Dosier/ Prof. Dr. Asoc. Bernard Zotaj: Beqir Balluku, komandant i brigadave sulmuese dhe ministër i Mbrojtjes Popullore

1080
(Në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes)
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Komandant i njësiteve guerile të Tiranës
Beqir Balluku vinte nga një familje të ndershme me origjinë punëtore. Ai lindi në lagjen Abdulla Bej në Tiranë me 14 Shkurt 1917. Kreu shkollën fillore, si dhe vazhdoi studimet në shkollën teknike, por si rezultat i gjendjes ekonomike të familjes, largohet nga shkolla për të ndihmuar familjen. Fillimisht hyri në profesionin e hidraulikut dhe më pas të hekurpunuesit, ku punoi deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë. U përfshi në demostratat antifashiste. Bashkë me të rinj të tjerë kërkuan armë, hodhën parulla antifashiste dhe i shkruan ato në mure, bulevarde dhe në oborret e shkollave etj. Thërritet ushtar në repartin e fanterisë, ku shërben deri në vitin 1942, deri në mbarimin e shërbimit ushtarak. Koha e shërbimit ushtarak për Beqir Ballukun në repartet e Shkodrës u bë një shkollë e dytë për të. Ai mbajti lidhje të ngushta me antifashistin revolucionar, Perlat Rexhepi. Reshteri i fanterisë Beqir Balluku në ushtri zhvillon një veprimtari antifashiste, duke nxitur e organizuar pakënaqësi e revolta në veprimtari të ndryshme gjatë stërvitjeve, shpërndante trakte etj. Ai u transferua shumë herë në reparte të ndryshme, por kudo vazhdoi aktivitetet antifashiste. Oficerët fashistë në kartelën e tij shënonin i pabesueshëm, rebel dhe të mbahet nën vërejtje. Pas përfundimit të ushtrisë kthehet në Tiranë dhe aktivizohet me njësitet guerile në Tiranë, ku caktohet komandant njësiti. Beqir Balluku ishte në krye të të gjithë aksioneve të njësiteve guerrile të Tiranës dhe në rrethinat e saj. Ai mori pjesë në aksionet si në aeroport, në minierën e Krrabës, në Vorë, në kazermat e ushtrisë në Kamëz, në Yzberisht, etj. Ai rënies heroike të Vojo Kushit, ngarkohet nga qarkori drejtuesi kryesor i qarkut të Tiranës për të komanduar të gjitha njësitet guerile të Tiranës. Nën drejtimin e tij udhëhiqen aksionet e rëndësishme kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, si në depot e xhenio, në centralin elektrik, në furrat e bukës, në burgun e ri, në rrëmbimi i arkivit të Ministrisë së Brendshme, rrëmbimi i materialeve të rëndësishme për luftën në Ministrinë e Arsimit, asgjësimi i spiunëve fashistë dhe eksponentëve tradhëtarë etj. Për drejtimin e matur dhe të guximshëm në prill 1942 pranohet në PKSH dhe në mars 1943 zgjidhet anëtar i KQ të PKSH për Tiranën. Në pranverën e vitit 1943 arrestohet, por për mungesë provash lirohet nga burgu. Tani merret me organizimin e çetave partizane të Dajtit dhe Krujës. Përsëri vazhdon të drejtojë dhe të luftonte brenda në Tiranë që ishte ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm edhe i domosdoshëm. Spiunët e SIMI-t ju vu në ndjekje, ndaj qëndrimi i mëtejshëm i komandantit të njësive guerile të kryeqytetit u bë i pamundur, prandaj detyrohet të largohet nga Tirana. Komiteti Qarkor e ngarkon me krijimin e batalioneve partizane në prefekturën e Tiranës.
Komandant çete, batalioni dhe brigade sulmuese
Me largimin nga Tirana, Beqir Balluku u emërua komandant i çetës partizane Krujë-Ishëm dhe me formimin e batalionit partizan me të njëjtin emër më 20 maj 1943, emërohet komandant. Në krye të këtij formacioni u dallua për maturi dhe guxim. Ai e udhëhoqi me sukses në të gjitha luftimet që zhvilloi në Krujë, Tiranë, Prezë, Ishëm e sidomos në luftën e Krujës 1943, në fushën e aeroportit të Rinasit, në Çermenikë kundër forcave balliste, në aksionin e kantierit Bellotti etj.
Me formimin e Brigadës III Sulmuese, më 18 shtator 1943, Beqir Balluku caktohet për të drejtuar këtë formacion si komisar, së bashku me luftëtarin antifashist të Spanjës Hulusi Spahiu, komandant. Në radhët e kësaj brigade luftuan dhe duke treguar trimëri, në Luftën e Arbanës kundër forcave gjermane dhe në goditjen e Asamblesë tradhëtare me top nga Kodrat e Saukut.
Me formimin e Brigadës II Sulmuese, Beqir Balluku nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH caktohet komandant dhe Vasil Konomi, komisar. Flamurin luftarak brigadës ia dorëzon në Shëngjergj të Tiranës, vetë komandanti i UNÇSH dhe i Shtabit të Përgjithshëm, Spiro Moisiu. Në të gjitha luftimet e Brigadës këta drejtues udhëhoqën me shembullin e tyre si luftëtarë e organizatorë të përgatitur. Në Operacionin gjermano-ballist të Dimrit Brigada përballoi situata mjaft të vështira dhe doli nga rrethimet e shumta të ngritura armiku. Në bashkëveprim me forcat e Br. III S dhe batalionet e Grupit partizan të Elbasanit luftoi dhe ruajti zonën e saj të veprimeve luftarake. Në këto kushte shtabi i brigadës qëndroi në krye të forcave dhe mundi të bënte kalimin në Jugë dhe në Qarkun e Korçës, ku u riorganizua përsëri. Pas këtyre momenteve Brigadës II Sulmuese, zhvilloi luftime të ashpra në rrethet e Korçës, Leskovikut, Qafë Thanës, Librazhdit, Devollit etj.
Shtabi Operativ i krijuar për çlirimin e Korçës u organizua mbi bazën e Brigadës II, IX, XX Sulmuese, Komanda iu ngarkua major Beqir Ballukut, i graduar në Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944. Korça u çlirua dhe më pas qytetet e prefekturës si Bilishti, Erseka, Leskoviku e Pogradeci e më pas Librazhdi. Personaliteti i Beqir Ballukut u formua dhe u kalit në këtë luftë të historisë së shoqërisë shqiptare siç ishte LANÇ-i.
Detyra të reja pas çlirimit…
Me çlirimin e vendit Beqir Balluku, i graduar nënkolonel më datën 28.11.1944 emërohet zëvendëskomandant i Korparmatës së Parë dhe më pas komisar i Korparmatës së Tretë. Në vijim emërohet komisar i Komandës së Prapavijave të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare. Komandohet komandant i Divizionit VIII në Korçë dhe gradohet kolonel. Në janar të vitit 1948 emërohet Kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare dhe i jepet grada ushtarake gjeneralmajor.
Me përfundimin e punimeve të Kongresit I PKSH, Beqir Balluku u zgjodh anëtar i KQ të PKSH dhe i Byrosë Politike, ku për kohën ishte vlerësimi më i lartë që mund t’i bëhej një personaliteti ushtarak.
Ndërkohë ai përfundoi me sukses studimet e larta ushtarake në Akademinë e larë të Shtabit të Përgjithshëm të FA “Voroshiliov” në Moskë. Në këtë Akademi Beqir Balluku mori një kulturë të gjerë të niveleve operativo-strategjike për drejtimin e njësive të mëdha; korpuseve, armatave, gruparmatave, fronteve e grup fronteve në luftimet bashkëkohore gjithëarmëshe në kushtet e përdorimit të armëve bërthamore etj. Në vitin 1953 u gradua Gjenerallejtënant dhe më 10 Korrik 1953 me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor u gradua Gjeneralkolonel. Kështu Gjeneral Beqir Balluku nga viti 1953 deri në ditën kur u internua në vitin 1974, qëndroi më gjatë ministër i Mbrojtjes Popullore. Për aftësi dhe trimëri të treguar gjatë LANÇ-it u zgjodh delegat në Kongresin e Përmetit dhe në të gjitha kongreset e partisë u zgjodh anëtar i KQ të saj. Beqir Balluku ka qenë zgjedhur deputet në Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Ai mbante 16 urdhra e medalje të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, si dhe urdhrin me shpata “9 shtatori” të Bullgarisë.
Kontribut të shquar në modernizimin e FA
Gjeneral Beqir Balluku në detyrat e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe të ministrit të Mbrojtjes ka dhënë një ndihmesë të shquar për modernizimin e Ushtrisë, FLD, aviacionit, mjeteve të blinduara, MKA etj. Në të gjithë veprimtarinë e tij në këto detyra u tregua i matur, serioz, i përkushtuar, i ekuilibruar dhe dha gjithë energjitë dhe dijet në interes të rritjes së aftësive luftarake të FA. Duke ushtruar detyrën e ministrit të Mbrojtjes për më shumë se 20 vjet, gjeneral Beqir Balluku organizoi, udhëhoqi dhe drejtoi mjaft programe, si dy-tre riorganizime të Ushtrisë, pajisjen me armatime të reja të armëve të këmbësorisë, mitralozat KA, sistemet e artilerisë, raketave, topave reaktive pa zmbrapsje, tankeve, avionëve, anijeve, municioneve etj. Gjeneral Beqir Balluku udhëhoqi dhjetëra delegacione ushtarake e qeveritare si ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave në interes të zhvillimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në postin e ministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të Këshillit të Mbrojtjes Beqir Balluku pranë ju gjendën koleg si shefi Shtabi të Përgjithshëm Gjenerallejtënant Petrit Dume, si dhe mjaft gjeneral profesionist të zotë dhe me përvojë si Mehmet Shehu, Gjin Marku, Shefqet Peçi, Haxhi Lleshi, Tuk Jakova, Islam Radovicka, Nexhip Vinçani, Spiro Miosiu, Dali Ndreu etj. Beqir Balluku drejtoi mjaft stërvitje të mëdha me trupa të zhvilluara në të gjithë territorin e vendit si “Vjosa”, “Semani”, “Shqiponja”, “Tomorri”, “Bodeja”, “Drini”, “Kaptina” etj., apo stërvitjet komando shtabi dy-anëshe, dy-gradëshe me pjesëmarrjen masive të shtabeve, mjeteve të ndërlidhjes etj. Në këto stërvitje u provuan dhe u eksperimentuan thuajse të gjitha drejtimet operative-strategjike. U vërtetuan kapacitetet e kalueshmërisë në këto territore, në pengesat ujore, në vijat e hapjes për kundra goditjet e njësive të bashkuara dhe njësive rezervë. U eksperimentua në kushte të përafërta luftarake përdorimi i tankeve, aviacionit dhe artilerisë për mbështetjen e njësive gjithëarmëshe gjatë dhënies së kundërgoditjeve apo zhvillimit të luftimit mësymës, ditën, natën dhe në kushte të vështira të motit dhe terrenit. Nën drejtimin e tij dhe kuadrove kryesore të ushtrisë shqiptare u hartuan rregulloret bazë të ushtrisë dhe cikli i plotë i rregulloreve të luftimit të nënreparteve, reparteve dhe njësive të ushtrisë në përputhje me rregullat klasike të pranuara botërisht nga shkenca botërore e drejtimit të luftës. Me prishjen e marrëdhënieve me BS dhe daljen nga Traktati i Varshavës ju imponua marrja e masave të reja organizative ushtarake. Në këto kushte të reja u bë rishikimin rrënjësor i reformës ushtarake dhe filloi hartimi i projekt Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Këto teza nuk u ngritën në nivelin e një doktrine ushtarake sepse në bazën e tyre nuk u vendosën normat shkencore të artit ushtarak të të luftuarit dhe të drejtuarit të veprimeve luftarake në mbrojtje, mësymje, në rrethim, luftim ndeshje, etj. Në këto kushte ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe kuadrot kryesore të ushtrisë shqiptar u goditën dhe u asgjësuan me të ashtuquajturin “puç ushtarak” të kryesuar prej tyre.
Në këtë valë goditjesh të ushtarakëve u pushkatuan gjeneralët dhe kuadrot Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, si dhe u burgosën me burgime të rënda gjeneralë si Vaskë Gjino, Rrahman Parllaku, Sadik Bekteshi, Abaz Fejzo, Muhamet Prodani, Arif Hasko, Halim Ramohito etj, u intermuan gjeneralët dhe kuadrot e lartë Spiro Shalësi, Dilaver Poçi, Emest Jakova, Adnan Qatipi, Nikollaq Sallabanda, Faik Take, Sulo Kozeli, Skënder Malindi etj. Apo u denigruan gjeneralë e kuadro të tillë si Abdi Mati, Muharem Kokomani, Ziqiri Mero, Mendu Backa, Qazim Kapisyzi, Et’hem Gjinushi, Thoma Xhixho, Bako Dervishaj, Vehbi Hoxha etj.
Kujtojnë dhe nderojnë
Kështu u mbyll jeta dhe vepra e ushtarakut të lartë shqiptar, ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku. Në këtë 100 vjetor të lindjes së Tij, FA kujtojnë dhe nderojnë një prej gjeneralëve që bëri zë dhe dinjitet qenies dhe vetëdijes së ushtarakut shqiptar. FA shqiptare gjithmonë kanë përballuan me kurajë, burrëri dhe mençuri goditjet si e viteve 1974-1975, 1981-1982, ndërsa në vitet 1990-1991 mundën të përballojnë situatën e përmbysjes së diktaturës, kur shteti shqiptar kaloi nga regjimi monist në regjim pluralist demokratik. FA shqiptare përballuan me kurajë edhe ngjarjet tragjike të vitit 1997. Këto fakt janë aq të vërtetë sa në asnjë rast nuk u vërejt kundërvënia e FA ndaj popullit të vet të zemëruar e të revoltuar që po realizonte përmbysje të mëdha sociale cilësisht të reja. FA ishin dhe janë ushtri e dalë nga populli dhe me prejardhje popullore. Në kontributin e saj është dhe vepra e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, i cili meriton të vlerësohet dhe të përkujtohet denjësisht.
Sigal