Kahreman Ylli, bilbil, i rritur në male

2064
Sigal

Enver CAKAJ

Po qaset 3-shtatori, kur burri i burrave, Kahreman Ylli, na u shua, por nuk ra, qëndroi në këmbë. Ai mezi priste të vinte Festa e Çlirimit të rrethit, që të çmallej me burrat e besës së Skraparit. I pëlqente të ulej këmbëkryq e ta çokte gotën e rakisë me miqtë e tij të hershëm. Mos kujtoni se kishte dëshirë të pinte raki. Aty, sheshas, i pyeste dhe dëgjonte hallet e tyre. Sa herë bëheshin festa në Skrapar, skraparasit pyesnin: “A do të vijë Kahremani me Parashqevinë?” Dhe nuk mbetej skraparas pa zbritur në Çorovodë. Andej nga Backa, Jake Backa, mblidhte të gjithë backallinjtë dhe zbriste me këngë. Nuk kishte makina. Udhëtonin 40-e ca kilometra në këmbë për të takuar Kahreman Yllin. E patëm dëgjuar shpesh të thoshte: “Për Kahremanin nuk ka djepe në Skrapar që ta tundë.” Përse e përmendte gjithmonë këtë shprehje Jake Backa? Kahreman Ylli nuk ka qenë kurrë larg popullit të Skraparit. Si deputet, por dhe si djalë i një familjeje fisnike, ai jetonte me ta. Mjaftonte një letër dhe ai gjendej në Backë e në të gjithë Skraparin. Kur nuk kishte kohë komunikonte me letra ose me telefon. Në një letër që Jake Backa i dërgon Hetem Bakiasit, i shkruante: “Në festën e çlirimit nuk erdha dot, se kisha një dasmë, po sikur ta dija që vinte Kahremani me Parashqevinë, do ta kisha bërë def atë dasmë.”  Kahreman Ylli nuk ishte nga ata burra që kishte nevojë ta mburrnin. Ai e kishte krijuar vetë portretin e tij me punë e djersë të pastër. Andej, luftërave, punëve e nëpër botë, ku e dërgonin u kalit ai burrë, që burrëron e do të burrërojë edhe pas vdekjes. Bariu i Leshnjes, normalist në Elbasan. Djali i Sinanit do të bëhej dikushi. Po çfarë do të bëhej? Nuk pati menduar kurrë për ndonjë karrige të lartë. Pikësëpari, ai donte të bëhej njeri, që t’u shërbente të gjithëve. E dini ku shkoi pas mbarimit të Normales së Elbasanit? Mësues në fshatin Zaloshnje të Skraparit në vitet 1935-1936. Të mos harrojmë atëherë nuk kishte, as rrugë, as makina. Shkolla ishte një ngrehinë, ku mësuesi duhet t’i sajonte vetë mjetet mësimore. Nuk kishte as mensë e hotel, ku të hante e flinte. Babai i tij, Sinani, kishte mik patriotin Mahmut Zaloshnja, ku qëndroi sa qe atje. Në Zaloshnje ai sajoi edhe pseudonimin e tij “Burlati”. Askush nuk e dinte përse i duhej. Por do të vinte një ditë që ta mësonin. Ai djalë diturak dhe aq i thjeshtë kishte tertipe të tjera. Në Shqipëri nuk kishte shkolla të larta, por kishte mundësi për të studiuar jashtë shtetit. Sinani nuk i kursente lekët për atë djalë, që kudo që vinte shkëlqente si dielli. Edhe shokët nuk e kishin lënë rehat Sinanin, që ta ndihmonte këtë djalë që po ecte me këmbët e tij. Një natë dimri Sinani i pati mbledhur të gjithë fëmijët e u kishte thënë: “Nëse ju nuk bëni që të mos thirret me emrin tim në këtë shtëpi, jeni bërë të zotët e vetes. Dhe një ditë ai dëgjoi të thërrisnin në emër të Kahremanit, që ishte bërë i njohur në gjithë qarkun e Beratit. Bariu i Leshnjes i kaloi kufijtë e vendit dhe shkoi të studionte në Lion të Francës. Atëherë u dëgjuan ca pësh-pëshe: “A thua të vijë më në Shqipëri Kahremani?!” Po Sinani nuk e kishte dërguar djalin në Lion që të ndërtonte Francën. Ai i duhej atje, në Leshnje, në Skrapar e në Shqipëri, që të kishte dhe Leshnja në djalë me arsim të lartë. Kahremani kishte tertipe të tjera. Ai donte të ishte mësues në fshatrat e Skraparit, që fëmijët e tij të mos merrnin mësime gjysmake nga mësues autodidaktë. Edhe pse doli nga kuadrot e parë të lartë nuk pati synuar që të zinte ndonjë vend në Tiranë. Sa u kthye nga Franca e dërgojnë zëvendësdrejtor në Peshkopi. Në Lesnje Sinanit i vinin vlerësimet: “Djalë, po djalë ka bërë Sinani!”

Për Kahreman Yllin është shkruar një libër, ku përmblidhet jeta politike e tij. Kahremani nuk është i tëri aty. Unë që shkruaj këto radhë e kam njohur thellësisht, plus që e kishim mik të familjes. Kahremani duhet plotësuar, se na duket sikur lëviz edhe atje në varr duke kërkuar pjesën tjetër të jetës së tij. Ai duhet plotësuar, se vërtet rrojti pak, por jetoi shumë. Kahremani është cilësuar “Nderi i Kombit” dhe si i tillë duhet ta justifikojë atë titull me figurën e tij të plotë, të cilës ai nuk i ka lënë asgjë mangët. Atëherë përse t’ia cungojmë ne? Për atë burrë “Pyeti OKB-ja, /Nga është ky djalë?!” Por të mos harrojmë, skraparasit pyesnin çdo ditë për djalin e tyre, ashtu siç pyeste dhe ai për të gjithë skraparasit me emër. Ju lutem gjeni ju një njeri që t’i dijë të gjithë emrat e rrethit të tij. I njihte të gjithë, se ishte marrë me të gjithë në Luftë e në punë. Po e konkretizoj me një fakt. Kahreman Ylli vajti në zonën e Potomit, por duke ecur nëpër fshat me kryetarin e këshillit popullor, përpara u doli një mësues. Kryetari e prezantoi me mësuesin si i nipi i Asllan Osojës, por ai qeshi, siç dinte të qeshte Kahremani dhe i tha: “Pse nuk thuaj djali i Hysenit, po nipi i Asllanit?” Dhe skraparasit pyesin dhe këndojnë edhe tani për djalin, që e kishte mbiemrin Ylli, po ishte si dielli.

Kahreman, ylli mëngjesit,

Besë trimi, djali ynë.

Zemra jote s’ka pushuar,

Syri yt me ne rri zgjuar.

Pjesa tjetër e librit dhe jetës së Kahremanit është tek populli i Skraparit. Kahremani i popullit nuk është shkruar ende. Kahremani fliste me zë, me isharete, me dorë, me buzëqeshje, heshturazi dhe e kuptonin të gjithë. Këto cilësi të tij nuk i gjejmë në libër. Më kujtohet një herë kur punoja në aparatin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit në Skrapar, që na erdhi një kërkesë nga Gjerbësi për të shpallur dëshmorë pesë gjerbësllinj. Pati shumë debate, pro e kundër asaj kërkese. Na u desh ta verifikonim, por shumica ishte kundër. Atëherë i shkruam një letër Kahremanit, i cili na u përgjigj: “Është e vërtetë që unë kam luftuar dhe punuar në Skrapar dhe i njoh njerëzit, por ju keni aty Asllan Osojën, Taip Metanin, Shaqir Kapinovën…” Përgjigjja e tij ishte një vërejtje për ne, që nënvleftësonim patriotët e nderuar të rrethit. Por ai njeri nuk dinte të denigronte me fjalën dhe këshillat e tij. Kahremanit i kishin lezet të gjitha dhe me të gjitha edukonte. Një herë ai mori pjesë në një mbledhje të Këshillit Popullor të qytetit të Çorovodës. I dëgjoi të gjithë me shumë kujdes. Njëri prej tyre po fliste si mbyturazi dhe nuk po e merrnin vesh se çfarë thoshte. Kahremani i qeshur në fytyrë iu drejtua fare qetë: “Fol, o fol si babai yt!”

 

Pas çlirimit të vendit nisi reforma agrare. Shtëpia e Kahremanit kishte qenë si një garnizon ushtarak gjatë Luftës. Nuk kishte ditë që atje të mos strehoheshin partizanë dhe hallexhinj. Por reforma nuk e fali as familjen e tij. Atij i mori njëmijë kokë bagëti. Nuk ishte normale që të cenohej ajo familje, që të gjithë pasurinë e shkriu për Luftën. Por ligji ishte ligj. Sigurisht Sinanit nuk i erdhi mirë, se i dukej sikur i hidhej poshtë i gjithë kontributi i Luftës. Kahremani e mori vesh dhe vajti në shtëpi. Pyetjen e parë që i bëri Sinani ishte: “Kush m’i mori bagëtitë mua?” Por Kahremani, me atë natyrë aq miqësore iu përgjigj: “Unë t’i mora, se jemi sërish në luftë dhe do të fuqizojmë shtetin. Nga ajo pjesë e marrë nga reforma do të përfitojmë dhe ne.” Po Sinani nuk ia prishte kurrë qejfin atij djali, që kishte nderuar familjen dhe vendin e tij. Kahreman Ylli ministër e deputet derisa qe gjallë. Mos kujtoni se ishte nga ata kuadro të lartë që ishte mbërthyer pas karriges. Ai ishte çdo sekondë ministër e deputet. Pse ishte i tillë Kahremani? Sepse ishte rritur tok me popullin e Skraparit dhe nuk i harronte ata gurët që i vinte nen kokë në vend të jastëkut. Nuk harronte as ato pellgosat me ujë, ku kishte vënë buzët e thara për të shuar etjen. Ai kishte ngrënë bukë me një lugë e një tas me shokët e Luftës dhe të punës. Nuk i harronte ato netët e ftohta që i gdhinte me shokët nëpër pozicionet e Luftës. S’mund t’i hiqte nga kujtesa ata skraparas të varfër, që në vend të bukës hanin urof! Si të harronte kur në shtëpitë e tyre hartonte planet e Luftës nën dritën e copave të pishave, se as vajguri nuk kishte? Nuk harronte ata shokët e Luftës, që u skuqeshin këmbët nga të ftohtit, se opingat u këputeshin dhe ecnin në zbathur nëpër dëborë. Nuk i harronte dot ato nëna gjithara, që ia kishin ruajtur zhaken e vetme të miellit për t’i shuar urinë. Ku numërohen e kush i numëron ato vuajtje e ai angazhim i njerëzve për të fituar lirinë. E, Kahremani i kishte kthyer të dy sytë dhe mendjen nga populli i Skraparit. Dhe ai e mbajti siç mban nëna djalin e vetëm. Por atë 3 shtator të orës 18. 45 të vitit 1975, natyra bëri krimin më të rëndë. Nuk na i la më, por na i mori përjetësisht atë burrë që nuk i vjen më Skraparit. Edhe sot e sa të jenë gjallë skraparasit nuk do t’i heqin lotët e dhimbjes nga sytë. Nuk e harrojnë dot, se ai ka lënë në çdo shtëpi të tyre nga një pjesë të jetës së tij. Skraparasit po presin bustin e tij që të çmallen me të. Flamur Mëlova po përpiqet me një grup skraparas për ta përfunduar, të paktën të mos e vonojnë. Skrapari kërkon djalin e tij.