Franz Josef Shtraus, ishte dhe mbetet një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve

1235
Sigal

Shtraus, ishte i pari politikan i lartë europian që vizitoi Shqipërinë në vitet e komunizmit

U nda nga jeta në moshën 73-vjeçare më 3 tetor të vitit 1988 në Bon të Gjermanisë

Më datë 3 tetor të vitit 1988, në moshën 73-vjeçare, vdiq Franz Josef Shtraus, një nga politikanët e njohur të Gjermanisë. Kançelari Helmut Kohl, i cili mësoi për vdekjen e z.Shtraus gjatë një fluturimi nga Indonezia në Australi, njoftoi se do ta shkurtonte udhëtimin e tij. Kançelari e përshkroi z.Shtraus si ‘një nga etërit themelues më të mëdhenj të Republikës Federale’. Ministri i Jashtëm Hans-Ditrih Gensher, një rival politik, politika e jashtme pajtuese e të cilit ishte kritikuar shpesh nga z.Shtraus, vlerësoi ‘kontributin e tij të pazëvendësueshëm për ndërtimin e demokracisë të pas luftës në Gjermani’. Gazetari Serge Schmemann, (fitues i çmimit “Pulitzer” për raportet ndërkombëtare për mbulimin e riunifikimit të Gjermanisë) ka botuar një shkrim në “New York Times”, më 4 tetor 1988, një ditë pas vdekjes të F.J. Shtraus, ku hedh dritë mbi disa veçori që e karakterizonin këtë personalitet të lartë politik me ndikim jo vetëm në ish RF të Gjermanisë, por edhe në shkallë europiane e më gjerë.

PARTNER I VËSHTIRË

Unioni Kristian Social i z.Shtraus, një parti konservatore në Bavari për të cilën ai ndihmoi për ta themeluar dhe që e udhëhoqi në 25 vjetët e fundit, ka qenë aleate për një kohë të gjatë me Kristian Demokratët në nivel kombëtar. Prej 1983, ajo është pjesë e koalicionit qeverisës të qendrës të djathtë me Unionin Kristian Demokratik të z.Kohl dhe Partinë e Lirë Demokratike të z. Gensher. Z.Shtraus ka pasur debate të vazhdueshme me partnerët e tij më të mëdhenj Kristian Demokratë në vitet e fundit. Ai është shprehur kundër heqjes të raketave me rreze të mesme veprimi dhe paraqiti një program testimi të detyrueshëm të AIDS për grupet me risk të lartë në Bavari në kundërshtim me Ministrinë Federale të Shëndetësisë.  Ai ishte politikisht i paprekshëm në Bavari, një ish mbretëri që ai e qeveriste në stil mbretëror dhe që nën administrimin e tij u bë një nga landet më të pasura të një Gjermanie Perëndimore të begatë. Politikan i regjur dhe i vështirë ishte një nga liderët më në zë dhe më të fortë të Gjermanisë Perëndimore të pasluftës. Kundërshtarët e tij, dhe ata ishin të shumë jashtë Bavarisë, e kritikonin për konservatorizmin, mbështetjen për industrinë e armatimit, udhëtimet në Afrikën e Jugut dhe stilin e tij politik.

NXITI TREGËTINË ME LINDJEN

Për admiruesit e tij, përfshirë edhe disa amerikanë, z.Shtraus ishte një politikan mendjemprehtë dhe i zoti si dhe patriot që ndihmoi për ngritjen e Gjermanisë Perëndimore nga gërmadhat e Rajhut të Tretë në rangun e një autoriteti ekonomik e ushtarak. Ndonëse njëkonservator, ai ishte për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare me Lindjen, veçanërisht me Gjermaninë Lindore. Mbi të gjitha, ai u dallua në botën uniforme të politikës të sotme gjermane si një luftëtar i cili luajti politikën me të njëjtin pasion që i kushtoi gjuetisë, fluturimit dhe pijes.  Për 70 vjetorin e lindjes së tij, i kremtuar tipikisht me pompozitet, me veprimtari njëjavore, Presidenti Regan i nënshkroi personalisht hyrjen e një libri me lëvdata nga liderë të shquar, duke e quajtur z.Shtraus  një ‘njeri të jashtëzakonshëm’. Z. Regan në një mesazh drejtuar sot Qeverisë në Bon dhe familjes të Shtrausit u shpreh se z. Shtraus ishte ‘një mik i vendosur i Shteteve të Bashkuara, duke ndarë përkushtimin ndaj lirive individuale dhe bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve tona’.

OFICER ARTILERIE GJATË LUFTËS

Djali i dytë në familje, lindur në Mynih më 6 shtator 1915, z.Shtraus kreu studimet në Universitetin e Mynihut, për letërsi greke dhe romake.  Ai shërbeu në Luftën e II Botërore si oficer artilerie në Francë dhe në Bashkimin Sovjetik, dhe pas një morthi akut (nga ngrica) u kthye si instruktor në një akademi ushtarake në Schongau, Bavari.

Pas luftës, pas mbikëqyrjes që Aleatët iu bënë të gjithë oficerëve të Ushtrisë gjermane , z.Shtraus u nxor i pafajshëm nga krimet e luftës dhe u emërua administrator i Schongau. Këtu ai ndihmoi në krijimin e Unionit Kristian Social, dhe, ishte midis liderëve të parë të shtetit të Gjermanisë Perëndimore që u themelua më 1949. Z.Shtraus mbajti poste të ndryshme ministeriale nën kancelarin Konrad Adenauer, por më shumë kujtohet si arkitekt i riarmatimit në vitet kur ishte Ministër i Mbrojtjes, 1956-1962. Z.Shtraus u detyrua të japë dorëheqje si pasojë e ”çështjes Spiegel”. Ai e pat akuzuar  “Der Spiegel”, një revistë e njohur javore, për tradhti dhe disa reporterë të saj u arrestuan pas botimit të një artikulli kritik  për ushtrinë gjermane. Por më vonë u rehabilitua duke u bërë Ministër i Financave në “koalicionin e madh ” të të majtëve dhe të djathtëve nga 1966 në 1969.

AMBICJE KOMBËTARE TË DËSHTUARA

Ambicia e tij për t’u bërë kancelar dështoi në zgjedhjet e 1980 dhe përpjekjet e mëvonshme të tij për t’i zënë vendin z.Gensher si ministër i Jashtëm, gjithashtu dështuan. Ndërkohë, me një bazë pushteti në Bavari, ku qeverisi si kryeministër në dekadën e fundit, z. Shtraus ndërhynte zhurmshëm në politikën kombëtare dhe atë të jashtme. I njohur për  kundërshtimin e tij të egër ndaj politikave të detantës (të uljes së tensionit) të social-demokratëve në vitet 1970, z. Shtraus më vonë u bë një nga  ndjekësit më aktivë të tregtisë dhe kontakteve me Gjermaninë Lindore, Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste. Më  1983, ai i befasoi gjermano-perëndimorët me  shpalljen e një kredie prej 1 miliard DM për  Gjermaninë Lindore, një marrëveshje që hapi një erë të re në marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit dhe e bënë z.Shtraus një mysafir të mirëpritur në Europën Lindore.

‘KONSERVATOR PROGRESIST’

Z. Shtraus e konsideronte veten si një ‘konservator progresist,’ dhe këmbëngulte se nuk kishte ndonjë kontradiktë midis anti-komunizmit të tij ideologjik dhe përkrahjes të lidhjeve ekonomike me Lindjen. ‘Unë nuk i tradhëtoj kurrë bindjet e mija,’ u shpreh në një intervistë vitin e kaluar. Socialistët në Europën Lindore ‘nuk kanë dyshimin më të vogël se cilat janë bindjet e mija’. ‘Por unë besoj se socialistët preferojnë të bisedojnë më tepër me konservatorët se me socialistët e tjerë, pasi ne nuk kemi debate ideologjike,’ shtoi ai duke qeshur .

Në Bavari, z. Shtraus dhe partia e tij përkrahen gjerësisht për ndjekjen e politikave që e bënë shtetin të begatë dhe Mynihun një qytet tërheqës. Shtraus i kushtoi një vëmendje të veçantë industrisë të aviacionit dhe, shërbeu si kryetari gjerman i konsorciumit europian të Airbus-it.  Gruaja e z.Shtraus, Marianne, vdiq më 1984 në një aksident automobilistik. Ai ka lënë  pasardhës dy djem dhe një vajzë.

DASHAMIRËS I SHQIPËRISË

E botova shkrimin e mësipërm për ta njohur figurën e Shtrausit në një këndvështrim të kohës për më tepër një gazetar profesionist si Schmemann dhe në një organ si New York Times. Politikani i lartë gjerman, kryeministri i Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus e vizitoi Shqipërinë tre herë në harkun e viteve 1984-1987. Vizitën e parë e bëri më në gusht 1984, të dytën në maj 1986. Herën e parë erdhi në rrugë tokësore me një tip xhipi nga Hani i Hotit, herën e dytë me një avion të vogël që e drejtonte vetë. Në të dy rastet vizita ishte jo-zyrtare.  Kurse në nëntor 1987 ai erdhi për të takuar ish Presidentin R.Alia dhe për ta uruar tashmë zyrtarisht për marrëdhëniet diplomatike, të cilat ishin vendosur më 2 tetor. Këto vizita, meqenëse nuk ishin zyrtare, u pasqyruan shumë pak në shtypin dhe median shqiptare. Në të kundërtën, media gjermane, nën kujdesin e vetë Shtrausit, i bënë një ‘marketing’ të mirë këtyre vizitave, sidomos të dytës.  Për shkak se përmbajtja e bisedave nuk u bë publike në kohë, u mbuluan nga një lloj misteri, i cili vazhdon ende, duke i quajtur vizitat e tij si “një shans i humbur! Po sa i qëndron kjo të vërtetës? Për të arritur në një përfundim sa më të saktë po shpreh mendimet që vijojnë:

VIZITA NË SHQIPËRI

1. Vizitat e z.Shtraus, në formë turistike, nuk iu shmangën vlerësimeve politike. Maksi, njëri prej dy djemve të Shtrausit, është shprehur se udhëtimi në Shqipëri ishte një vendim që familja e tij e mori, sepse u voliste nga ana logjistike në itinerarin e pushimeve të verës 1984. Këtë e ka konfirmuar vetë Shtrausi në një intervistë dhënë Deutsche Welle më 1987, të gjetur kohët e fundit në arkiv. Ai thotë se ishte nisur si turist për të kaluar në Shqipëri, kur e pa veten të përfshirë në bisedime politike”. (Panorama ,15.7.2010). Vizita të kësaj natyre turistike-politika Shtrausi kishte bërë më parë edhe në vende të tjera ish-komuniste si në R D Gjermane, Çekosllovaki, Hungari, BS, madje edhe në Kinë), ku është pritur në nivelet më të larta shtetërore.  Kështu vepruan edhe autoritetet shtetërore shqiptare: në takimin e parë atë e priti zv/kryeministri (i parë) M. Myftiu, kurse në rastin e dytë, kryeministri A.Çarçani. Sipas komentit të gazetarit Deutsche Welle, Shtrausi është treguar pragmatik në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai është i ftohtë ndaj ideologjisë sunduese. Këto vizita , ndonëse jo-zyrtare, ndihmuan në njohjen më të mirë të vendit tonë në R F Gjermane dhe shpejtimin e hapave për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike.

REPARACIONET E LUFTËS

2. Reparacionet e Luftës II Botërore -ngërçi i marrëdhënieve diplomatike. Sipas qeverisë shqiptare, RF Gjermane duhej të paguante reparacione për dëmet e shkaktuara në vendin tonë gjatë pushtimit nazist, kurse sipas qeverisë gjermane kjo çështje ishte mbyllur me Marrëveshjen e Londrës mbi Borxhet e Jashtme të Gjermanisë të nënshkruar  më 27 shkurt 1953 e cila rregullonte detyrimet për reparacionet ndaj 33 vendeve, por vendet e ish-Bllokut komunist u përjashtuan nga vlerësimi. Pala shqiptare e mbështeste kërkesën për analogji me Italinë, e cila ,ndonëse në mënyrë simbolike, i njihte dëmet e shkaktuara në luftë. Sipas Traktatit të Paqes, të nënshkruar në Paris më 10 shkurt 1947, Shqipëria përfitoi 5 milionë USD reparacione nga Italia. Kurse pala gjermane nuk pranonte të paguante në parim reparacione. Po kështu, kërkesa për reparacionet bazohej edhe mbi informacionet jo të sakta për praktikat ligjore të përdorura në rastin e Polonisë apo Jugosllavisë. Për më tepër, qeveria shqiptare ngulmoi në kërkesa të përsëritura, (ndoshta dhe të fryra -miliarda marka) të cilat e shtynë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Shtrausi, me mendimet e tij hapura, sidomos në rastin e vizitës të dytë, ndikoi  që qeveria shqiptare ta shikonte me një sy më realist këtë çështje.

VLERËSIMI PËR SHQIPËRINË

3. Shtrausi paraqitet realist në vlerësimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë. Komentit të gazetarit të Deutsche Welle-s, se Shqipëria vazhdon të kundërshtojë bashkëpunimin me dy fuqitë e mëdha, me SHBA dhe me BS dhe se nga pikëpamja pragmatike gjermane duhej të përshëndetej ky akt, z. Shtraus i përgjigjet se “… kaq i madh nuk është biznesi me Shqipërinë, sa të gëzohesh që ata nuk kanë marrëdhënie me SHBA dhe me BS”. Por, nga ana tjetër ai nuk i nënvleftëson ato; në të kundërtën i vlerëson realisht mundësitë ekonomike që ofron Shqipërisë. Tregu është natyrisht i vogël,- shprehet ai- tani kemi të bëjmë vetëm me tre milionë vetë. Megjithatë, para 40 vjetëve kemi pasur vetëm 1 milion njerëz. Ne nuk ka pse të presim këtu tregun e madh, me përfundim marrëveshjesh të mëdha. Por ne jemi që prej orës së parë të pranishëm. Shqipëria ka rezerva të konsiderueshme lëndësh të para, që për ne janë të domosdoshme, si për shembull krom. Shqipëria nga ana tjetër ka nevojë për mallra industrialë, ka nevojë për modernizimin e bujqësisë, për modernizimin e transportit. Ka nevojë edhe konsulencë teknike për shfrytëzimin e lëndëve të para. Edhe nëse tregu është i vogël – që të thuash se ne qëndrojmë të rezervuar për madhësi të vogla, se nuk preokupohemi për to – kjo do të ishte mënyrë e gabuar të menduari. Nga sa më lart nuk duket ndonjë “humbje shansi” në fjalët e Shtrausit. Përkundrazi ai tregon përparësinë e të qënit prej orës së parë të pranishëm në Shqipëri.

Megjithatë kapitali privat gjerman, si para një çerek shekulli- në sistemin e ekonomisë të centralizuar dhe tani në ekonominë e tregut është treguar i matur për të investuar në sektorët e mësipërm përmes procesit të privatizimit të pronës shtetërore apo objekteve të reja. Shkaqet lidhen me mekanizmin kërkesë-ofertë, me çmimet e larta të mallrave gjermane si dhe me mangësitë tona në krijimin e lehtësive për të tërhequr kapitalin e huaj.

PUSHTETI I SHTRAUSIT NË GJERMANI

4. Ndonëse një politikan me ndikim të veçantë, Shtrausi nuk ishte “violina e parë” në RF të Gjermanisë. Frenat e pushtetit real ishin në duart e kancelarit H.Kohl-kryetar i Unionit Kristian Demokratik (CDU). Për rjedhojë edhe ndikimi i tij në zhvillimet midis dy vendeve mund të vlerësohet si ndihmës, jo vendimor. Në vitet 1983-1991 në qeveritë e koalicionit të kryesuar nga kancelari H. Kohl-kryetar i CDU, bënin pjesë Partia e Lirë Demokratike që kishte zv/kancelarin dhe ministrin e  punëve të Jashtme H.D.Gensher, dhe Unioni Kristian Social i Shtrausit. Qeveria e dytë Kohlit, (29 mars 1983 – 11 mars 1987) përbëhej nga 17 ministri: CDU kishte kancelarin dhe 8 ministri; PLD kishte zv/kancelarin dhe ministër i punëve të Jashtme dhe 2 ministri: të drejtësisë dhe të ekonomisë.  Kurse CSU kishte 5 ministri: të brendshëm, të bujqësisë, të transporteve, të ndërtimit dhe të bashkëpunimit ekonomik. Qeveria e tretë të Kohlit (12 mars 1987- 17 janar  1991) përbëhej nga 20 ministri. CDU – 11 ministri bashkë me kancelarin; PLD – 4 bashkë me zv/kancelarin; dhe CSU -5 ministri.

Historianë dhe studiues të shkencave politike venë në dukje se marrëdhëniet midis Kohlit e Gensherit nga njëra anë dhe Shtrausit nga ana tjetër kanë qenë shpesh rivalizuese. Dihet se Shtrausi konkurroi por nuk fitoi në garën e tij për kançelar në vitin 1980 dhe përpiqej të bënte një “politikë paralele” në marrëdhëniet me jashtë. Kjo është arsyeja pse, ndonëse CDU kishte parti simotër CSU, Koli preferonte Gensherin si zëvendës të tij.  RF Gjermane është një nga shtetet themelues të BE të sotëm si dhe NATO-s, prandaj ajo nuk mund të zhvillonte një politikë krejtësisht të vetën në marrëdhënie me Shqipërinë, ndonëse një vend i vogël dhe jashtë blloqeve. Për hapa të një rëndësie thelbësore politike apo për investime të mëdha qeveria gjermane nuk mund te vepronte e vetme, pa rakorduar në radhë të parë me SHBA dhe vendet e tjera aleate europiano-perëndimore. Madje kjo nuk është e mundur as në ditët tona. Shtrausi, mund të ndikonte në politikën gjermane dhe më gjerë, por për projekte me qindra milionë marka duhej marrë edhe miratimi nga organet apo institucionet vendimmarrëse të BE dhe të  NATO-s.

ROLI I INSTITUCIONEVE

5. Marrëdhëniet midis shteteve bëhen më të qëndrueshme kur mbështeten mbi baza institucionale. Ndonëse bisedat ishin jo-zyrtare vihen re përpjekjet e Shtrausit për t’i vendosur marrëdhëniet midis dy vendeve mbi shina institucionale që sigurojnë perspektiva afatgjata. Ai sugjeroi zgjidhjen  e shpejtë të çështjes të reparacioneve të luftës, vendosjen e marrëdhënieve  diplomatike dhe lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit teknik dhe financiar. Për këtë ai mori edhe angazhime personale për të ndikuar tek ministrat e tij në qeverinë federale.

Nuk është e rastit që në vizitën e tretë ai vjen për të uruar presidentin shqiptar për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike (tetor 1987), që përbën një bazë të fortë ku mbështeten të gjitha marrëdhëniet e tjera bilaterale, përfshirë edhe ato ekonomike dhe financiare.  Kjo është arsyeja që këto marrëdhënie u zhvilluan me ritme të shpejta edhe pas vdekjes së tij, duke u konkretizuar në marrëveshjen e bashkëpunimit teknik dhe financiar midis dy vendeve të nënshkruar një vit më vonë.  Kjo tregon gjithashtu se vizitat e Shtrausit nuk ishin një shans i humbur por një hap në drejtimin e duhur për shpejtimin e lidhjes të marrëveshjeve dhe forcimin e bashkëpunimit me Gjermaninë e bashkuar  pas vitit 1990, i cili ka ardhur duke u intensifikuar në shkallën më të lartë në vitet në vijim.