Aqif ADEMI/ Kuksiani që i qëndroi besnik Hasan Prishtinës e Bajram Currit

1201
Impresione të mëdha më shoqëronin, ndërsa gjurmoja rrjedhat në kohë dhe hapësirë të derës së madhe të Allarajeve në Topojan të Kukësit. Një derë e madhe fisnikësh, të trashëguar nga thellësia e shekujve, të lindur në ato maja malesh, kryelartë dhe të paepur, si ato kreshta legjendare, ku pinjollët e saj jetuan dhe luftuan duke u bërë njësh me fatet e atdheut e kombit. Topojani u bë djepi, varri, panteoni i pavdekësisë në udhëtimin e tyre simbolik drejt lavdisë.
Burrë i madh i Kukësit
Nuk ka kuptim dhe preceptim i historisë së fisit të Allarajve pa figurën e madhe patriotike të Mehmet Allarait. Këtë burrë të madh të Kukësit dhe Shqipërisë, ku gjatë gjithë jetës u shkri për intersat e popullit dhe kombit, ku mençuria e tij i kapërceu dhe kufijtë trojeve etnike, ku u qëndroi besnik patriotëve me zë, Prishtinës, Currit, etj. Në Topojan, në shekuj Allarajt dhe fiset më me zë të Kukësit, Dibrës, Mirditës, u dhanë kohërave emrin dhe bëmat e tyre atdhetare. Në një histori më shumë se dyqindvjeçare burrat e Allarajve u bënë flakatarë në qiellin e lirisë dhe drejtësisë. Allarajt në vite humbën nga vetja, nga malli e pasuria, nga koha, për vatrën dhe familjen për të fituar një dimension tjetër, nga ai i njerëzve të zakonshëm, dimensionin e fateve të atdheut dhe kombit. E ç’mund të japin më tepër për këtë tokë, më shumë se sa mendjen dhe shpirtrat e tyre të lirë?! Mehmet Allaraj është kryelisi i këtij populli të dendur, mbushur me lisa krenarie e qëndrese, përballë furtunave të kohëve. Gjatë jetës së tij i kaloi të gjitha luftërat, që kanë bërë shqiptarët për liri e pavarësi kombëtare. Ai shfaqet nga Lidhja e Prizrenit, te Kongresi i Dibrës, (1909) e deri delegat i Kuvendit të Junikut, 25 maj 1912, me nismën e Hasan Prishtinës.
Në Vlorë u pritën si heronj
Ai është zgjedhur delegat, një ndër pjesëtarët e trimave të Kosovës, me në krye Isa Boletinin, ku në Vlorë u pritën si heronj që vinin nga llogoret e luftës. Qëndroi afër mikut të tij, Nuri Sojliut, si përfaqësues i Strugës, një ndër firmëtarët e Pavarësisë. Pas shpalljes së Pavarësisë, patrioti Allaraj aktivitetin e tij patriotik nuk e ndërpreu. Ai zbatoi me fanatizëm programin dhe detyrat e caktuara nga Qeveria e Vlorës. U bë një propagandues i saj në të gjitha hapësirat shqiptare, deri sa erdhi qeveria e Princ Vidit. Mori pjesë në betejat e Zhurit me 1915 së bashku me trimat e tjerë kuksianë, dibranë dhe shumë të tjerë nga Çamëria të drejtuar nga Hasan Prishtina. Në vitin 1923, një ndër votuesit e Lumës për zgjedhjen si deputet të Avni Rustemit ishte patrioti Mehmet Allaraj. Ai shikonte tek Avni Rustemi një intelektual vizionar që i duhej politikës së kohës. Baca Mehmet nuk paragjykonte jug apo veri. “Shqipëria është një”, theksonte ai. Ishte mik dhe shok i ngushtë i Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, ku mori pjesë bashkë me ta në aktivitetin e tyre patriotik për çështjen kombëtare. Në moment kritike të kohës shpëtoi nga pushkatimi 15 kuksianë nga dora gjakatare serbe në sajë të influencës dhe autoritetit të tij në krahinat shqiptare. Mehmet Allaraj ishte intelektual me zë në atë kohë, një atdhetar i vetëdijshëm, që do të vepronte kurdoherë mbi bazën e një sistemi vlerash e principesh, thelbi i të cilit ishte fisnikëria dhe besnikëria ndaj atdheut dhe kombit.
Gjurmët e Mehmet Elez Allaraj 
Kudo ku qëndroi patrioti, në Gjakovë, Topojan, Shkup, Prizren, Prishtinë, Vlorë, Shkodër, Dibër, Stamboll,etj, ai arriti të tregojë maturinë dhe pjekurinë e tij, kodet e besës dhe të nderit, derën fisnike. Sot, emrin e tij nuk e mban asnjë rrugë e shesh e asnjë shkollë. Shumë të tilla mbajnë emra anonimësh apo të dyshimtë që kanë vetëm një meritë: nderimin e flamujve sa herë që u ka dashur interesi i tyre i ngushtë, interesi i klanit familjar e farefisnor që gjithsesi, nuk e kapërcyen pragun e derës. Jo rrallë, në këtë atdheun tonë të një mijë halleve, medaljet dhe dekoratat i tundin në gjokse pinjollë të etërve “veprat’’ e të cilëve do të mjaftonin që t’u skuqej faqja brezave të tërë, nëse do të ekzistonte për ta, në sistemin e vlerave të tyre, ndonjë fije sedre e dinjiteti njerëzor. Akoma dhe sot vazhdojnë të përcjellin për shqiptarët, të njëjtën filozofi, filozofinë e mashtrimit që tani 70 vjet ushqehen me dogma e manipulime, psikozat kolektive të përbaltjes së fisnikërisë dhe të shqiptarisë së vërtetë.
Pas vitit 1990
Pas vitit 1990 Mehmet Allaraj dekorohet nga presidenti i republikës Z. Sali Berisha për kontributin e dhënë për çështjet kombëtare. Ai punoi dhe jetoi 40 vjet, me shqiptarë në Gjakovë nën survejimin sllav me shumë rreziqe, por rezistoi. Ai qëndroi shumë lart në angazhimin e tij për çështjen tonë kombëtare, për kohën që jetoi, në kuadrin e marrëdhënieve të reja diplomatike. Në shumë raste Allaraj ka etapat e tij jetësore, në të cilën aspiratat e shqiptarëve gjejnë fytyrën e tij. Është një njeri i përkushtuar për çështjen kombëtare, për një çështje ku ka pasur shumë të vrarë, shumë të masakruar, shumë të përndjekur. Ky patriot kuksian në çdo kohë është ndjerë ekspresiv, i gatshëm për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Kuksianët ecin gjithmonë pas imazhit të Mehmet Allaraj për të qenë më të mirë, më atdhetarë, më njerëzorë. Brezat më të rinj, pasardhës të Mehmetit, një ndër to është edhe avokati i dëgjuar, i mirënjohur, Gëzim Allaraj, i përkushtuar për liritë dhe të drejtat e njeriut, Kryetar i Unionit të Juristëve të Pavarur të Shqipërisë, aktualisht kandidat për gjyqtar në Gjykatën e Lartë. 
Sigal