Ish-ushtaraku Gani Elezi: Si u lanë rrugëve dhe me poste ordinere, ajka e oficerëve të përgatitur të ushtrisë

772

Dosier/ Flet Gani Elezi  ish-ushtarak i lartë

– Partitë e reja opozitare, që erdhën në pushtet me zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, e konsideronin si pengesë vënien e ushtrisë nën kontrollin e tyre

-Si u lanë rrugëve dhe me poste ordinere ajka e oficerëvë të përgatitur që ishin krenaria e ushtrisë

-Në drejtimet kryesore në  MM dhe Shtabin e Përgjithshëm zbarkuan kuadro që para viteve 90-të kishin demonstruar paaftësi dhe mungesë përgjegjësie

-Si u shpik VKM nr.225, dt.29.05.1992, prejt të cilës u larguan nga radhët e ushtrisë kuadrot më të aftë

-Zëvendësimi i armatimit një oficeri italian ju duk absurd, ai tha: Armët që keni vrasin njëlloj si tonat dhe ju nuk keni këllqe që të merrni të reja

-Si filloi tregtia e armëve të bëhej e hapur, në sytë e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar

– Ushtria ishte futur në një proces të pandalshëm degradimi edhe në planin material

 

Albert Z. ZHOLI

Pra ju thoni se në këtë kuadër u hodhën ide e formulime të reja edhe për koncepte ushtarake që duhet t`i përshtaten luftës së sotme, të cilat qenkan të “kundërta” me ato ide e parime që përcaktonte arti ynë ushtarak?

 

Po! Kështu,në të njëjtën kohë, goditej edhe ushtria jonë që duhej t`i kryente këto detyra, duke u konsideruar, ajo dhe efektivat e saj, vetëm si një instrument  në dorë të udhëheqjes së lartë të PPSH dhe të shtetit shqiptar.

Fillimisht reforma kishte si qëllim imediat të largonte nga radhët e ushtrisë  të gjithë ato kuadro, që partitë politike, veçanërisht partitë e reja opozitare, që erdhën në pushtet me zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, i konsideronin si pengesë në vënien e ushtrisë nën kontrollin e tyre dhe në shërbim të objektivave për marrjen dhe konsolidimin e pushtetit politik. Në këtë kuadër nuk u kursye asnjë  ushtarak i cili, në forma të ndryshme, shfaqte mosaprovim për proceset që po zhvilloheshin në Shqipëri, jo si procese objektive, por për pasojat negative që ato po sillnin. Kryesisht u synua të largohej nga ushtria ai kontingjent kuadrosh, që përbënte bërthamën  më të aftë, potencialin e vërtetë drejtues të ushtrisë. Kështu me një vendim qeverie, u larguan nga ushtria dhe nga struktura të tjera të mbrojtjes,nga policia, nga organet e sigurimit të shtetit, të gjithë kuadrot mbi 49 vjeç, në grupin e të cilëve bënin pjesë gati të gjithë drejtuesit e aparatit të MM,të komandave dhe të shtabeve të njësive kryesore, të divizioneve dhe brigadave, të të gjithë llojeve të armëve dhe shërbimeve, dhe të sektorëve të tjerë të ushtrisë. Një masë e tillë e la ushtrinë shqiptare pa përvojën dhe aftësitë drejtuese të kuadrove dhe të specialistëve më të zot të saj, të cilët përbënin potencialin më të madh, që mund të garantonte realizimin me sukses të ristrukturimit dhe forcimit të mëtejshëm të saj edhe në kushtet e transformimeve të mëdha politike.

Edhe në rastet kur nuk vepronte kriteri i “moshës 49 vjeç”, duke aplikuar parimin e luftës kundër nomenklaturës së lartë të PPSH, u hoqën nga detyra dhe u caktuan në funksione tepër të ulëta, rrjedhimisht të papranueshme, për nga mosha, aftësitë dhe kualifikimi, të gjithë ish komandantët dhe komisarët e divizioneve, të brigadave e të njësive të barabarta me to, si dhe kuadro të tjerë të lartë në aparatin e MM. E gjithë kjo kategori kuadrosh kishin planëzuar vetë dhe njihnin në detaje të gjitha masat e Planit të mbrojtjes se vendit, që nga struktura organizative e ushtrisë, programi i përgatitjes luftarake të saj, planet e furnizimit material e teknik, masat për sigurimin e hapjes dhe të kompletimit të njësive dhe të reparteve, në rast gatishmërie luftarake dhe deri tek masat më të rëndësishme siç ishin “planet e veprimeve luftarake” të tyre,në rast të ndonjë agresioni ushtarak kundër vendit tonë. Pavarësisht se asnjë nga këto kuadro nuk e identifikon veten me “shpëtimtarin” e ushtrisë dhe me “garantin” e mbrojtjes së vendit duhet të pranohet se përvoja dhe aftësitë e tyre ishin shumë të nevojshme në situatën që po kalonte vendi ynë dhe se largimi i tyre nga ushtria solli pasoja mjaft të rënda. Kuadrot e ngritura në vend të tyre nuk kishin as aftësitë profesionale, as përvojën e mjaftueshme, e mbi të gjitha, për arsye të deklarimit partiak të tyre, nuk siguronin as besimin dhe mbështetjen e plotë të  masës së gjerë  të efektivave të reparteve dhe të njësive, që morën në komandë, për të realizuar me sukses transformimet që duheshin bërë në ushtri. Nuk më duket etike të përmend emra konkrete, por disa nga të emëruarit në krye të  njësive ushtarake  dhe të sektorëve të veçantë në  aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë rezultonin të ishin nga ata kuadro që para viteve 90-të kishin demonstruar paaftësi dhe mungesë përgjegjësie të madhe në plotësimin e detyrave funksionale.

-Çfarë rruge u përdor për të larguar kuadrot kryesorë?

Për të larguar  kuadrot që, sipas udhëheqjes së lartë politike dhe ushtarake, nuk ishin të besueshëm, u shpik VKM nr. 225, dt. 29.05.1992, sipas të cilit mund të largoheshin dhe u larguan nga radhët e ushtrisë një masë e madhe e kuadrove të ushtrisë,pavarësisht se ende nuk ishin në moshën 49 apo 50 vjeç,të cilët ishin larguar më parë me një ligj të veçantë.

Një veprim i tillë, më pas, u pagua  me një kosto mjaft të lartë dhe të dhimbshme nga ushtria jonë. Me largimin e kuadrove, që më parë do të donin të mbronin ushtrinë se sa partitë, që në këtë kohë ishin të shumta, dhe me ardhjen në drejtim të kuadrove përfaqësues të partive politike, të klaneve të ndryshme, ushtria, nga një institucion garant për mbrojtjen e vendit, u shndërrua në një mjet presioni në garën elektorale të këtyre forcave, duke shkelur hapur statusin e saj të depolitizuar. Një praktike e tillë në vlerësimin e punës dhe të kontributit të kuadrove, plus trajtimi mjaft i dobët ekonomik, nxiti fenomenin e largimit të kuadrove nga ushtria, sidomos të kuadrove të reja, të cilët mund  dhe duhet të merrnin një barrë shumë të madhe në kuadrin e masave për forcimin dhe modernizimin e saj.

planin ushtarak, reforma në ushtri qe një katrahurë, qe një periudhë agonie për ushtrinë shqiptare. Ajo, në fakt, degradoi në një proces që, më shumë se në interes të forcimit të aftësive mbrojtëse të vendit, përdorej në interes të forcimit të kapitalit politik të forcave që e kishin pushtetin apo që e synonin atë.

Kështu, ndërkohë që deklarohej pavlefshmëria e politikës së mbrojtjes të PPSH si dhe e mendimit ushtarak të asaj periudhe, nuk u ndërmor asnjë masë serioze për të bërë korrigjimet e nevojshme në këto fusha, për të hartuar politika të reja mbrojtjeje,që do të aplikonte vendi ynë në kushtet e reja politike dhe ushtarake.

Gjithçka që thuhej ishte vetëm propagande për efekte politike dhe elektorale. Asnjë efekt pozitiv,asnjë ndryshim cilësor, nuk sillte një qasje e tillë  në fushën e mbrojtjes. Efektet e vetme që vinin prej saj ishin goditja e arritjeve të deriatëherëshme dhe krijimi i një situate konfuzioni të plotë në trupën e kuadrove, të të gjithë niveleve. Rasti e ka sjellë të takohem dhe të bisedoj me kuadro të reparteve dhe të njësive të ushtrisë,por edhe me kuadro të aparatit të MM, të institucioneve shkencore, si të Akademisë, të shkollave ushtarake, etj, dhe ajo që kam konstatuar më ka befasuar. Asnjë prej tyre,qoftë edhe ato të rangjeve të larta, në MM, nuk kishin dijeni dhe nuk ishin të qartë se çfarë po bëhej në ushtri, për të ripunuar mendimin ushtarak, politikën e mbrojtjes së vendit tonë si dhe për riorganizimin dhe forcimin e ushtrisë. Gjithçka që kryhej, bëhej në rrethe të ngushta, duke spostuar kështu specialistët dhe institucionet e specializuara ushtarake, duke përjashtuar pjesëmarrjen e kuadrove drejtuese të ushtrisë. Për t`i dhënë rëndësi kësaj pune, herë propagandohej se po mbështeteshim në përvojën e ushtrive perëndimore, të NATO-s, herë në përvojën e një ushtrie të veçantë, si të asaj amerikane, gjermane, turke, italiane, etj, dhe herë herë se do të  mbështeteshim në përvojën tonë kombëtare. Kjo sorollatje nëpër skedat e “teorisë dhe të mendimit ushtarak bashkëkohor, perëndimor” zgjati jo pak por gati një pesë vjeçar, deri sa në  maj të vitit 1995 u miratua dokumenti  “Politika e sigurimit dhe politika e mbrojtjes të RSH”, dokument që, për mendimin tim, nuk solli ndonjë përmirësim të veçantë në këtë drejtim. Për rrjedhojë, kjo kohë e humbur solli pasoja mjaft të rënda për fatet e mëtejshme të ushtrisë sonë. Mungesa e një politike të qartë në fushën e mbrojtjes, mos përcaktimi i parimeve të përgjithshme dhe normave konkrete, mbi të cilat do të mbështetej mbrojtja jonë, dhe më konkretisht organizimi dhe përgatitja e ushtrisë, krijoi kushte të favorshme që në ushtri proceset të zhvilloheshin jo në drejtimin e duhur, por në drejtim të kundërt, drejt dobësimit dhe shkatërrimit të saj.

Kësaj praktike kaotike i`u nënshtrua, në radhë të parë, procesi i riorganizimit të strukturave të ushtrisë, që ishte masa më e rëndësishme në kuadrin e reformës ushtarake.

-Po më lidhje me strukturën e ushtrisë si u veprua?

 

Në fillim u fol se  struktura e divizionit do të suprimohej e  do të kalohej në strukturën e korpusit. Herë tjetër flitej për struktura më të “lehta”,me brigada apo me regjimente dhe formacione tjera më të vogla ushtarake, në bazë të drejtimeve kryesore të mbrojtjes sonë. Në fakt,u veprua ndryshe. U suprimuan shumë Divizione. Nga 22 të tillë në mesin  e viteve 90-të mbeten vetëm 5 Divizione,në Shkodër, Kukës, Tiranë, Korçë dhe në Gjirokastër. Divizionet e tjera u organizuan në nivelin e Brigadave të këmbësorisë. As sot, që kam përfunduar këto shënime, ende nuk është përcaktuar qartë dhe përfundimisht struktura organizative e ushtrisë sonë dhe e sistemit të saj të drejtimit, që nga MM, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat e njësive ushtarake. Duke qenë konkretisht në pozitat e mohimit të vlerave të strukturave të mëparshme dhe të mos krijimit të strukturave të reja, në fakt u krijua një boshllëk strukturor, çka do të thotë që, edhe në “letër”,Shqipëria nuk kishte dhe nuk mund të mobilizonte ushtrinë e saj. Po t`i shtosh këtij fakti edhe emigrimin masiv të kontingjenteve rezervistë jashtë vendit ky rrezik, pra pamundësia për të mobilizuar ushtrinë tonë, bëhej më e dukshme. E vetmja punë me vlerë që bëri MM gjatë këtyre viteve është organizimi dhe përgatitja e disa reparteve speciale, siç është Brigada Komando, në Zall Herr, batalioni i forcave speciale në Farkë,disa reparte speciale të policisë së shtetit etj, dhe pjesëmarrja e tyre, në nivel nënreparti, në operacionet paqeruajtëse në kuadër të forcave  ndërkombëtare, që është një arritje me të vërtetë e niveleve të larta. Por, as se si, këto kontingjente nuk mundet të zëvendësonin, apo të kompensonin mungesën e organizimit, të përgatitjes dhe të mobilizimit të strukturave masive të ushtrisë, të cilat edhe pse ishin në letër, nuk mund të organizoheshin e të përdoreshin në rast nevoje. Kjo gjendje e paqartë për strukturën organizative të ushtrisë bllokoi, në praktikë, çdo masë që duhej marrë në interes të forcimit të aftësive mbrojtëse të vendit. Gjithçka që deklarohej për “gatishmërinë” e ushtrisë sonë, për të përballuar çdo situatë që mund të n`a paraqitej ishte një propagandë dhe demagogji e hapur dhe e lexueshme fare lehtë, nga të gjithë ne, nga specialistët ushtarakë. Gjendja reale e strukturave të ushtrisë dhe emigrimi masiv, brenda dhe jashtë vendit, i kontingjenteve të afta për të luftuar, nuk garantonte një kundërveprim të suksesshëm ndaj ndonjë agresori të mundshëm. Çështja ishte se këtë gjendje e njihnin mjaft mirë edhe kundërshtarët tanë, të cilët gjenin rastin të deklaronin se “Shqipëria, për ta, ishte një objektiv shumë i lehtë…që mund t`a merrnin edhe me shoqatën e gjuetarëve”. Pavarësisht se çfarë rruge do të merrte situata ushtarake, në se do të fillonte një agresion ushtarak ndaj vendit tonë duhet thënë se, në llogaritë e para, kundërshtarët tanë kishin të drejtë t`a quanin të lehtë një objektiv të tillë. Falë situatës së favorshme politike,ushtarake,rritjes së interesit të shteteve perëndimore, veçanërisht të SHBA, për rajonin e Ballkanit dhe faktorin shqiptar në veçanti, nuk u krijuan situata që do të çonin në një përplasje ushtarake të fqinjëve me Shqipërinë, sidomos me Serbinë. Në të kundërtën pasojat do të ishin, të paktën fillimisht, shumë të rënda.

-Diçka në lidhje me administrimin e armatimit?

 

Një rrugë e tillë u ndoq edhe përsa i përket administrimit të armatimit, teknikës luftarake dhe të materialeve të tjera të ushtrisë. Me synimin për të zëvendësuar armatimin e ashtuquajtur lindor me armatim dhe me teknikë perëndimore, me të cilin ishin pajisur vendet anëtare të NATO-s dhe në kuadrin e shkurtimit të organikave të njësive dhe të reparteve u bënë lëvizje të pajustifikuara të teknikës luftarake. Habinë, mbase mos miratimin e një veprimi të tillë, në gojën e një nënkoloneli italian, i cili  në ato vite ishte pjesë e misionin ushtarak italian, e kam gjetur në shënimet e një kuadri të lartë të MM. Dialogu mes tyre është afërsisht kështu. Nënkoloneli italian- Arma perëndimore a të vret njëlloj si edhe ajo lindore? Oficeri i MM të Shqipërisë – Po, njëlloj të vret. Nënkoloneli italian-ahere, çfarë rëndësie ka në se qëllon me një armë të kalibrit 7.62 mm, apo të kalibrit 5.52 mm?  dhe vazhdon……zëvendësimi i armatimit do të kërkojë edhe zëvendësimin e municionit, një ngarkesë e madhe për ekonominë tuaj të dobët. Ne po zëvendësonin  AK-47,konsideruar si një nga armët më të fuqishme në botë. Pavarësisht këtyre rezervave,për interesa të tjera,interesa politike dhe, më shumë, mafioze ne e bëmë këtë zëvendësim.Një veprim që ndikoi në dy aspekte. Së pari, megjithëse ende ekzistonin organikat e ushtrisë, njësitë dhe repartet e saj, i gjithë armatimi dhe teknika luftarake që hiqej nga përdorimi nuk zëvendësohej me teknikën e re, të presupozuar perëndimore,duke zvogëluar gjithnjë e më shumë kapacitetet e zjarrit për ushtrinë tonë. Së dyti  një veprim i tillë i hapi rrugën trafikut,kontrabandës me armatimin dhe  teknikën luftarake, gjë që u bë një nga shkaqet kryesore që ushtria jonë të merrte rrugën e shkatërrimit. Nuk mendohej më se me çfarë armatimi dhe teknike do të pajisej ushtria por, çfarë armatimi dhe teknike do të nxjerrim jashtë funksionit  për t`a shitur në tregjet  e kontrabandës së armëve. Edhe në këtë rast “dritën jeshile” e hapi e ashtuquajtura reformë në ushtri me dy orientimet që ajo përcaktoi si objektiv afatshkurtër të ushtrisë. Këto orientime ishin: shkurtimi drastik i efektivave të forcave të armatosura,për rrjedhojë shkurtimi edhe i nevojave të tyre për armatim e pajisje të  tjera luftarake si dhe zëvendësimi i armatimit dhe i teknikës aktuale,i cili ishte “lindor” me armatim dhe teknikë “perëndimore”, në përdorim të strukturave të ushtrive të NATO-s. Kështu, në kuadrin e reduktimit të furnizimit të njësive dhe të reparteve me pajisje luftarake, filloi kontrabanda e madhe me armatim, municione dhe me teknikën tjetër luftarake, të të gjithë llojeve të armëve dhe të shërbimeve. Sipas disa shënimeve në të përditshmet tona inventari material që ka patur në dispozicion ushtria jone ka qenë kolosal, që llogaritet në dhjetëra miliardë dollarë. Në librin “Tej Euforise” kam sjellë të dhëna të hollësishme për këtë inventar të madh, sidomos në sektorin e armatim-municioneve dhe të teknikës luftarake. Duke qenë se inventari material i ushtrisë sonë ishte i administruar dhe i ruajtur rreptësisht, konkludohet lehtë se kontrabanda me të nuk mund të bëhej nga kuadrot e rangjeve të ulta, por nga struktura të veçanta të nivelit të lartë të hierarkisë së shtetit dhe të ushtrisë. Kështu,për fat të keq, pjesë e kësaj kontrabande u bënë edhe mjaft kuadro të lartë  të ushtrisë shqiptare. Duke patur kontrollin mbi një sërë institucionesh ekonomike, financiare dhe të sigurisë ky nivel kuadrosh u bë promotor i kësaj veprimtarie kriminale. Madje guximi i tyre arriti deri në atë shkallë sa tregtia e armëve të bëhej e hapur, në sytë e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar, siç ka qenë rasti i disa avionëve që transportonin armatim dhe teknikë luftarake nga Shqipëria në vende të tjera, madje edhe në vende dhe rajone ku kishte konflikte ushtarake dhe që ndalohej nga OKB-ja. Kjo tregti, duke u bërë jashtë rregullave,jo në interes të shtetit dhe të ekonomisë së vendit, por për përfitime personale, nxiti një praktikë krejtësisht liberale në administrimin dhe ruajtjen e armatimit dhe të teknikës tjetër luftarake, situatë kjo që e ktheu në epidemi vjedhjen dhe përdorimin për përfitim personal të pasurisë së ushtrisë, që ishte në të njëjtën kohë  mundi dhe djersa e popullit tonë. Një fakt i tillë ishte tregues domethënës për të vërtetuar atë që ushtria ishte futur në një proces të pandalshëm degradimi edhe në planin material. Dhe kjo nuk bëhej në interes të arkës së ushtrisë, të shtetit shqiptar por në interes të klaneve e grupeve të veçantë.

-Nesër do të lexoni|:

– Deklarata bombë e Safet Zhulalit:…dosja e ngjarjeve të mars, prillit 1997 është një dosje e zezë që nuk do të hapet ndonjëherë…

Koncepti i forcimit të kontrollit civil mbi ushtrinë solli në fakt nënshtrimin e institucioneve ushtarake

Implikimi i ushtrisw nw shtypjen e revoltës antifajde ose Operacioni vetshkatërrues i ushtrisë shqiptare

Sali Berisha, i etiketoi demonstruesit me epitete, si “lodra në duar të armiqve të Shqipërisë”, si “ të kuq” si “rebelë”, etj.

-Vendimi absurd i Kuvendit tw Shqipërisë nr.294,dt.26.01.1997, autorizonte përdorimin e FA për ruajtjen e institucioneve të rëndësishme të shtetit

-Alarmante, Sali Berisha, me urdhrin nr. 225,dt.26.01.1997, urdhëroi që repartet dhe njësitë e ushtrisë të përdoreshin  në operacione ushtarake  për të nënshtruar me forcë,me armë dhe zjarr,qytetarët shqiptare që protestonin

– Gjë e rrallë që kryetari i Shërbimit Informativ Bashkim Gazidede të merrte komandën e forcave të ushtrisë

-E pabesueshmja nën diktimin e Sali Berishës, Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 8195, dt. 3 mars 1997, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.