Ilmi Qazimi: 75-vjetori i brigadës XVI S dhe lufta e tendës së qypit

329

Kolonel Petref Feim Alizoti (Therepeli), emër që rrezaton atdhetari të flaktë

Me rastin e 75 vjetorit të Brigadës së 16-të Sulmuese, ku ai ishte komandant batalioni dhe 32 vjetorit të vdekjes

Imi S. Bazimi, kolonel në pension

Rrethi i Skraparit, për ecurinë luftarake të tij ndër shekuj është karakterizuar krahinë vullkanike. Historia e çdo fshati të Skraparit ka me dhjetëra e dhjetëra portrete luftëtarësh, heronjsh të pashpallur shumë më tepër se sa të dekretuar. Ky rreth me 103 fshatra, me mbi 400 dëshmorë të rënë në vitet 1914-1952, ka vetëm tre heronj të popullit dhe gjashtë personalitete që iu është dhënë medalja e Shqiponjës!? Ndërkohë, përgjatë këtyre viteve të demokracisë janë dekoruar jo pak nga ata kolaboracionistë e krerë ballistësh që kanë qenë shkaktarë direkt të rënies së bijve skraparas…Dhe në këtë udhëtim plot luftëra për liri, pavarësi, gjuhë shqipe e vëllazëri, banorët e këtij trualli kanë shkëlqyer në vitet e zjarrta të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, e pastaj në epokën e ndërtimit të jetës së re socialiste. Një ndër këta bij me gjurmë rrezatuese trimërie, shqiptarie e atdhetarie mbetet kolonel Petref Feim Alizoti, i njohur në rrethet shoqërore e krahinore qysh në vitet 1930 me emrin Petref Therepeli.

Ushtarak me aftësi luftarake e bindje të thella atdhetare

Lindi në Therepel, më 15 janar 1902. E ëma, Kajamja u nda herët nga jeta dhe ai u rrit nën përkujdesjen e të atit. Mes vuajtjeve, mungesave ushqimore e veshmbathjeje, ai ndjen peshën e halleve dhe burrërohet para kohe. Punon në arë e me bagëti. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak 18 muaj e kreu në Elbasan në vitet 1923-1924 e pastaj përsëri kthehet në fshat ku kreu tri klasë arsim fillor dhe merrej me punë bujqësie. Në autobiografinë e shkruar me dorën e vet Petrefi thotë:

“Pasi kreva tre klasë shkollë fillore në katundin Therepel, deri në moshën njëzet vjeç kam qëndruar pranë familjes gjithnjë me punë bujqësie. Prindërit kanë qenë të varfër, por me punë e përpjekje mundën ta rregullojnë jetesën,por prapë shumë herë nuk mund të siguronin ushqimin e vitit,prandaj u detyrova të largohesha dhe kërkova të futem në ushtri ku u pranova me gradën rreshter

I riu skraparas 25 vjeçar fillon jetën si ushtarak i karrierës (para çlirimit të vendit si nënoficer e pas çlirimit si oficer deri kolonel), karrierë të cilën ai do ta vazhdojë deri në vitin 1956 kur e nxjerrin në lirim para kohe me motivin “për shkurtim organike”(!?) Ai është i qetë, punëtor, i sinqertë. Në sytë e tij të larmë lexohet etja për dije, ndjenja e përgjegjësisë për detyrën, sakrifica për familjen dhe prindërit e tij Feim e Kajame që vuanin “me bishtin e gjarprit” atje në Therepelin e tij të dashur. Gjatë kësaj periudhe, për aftësitë dhe talentin e tij ushtarak komanda i ofroi që ta dërgonin në shkollë ushtarake në Itali për të dalë oficer; këtë ai vetë e pranoi, por familja në fshat kishte nevojë për pará e ai ishte i vetmi që duhej ta ndihmonte, prandaj nuk u realizua vajtja në Itali. Por nuk punohej më në atë shtet të korruptuar e në ato kohë aq të turbullta. Më sinqerisht se askush tjetër, trimi i çiltër, siç lexojmë në dokumentet zyrtare, Petrefi, me shkrimin e tij, me kaligrafi të bukur në vitin 1950 tregon në autobiografinë e vet:

“Gjatë kohës në ushtri nuk jam marrë ndonjëherë me çështje politike; në vitin 1924, kur u ndoq Ahmet Zogu nga Shqipëria, kam luftuar kundrejt forcave të tij në Berat; por kjo nuk ishte se unë e kam ndjerë, porse më përpara se të fillonte revolucioni na thanë se qeveria e Fan Nolit ka parime të mira dhe kërkon të bëjë një qeveri popullore”.

Mori kontakt me aktivistë atdhetarë të tjerë dhe lidhet me Riza Cerovën. Gjeni liridashës e përparimtar i skraparliut, shkuarja pas udhëheqësit të njohur trim e internacionalist Riza Cerova, bën që Petrefi të marrë pjesë në atë aktivitet revolucionar të kohës që ka hyrë në histori si “Kryengritja e Fierit”e Fierit, që siç dihet, dështoi. Dhe dënohet 35 ditë. Nxirret nga burgu për mungesë faktesh.

Në krye të marshimit drejt Vlorës, për të luftuar kundër fashistëve italianë

Viti kobzi që rrëzoi flamurin me shkabën e dykrenore në fushën e gjaktë, Petrefin e gjeti në ushtri në Librazhd. Në gji i vlonte urrejtja. Në fillim prilli 1939 niset më këmbë prej Librazhdi, për në Vlorë në përbërje të batalionit të vet për të luftuar kundër pushtuesve fashistë italianë. Ishte njëri nga nismëtarët e këtij aksioni luftarak dhe madje drejtuesi konkret i marshimit Librazhd-Vlorë (duke qenë në detyrën e kapterit) paçka se kurrë nuk foli për këtë fakt. Nuk e duronte dot pushtimin fashist të atdheut të vet. Por, kur mburritën këta, italianët kishin zbarkuar në tokë dhe ndeshja u bë në fshatin Bestrovë. “Pas 7-8 orë luftimesh, u kthyem dhe u shpërndamë. Unë shkova te familja ime në Elbasan,“ shkruan me sinqeritetin që e atë karakterizonte. Të njëjtën gjë tregonte shpesh me krenari e thjeshtësi edhe veterani Ferhat A. Meta nga Çepani, ushtar infermier i këtij batalioni: “Edhe pse ishim të lodhur, nuk e duronim dot çismen e fashistëve, ndaj luftuam aty për disa orë. Pastaj, kur e pamë se paria kish tradhtuar, u kthyem nëpër shtëpitë tona”. Skraparliu i ndershëm,djali tashmë i burrëruar është pjekur edhe në mendime. Gjithnjë në ballë të vështirësive, me guxim dhe vetëdije atdhetare ai luftoi armiqtë dhe vetëm tregoi të vërtetën.

Mbas disa javësh qeveria e kohës, u bën thirrje të gjithë nëpunësve që të kthehen nëpër vendet e tyre të punës. Petrefi nevojtar tashmë edhe ushtarak me përvojë lufte, kthehet dhe punon në radhët e ushtrisë. Po a mund të punohej, në atë ushtri të quajtur mbretërore, pa ideale, pa pagim të rregullt të rrogës, pa disiplinë ushtarake, ku duhej t’u bindeshe edhe italianëve edhe oficerëve pa shkollë të vendit tënd

Largohet nga ushtria e mbretit dhe rreshtohet në forcat partizane

Petrefi tok me 80 shokë të batalionit “Kaptina” arratisen nga ushtria për të kaluar me luftën partizane. Këtë episod ai e tregon në autobiografinë e tij thjeshtë e fare çiltër: ”Kam ikur nga radhët e ushtrisë së bashku me të gjithë batalionin dhe armatimin komplet nën iniciativën e të gjithë oficerëve e nënoficerëve , nën udhëheqjen e komandantit të batalionit nënkolonel Ibrahim Mandia.”

Ishte korrik 1943. Dezertimi masiv i shqiptarëve nga radhët e ushtrisë së asaj kohe që drejtohej nga komanda italiane, pohohet edhe në shumë materiale të tjera por e gjej me vend të përmend këtu librin e Piero Grociani “Shqiptarët në forcat e armatosura italiane”,(1939-1943), botim i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane,viti 2007, faqe 59, 98, 218-219 dhe 278. Petrefi kalon një muaj në ilegalitet. Këtu merr takim me Gjin Markun, komandantin heroik mirditor që pranverën e moshës së vet ia fali Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare kryesisht në rrethin e Skraparit. Aty nga 20 gushti i vitit 1943, Petrefi rreshtohet ne radhët e forcave partizane. Këtë e dëshmojnë me vërtetimin e lëshuar dy ushtarakët e tjerë madhorë të Skraparit, atë kohë nënkolonel Neshat Hysi (më vonë gjenerali i parë i Skraparit), dhe major Skënder Malindi (më pas kolonel me funksione të larta në ushtri). Tashmë 41 vjeç, i formuar, i gjatë 1.80 m, me flokë të zeza e fytyrë bojë gruri, të rreshkur nëpër llogoret e luftimeve e vuajtjeve që sillte koha, e me përvojë të ngjeshur luftarake, Petrefi do të kryente me nder, dinjitet dhe përkushtim detyrat : komandant çete, komandant batalioni në Grupin e Skraparit, më pas komandant batalioni në Brigada e 16-të Sulmuese, e cila u krijua në fshatin e tij të lindjes, 75 vjet më parë), në Brigadën e 6-të të Mbrojtjes së popullit dhe në Brigadën e 9-të Sulmuese.

Përvojë luftarake me vlera të përhershme

Petrefi kreu më së miri vetëm Akademinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Të shumtë janë bashkëluftëtarët dhe ata që kanë vepruar nën komandën e tij, të cilët kujtojnë se Petref Therepeli ka qenë profesionist i mirëfilltë ushtarak, tepër i saktë dhe shumë i kujdesshëm në vlerësimin e situatave luftarake dhe në marrjen e vendimeve si dhe masave për realizimin me sukses të çdo luftimi. Ai dinte të merrte vendim dhe të siguronte fitoren. Shokët kujtojnë luftimet e ashpra në Qafën e Shkozës, në Qafën e Sqepurit, në Koshovicë të Fierit, në luftimet për çlirimin e Lushnjes e të Beratit, ku batalioni i komanduar prej Petref Therepelit doli pa humbje jete njerëzish.

Ja se si tregon i biri i tij Fatbardhi, një nga kujtimet që ruan prej bisedave me të atin e tij ‘gojëkyçur’,kur vinte puna për veten e tij.”Kujtohet që në dimrin e vitit 1944 disa forca partizane të Grupit të Skraparit dhe Shtabi i Qarkut kishin mbetur për pak kohë të rrethuar nga forcat naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre në rrethinat e fshatit Kapinovë të Beratit. Rezervat ushqimore po shteronin. Kishin mbetur vetëm pak krerë dhi dhe nuk kish as kripë as bukë. Gjendja po përkeqësohej. Me sulm rrethimi nuk mund të çahej, sepse pushtuesi kishte forca të shumta dhe armatim më të fuqishëm se partizanët. U bë një mbledhje e shtabit dhe u rrahën mendimet. U vendos ashtu siç tha komandant Petrefi: “Rrethimin do ta çajmë patjetër dhe vetëm natën. Rrethimin do ta çajmë pa luftim.” Ai, si pakkush tjetër aty, e dinte se në tërësi ushtria pushtuese naziste nuk e aplikonte luftimin natën në tokat e pushtuara. “Ne, tha ai, do të kryejmë lëvizje të shpejtë, të fshehtë, pa zhurma, pa drita, në rrugën më të ngushtë, që e njohim mirë. Nuk do të shkrehim asnjë armë.” Pati mjaft kundërshtime. Ai që e mbështeti më shumë ishte Kahreman Ylli. Çarja e rrethimit u realizua me sukses, ashtu siç tha komandant Petrefi.

Dhe Petrefi ishte gjithnjë tepër modest. Gjithçka ia atribuonte luftëtarëve vartës e asgjë vetes I tillë mbeti deri në fund të jetës: Fjalëpak e punëmbaruar. Kanë qenë jo të pakta takimet dhe atakimet e komandant Petrefit me figura të tjera ushtarake të mëdha të kohës në momente të ndryshme të para, gjatë e pas luftimeve, ku praktika vërtetonte mendimet dhe idetë e tij si ushtarak me përvojë lufte. Ishte i thekur në aspekte të ndryshme të artit taktik dhe pjesëve të tij përbërëse si llojet e manovrës me forca të pakta, përdorimi efektiv i zjarrit me armë të lehta, bashkëveprimi, masat për daljen nga rrethimi, shfrytëzimi i befasisë dhe i mundësive të pafundme maskuese të terrenit ,etj. Të tëra këto jo në aspektin teorik, por në praktikën e gjallë të fushës së luftimit. E për fat të keq për të tillë përvojë e aftësi ushtarake të tij deri tani është heshtur. Petref Alizoti, që mori gradën kapiten në Kongresin e Përmetit në maj 1944, pas çlirimit, shërbeu në radhët e ushtrisë deri në gradën kolonel në rrethet Elbasan, Korçë, Kolonjë, Shkodër, Fushë Arrëz, Tivar, Shijak, Tiranë. Ai kreu detyra si gjykatës ushtarak, kryetar dege ushtarake, shef i degës së dekorimeve në ministri të Mbrojtjes, komandant i bazë së armatës etj.

Komandant Petref Alizoti ishte fjalëmbël dhe nuk e njihte fodullëkun, prej të cilit vuajnë jo pak kuadro ushtarake që lypin karrierë. Në moshën e thyer, i vanë një herë në shtëpi dy gazetarë të një televizioni për ta intervistuar. Pasi i priti sipas traditës së Skraparit, ai ua dëgjoi kërkesën dhe fare thjeshtë iu përgjigj: “ unë, more djem, s’flas dot, po shkoni te shokë të tjerë që dinë të flasin më mirë…”

Pensionisti që nuk njohu pushim

 Një eksperiencë të veçantë përbën jeta e tij si drejtor i fabrikës së miellit të Elbasanit të viteve 1956-1964 ku spikatën aftësitë e tij organizative, kujdesi për punëtorët, qëndrimi mbi kokë në punë për realizimin e planit dhe për cilësinë e sasinë e prodhimit. E nxorrën në lirim para kohe me pagën 7040 lekë në muaj (e ekuivalentuar me 70.000 lekë të reja të vitit 2019). Motivi ishte “për shkurtim organike”. Ishte vala e shkurtimeve të ushtrisë shqiptare të viteve 1955 – 1956. Por ai nuk u dorëzua moralisht, edhe pse jeta e ushtarakut plot vështirësi në dy sisteme shoqërore e në shume luftime , me sakrifica të panumërta , kishte lënë vragët e veta në shëndetin e tij. Në Elbasan në atë kohë oficerët e liruar “protestuan” dhe kërkuan që të vinte një “i madh prej qeverie” për t’iu dhënë shpjegime se si do të vinte halli i këtyre të porsaliruarve. Ishte Mehmet Shehu ai që shkoi e i sqaroi. Me porosi të tij, sipas rregullave aq të rrepta administrative të asaj kohe të gjithë këta ish-oficerë u sistemuan shumë shpejt në detyra të ndryshme sipas kushteve, kritereve dhe aftësive. Ish-kolonel Petref Therepeli u ngarkua me detyrën e drejtorit të fabrikës së miellit të Elbasanit. Ajo, për kohën kishte një teknologji relativisht jo të përparuar; ishte më mirë të quhej një tufë mullinjsh që bluanin bereqet. Por sidoqoftë ajo kryente detyrën e madhe të furnizimit me miell të popullatës së rretheve të Elbasanit, Peqinit, Pogradecit. Ishte një përgjegjësi e madhe të cilën Petrefi e kreu me nder. “Ai punonte nga ora 07.00 deri në orën 20.00 të çdo dite” tregon i biri i tij ish-ushtaraku madhor Fatbardh Alizoti, i cili tani jeton me pensionin e vet që nuk arrin as sa një e shtata e pagës së të atit kur e nxorrën në lirim. Qendroi në atë detyrë deri në vitin 1964. Pastaj e nxorën në pension pleqërie të cilin e gëzoi 23 vjet.

Koloneli nuk e vriste kohën. Lexonte çdo ditë vepra marksiste-leniniste dhe ato të Enver Hoxhës. Nuk i hoqi librat nga dora deri në çastet e fundit. Delte në ballkon, ulej në një karrige dhe duke ngritur pak këmbët, ku mbështeste librin, qëndronte disa orë”, tregon i biri. Librat ia siguronte nusja e djalit të cilën ai e respektonte jashtë mase. Ishte shembull në sjelljen me të shoqen, Haxhirenë. Ndonëse ajo nuk kishte shkollë, ata kishin një shkuarje për t’u pasur zili. Ajo ishte një nënë e mrekullueshme, një amvisë e sprovuar dhe një grua e urtë e plot dinjitet. Ai bënte rregullisht “psonisjen” sipas porosive të së shoqes. Ndodhte që ajo harronte t’ia thoshte të gjitha se çfarë duhej të blinte dhe kur ai kthehej në katin e pestë (se atje e kishim banesën), ajo ia befte:”Po si nuk na more kripë, more burrë; unë harrova , më rëntë pika”. Ai e shikonte njëherë me vërejte dhe pa folur asnjë llaf shkonte përsëri në dyqanin ushqimor… Ndiqte rregullisht emisionet televizive që i dukeshin interesante. Pinte një kafe vetëm në pallatin e kulturës së qytetit dhe vetëm me shokët e përhershëm të Luftës e të punës. Kur bisedonte me të shoqen, me ose pa praninë tonë, vazhdon i biri të tregojë, thoshte: “Mendoj që të iki unë më parë, o grua”. E veçanta e atij burri ishte se kurrë nuk qëndronte shtrirë në divan. Ai rrinte vetëm ulur, i mbështetur mbi pjesën e pasme të divanit me trupin qiri e kokën lart. Kur u shtri ai nuk u ngrit më. Ishte 25 korriku i vitit 1987.

Pasardhës të denjë të kolonelit

Është kënaqësi e ligjshme dhe një tregues i lartë atdhetarizmi e inteligjence kur shikon se një baba i tillë si Petref Therepeli, lë pas edhe trashëgimtarë të zotë e dinjitozë. Djali i tij Fatbardhi, me gjenin e të atit, me punë të paqme e ndërgjegje të lartë, punoi tërë jetën nën petkun ushtarak dhe ngjiti shkallët deri në oficer madhor në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore; kurdoherë i dalluar, por i heshtur, gjithnjë i suksesshëm në punë e në jetë,por asnjëherë nuk iu “dëgjua zëri”. Bardhi, tok me bashkëshorten Liljana, edhe kjo oficere me detyrë pedagoge në shkolla të larta, ka kryer detyra komanduese e politike, e kudo spikati ndershmëria në punë dhe dashuria për zanatin e oficerit, i cili lufton për idealet e larta të mbrojtjes se atdheut.

Vajza e parë e Petrefit, Asija, e arsimuar dhe e punësuar, ndoqi “këmba këmbës” në det e në tokë, bashkëshortin e saj kuadrin e njohur oficerin madhor Iljaz Çuadari nga Therepeli duke jetuar me të shoqin të gjitha privacionet e oficerit. Ajo ishte fisnike, e qetë, e kudogjendur, gojëmjaltë dhe që dinte të respektonte njeriun dhe punën. Vajza tjetër, Violeta, e cila punoi me devotshmëri për 36 vjet shefe laboratori, u martua me ushtarakun e njohur skraparas Teki Koka. Edhe mbesa e Petrefit, Nexhmija u martua me oficerin Gazmor Hysi, ish-kuadër madhor i njësive tankiste të ushtrisë shqiptare. Nipërit e mbesat e Petrefit, Arbëri punon në ministrinë e punëve të brendshme; Gerti dhe Etleva u rritën me afshin e jetës së gjyshit dhe tani në kushtet e reja social-ekonomike jetojnë në Angli dhe Amerikë; Merita, mbesa tjetër u martua me të mirënjohurin diplomat, ambasadorin shqiptar në vendet aziatike Kujtim Xhani…Fëmijët, nipërit e mbesat, shokët e miqtë,bashkëluftëtarët, të gjithë ata që e njohën atje ku ai shërbeu, bashkëfshatarët e skraparlinjtë, si dhe tërë breznia që vjen, ndjehen krenarë për Petref Therepelin. Ishte njeriu që kreu akademinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, që i qëndroi besnik betimit ushtarak, që dinte të ruante nderin dhe prestigjin e armës e të oficerit. Ishte njeriu gjakftohtë i dashur, i sinqertë e i lidhur me popullin.

Historia nuk zhbëhet

Eeeh, sikur të ishte gjallë koloneli dhe të dëgjonte se çfarë thonë disa delenxhinj, pseudo-historianë, antikombëtarë që guxojnë të baltosin emrat e partizanëve dhe luftëtarëve!? Drithërima shpirti që më bëjnë të ngrihem përsëri në luftë-ja kjo do të delte natyrshëm nga zemra e tij e zjarrtë ashtu siç na i brumosi edhe neve historia idealet për liri, pavarësi e atdhe. Jeta dhe veprimtaria e këtij luftëtari shembullor është pasqyrë e plotë e vlerave të vërteta të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e cila u zhvillua me armë, me uniformë e me disiplinë të fortë ushtarake. Nuk ka e nuk e pranon asnjë komb i botës “antifashizmin popullor, pa armë e pa uniformë’ siç përrallisin disa pseudo-akademikë fatkeqësisht shqiptarë që kanë shkarë në baltovinën e pinjollëve të kolaboracionistëve dhe neofashistëve.

Petref Therepeli i njihte dhe i zbatonte rigorozisht ligjet, ashtu siç dinte të urrente armikun, më mirë akoma dinte të respektonte punën, njeriun, familjen e Shqipërinë. Ai mbetet një emër përherë i gjallë jo vetëm në Skrapar e Elbasan, por kudo që luftoi, punoi e jetoi, i cili rrezaton atdhetari, dhe gjithvirtytshmëri nga e cila duhet të mësojnë brezat në vazhdim.

Somario

“21 janar 1944. Tendë e Qypit. Dëborë e acar. Luftimet vazhdojnë me furi. Gjermanët po përparojnë dukshëm kundrejt forcave të armatosura keq dhe të porsa organizuara partizane. Komandanti i batalionit, Petref Therepeli lëviz nga pozicioni në pozicion, jep urdhra, kontrollon, ndihmon të plagosurit,…Një burrë i ngjeshur trup madh i afrohet nga pas dhe pyet me zë të lartë e qortues :”Ç’bëhet këtu?” Petrefi, me kapen me yll në kokë,veshur kapotën e gjatë angleze me vrima plumbash, me pushkën në dorë, pistoletën në rripin e mesit, e gjerdanin e fishekëve krahëqafë, plot vrull e mllef lufte, ku në çdo çast shikon që shokët plagosen e bien, dhe …ia kthen: “Nuk e sheh ? Këtu bëhet luftë!” I ardhuri prezantohet: “Jam Mehmet Shehu!”. Me gjakftohtësinë e vet historike Petrefi gjithashtu prezantohet po me atë ton: ”Jam komandanti i batalionit, Petref Therepeli”…dhe pastaj ndodhi ajo që gjermanët morën dermën…dhe dy luftëtarët, mallakastriot dhe skraparas, mbetën shokë e miq lufte deri në fund të jetës…”

-Nga kujtimet e bashkëkohësve-