Kastriot Bimo: Si i shpëtoi komandanti i Ballit Kadri Cakrani infermieret amerikane nga gjermanët

1361
Sigal

Komandanti i Ballit Kombëtar, kishte vizituar infermieret amerikane dhe i kishte siguruar, se do t’i ruanin dhe do t’u plotësonin çdo kërkesë

 

Si i shpëtoi komandanti Kadri Cakrani infermieret amerikane nga gjermanët

 

Kastriot BIMO

Historian

 

Lufta e Dytë Botërore fsheh brenda vetes aq të panjohura nëpër botë, sa historianët rishikojnë versionet zyrtare nën dritën e fakteve të reja. Por në Shqipëri ky fenomen përbën rast unikal! Është fjala për shpëtimin e mjekëve dhe infermiereve amerikane, të cilët përfunduan në territoret shqiptare, (Belsh, Elbasan), pasi ishin nisur me një avion transporti C53 më 8.11.1943 nga Catania në Bari, me shkakun e kohës së keqe dhe zjarrit të kundërajrorëve gjermanë. Aty flitet në formën më reale, se populli i fshehu, e i ndihmoi, duke u vetsakrifikuar, e të tjera me radhë, në një kohë kur vetë palët ndërluftuese Nacional Çlirimtarët (partizanët) dhe Balli Kombëtar (nacionalistët) kishin bërë përpjekje për bashkim, në Mukje, rezistencë ndaj gjermanëve dhe si të tillë shfaqeshin rrezik për ta, por dhe kishin filluar një luftë të egër për të dominuar zonat e njëri-tjetrit. Pikërisht kryeqendra e luftës, Berati ishte e ndarë paqësisht mes tyre, deri sa u shfaqën gjermanët, gjë që bëri të garonin për aleancë me ta, vendosur strategjikisht në “Urën Vajgurore” dhe “Otllak” (Kuçovë). Në këtë pikë duhet të shikojmë me kujdes dëshmitë e detajet e një dëshmitari kyç në këtë qytet, komandantit të përgjithshëm nacionalist, Kadri Cakrani.

“Në Berat hyri me një kollonë të vogël, me patrullën në një triçikël, autoblinda dhe më prapa makina me një oficer. Triçikli që printe ecte me kujdes nëpër rrugë, po mileti hapej nga rruga duke i parë. Mestan Ujaniku duket ka kërkuar i pari t’i takojë, po Xhemali, i biri i tha që vente ai, pa merak. Me gjithë dy të tjerë i dolën përpara kolonës me triçkël dhe ky ndaloi. U habit se i pa me kapelle me yll të kuq këta, dhe Gjermanët si i kishin punët keq me Rusët e aq inat, e provokoi duke nderuar alla Hitler. Pa ndroje në çast Xhemal Ujaniku ia kthehu po Heil Hitler dhe atëhere gjermani, një ushtar i gjatë i patrullës e qëlloi me pëllëmbë Xhemalin, sa kapellja i ra për dhe. Dy të tjerët e kuptuan dhe i hoqën kapellet me një herë. Gjermanët e tjerë e morën dhe e lidhën në moment Xhemalin. Pas sqarimeve me duar dhe me këmbë Gjermanët dhe Komunistët u nisën për në Prefekturë. Atje kishte ardhur dhe Gjin Marku me të tjerët, mezi po prisnin” (K. Cakrani “Lufta ime” fq.123). Pas marrëveshjes me gjermanët, partizanët përfituan ngarkesa të mëdha me armë, sjellë me makina dhe nisën patrullimin në qytet së bashku me ta. “Duhet t’u thoshin popullatës së Beratit se me Gjermanët u bëmë ne të parët dhe që të shikonin, i ngrinin në krahë ca mitrolozë të lehtë gjermanë.

Patrulla Gjermane mbante vetëm automatikë.

 

Duke ikur nëpër rrugë, këta rrinin anës tyre dhe tutje tëhu me Gjermanët ato ditë. Që të dukeshin se vetëm këta i kishin pajisur me armë, dhe tani u bënë një kundër nesh, merret vesh, mbanin dhe zinxhirët e gjatë me fishekë të tyre osh nëpër pazar. Ditën tjetër Gjermanët ua kishin ndaluar municionin në patrullim, vetëm të mbanin në krahë armët. Sa dukej patrulla, ata nxitonin 5 a 6 vetë, po vetëm dy rrinin me të, dhe sa rrugë bënte patrulla pazarit, ndërroheshin dhe këta, duke habitur dhe Gjermanët vetë. (po aty, fq.124) Aleanca me gjermanët vazhdoi rreth një muaj, kur misionet britanike atashuar pranë shtabit komunist kundërshtuan, me këmbënguljen e Komandës Aleate të Mesdheut, me qendër në Kajro. Nuk do të ndalemi se si u shkëputën prej gjermanëve, partizanët e as konflikteve që sajuan duke kapur rob ushtarët e një triçikli, në një kohë kur proklamata gjermanë ishte fare e qartë dhe e prerë për ekzekutimin e menjëhershëm ndaj një ushtari gjerman, 30-50 vendas, por tek ngjarja e infermiereve amerikane që, falë teknologjisë e informacionit e kemi të mësuar në 20 variante. Për çudi prej vendit të uljes së detyruar, ekipazhin, mjekët, infermieret dhe sanitaret disa forca partizane i nisi në drejtim të Beratit, i rrethuar strategjikisht nga gjermanët. Qëllimi i forcave partizane që me tërheqjen e atyre nacionaliste, të cilat dominonin qytetin, ishte pas këmbënguljes së misioneve aleate të ishin këta ndihmesa e parë e Nacional-Çlirimtarëve, organizojnë në qytet plot diabolizëm, një lloj marrshimi të mbi 30 infermiereve, duke i paraqitur si çlirimtarë, natyrisht pa armë, dhe detyruar të marshonin së bashku në qytet. “Popullata kish dalë vërtet dhe po i takonte, të habitur se vetëm çanta me kryq të kuq kishin. Fare pak partizanë rrinin anash dhe sqaronin se këta 20 vetë erdhën të parët, kollona e madhe vjen prapa!” (po aty, fq.144) Gjatë tërheqjes tre prej tyre infermiereve nuk mundën të iknin, dhe u strehuan nga një familje e pasur beratase, Karaj; “Pas dy ditësh Kici (Karaj-red) kishte shkuar me një shok te Ballit Kombëtar.. Kici iu tha atyre se grupi i infermiereve amerikane (An Manjes, 32 vjeçare; Helen Porter, nga Utahu 31 vjeçare dhe Vilma Litll, ishte 31 vjeçare nga Kentaki), kishte shpëtuar.” (The secret Rescue, Shpëtimi Sekret, Cate Lineberry) Atëherë shohim dëshminë e Cakranit me atë të vetë të infermiereve të shpëtuar në këtë libër. –Dua që t’ua them vetëm Juve zoti Kadri, prandaj erdhe si me pororsi vetë. Më shkoi mëndja se do të kish parë ndonjë infermjere të vrarë ose të plagosur gjatë tërheqjes dhe dinte vëndin ku e kish fshehur. –Vetëm Juve mund t’ju besoj! Ishte vërtet si e kisha menduar punën e infermjereve, por ishin tre, që nuk kishin mundur të tërhiqeshin dhe ishin strehuar tek i vëllai i tij, Nani Karaj

– Janë plagosur, e pyeta, pasi plumbat atë ditë nuk pushuan?.

– Jo, më tha, po ato duan të dorëzohen, se mos hakmerren Gjermanët ndaj të Zotit të shtëpisë. Ato nuk e kuptojnë që për kaq gjë, pushkatohet lagjja e tërë!

– Atëhere ky është një sekret, i thashë, që të pushkaton ty që tani! Qartë?(K.Cakrani, fq.145)

Ky fakt sjell një konspiracion të ri në kufijtë e çmendurisë, ku në një territor me gjermanë, të takoje dhe ndihmoje armiqtë e tyre, aleatët anglo-amerikanë, dhe këtë e bëri komandanti nacionalist Cakrani. “Pas disa ditësh, Komandanti i Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani, kishte vizituar infermieret amerikane dhe i kishte siguruar se do t’i ruanin dhe do t’u plotësonin çdo kërkesë. Infermiereve iu dhanë veshmbathje, sheqer dhe oriz.(“The secret Rescue”, po aty) Nga ana e tij Cakrani sqaron; “Ishin të trembura dy fish kur më panë të gjatë dhe të vërejtur.

-Për se doni të dorëzoheni tek Gjermanët, i pyeta dhe ndërsa përkthehej i pashë që u trëmbën edhe më shumë. Me që e kishin parë Beratin të qetë kishin dalë dhe në darke dhe kishin vajtur dhe në kinema. Filmi ishte si gjithmonë italian, nga ata që mbante kinemaja qëkur. Pastaj të nesërmen kishin bërë çlirimin, ku menjëherë kishin ardhur Gjermanët dhe kishin goditur qytetin pa pushim.

-Ne më pas mbetëm këtu në shtëpi dhe e shikonim Luftën nga dritaret, si do që të zotët e shtëpisë i kishin çuar poshtë në bodrumin kantinë.

Pastaj kishin filluar kontrollet. Unë me vete kishja një letër shqip nga këto që Gjermanët i ngjisnin rrugëve kur erdhën dhe ua shpjegova.

–Në rast se ndokush mban armë, bën akte sabotimi, fsheh terroristë të dyshimtë, si është strehimi e ndihma që po ju jepet, atëherë pushkatohet së bashku me 30 banorë të tjerë peng. Pra, jeni pa mbrojtje! E dini sa janë 100 vetë apo 200 që do pushkatohen për shkakun tuaj? Gjithë mëhalla! Ato po shikonin njëra tjetrën.

–Unë jam Qark Komandanti i Nacionalistëve dhe e njoh këtë vënd dhe këta njerëz. Përgjigjem për këta, më kuptoni?!” (po aty, fq.146). Paralelizojmë këto fakte me tregimin e amerikaneve.

***

“Amerikanet kanë dashur të dorëzohen, që të mos iu krijonin problem familjes që i strehoi. Gjermanët dënonin me vdekje cilindoqë strehonte ilegalë. Familja ka refuzuar kërkesën e tyre” (“The secret Rescue”, po aty). Kjo bëri që konspiracioni të kalonte çdo limit dhe asnjë antar i familjes nuk do të dilte jashtë, jo më të fliste. Të gjitha kushtet iu krijuan në mënyrë të plotë nga qarkomandanti i Beratit Cakrani, gjë që bëri të kalohej ai dimër.

Po me grupin tjetër ç’po ndodhte?

 

Presidenti amerikan Rusvelt kërkonte informacion çdo tre orë dhe me urgjencë dërgon të zbarkojë në Karaburun për këtë problem vetë drejtorin e OSS (Office Strategic Service, sot CIA).“Kur e ka parë që, ose informacion nuk kish fare, se ato iknin maleve, ose ata e gënjenin, si në fakt e do lufta kaq herë, Misioni Amerikan u ngul me një herë në Karabrun, sepse po vinte erë puna e Infermjereve Amerikane, po dhe Aleatëvee që kishin” shpjegon Cakrani (K.C.fq.147).

Por në kushtet klimatike të dimrit dhe ato luftarake, misioni bëhej i pamundur. Nga ana tjetër, meqënëse partizanët nuk kishin përkthyes, beratasi intelektual anglisht folës Kostaq Stefa, në kushte të një detyrimi nga ana e tyre për të bërë përkthyesin e shoqëruesin, në një kalvar të pa imagjinueshëm mundimesh të një rruge rreth 1300 km, maleve, në dimrin 1943-’44. Këto kryesisht zona të dominuara nga nacionalistët e Ballit Kombëtar, pasi dy brigadat partizane të krijuara deri atë kohë, ishin në zonat e Korçës, arritën në gjendje cfilitëse pas dy muajsh së bashku me grupin e madh të infermiereve e mjekëve, në bazën ndërlidhëse të misioneve aleate, në Karaburun.

Në Berat ku është vendosur tashmë dhe komanda gjermane e qytetit, vështirësitë kanë arritur kulmin në një konspiracion total të plotë dhe drejtuesit e misioneve aleate Smith dhe Palmer janë në alarm ditë-natë. Raportet e tyre drejtuar qendrës aleate në Bari dhe asaj të Mesdheut në Kajro janë plot ndërtime situatash e detajime ngjarjesh, që konkludojnë me justifikime, jo krejt në erë. Qëndrimi antikomunist i komandantit të shtabit të përgjithshëm nacionalist Kadri Cakrani, përfshi këtu dhe misionet e atashuara tek ata, që në mënyrë direkte apo indirekte ushqenin luftën ndaj nacionalistëve, pak e njohur kjo edhe sot, bënë që oficerët Smith dhe Palmer, të cilët përgjigjeshin për çështjen, përpiqeshin t’ia kalonin ngadalë atë tek misionet e pamundura, apo rastësisë, por kërkesa e presidentit Rusvelt dhe OSS ishte e njëjtë, për të mos thënë, më këmbëngulëse. “Pyetjes, përse nuk i merrni ku janë të fshehura, ai dinte si t’i gjegjej, se është fare e pa mundur nga duart e Kadri Cakranit në Berat! Tjetrës pyetje, përse nuk shkoni ta vrisni dhe të merrni infermieret, nuk i përgjegjej dot, pasi ajo lloj pyetje kishte dhe fundin e saj. Në qoftë se me këtë pregatitje e çdo gjë që u duhet e keni, nuk e vrisni dot, atëhere vrisni veten! Kjo e fundit mbetej 100%, po si do e bënte atë, (Smithi) se jeta është e çmuar?! Me siguri, do t’u thoshnin se kishja në dorë tre çupa, për të mbajtur peng Amerikën!” (K.C.fq.204) Por tashmë për këtë problem niset vetë për në Berat kreu nacionalist i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe antar i KQ të B. Kombëtar, Avokat Skënder Muço, ku mendohej nga misionet se miqësia me komandantin Cakrani do të zhbllokonte situatën e nderë, ndërkombëtare tashmë. “Skënderi më pruri një letër të Kuartjerit të Përgjitshëm Amerikan, këtë herë që falenderonte për infermieret Amerikane nga Kajro dhe tha se e kam sjellë për ty. Më tha si fshehur se misionet në Vlorë e dinë që kanë ngecur këtu nja tre infermiere amerikane që ranë me avion, dhe nuk u bashkuan me grupin që erdhi në Janar. U ngritëm dhe shëtitëm pazarit, pastaj e kalova tek mëhalla dhe i tregova shtëpinë Karaj me kokë.

-I merr dot me vete, se 5 metro i ke larg që aty ku je! Mos do t’i takosh? Ai ngriu dhe nuk lëvizi sikur kish shkelur në minë.

-Rri urtë se do ’a gjej kohën unë që t’i bije! Se ata officerët englezë të misioneve i kanë parë Gjermanët me dylbi nga larg. Unë i kam këtu, dhe i tregova po me kokë një triçikël që po ikte ngadalë pazarit”.(po aty, fq.197).

 

Por çfarë thotë dokumenti amerikan, që falënderon për suksesin e grupit të parë të infermiereve?

 

“Kuartieri i Përgjithshëm i Forcave të Amatosura të SHBA në Lindjen e Mesme; Cairo; Egypt, 20 Janar 1944. Majorit Loyd Smith (oficer i misionit aleat në Vlorë)…Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Amerikane në Lindjen e Mesme, dua të shpreh mirnjohjen time për ndihmën që dhatë në evakuimin e grupit të infermiereve dhe aviatorëve amerikanë, të rënë aksidentalisht në vendin tuaj. Evakuimi i sigurtë i tyre ishte një mbështetje e bashkëpunim të popullit tuaj me forcat amerikane, për të cilën ju jemi mirënjohës..”(Gjeneral Major Ralph Roys) Pikërisht analiza e fakteve historike të çon në atë se çfarë informatash u transmetonin qëndrave oficerët e misioneve aleate dhe gjuha evazive e natyrës amerikane shprehur në falënderim, i bën shumë pseudohistorianë të shprehen qëllimisht me këto fraza që tingëllojnë infantile për një situatë lufte dhe aspak faktike dhe shkencore, për të shkuar tek e vërteta e këtij misioni kaq të madh human dhe historik. Situata mbeti po ajo, deri sa oficerët e zbulimit britanik Smith e Palmer, përgjegjës për mosevakuimin e infermiereve të bllokuara në Berat, detyrohen të dorëzohen më në fund t’i shkruajnë vetë komandantit të përgjithshëm Kadri Cakrani. “Ushtria Amerikane e di se infermieret janë me ju dhe u bë kohë e gjatë që nuk po vijnë dot. Nëse më pyesin për arsyet, do t’u them se ka munguar bashkëpunimi nga na juaj”. (“The secret Rescue”, po aty) Këtë herë nisen nga Dukati, ku qëndrojnë misionet aleate, anglisht folësi Hodo Meto (dhëndri i mëvonshëm i K. Cakranit) me Tare Shytin, shofer i Kadri Cakranit, por edhe koha e gjatë bëri që të mbaronte durimi i pritjes së infermiereve, alarm tjetër ky ardhur në tek komandanti nacionalist nga Kici Karaj, vëllai i autorit të fshehjes së tyre.

“-Ka ndonjë gjë nga infermieret?

-Po, tha ai, dhe heshti. Duan të ikin!

-Si, i bërtita atij, po ku do të venë?

-Vetë duan të ikin, se nuk kanë shpresë, thonë!

-Ato e dinë se Englezët janë në buzë të detit dhe detin e dinë në Berat, fola nëpër dhëmbë i nxehur..” (K.C.fq.202) Komandant Cakrani, duke thyer çdo rregull konspiracioni shkon me urgjencë tek infermieret. “Ato ishin z’verdhur dhe vetëm njëra fliste dhe donte se s’bën Qendrën.

-Atëhere të ikin! Ato u shashtisën fare duke parë përkthyesin, i cili asnjë fjalë nuk për kthehu nga frika.

-Kush i shoqëron, pushkatohet në vënd!” (po aty, fq.203) Por familja Karaj, e futur në telashin më të madh të marrë me mend, e jo provuar, ndihet tejet e rrezikuar. “I pashë të gjithë të mekur që po dridheshin, dhe infermieret që më shikonin. E zonja e shtëpisë po qante duke u dridhur në heshtje. Gjëndja ishte zi.

-Do të vij vetë në darkë. Qartë? Ata sikur u qetësuan. Infermieret me mendjen Amerikane, do kenë menduar se i ka marrë Qendra apo misionet, familja kujtoi tjetër gjë, se do transferoheshin në tjetër vënd.” (po aty. Fq.203) Në një situatë të tillë konspirative komandant Cakrani duket se e tepron në kushtet më të paimagjinueshme, unikale në të gjithë Luftën II Botërore, kur gjermanë dhe hebrejë bashkjetojnë prej kohësh pa e ditur në një qytet, në Berat.

“Të zotët e shtëpisë s’po kuptonin dot se ç’po bëja.

-Do t’i marr në shtëpinë t’ime për darkë, ç’keni që shikoni ashtu? I pashë që u lehtësuan, po akoma të paqartë nuk po besonin. Duke parë akoma se mos ishte shaka, u thanë Amerikaneve të vishen. Ato s’kuptonin gjë, por me që i vizitoja aty kaq herë dhe ndihmoja, vetëm tek unë kishin, pa e kuptuar dot, besim absolut! U futën në maqinë prapa dhe shoferi sa u nisëm më pa në sy.

-Në shtëpi, i thashë dhe nuk fola gjithë rrugës, kurse ato filluan të flisnin në gjuhën engleze ulët fare me njëra tjetrën, por tre fjalë të tëra. Ishin totalisht në tmerr, me pamjet kur panë të zotët e shtëpisë, që u fola ashpër.” (po aty, fq.203) Duhet për hir të vazhdimësisë së ngjarjes të zbulojmë më tej atë, ndërkohë që Hodo Meto dhe Tare Shyti kontaktojnë dhe më në fund zbardhin planin e ikjes, po në konspiracion të plotë.

“Në shtëpi ime shoqe kishte bërë gati darkën, po kur ikte Nan Karaj na dha edhe dy shishe verë nga e tyre. Ato u habitën dhe duke folur unë gjermanisht, pushuan.

-Do merremi vesh tani menjëherë Ju dhe ne, thashë dhe mora gramafonin. Vura një disk të Strauss me valse dhe ime bijë u habit. Ato u bënë me krahë dhe po përqafoheshin me njëra tjetrën. U shpjegova se në Wien kishja bërë shkollën, dhe ime bijë më erdhi në ndihmë duke treguar fotografitë. Ato ushtarak i kalonte shpejt dhe i mbante gjatë ato që ishin nëpër rrugë e Kathedrale e Schonbrun-in, Pallatin Perandorak, që Amerika nuk i kish kurrë, jo nga ca fshatra të saj nga vinin këto. U thashë se kisha një plan që do t’i nxirrja nga Berati, s’afërmi, por mos u mërzitni. Lufta nxjerr çdo ditë ligje të reja. Do të ikni me maqinën time dhe në Vlorë, pra në det j’u pret misioni aleat, që do t’u çojë me ndonjë anije në Bari, që nuk arritët dot më parë.” (po aty, fq.203) Por si domosdoshmëri e analizës historiko-shkencore duhet të krahasojmë ngjarjen me burimet amerikane nga goja e të shpëtuarëve.

“Kadri Cakrani ka vizituar disa herë infermieret dhe u shqetësua kur familja strehuese i tha, se ato kishin vendosur të iknin vetë. Një natë i mori me makinë dhe i dërgoi te shtëpia e tij për darkë. Nga fillimi i marsit, Shyti kishte mbërritur në Berat, dhe Cakrani ua kishte shpjeguar planin infermiereve. Plani ishte që dikush do t’i çonte me makinë deri afër Karaburunit dhe aty Smith do t’i hidhte me barkë për në Itali.” (“The secret Rescue”, po aty)

U zgjatëm, jo pa qëllim për të ardhur pas këtyre peripecive tek momenti final, por edhe më i kujdesshmi, pasi hidhte në erë planin e shpwtimit tw këtyre femrave që nuk flisnin fare gjuhën vendase, gjithë fshehjen konspirative, që do të konkludonte, siç edhe është vërtetuar me terror dhe internime. Duket më se i drejtë qëndrimi, në fjalët e qarkomandantit ndaj misioneve aleate, që ndihmonin papushim me armatim dhe ushtarakë brigadat partizane, ndërsa këtë zgjidhje delikate e kërkonin prej kundërshtarëve të tyre. “Po këta ishin misionet Aleate, që të gjithë pa përjashtim u besonin dhe që e bënë barabar konspirasionin tonë që mezi i mbanim fshehur, me Komunistët që i shpunë të parakalonin si çlirimtarë dhe për vete ikën me vrap dhe i lanë. Po t’i vriste zjarri gjerman që nuk pushoi atë ditë, ‘i vranë nazistët’, do thoshin, si e kanë në majë të gjuhës.” (K.C.fq.204) Megjithatë finalja bart ankth sa dhjetra pritje, prandaj hapat duheshin hedhur me shumë kujdes, dhe i pari ishte që duheshin pajisur me pasaporta shqiptare, të fesë islame, nga ku mund të maskoheshin.

“-Po vulat duhen të Beratit, po jo emra të krishterësh, se e dijnë Gjermanët nëpër posto-blloqe.”

 Muhamedanët i mbajnë gratë me shami!

 

Mbetëm dakord që të vinin nga Tirana letrat e njoftimit dhe e rregullova për të vulosur në Berat, tek një i njohur, si do që më pa me frikë.

-Ti pushkatohesh, po të dalë llafi! Qartë? Tarja me atë tjetrin j’u bënë fotografitë dhe nga darka i vulosëm. Dërgova shoferin t’i merrte të treja dhe po prisja. Ata u vonuan se kur kishin kaluar nga aerodromi, u kish plasur goma, për dreq tek vendi ku ishin gjermanët. (po aty, fq.205) “Tare Shyti dhe Sulejman Meço, një tjetër kushëri i Metos, shkuan dhe u thanë se duhet të dilnin në fotografi për letërnjoftimet false me emra shqiptare. Shyti, i cli jetonte në Tiranë i kishte siguruar lejekalimet aty, por gjetën vulat e Beratit. Amerikaneve iu dhanë emra falsë. Litll do quhej Arife Hamitaj. Në mëngjes, Shyti dhe Mecaj fotografuan infermieret dhe në darkë sollën lejekalimet(“The secret Rescue”, po aty) Ikja e infermiereve ishte po aq e kujdesshme, por dhe plot ankth për to. Kisha dërguar shoferin deri në Fier për të parë e kontrolluar postë blloqet gjermane. As që bëhej fjalë për gjumë dhe pa u zbardhur erdhën dhe më lajmëruan. Si e kishim lënë do të ishin dy kamioçina, njërën do t’ ngiste një tjetër shofer i yni ,i Ballit dhe atë të dytën shoferi im Shyti dhe prapa një djalë nga tonët. I ndanë infermjeret dhe shoferi im mori dy. Në të parën ishte Sulo Meçua dhe amerikanja si fshatare. Ikën dhe s’i pashë më.” (K.C.po aty, fq.205) Burimet amerikane tregojnë me përpikmëri veprimet e komandant Cakranit, Hodo Metos etj., të zhytur në një rrezik të pamenduar as në momentet që po e kryenin arratisjen. “Një kamionçinë e vogël i priste jashtë me një shofer nga Balli Kombëtar. Infermieret dhe Meço hipën në makinë. An u ul në sedilen e pasagjerit dhe kishte edhe një pushkë të fshehur mes këmbëve për çdo rast. Shyti, shoferi i Cakranit dhe një ushtar i Ballit ishte pas me dy infermieret e tjera. Makina para humbi sysh, dhe kamionçina e tyre pësoi një gomë të plasur. Ndërsa shoferi po rregullonte gomën disa ushtarë gjermanë kaluan atypari. Cate sqaron se: “Amerikanet ulën shikimin poshtë, ashtu si vajzat shqiptare. Sytë blu të Porterit nuk duhej te këmbeheshin me gjermanët se ata do dyshonin”.(“The secret Rescue”, po aty) Pas disa kontrolleve në postblloqet gjermane, ato mbrritën pas 135 ditësh në fshehje të plotë në Shqipëri në shpellat e Karaburunit. Ishte 18 Mars 1944.

Por konspiracionin unikal me aq probleme të Beratit, nuk mund ta gjeje në qytete të tjera, kështu që pas disa ditësh, komandanti i Ballit Kombëtar Kadri Cakrani thirret nga ai i garnizonit gjerman të Beratit, si përgjegjës për qytetin, këtë herë për ngjarjen. “Gestapua kishte marrë një informatë të saktë nga Vlora, se muajin e kaluar në Vlorë kishin vajtur nga Berati 5 Infermiere të Aleatëve të fshehura këtu. Dola nga natyra ime dhe qesha, me zor, kuptohet! Shqiptarët nga tre i kishin bërë pesë, vetëm si të bënin keq, po spiunët kur janë pjesa më e pështirë e paqes, po e luftës?

-Janë 35, jo 5 Kapiten, dhe kjo çështje ka që në Janar 944, po çudi që e keni marrë vesh kaq vonë?! Këtë radhë nën qeshi ai.

-Jo Herr Oberbefehlshaber (Komandant i përgjithshëm), këto janë 5 infermiere të avionit të Tyre që rrëzuam! Vërtet janë 30 ato që u shpëtuan në Janar 944 që thoni Ju, po ato i shpëtuan Komunistët, vazhdoi qetë Kapiteni.

-Atëhere edhe këto 5 i kanë shpëtuar po ata, pasi në qytet jemi ne, Xhandërmaria dhe Komanda t’uaj. Nuk ka mundësi se mund të rrinin në qytet nën tre rreziqe një herësh. Jo! Po këtë gjë j’ua kërkoni Komunistëve, me që keni dhe marrëveshje me ta.” (Kadri Cakrani, “Lufta ime” fq.309)

Natyrshëm me radhitjen e fakteve dhe vetë ngjarjes, qoftë dhe pa analizën shkencore, lind edhe krahasimi, jo më i ngushtë “aleat” se sa ai “human”, prandaj nuk mund të mos tregojmë fundin e shoqëruesit dhe përkthyesit intelektualit Kostaq Stefa, i cili për këtë vepër në botë do të kish aureolën e heroit, që në Shqipëri është pushkatimi i tij si “agjent i amerikanëve” më 1947-n. Ironia e fatit i ndjek dhe nuk ndalet së renduri pas këtyre lloj shqiptarëve me këtë shpirt vërtet kaq të madh. Djali i tij tregon: “Mamasë i komunikuan se babait i kishin falur jetën, drejtpërdrejt, një takim të shkurtër me babanë, prej 4 minutash në hetuesi. Ai vetë i pati thënë: “E sheh grua, që duhet të kemi besim te drejtësia? Ngaqë do të më nisin drejt burgut të Burrelit, më sill disa veshmbathje të pastra, pallton etj.” Kur ia patën hequr prangat për ato pak minuta takim, duart e tij ishin të gjakosura.. Mamaja i merr leje atë orë mësimi në shkollë, mësueses së Alfredit për djalin, që ta dërgonte në hetuesi, e ajo vetë vazhdoi mësimin me klasën e saj. Alfredi merr disa pasta që ia jep mamaja, për t’ia dërguar policëve për këtë fakt, por kur Alfredi mbërrin në hetuesi, policët i thonë: “Ik ore, se yt atë u pushkatua mbrëmë!” Ai kthehet duke qarë me ngashërim, dhe mamaja në shkollë nuk u besoi veshëve. Ajo u kthye vetë në hetuesi ku i konfirmuan lajmin makabër, dhe i thanë: “Tani, thuaj Rroftë Partia!” Babanë e kishin pushkatuar në orën 2 të natës..” (Albania news, 10.2.2017)

Të gjithë pjesëtarëve të avionit C53 të shpëtuar nga shqiptarët, iu ndalua si sekret nga shteti amerikan, të mos përhapej ngjarja, për arsyet që sapo cituam, dhe vetëm pas vitit 1985 u fol për herë të parë.