Vjedhje mafioze në magazinat e ish-Uzinës së Riparimit të Avionëve

1066
Sigal

KUÇOVË/ Magazinat ruhen me ushtarë. Skema e grabitjes, çudit shefat e repartit, të cilët kanë mbuluar 3 vjedhje të tjera

Një vjedhje mafioze është përsëritur për të disatën herë në magazinat e ish-Uzinës së Riparimit të Avionëve në Aerodromin e Kuçovës. Ky është një repart, i cili u mbyll në fillim të muajit shtator. Burimet brenda aerodromit bëjnë të ditur se, këto magazina janë të vulosura, janë të mbyllura me kyç dhe ruhen me ushtarë me pagesë. Burimet thonë se magazinat që ndodhen në ish-Uzinën e Riparimit, kanë materiale me teknikë të rëndësisë së lartë, por ato janë vjedhur duke hequr kyçat, por vulën nuk e kanë prekur. Pasi kanë kryer vjedhjet, hajdutët kanë mbyllur magazinat me kyç tjetër. Sipas disa punëtorëve që nuk pranojnë të identifikohen për interes të punës, bëjnë të ditur se, këto vjedhje janë diktuar kur janë dashur materiale për riparimin e një helikopteri. Në momentin që administratorët janë futur brenda kanë mbetur të befasuar nga rrëmuja dhe lëvizjet e materialeve teknike nga vendi. Menjëherë është bërë inventari dhe janë diktuar vjedhjet e magazinave.

Vjedhja

Faktikisht këto magazina janë vjedhur tre herë dhe ende nuk është zbardhur vjedhja dhe autorët e saj, edhe pse pas vjedhjes kanë ardhur ekspertët ushtarakë për të kryer hetimet. Burime tepër të sigurta brenda Komandës së Aerodromit bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf”, se këto vjedhje janë zbuluar pas kërkesës që është bërë nga teknikët që kërkojnë materialet teknike. Këto materiale ndodheshin në magazinë. Madje, përveç vjedhjeve të kryera në magazina, autorët nuk kanë falur edhe stampat e prodhimit të gominave të gomës, të cilat shërbejnë për avionët. Në këtë aerodrom ndodhen tre magazina qendrore, të cilat janë të ndara sipas specifikës së materialeve, të cilët shërbejnë për riparimin e avionëve. Tre magazinat, sipas burimeve brenda komandës, janë të vulosura. Mirëpo kjo vulë është sa për të thënë se magazinat janë vjedhur dhe vulat nuk janë prekur. Ndërsa ajo që është më kryesorja është se kyçi është ndërruar, në vend të kyçit origjinal, ku çelësat i disponon magazinieri apo shefat e repartit, janë vendosur kyça të tjerë. Këtu është zbuluar dhe vjedhja e magazinave, pasi drejtuesve iu kanë mbetur çelësat në dorë, ndërsa origjinalet i kanë hajdutët, të cilët kryen vjedhjen mafioze në këto magazina. Më shqetësues është fakti se në këto magazina ka pasur edhe lëndë radioaktive, që përdoreshin në bombat e avionëve luftarak. Vjedhja e këtyre materialeve nga kontrabandistët mafiozë përbën një alarm të vërtet, pasi jo vetëm paraqesin një rrezik potencial të jashtëzakonshëm për qytetarët, por edhe për qëllimet e fitim të kontrabandistëve, mund të kenë rënë në duar të papërgjegjshme terroristësh.

Materialet

Sipas burimeve të disa ushtarakëve, që për efekt të detyrës nuk pranuan të identifikohen, thanë për gazetën “Telegraf”, se këto magazina janë vjedhur tre herë, vjedhje këto të konstatuara prej tyre. Ato mund të jenë vjedhur edhe më shumë herë, por çdo gjë mbahet e fshehtë, madje për të bërë zbulimin e tyre kanë shkuar në Kuçovë edhe ekspertët, por çdo gjë ka mbetur enigmë. Sipas këtyre ushtarakëve bëhet e ditur se magazinat kanë materiale speciale dhe pajisje me cilësi të lartë që mund të përdoren në çdo mjet teknik. Por dhe një pjesë mund të shiten nëpër pika tregtimi. Madje nuk përjashtohet edhe shitja për skrap tek pikat e grumbullimit. Çdo gjë mund të ndodhë, shprehen ushtarakët të shqetësuar, për ato çka po ndodh me armën e aviacionit, e cila ka shërbyer një jetë të tërë për të ruajtur hapësirat qiellore të Shqipërisë. Burime nga Aerodromi bëjnë të ditur se në këto magazina ka dhe materiale të shtrenjta, të cilat janë blerë me dollarë në dorë në kohën e komunizmit; siç është zhiva si dhe shumë materiale të tjera speciale, si pajisjet elektronike që shërbenin për ngritjen e avionëve në hapësirë. Disa ushtarakë thanë për gazetën se, pasi u mbyll Uzina e Riparimit, dihej se kështu do të ndodhte edhe me materialet speciale që ndodhen në magazina. Kjo është një fatkeqësi e madhe, thanë ata. Të gjitha këto materiale janë djersa e mundi i këtij populli, i cili u robtua një jetë të tërë për të patur një teknikë speciale si kjo e Kuçovës.