Historia e internimit të Maqo Çomos pas ndëshkimit të bashkëshortes Liri Belishova

324
Nga Hilë Lushaku*

Është lindur më 14 mars 1922, në Hoçisht, Bilisht (Devoll). Kur ishte në moshën 5-vjeçare i ati i emigroi jashtë vendit, fillimisht në Argjentinë, në vitin 1927, më vonë në Amerikë, ku kaloi të gjithë jetën. Maqo nuk ka komunikuar me të atin që nga viti 1939. Arsimin fillor, 5 klasë, e kreu në vendlindje, në Hoçisht. I rritur jetim (pa baba), u detyrua të fillojë punë në moshë të vogël. Kur qe i mitur ka kryer punë të ndryshme, kryesisht si hyzmeqar në vendlindje, ndërsa më vonë u end në disa rrethe të vendit, duke kryer punë më të rënda. Deri në gusht të vitit 1936 ka punuar në tregtoren e Thimi Adhamit; më 1937 punoi qymyrxhi në pyllin e Mamurrasit; pastaj, në periudhën prill 1938 – prill 1942, ka punuar në fabrikën e Skënder Pojanit, në Durrës. Pas këtij viti Maqo Çomo emërohet nëpunës i kooperativës së konsumit po në Durrës. Më 1943, pranohet anëtar i PKSH-së. Është aktivizuar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, kryesisht me agjitacion e propagandë, ku gjejmë fillimet e këtij aktiviteti që nga gushti vitit 1941. Më 24 korrik 1942, Maqo kalon partizan në çetën e Devollit. Për aktivitetin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare është nderuar me “Kujtimoren e 1942-1943”, me Certifikatë nr. 1154, datë 26 nëntor 1945. Në periudhën 10 gusht 1943-10 janar 1944 ka qenë komisar kompanie në batalionin “Fuat Babani”. Më 14 janar 1944, është caktuar në detyrën zëvendëskomisar në batalionin Fuat Babani, ku qëndroi deri më 16 qershor 1944. Më 16 qershor 1944 emërohet zëvendëskomisar batalioni në Brigadën e XV Sulmuese Partizane, ndërsa, më 7 nëntor 1944 caktohet në detyrën e komisarit të kësaj Brigade, në Divizionin e Parë Sulmues. Më 24 janar 1945 emërohet në detyrën e anëtarit të seksionit politik në Divizionin III, ku shërbeu deri më 15 mars 1945. Në vijim u emërua dhe punoi në funksionin “përgjegjës i seksionit politik”, të Divizionit III, ku qëndroi deri më 16 prill 1945. Pas vitit 1945 këmbënguli të arsimohej dhe kreu 3 klasë të shkollës së mesme. Nga 16 prill 1945 deri më 10 prill 1946, Maqo, ka kryer detyrën e zëvendëskomisarit të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit.

Është graduar fillimisht kapiten i klasë së parë, më 27.03.1946, nga ministri Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha. Në këtë rast ka vlerësimin: “Element i vjetër në ushtri. Është i sjellshëm me eprorët dhe me eprorët. Nuk ka aftësi ushtarake, autoriteti i tij në punën që i ngarkohet është i mjaftë. Jeta e tij individuale nuk është e rregullt, për këtë gjë neglizhon edhe në punë, duke mos i dhënë rëndësinë e duhur. Është i zgjuar, i kupton mirë gjërat. Ka mundësi zhvillimi. I mungon vullneti i mirë”. Në vitin 1946 vlerësohet përsëri: “Qysh nga fillimi i rezistencës së popullit kundër okupatorit ka kontribuar për organizimin dhe mobilizimin e masave, është treguar udhëheqës i mirë në luftë. Gjatë gjithë luftës kundër okupatorit, qoftë kundër tradhtarëve, ka qëndruar me armë në dorë dhe nuk ka rënë në kompromis. Repartin e tij e ka drejtuar me sukses, nuk dimë ndonjë disfatë të repartit të tij. Tue qenë se qysh prej çlirimit të Shqipërisë dhe deri para katër muajsh shoku Maqo ka qenë i shkëputur nga forcat sulmuese, mbasi ka qenë në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit, nuk ka dijeni mbi rregulloret dhe problemet ushtarake që i shtrohen sektorit të vet. Megjithëkëtë brenda kësaj kohe që ka në Divizion është munduar të orientohet. Nga kursi për mësimin e armëve pranë Divizionit ka përfituar mirë. Ka mundur të përfitojë përdorimin mirë të armëve. Gjatë kësaj kohe që ka komanduar forcat është treguar i gjallë dhe ka marrë vendime të prera dhe nuk është çorientuar. Është kuadër me eksperiencë. Ka sjellje të mirë me shokët eprorë dhe inferiorë. Është i ngritur dhe i qartë politikisht. Është organizator i mirë, po të dojë mund të japë më shumë, sidomos po të ishte pak më aktiv dhe po të interesohej për të gjitha problemet e sektorit të tij. Meriton vendin e punës dhe gradën që ka”. Në periudhën 10 prill 1946-17 shtator 1946, ka qenë në funksionin “instruktor i kuadrove”, në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Pas 17 shtatorit 1946 deri më 25 nëntor 1947, ka qenë në funksionin “instruktor i kuadrove” të Divizionit të Pestë të Këmbësorisë në Gjirokastër. Në qershor 1947 ka vlerësimin: “Element punëtor dhe i lidhur me punën, i pëlqen jeta ushtarake dhe në kurset që janë zhvilluar pranë divizionit ka treguar interesim dhe po të kishte mundësi që t’i vazhdonte pa mungesa do të përfitonte shumë. Ka kapacitet udhëheqjeje politike mbasi është i pjekur, me eksperiencë dhe i vjetër në sektorin politik. Artin ushtarak e njeh pak dhe kjo jo se nuk ka dashur të studiojë por për vetë funksionin e tij si anëtar i seksionit të Divizionit është i detyruar të qëndrojë në reparte kështu që qëndron i shkëputur nga përgatitjet luftarake. Armët i njeh jo shumë mirë, më mirë njeh armët e këmbësorisë. Është i prerë në mendime, i shpejtë në vendime, në rast kritike orientohet dhe merr vendime të shpejta. Për ngritjen e tij politike interesohet, ka përfituar mbasi ka marrë pjesë aktive në punën politike. Në shkollë ka shkuar vazhdimisht dhe ka dalë pothuaj i pari nga të gjithë oficerët e klasës së tij. Sjelljet e tij janë shumë të mira me superiorët dhe inferiorët. Ka dashuri për kuadrin, me popullin sillet mirë, karshi armiqve të popullit është i ashpër dhe i lufton. Gjendja e tij shëndetësore e mirë. Është i zoti të organizojë dhe shpjerë përpara sektorin në të cilin është, ka kapacitet për detyrë më të madhe, sektorit politik i përgjigjet më shumë. Nuk ka dhënë ndonjë shenjë pakënaqësie me gradën e pozitën, ndonëse ka qenë komisar divizioni më parë”.

Më 25 nëntor 1947 u emërua “shef i seksionit të zyrave të rekrutimit” në Drejtorinë Politike, duke mbajtur këtë post deri më 30 prill 1948, datë kur kaloi në funksionin “instruktor” në Drejtorinë Politike. Në këtë detyrë ka qëndruar deri më 13 dhjetor 1948. Më 13 dhjetor 1948, ngrihet në detyrën “komisar i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit “Enver”, por në këtë post nuk qëndroi gjatë, mbasi më 5 shtator 1949 kaloi në detyrën “shef i degës së organizimit” të Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Në muajin shkurt 1951, është emëruar kryetar i Degës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në periudhën 1 mars 1951-30 mars 1952, është emëruar në detyrën “zëvendësministër i Punëve të Brendshme”, duke qenë njëherazi edhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë Popullore. Në dhjetor 1951, është ndëshkuar nga Mehmet Shehu me “vërejtje të rëndë me shënim në biografi për sjellje morale jo të mira në papajtueshmëri me funksionin si Ndihmës Ministër i Punëve të Brendshme dhe si Anëtar Partie”. Në 30 mars 1952 ka vlerësimin: “Lindur më 1922 në katundin Hoçisht të rrethit Korçë, rrjedh nga një shtresë e varfër fshatare…Ka mbaruar 5 klasë fillore në katundin e vet. Babai tij ndodhet në Amerikë si punëtor, ikur qysh në vitin 1927. Ka marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare që në gusht 1941, në Durrës, duke shpërndarë trakte nën udhëheqjen e shokut Ndoc Mazi. Anëtar partie është bërë më 7 mars 1943. Në Ushtrinë Nacionalçlirimtare është hedhur në korrik 1943, në çetën e Devollit, vullnetarisht. Ka pas këto përgjegjësi gjatë Luftës…cituar më sipër në këtë jetëshkrim, tani Ndihmës Ministër i Punëve të Brendshme”. Është nderuar me medalje dhe urdhra, ku rendit: “Medaljen e Çlirimit”, “Medaljen e Kujtimit”, “Medaljen Ylli Partizan i klasës III”, “Medaljen Ylli Partizan i klasës II”, “Urdhrin e Trimërisë”, “Medaljen e Trimërisë”, “Urdhrin e Shërbimit Ushtarak”, “Urdhrin e Flamurit” Më 1952-1953, ka mbajtur postin “ministër i Kontrollit të Shtetit”. Më 1953, është liruar nga detyra e mësipërme dhe është emëruar “zëvendësministër i Grumbullimeve”. Më 20 korrik 1954, u caktua ministër i Bujqësisë, detyrë të cilën e mbajti deri më 11 janar 1960. (Të dhënat e cituara më sipër, për Maqo Çomon, janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Dosja e kuadrit “Maqo Çomo”).

Më 1955, martohet me Liri Belishovën, duke u ndarë nga bashkëshortja Parka, me të cilën pati vajzat Tatianën e Mirën. Duket se martesa e dytë i solli konsolidim në postin e mëparshëm dhe një karrierë më të mirë politike. Në periudhën 1954-1961, ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor. Më 1 nëntor 1960, lirohet nga plenumi i KQ të PPSH-së. Me dekret nr. 3173, datë 1.9.1960 “Mbi një ndryshim në qeveri”, gazeta “Zëri i Popullit” shpalli: “1-Maqo Çomo të çkarkohet nga funksioni i Ministrit të Bujqësisë për paaftësi në zbatimin e detyrave që i ishin ngarkuar. 2-Peti Shamblli të emërohet Ministër i Bujqësisë”. Lirimi i tij nga detyra ngjau pas ndëshkimit politik të bashkëshortes, Liri Belishova.

Duke kujtuar këtë ngjarje, bashkëshortja e tij, zonja Liri Belishova, pas vitit 1990, është shprehur: “Fillimisht u dërgova për të punuar si drejtoreshë në shkollën 7-vjeçare “Hasan Vogli”, në Tiranë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si Ministër të Bujqësisë, gjoja jo për arsye politike, por për “paaftësi”! Familjen tonë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960-s, na dërguan në fermën “Muzo Asqeriu”, afër Gjirokastrës. Mua si kryemësuese dhe atë drejtor ferme. Atje na përjashtuan nga Partia, pas dy muaj e ca dhe na internuan në Kuç, të Vlorës. Nga Kuçi na çuan në Progonat, atë e morën dhe e çuan në Zvernec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Pas 10 vjetësh më prunë në Cërrik, ku kam ndenjur 21 vjet”. Sipas dokumenteve të asaj kohe rezulton se Maqo Çomo u emërua drejtor i Ndërmarrjes Bujqësore në Goranxi të Gjirokastrës dhe prej këtej, për një vit internohet në Kuç dhe pastaj në Progonat. Në vitet 1962-1967, është internuar në kampin e Zvërnecit, në Vlorë, duke e ndarë nga familja. Atje gjeti Gjin Markun, Bardhyl Belishovën, Kasem Trebeshinën, Foto Prokën, Kadri Hoxhën, Zef Malajn, Pëllumb Dishnicën, Iliaz Ahmetin, Filip Jakovën, Agron Çoratin, Xhavit Qesjen, Xhaferr Vokshin, Spiro Gjokën, Kristaq Budon etj. Një pjesë prej tyre i ka pasur më vonë edhe në kohën e burgimit, në burgun e Burrelit. Në vitin 1967, i vlerësuar i rrezikshëm për regjimin, ai arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg nga regjimi komunist (1967-1987). Në burg ka kaluar një jetë të vështirë, por nuk është nënshtruar.

Dënimi i Maqos solli vuajtje e strese për fëmijët e tij.
E bija e tij, Drita, u sëmurë rëndë dhe u nda nga jeta në lulen e rinisë, kur duhej të shijonte jetën, rininë, kur po përfundonte shkollën e mesme (Në kohën kur qe shtruar në spitalin Onkologjik, në Tiranë, ajo ka shkruar kujtime të dhimbshme, nga ditari për të atin e saj, Maqon e pathyeshëm, sikurse është ky shënim i dhimbshëm: “E martë 13.02.1979, Dje ishim me mamin, te babi dhe daja. Na lajmëruan që të shtunën. Të dielën unë shkova në Elbasan për të blerë ushqime, u nisa me autobusin e mëngjesit dhe u ktheva me të orës 11.30. Nga daja nuk shkova fare. Pjesën e kohës që më mbeti e lirë e kalova në bibliotekë. Për Burrel u nisëm me gaz, më 6 të mëngjesit. Na shoqëronin dy çuna. Rruga ishte e gjatë dhe e mërzitshme. Ishte zagushi, mamin e zuri makina dhe volli. Kurse unë përpiqesha të kujtoja se ç’gjëra kisha dashur t’u them gjatë gjithë kësaj kohe. Po na lejuan të takohemi vetëm 10 minuta me dajën dhe gjysmë ore me babin. Këtë na e komunikuan në çastin e fundit, ishte diçka e papritur dhe mendimet u shpërndanë fare. Çdo gjë që thoshim më dukej se nuk ishte ajo që duhej. Sikur na e merrnin kohën kot. Minutat iknin shpejt, shumë shpejt dhe në fund pata përshtypjen se nuk kishim folur asgjë, bile as nuk e kishim puthur njëri-tjetrin aq sa duhet. Pastaj më dukej vetja si një fëmijë që i kanë premtuar një lodër dhe e kanë gënjyer. Prapë rrugë e gjatë dhe e lodhshme. Një interval i shkurtër ndërmjet dy lodhjeve të gjata, të gjata. Ky është babai në jetën time. Babai im i mirë, i fortë. Tani çdo gjë më duket e huaj, pa kuptim, gati qesharake. Njerëz në rrugë, fëmijë që luajnë, autobusë punëtorësh, djem që pinë cigare dhe takohen me vajza. Gazeta, fjalë…Dhe babai im atje. Për 18 vjet rresht. Babai im. Thua do të kalojnë ditë dhe unë do të kthehem prapë në jetën time të zakonshme? Në shqetësimet e mia të vogla, boshe, në vuajtjet e mia qesharake. Ka çaste që më vjen turp nga vetja”.)

Pas daljes nga burgu, më 1987, Maqo bashkohet me familjen, në Cërrik, ku qëndroi i internuar edhe katër vjet, deri në vitin 1991. Në qershor 1995, ka pasur një gjyq në Gjykatën Kushtetuese, me dyer të hapura, çështjen nr. 8 Akti, me objekt: Të deklarohet antikushtetues ligji nr. 7748, datë 29.7.1993 “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, si edhe në veçanti “Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 454”, datë 12.09.1994, “Për kriteret e përcaktimit të personave të nomenklaturës së lartë komuniste për efekt të statusit të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”. Gjykata e rrëzoi padinë dhe nuk i dha të drejtë Maqo Çomës. Lodhjet 30 vjeçare në burgje e në internime, larg familjes e jetës së lirë, goditjet shokuese të stresit dhe zhgënjimit të pa imagjinuar, shpirti i helmuar si tëmth, shuan në moshën 76 vjeçare Maqo Çomën e pathyeshëm. Ata që e kanë njohur Maqon të ri nuk ngurojnë të shprehin konsiderata për ish-djaloshin simpatik, me sy bojë qielli magjepsës, me shtat elegant, i gjatë mbi 1.80 m dhe i dashur me të gjithë. Më 23 janar 1998 sytë e tij u mbyllën përjetësisht, në Tiranë.

Një mik i familjes Çomo, duke treguar përjetimin e njohjes së Maqos e Lirisë, kur ata shkuan për një vizitë ngushëllimi për mort, ka portretizuar bukur Maqo Çomon: “…Isha 10 apo 11 vjeç, kur ime gjyshe u lumturua teksa në shtëpinë tonë erdhi më në fund për drekë, në Pogradec, kushëriri i saj i parë, Maqo Çomo. Ishte bashkë me gruan, Liri Berishova. Situata në shtëpi ishte gati ceremoniale, por dhe shumë emocionale. Unë nuk dija, në fakt, asgjë, si fëmijë studioja. Im gjysh sapo kishte vdekur, pasi kishte votuar për herë të fundit, e për herë të parë lirisht, për PD. Vizita e atyre të dyve ishte në përkujtim të atij. Kishte bërë 30 vjet burg Maqo, gruaja dhe fëmijët kishin kaluar një ferr të vërtetë. Drita, vajza 23 vjeçare e tyre kishte vdekur e vetme, e ëma kishte hequr aq sa nuk përshkruhet dot, e prapë s’më del nga kujtimi Maqo Çomo, i moshuar, i bukur, dinjitoz, fisnik, i menduar, i heshtur dhe aq shumë i dashur me time gjyshe. Diçka e kishte mbajtur gjallë dhe të kthjellët: Ndërgjegjja se nuk ishte vetëm… Por u tret, 3 vjet më vonë, në vitet ’90-të, ndonëse kishte mbijetuar 30 vjet rresht në burgjet e më të egrit regjim kafshëror, ndoshta në të gjithë botën.”