as nga legjendat dhe as nga hyjnitë mitologjike. Ato kanë lindur nga vetëmohimet, përkushtimet, zotësia dhe fisnikëria e tyre e madhe epike. Rëndësia e pjesëmarrjes dhe rolit të grave në forcën dhe formacionet ushtarake të vendit është një subjekt që kërkon një vëmendje të merituar nga historiografia ushtarake në veçanti, por edhe nga studimet historike shqiptare në përgjithësi. Ato kanë qenë gjithmonë prezent në ngjarjet e mëdha të historisë tonë, por masiviteti i tyre filloi në Luftën e Dytë Botërore, që përfshiu vendin dhe që vijoji me integrimin e tyre në Forcat e Armatosura pas çlirimit të Shqipërisë. Pas ndryshimeve të viteve ’90, roli dhe rëndësia e gruas në formacionet ushtarake, u ridimensionua si pasojë e zhvillimeve dhe transformimeve që Forcat e Armatosura përjetuan në kushtet e demokracisë dhe të integrimit në NATO. Edhe ky lloj ndryshimi dhe “evolucioni” është objekt i këtij punimi, duke shpjeguar rrugëtimin e vajzave dhe grave në formacionet ushtarake, dhe duke filluar me faktet që tregojnë përfshirjen e parë të tyre në Forcat e Armatosura e deri në ditët tona, kur vajzat dhe gratë janë në çdo strukturë, armë dhe shërbim të forcës ushtarake të vendit. Dhe ato nuk janë vetëm oficere. Vajzat dhe gratë tona janë të përfshira në uniformë ushtarake që në nivelet bazë si ushtare dhe nënoficere. Ato shërbejnë me një integritet, dinjitet dhe profesionalizëm të admirueshme dhe për kolegët e tyre djem e burra në uniformë, nga nivelet më të ulëta dhe deri në ato më të larta të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura. Me përkushtimin dhe sakrificat, aftësitë dhe kontributin e tyre, ato kanë ndryshuar përgjithmonë peizazhin ushtarak modern të forcës ushtarake të këtij vendi. Gratë dhe vajzat në uniformë janë sot vlera, krenaria dhe fisnikëria e Forcave tona të Armatosura, që gëzojnë dhe meritojnë respektin më të madh dhe, unë mendoj se duke respektuar fisnikërinë, ne sigurojmë ardhmërinë e Forcave të Armatosura dhe jo vetëm. Ato janë nderi, krenaria dhe fisnikëria e Forcave të Armatosura, jo vetëm këtu në Shqipëri. Ato janë përfaqësueset tona nga më të vlerësuarat dhe respektuarat jashtë vendit dhe në pikat më të nxehta të globit, nga Evropa në Azi, nga Amerika në Afrikë. Gratë dhe vajzat tona në uniformë shërbejnë në Afganistan, në Sudan, në Kosovë e Bosnjë, në Itali e Bruksel. Ato janë pjesë e strukturave dhe misioneve të NATO-s, OKB dhe BE. Në historinë tonë kombëtare, vajza dhe gruaja shqiptare nuk e ka pasur aspak të lehtë për shumë dhe shumë të drejta, merita dhe sakrifica të saj, prandaj pasqyrimi me anë të penës në këtë libër i “botës ushtarake” dhe “luftarake” të gruas shqiptare, është një mesazh i fortë për të gjithë shoqërinë shqiptare edhe në ditët e sotme. I ndërgjegjshëm për rolin dhe rëndësinë e këtij libri të rrallë në llojin e vet, jam i bindur se ky botim do të mbetet me vlerë të veçantë për të gjithë shoqërinë tonë, për ushtarakët, dhe në veçanti për vajzat dhe gratë tona ushtarake, por jo vetëm. Si qytetar, si ushtarak dhe si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, unë ju shpreh mirënjohjen dhe respektin tim autorëve të këtij libri, Kujtim Boriçit e Suzana Jahollarit, për jehonën dhe homazhin e shumë merituar dhe shumë gjatë të shumë munguar, që i kanë bërë femrës shqiptare në uniformë.

 

04

Mirënjohje grave oficere, trimëreshave fisnike të kombit!

 

Rustem Peçi

Ish-Komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”

 

Shkolla e Lartë e Bashkuar e “Oficerëve “Enver Hoxha”, të cilën unë pata fatin ta drejtoj për shumë vite, ka qenë dhe mbetet një nga institucionet elitare të shtetit shqiptar, ku përgatiteshin oficerë të devotshëm për kombin, ndërsa studentet ushtarake dhe oficerët që kanë dal nga kjo shkollë, mbeten model i përkushtimit dhe sakrificës në mbrojtje të vendit. Ai institucion, ajo ushtri e kohës, ishin model dhe të përgatitur në çdo kohë për të mbrojtur territorin shqiptar dhe lirinë me çdo kusht, deri dhe në sakrificën më sublime, për flamurin dhe betimin ushtarak. Janë këto djem e vajza oficerë që ishin dhe janë shembull në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, që duke vlerësuar më shumë lirinë dhe interesat e kombit se sa jetën e tyre, jo vetëm e mbajtën Shqipërinë të paprekshme, por shumë prej tyre, luftuan me heroizëm ku disa dhanë dhe jetën, në luftën për çlirimin e Kosovës. Oficeret dhe oficerët tanë të përgatitur në shkollën ushtarake shqiptare, dhe sot janë në ballë të detyrave të vështira në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë së vendi. Po ashtu, të larguar nga Forcat e Armatosura nga të ashtuquajturat reforma, me inteligjencën, profesionin dhe ndershmërinë e tyre, janë thirrur dhe sot në pika kyçe si ministra, deputetë, kryeministra apo Presidentë. Çdo fjalë dhe koment vlerësues për shkollën ushtarake “Skënderbej”, për Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë tonë Ushtarake, përballë gjurmëve të arta që ata kanë në historinë e ushtrisë shqiptare, mendoj se është i pa mjaftueshëm. Në këto institucione, krahas djemve tanë më të mirë, u përgatitën dhe u bënë oficere dhe vajzat tona. Unë, duke i njohur nga afër shumë prej tyre, duke i njohur në stërvitjet e shumta, gatishmërinë dhe drejtimin me kompetencë të reparteve e njësive të ushtrisë shqiptare, themë se ato janë dhe mbeten heroina. Janë trimëresha, fisnike dhe në shumë aspekte, më shumë se ne burrat. Çdo brez i vajzave oficere të përgatitura nga Shkolla e Bashkuar, çdonjëra prej tyre oficereve trime e të afta, kanë përse të krenohen. Dhe të vlerësohen, pasi e meritojnë plotësish, pa çka se dikush dje, por më shumë dhe sot, përpiqen t’i lenë në hije. Pikërisht për këtë, unë dua t’i falënderoj studentët e mi, bashkautorët e këtij libri, Kujtim Boriçin dhe Suzan Jahollarin. Ata kanë bërë e po bëjnë një punë të lavdërueshme me volumet e këtij libri për gratë oficere, pasi kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm. Duke qenë shumë kohë në drejtimin e shkollës që përgatiste dhe vajzat oficere, ruaj të freskëta shumë kujtime. Kujtimet lidhen me angazhimin për masa komplekse të jetesës, mësimit e stërvitjes së vajzave, në një mjedis tradicionalisht mashkullor; hartimin e programeve shkencore për çdo specialitet; ndërthurjen e përfshirjen e aktiviteteve të ndryshme shoqërore, kulturore e sportive brenda dhe jashtë shkollës; përballjen e një mentalitetit të trashëguar se ‘ushtria është për burrat e, jo për gratë’; përzgjedhja e trupës komanduese dhe pedagogëve nga më cilësorët dhe, deri tek zgjidhja në kohë e mënyrën e duhur të problemeve që ato kishin. Në këtë mënyrë, duke përmbushur këto detyrime dhe të tjera si këto, ne mundëm që të krijojmë atë bazë të shëndoshë që studentet ushtarake, të ndjeheshin të barabarta me kolegët e tyre djem dhe të bënin maksimumin për të fituar dije. Bile, studentet arritën jo vetëm të jenë të barabarta në rezultate me djemtë, pothuaj në të gjitha disiplinat, por në shumë aspekte ishin dhe më përpara tyre. Mjaft nga studentet që përfunduan këtë shkollë, pas diplomimit u bënë komanduese dhe pedagoge në këtë institucion, ndërkohë që dhjetëra prej tyre, arritën një karrierë të suksesshme në funksionet drejtuese e komanduese të reparteve e njësive ushtarake të vendit, përfshi Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitet e dekadat që pasuan, edhe pse kjo shkollë paradoksalisht mbylli dyert, gratë oficere të saj kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre në strukturat tona të Forcave të Armatosura, duke u përballur me dinjitet dhe me kolegët e tyre në shtete anëtare të NATO-s. Duke respektuar kontributin e grave tona oficere në të mirë të kombit, ne respektojmë së pari veten, por bëjmë dhe detyrën për t’ua bërë të njohur këtë kontribut brezave që vijnë. Ky libër që sot kemi në duar, është një hap i rëndësishëm dhe i munguar në këtë drejtim. Suksese autorëve dhe në volumet pasues. Mirënjohje grave oficere, trimëreshave fisnike të kombit!

 05

 (Historia nëpërmjet dokumenteve)

 

Kurset e para për përgatitjen e oficerëve shqiptarë, 5-8 nëntor 1944

 

Shtimi i reparteve e njësive partizane, veçanërisht në vjeshtën e vitit 1944, solli nevojën emergjente të përgatitjes së kuadrove oficer, edhe pse lufta për çlirim kishte arritur në fazën më të rëndësishme të saj. Referuar dokumenteve zyrtare të kohës, përgatitja e organizuar e kuadrove të ulëta të ushtrisë shqiptare (atë kohë partizane) është bërë me vendim Nr. 560 datë 8 nëntor 1944 të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha. Kursi i parë ishte njëmujor dhe u zhvillua në Berat. Në këtë kurs e të tjerët në vazhdim, po sipas urdhrave, merrnin pjesë dhe një numër i kufizuar i grave komandante-komisare partizane. Në vazhdim u bënë kurse të tjerë, por data 8 nëntor e vitit 1944, mbetet si data e nisjes së shkollimit të organizuar të oficerëve shqiptarë, në institucionin që më vonë do të quhej Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha”.

Kursi i parë

Ja dokumenti zyrtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, mbi bazën e të cilit u zhvillua kursi i parë i oficerëve të parë. “Komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacional Çlirimtare e Shqipërisë./ Urdhër Nr. 560, datë 8.11.1944./ Drejtorisë së Kursit të Parë t’ulët të oficerëve Berat/. Urdhërojmë çeljen e kursit të parë t’ulët të oficerëve. Kursi do të vazhdoj një muaj. Në këtë kurs do të marrin pjesë nënkomandantë të batalioneve dhe kompanive të Divizionit të Parë dhe III, të Brigadave XVI, II, IX, XX, XIX dhe VIII-të. Për zhvillimin e lëndëve të ndryshme teorike duhet të bëhen dispenca të cilat kanë për t’ju shpërndarë oficerëve. Në fund të kursit duhet të na dërgoni në modele të posaçme përfundimet e kursit për sejcilin oficer./

Vdekje Fashizmit-Liri Popullit./ Komandanti i përgjithshëm Ushtrisë Nacional Çlirimtare/ Gjeneral-Nënkolonel/ Enver Hoxha/ d.v./”

 

Komandantët, komisarët dhe shefat e shtatmadhorisësë shkollës në vitet e para të aktivitetit të saj

Komandantë

-Nëntor 1944-janar 1946; Irfan Peshtani

-Shkurt 1946-shtator 1948; Kolonel Qazim Kapisyzi

-Tetor 1948-shtator 1950; Kolonel Skënder Malindi

-Tetor 1950-shtator 1953; Gjeneral Major Gjin Marku

-Tetor 1953-shtator 1954; Kolonel Thoma Xhixho

-Tetor 1954-mars 1955; Gjeneral Major Gjin Marku

-Prill 1955-mars 1956; Major Tahir Kadareja

-Mars 1956-vazhdim; Kolonel Qazim Kapisyzi

Komisarë

 

-Nëntor 1944-janar 1946; Vasil Konomi

-Shkurt 1946-shtator 1947; Nazim Batalli

-Shtator 1947-shtator 1948; Sadik Bocaj

-Tetor 1948-shtator 1949; Ymer Veshi

-Tetor 1949-shtator 1953; Nënkolonel Ropi Leka

-Tetor 1953-shtator 1954; Kolonel Lefter Kasneci

-Tetor 1954-shtator 1955; Nënkolonel Sofokli Papavasili

-Shtator 1955-mars 1956; Kolonel Lefter Kasneci

-Mars 1956-vazhdim; Kolonel Lutfi Haxhiu

 

Shefa Shtabi (Shef Dege Stërvitje)

 

-Janar 1946-shtator 1948; Kolonel Astrit Nishani

-Tetor 1948-në vazhdim; Kolonel Enver Begeja