Haxhi Lleshi, burrë shtetar i shquar (Hero i Popullit)

3613
Nga Gëzim LOKA 

Me rastin e 105 vjetorit të lindjes (1 maj 1913)
Haxhi Lleshi i përket sagës qëndrestare të njërës nga dyert më në zë të Dibrës së Madhe, derës së Lleshit, me një kontribut të çmuar historik për lirinë dhe mëvetësinë e trojeve shqiptare. Të parët e tij ishin qëndrestarë stoikë në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe dinjitetit shoqëror të shqiptarëve kundër orekseve gllabëruese shoviniste e pan-sllaviste. Ish luftëtar idealist, komandant çete në Luftën e Madhe, financues bujar i kësaj Lufte, emri i Haxhi Lleshit lidhet pazgjidhmërisht me dy epoka të popullit shqiptar: Atë të Luftës së Dytë Botërore dhe të betejës së madhe për rindërtim dhe mëkëmbje pas Çlirimit të Atdheut. Historia të shtyn tutje, në atë mbrëmje të vonë e 15 shtatorit 1942, kur në selamllëkun e Myslim Pezës, dy burra, duke pirë nga një gotë raki dhe duke kuvenduar kokë më kokë, po projektonin vizionin e tyre nacionalist mbi flaktë e Luftës së Dytë Botërore. Ishin Babë Myslimi dhe Haxhi Lleshi, që prisnin nga çasti në çast të mbërrinte Enver Hoxha, i mbiquajturi Tarasi. Hordhitë e potershme të pushtuesit italianë mbi tokën shqiptare kishin ardhur me rropamë e lufta pati arritur kulmin, por kulmin kishte arritur gjithashtu dhe tentativa e një duzine njerëzish, të mbledhur në një parti me emrin PKSH, që po përpiqeshin të ndiznin një qiri në natën e errët pus të pushtimit fashist. Haxhi Lleshi, një djalosh rinor plot energji e pasion për jetën, që vinte nga shtresat më të pasura të shoqërisë shqiptare ishte një nga këto idealistë që mendonte për këtë rezistencë, të cilës do t’i printe në krye të formacioneve qëndrestare partizane. Ky vizion do t’i bashkëngjitej atij të PKSH, për një luftë pa kompromis kundër okupatorit të huaj dhe falangave të tij në vendin e shqipeve. Të dy vinin nga familje e dyer të shquara nacionaliste. Mysafiri në selamllëkun e Myslim Pezës quhej Haxhi Lleshi dhe me kohë do të bëhej një ndër figurat më emblematike të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe të periudhës së rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Atje në Pezë, në flakët e luftës u farkëtua besimi në një Shqipëri pa armiq e tradhtarë, u hodhën themelet e një shteti të barabartë për të gjithë shqiptarët, në një shoqëri të lirë e demokratike. Pavarësisht se këto themele do të lëkundeshin dhe sistemi komunist do të pësonte krizë e rënie, nuk mund të harrohen ata luftëtarë idealistë e shtetarë të shquar si Haxhi Lleshi me shokë, që vunë shpirtin dhe zemrën e tyre rinore në themelet e shtetit të ri shqiptar, për një Shqipëri të drejtë, të lirë e sovrane. Haxhi Lleshi ishte pinjoll i familjes së njohur Lleshi, i lindur në Zogje të Dibrës, një familje e pasur që kishte nxjerrë përgjatë historisë së vjetër dhe të re, burra të shquar, trima dhe luftëtarë të vendosur për çështjen e atdheut dhe të krejt kombit shqiptar. Haxhi Lleshi ishte mjaft i ri, ende djalosh kur u njoh me liderin komunist Hoxha dhe i besoi projektit të tij për një Shqipëri të lirë prej nazi-fashizmit dhe shtypësve e shfrytëzuesve, duke u ngritur kundër origjinës së tij prej çifligari dhe fuqisë kolosale që dera e Lleshëve zotëronte në Dibër e në veri të vendit. Pasi dha besën, ai nuk mund të kthente më, pasi për dibranin, për shqiptarin e vërtetë, pavarësisht trevave e shkallëve hierarkike të shoqërisë, fjala e dhënë, besë-mbajtja është gjithçka që mund të ketë një njeri i denjë për respekt. Lidhja e tij me Enver Hoxhën dhe Partinë Komuniste Shqiptare tashmë është e njohur dhe ka hyrë në analet e historisë, por ajo që ende nuk është thënë për Haxhi Lleshin është fakti se ai ka investuar shumë para për Luftën dhe pas Çlirimit ishte i vetmi nga liderët e shtetit të ri komunist që e bleu me florinj pronën e tij ku ndërtoi shtëpinë, të cilën pinjollët e tij e gëzojnë edhe sot. Dyert e kullave te Lokajve kanë qenë bazë për Luftën Nacional Çlirimtare ku gjatë luftës kanë ardhur edhe komandantët Haxhi Lleshi e Prokop Murra, kjo marrëdhënie vazhdoi edhe pas Luftës. Babai im – Dulejman Loka e ka njohur që gjatë viteve të zjarrta të Luftës, ata u lidhen së bashku një miqësi e sinqertë dhe Haxhi LLeshi, kur ishte President i Republikës, vinte e qëndronte për javë të tëra në Lurë, në prehër të bukurive magjike. E theksoj, se me Haxhi Lleshin, përveç atyre që thashë më parë, dua të shtoj edhe këtë, se njerëzit e familjes sime kanë pasur e ruajnë mbresa shumë të veçanta. Im atë e ka pritur dhe respektuar, jo vetëm si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, por mbi të gjitha si mik dhe si shok armësh. Unë kam qenë aty, në dhomën ku ishte Presidenti dhe kjo, përveç kënaqësisë që ndieja, klimës së mirë të bashkëbisedimit që dinte të krijonte ai, më vinte në siklet, pasi ai fliste me maturi e me kompetencë profesionale për gjithçka, kishte vëmendjen e duhur ndaj gjithkujt, madje dhe ndaj meje si fëmijë që isha aso kohe. Nga të gjithë funksionarët e shtetit të kohës, apo dhe ata partiakë, biseda me Haxhi Lleshin, ishte ndryshe, më e veçanta…Këtë e pata kuptuar vetë, por ma thoshte shpesh edhe im atë, edhe xhaxhai, të cilët e kishin mik dhe e mbanin në shtëpinë tonë në Lurë për ditë e net të tëra, me biseda të Luftës e të punës që nuk shternin kurrë. Sot që mbi shumë figura të Luftës po hidhet baltë, imazhi dhe kujtesa për këtë burrë shteti, njeri të drejtë e të ndershëm, kurajoz e trim, largpamës e ndihmues ndaj njerëzve në nevojë, vjen më i gjallë se kurrë në mendje dhe të frymëzon që të shkruash të vërtetën. Pasi e vërteta nuk është kurrë bardhë e zi, por me ngjyra dhe personalitete si Hero i Popullit Haxhi Lleshi e mbushin me ngjyra jete e dashuri njerëzore peizazhin gjysmëshekullor, mjaft problematik, të epokës komuniste. Në një ditë simbolike proletarësh si ajo e 1 Majit, Haxhi Lleshi, ky luftëtar i paepur deri në çastet e fundit të jetës, ka dhe 102-vjetorin e ditës së lindjes. Me këtë rast jeta dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e gjithanshme padyshim, çdo vit përkujtohet, jo vetëm nga familjarët, por dhe nga Komiteti i Veteranëve të LANÇ-it, si dhe të gjithë ata që e kishin njohur nga afër, apo thjeshtë vazhdojnë të jenë dashamirës të tij. Haxhi Lleshi lindi më 1 maj të vitit 1913 dhe vdiq më 1 janar të vitit 1998, ishte politikan shqiptar dhe Ministër i Brendshëm i Shqipërisë në kabinetin e Enver Hoxhës. Haxhi Lleshi ishte pjesëmarrës aktiv dhe një nga drejtuesit kryesor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mbajti postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor gjatë viteve 1953 – 1982. Haxhi Lleshi si njeri me ndikim të fortë në Dibër dhe në krejt Shqipërinë, ka ndihmuar shumë njerëz për tu arsimuar e sistemuar në punë, atje ku ka ngrënë bukën, si bie fjala në mjaft familje nacionaliste në Mat e Dibër, nuk ka lejuar që tehu i shpatës së luftës së klasave të bjerë mbi këto familje. Dibranët dhe shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohëse veprës së Haxhi Lleshit, veprës së tij të përmasave edhe kombëtare, atdhetarisë së tij, qëndresës në kohën e luftës, burrërisë dhe shpirtit të ndihmës ndaj gjithkujt që ka kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e tij. Ka shumë intelektualë, madje dhe nga ata që kanë punuar pranë tij, që e shajnë dhe hedhin gurë mbi këtë burrë të shquar shteti por ata janë bukëshkalë dhe mosmirënjohës dhe ashtu siç ka thënë Immanuel Kant: “Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë.” Sipas të dhënave të dokumentuara faktohet që çeta e parë në Dibër është themeluar në Zogjaj me 20 qershor 1942, nga komandanti legjendar Haxhi Lleshi. Në librin e tij me kujtime oficeri i lartë englez Reginald Hibbert me mision në Shqipëri “Fitorja e hidhur. Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë” shkruan në kapitullin “Përvojë me nacionalistët në veri” kështu:“Përvoja jonë ishte e veçantë përgjatë luginës së Drinit, por ajo ishte mjaft tipike, që BLO patën me nacionalistët në të gjithë Shqipërinë. Ata ishin kokëngjeshur ndaj çdo përpjekjeje për t’ua shpjeguar lojën e forcave të Mëdha Botërore, nga e cila do të varej fati i Shqipërisë. Ndër ta nuk doli asnjë udhëheqës me vizionin për të parë se, për shkak të dhunës së egër që kishte shpërthyer në të gjithë Evropën… Mosdëshira e krerëve nacionalistë për të luftuar është e kuptueshme…Ndryshe nga viset e tjera, në Dibër nuk u formua asnjë çetë nacionaliste.” I vetmi nga këto krerë, që vinte nga një derë e parë, derë e pasur dhe me ndikim feudal në gjithë Dibrën ishte Haxhi Lleshi, që u lidh që në ditët e para me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ishte një nga komandantët e parë ushtarakë të njësive të kësaj Lufte. Haxhi Lleshi e rriti emrin e tij në flakët e Luftës Çlirimtare, ku dha një kontribut të shquar e të pamohueshëm, i cili do të kalojë gojë më gojë dhe brez pas brezi e do të përkujtohet me madhështi, duke hyrë përjetësisht në analet e historisë kombëtare. Por jo më pak të vyera ishin veprat dhe bëmat e tij prej shtetari shembullor edhe në epokën e socializmit; edhe pse shumë gjëra nuk shkonin në rrugën dhe drejtimin e duhur, kjo nuk ishte faj i njerëzve idealistë si Haxhi Lleshi, por i atyre segmenteve partiake e shtetërorë që kishin tradhtuar dalëngadalë interesat e popullit dhe ishin vënë në mbrojtje të interesave të tyre private. Haxhi Lleshi është dekoruar me tituj të lartë nderi jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Moskë, nga koalicioni antifashist, i cili e vlerëson atë si një udhëheqës të shquar të Luftës, që ka vënë në shërbim të kauzës së lirisë kundër okuptaorit nazifashist jetën dhe pasurinë e tij. 


Sigal