Flamur Shehu:Ju tregoj kolosët e muzikës shqiptare, Sherif Merdani, Ema Qazimi, Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori, pse më

1077
Sigal

INTERVISTA/  Flet kompozitori, Flamur Shehu: “Mora pjesë në 27 festivale dhe kam fituar Çmimin e Parë me Anita Bitrin me këngën “Dashuria jonë”

Flamur Shehu është një ndër kompozitorët më produktiv. Në arkivin e tij numëron mbi 500 këngë, një shifër shumë domethënëse. Ka dy çmime të para (një në Festivalet e RTSH, dhe një në Koncertet e Pranverës) dhe 17 çmime të para dhe të dyta të shtrira në kohë. Kur flet me të shikon një mërzi kur përmendet muzika tallave. Ajo këngë nuk i përket flokut tonë thekson Flamuri. Folku shqiptar është ndër më të pasurit në botë dhe ka mundësi për gjetje frymëzimi për çdo kompozitor. Ndër shqetësimet e tij është dhe këndimi Play Back, pasi në këtë mënyrë këndimi humbet ngjyra e zërit, gjallesa e muzikës. Ndërsa për Festivalin e 11-të, ai thotë që solli një erë të re në muzikën shqiptare, por që nuk u la të rritej.  Ka bashkëpunuar me të gjithë këngëtarët më në zë shqiptar dhe ndihet i nderuar me këtë bashkëpunim. Ka një kujtesë për t’u admiruar dhe për profesionin e tij flet me pasion.

  Si ka qenë muzika në sistemin monist, a prodhonte vlera apo ka qenë një muzikë tejet e ideologjizuar?

 Të flasësh për të kaluarën duhet ta kesh përjetuar atë. Unë jam një ndër kompozitorët që e kam përjetuar atë sistem dhe ne kemi qenë kompozitor që kemi lënë gjurmë në formimin e muzikës së lehtë shqiptare. Në atë kohë shkruanim  me laps në dorë. Lapsi është diçka tjetër, ndërsa kompjuteri është diçka tjetër. Kur shkruan me laps në dorë riprodhimet e notave janë direkt, të gjalla, live, d.m.th janë reale, nuk janë efekte kompjuterike. Ndaj ne e krijonim muzikën, melodinë, vetëm, duke qenë me laps në dorë dhe muzika ishte gjithçka e gjallë. Ne edhe krijonim me laps, por edhe ekzekutonim direkt, me orkestër jo me Play Back.  Nëse do ta shikojmë krijimtarinë nga ana politike, pra nga ideologjia, muzika ndahet në dy periudha, nga 1990 e poshtë dhe nga 1990 e deri më sot.  Deri në vitin 1990 në drejtim të muzikës kanë qenë disa aktivitete të rëndësime muzikore që zhvilloheshin në rang kombëtar, pavarësisht se, cili ishte sistemi i asaj kohe. Pra një nga eventet më të rëndësishme të saj kohe ka qenë Festivali i RTSH-së, Koncerti i Pranverës në RTSH, Dekadat e Majit, Estradat në çdo qytet të Republikës,  estradat  e grupeve amatore siç ka qenë “Migjeni”, Uzina Traktori, Kombinati i Tekstileve Stalin,  që bënin një jetë artistike  të shumtë, por që ka qenë dhe shumë e kontrolluar, pa liri veprimi dhe me kufizime në përshtatje me ideologjinë komuniste. Këto kontrolle po t’i shohësh sot nuk i beson, dhe të duket çdo gjë hipokrizi, por jetë artistike ka pasur, madje, shumë. Ashtu ishte ndërtuar ai sistem, ku ne si krijues kemi punuar në mënyrë sistematike, kemi krijuar dhe kishim shumë hapësira që këngët tona të bëheshin prezent në popull. Ne si  krijues jemi munduar që të bënim art, të bënim diçka që t’i pëlqente popullit, por problemi është se Shqipëria në atë kohë, i jepte rëndësi të madhe, artit, muzikës, baletit, teatrit, komedisë, estradave, sepse kishte qëllime të tjera.

 Cilat ishin këto qëllime dhe përse i jepej kaq rëndësi në monizëm artit?

 I jepej rëndësi sepse vetëm kështu mund të mbahej pushteti, pasi një art i kontrolluar përçonte ideologjinë e partisë në masat popullore. Në atë kohë nuk kishte dialog apo liri në krijim dhe në kritikë. Pra, krijohej në mënyrë të kontrolluar dhe kishte një prodhimtari të mjaftueshme që gjithkush ta gjente veten, por pa folur për liri në mënyrën e krijimit.

 Ju keni qenë shumë prodhimtar në atë periudhë. Përse?

Pasi atëherë nuk kishte këto mundësi punësimi të lirë. Unë çdo gjë e lidhja me muzikën, të ardhurat, mbajtjen e familjes, ngritjen e emrit, po dhe vetë puna si mësues muzike lidhej direkt me këtë profesion. Në kohën e lirë detyrimisht do të merresha me kompozim, pasi dhe aktivitetet e shumta ma jepnin hapësirën për konkurrim. Pra, ishin shumë aktivitete të mëdha që unë mundohesha të merrja pjesë rregullisht. Atëherë kishte një plejadë kompozitorësh të talentuar që zor se i vjen Shqipërisë sot. Agim Prodani, Flamur Shehu,  Agim Krajka, Kujtim Laro, Tish Daija, Ferdinand Deda, Enver Shëngjergji, Aleksandër Lalo, Avni Mula, etj., të  plejadës së parë dhe tani me Kaçinarin, Edmond Zhulalin,  Saraçin,  Balilin, pak më vonë se ne, përbëjnë një gjerdan kompozitorësh që koha për çdo ditë po i vlerëson çdo ditë dhe më shumë. Kur e dashuron këngën, kompozimin sigurisht që, do tentosh të bësh diçka të bukur. Kënga e muzikës së lehtë zgjat deri në 3 minuta, por për të bërë një këngë është shumë e vështirë.  Kënga është shpirti i kompozitorit, e cila çon mesazh të drejtpërdrejt tek spektatori i të gjitha moshave.

 Po sot flitet për shumë rryma këngësh, a e deformojnë ato folklorin tonë popullor, a i përmbahen ato këtij folklori?

 Sot ka shumë rryma, shumë këngëtarë, ku nuk ka një institucion që të vejë selektimin e këngëtarëve. Sot tentohet për të nxjerrë sa më shumë kaseta, CD, apo klipe, me lloj -lloj muzike. Ka një prurje të jashtëzakonshme, sikundër ka dhe një anomali të madhe në muzikë. Sot këndon kush të dojë, sa të dojë dhe nxjerr  CD sa herë të dojë mjafton që të gjetur sponsor. Nuk ka kufij në daljen në treg të muzikës. Në këtë amulli shumica i drejtohen muzikës me kompjuter, por duhet thënë është ndryshe të dëgjosh një instrument direkt dhe tjetër me kompjuter. Dallohet që larg ndryshimi midis këtyre dy tingujve.  Kompjuteri ka tjetër ngjyrë.  P.sh muzika e harqeve kur e dëgjon direkt apo live si quhet sot ka një tingull të mrekullueshëm, ndërsa kur këtë muzikë e dëgjon nga kompjuteri dallohet lehtë edhe nga një muzikant diletant pa diskutuar për profesionistë. Një orkestër live të mrekullon. Por unë them që kjo periudhë e muzikës shqiptare ku futet pa teklif tallavaja do të jetë kalimtare.  Çdo gjë do të shkojë në shtratin e vet.  Pra, në shumë këngë ka një kopjim të shëmtuar me të muzikës së huaj, madje edhe të teksteve që nuk përshtaten me shijet e shumë shqiptarëve. Se pëlqej tallavanë, por dua që këngëtarët e rinj që do jenë trashëgimtarë të këngës dhe të muzikës ta gjejnë veten brenda shtratit të duhur të muzikës së bukur shqiptare.

 Ku bëhet muzika e vërtetë?

Muzika e vërtetë, reale me të gjitha parametrat cilësorë, bëhet në skena, në festivale serioz, në koncerte seriozë dhe me muzikë live. Por edhe në dasma mund të bëhet muzikë e bukur, por brenda folklorit shqiptar. Dua ta theksoj se, folklori ynë është një mrekulli. Ne jemi i vetmi popull në Evropën Juglindore, që kemi një folklor të jashtëzakonshëm. Një pasuri  të jashtëzakonshme. Po të shkosh në veri folklori i tyre ka të veçantat e tyre, motive të larmishme dhe ka një specifik mënyra se si është një muzikë nga një fshat në një tjetër. Dallimi midis tyre përbën lajm në muzikë. Këto ndryshime qoftë dhe në një mënyrë të dredhurit të zërit janë shumë sinjifikative. Le të shkojmë më poshtë në Shqipërinë e mesme,  ka një folklor po kaq interesant. Motive të dallueshme. Pastaj po të shkojmë në jug…më thuaj një shtet në botë që ka polifoninë e Shqipërisë së Jugut. Bota është habitur me këtë lloj të kënduari, ku zërat përngjasojnë me instrumente. Kënga polifonike është një thesar që zoti ja ka falur vetëm shqiptarëve. Po ashtu dhe kënga dhe muzika çame. Prandaj u bëj thirrje të gjithë kompozitorëve të rinj, që ti kthejnë sytë sa më shumë nga folklori. Folku shqiptar ka motive sa të duash dhe nuk shteron sa të jetë jeta.

 Po në tërësi çfarë problemesh ka e gjithë muzika shqiptare?

 Probleme të tjera ka. Madje, do të thosha që dhe muzika klasike ka një mefshtësi sepse edhe mundësia e të ardhurave financiare është e pakët, por që opera apo orkestra e Liceut, orkestra Simfonike e RTSH, pavarësisht  se bëjnë një jetë artistike normale, por duhet të rrisnin cilësinë artistike dhe të gjejnë apo të venë në skenë sa më shumë vepra shqiptare. Ka një spostim të veprave shqiptare që nuk është e drejtë pasi ato krijojnë dhe historinë e popullit tonë, të krijuesve tanë. Kjo vjen nga pamundësia financiare, por duhet gjetur mekanizmi që të afrohen kompozitorë që shkruajnë vepra  simfonike, që shkruajnë opera etj..Duhet të afrohen krijuesit e mirëfilltë në institucionet që thamë. N.q.s bëhet një Festival në RTSH shikohet se ka një  dashakeqësi vetë përbrenda grupimit, një mosafrimitet për të thithur krijuesit me vlera.  Sot bëhet një marrëveshje midis kompozitorit dhe këngëtarit, ku këngëtarët përzgjedhin dhe  kanë dhe ankesa. Në regjimin komunist dorëzohej krijimtaria dhe këngëtarin e zgjidhnin profesionistët. Sot bëhet një përzgjedhje jo e drejtë. Aq më tepër që deri para 3 vjetëve bëhej festival me “Place Boyk”. Gjërat janë të ndara, këngëtari ka rolin e tij, autori i tekstit të tij, kompozitori të tij. Pra, ka shumë probleme teknike. Të gjitha këto janë krijuar se nuk janë bërë festivale live, direkte, të prekshme, këto e dëmtojnë shumë këngën. Sot nuk ka konkurse, festivale, estrada, koncerte, që të gjallojë kënga ashtu si duhet.

Edhe sot diskutohet shumë për Festivalin e 11-të. Ju keni qenë pjesëtar i këtij festivali. Çfarë ndodhi në këtë Festival?

Për Festivalin e 11-të, është shkruar shumë, janë dënuar, shumë është komentuar shumë. Madje, duket sikur është zhvilluar tani aq shumë gjurmë ka lënë në historinë e muzikës shqiptare. Unë mora pjesë në këtë festival me këngën “Dhoma 23” me tekst të Betim Muços dhe e ka kënduar Bashkim Pashollari. Kishte një zë të veçantë që për mua kishte një tingëllim si të Sherif Merdanit. Atëherë kënga këndohej në dy variante. Festivali i 11-të, solli një risi. Ishte i vetmi Festival, ku ne kishim një liri, nuk kishim atë përgjim apo ndrydhje si më parë. Po frynte një si erë e re demokracie. Ajo që dua të them, ky festival ka pasur këngët më të bukura se, të gjithë festivalet e tjerë. Ato këngë edhe sot thua tingëllojnë shumë profesionale, shumë perëndimore, por që e theksoj ato mbështeteshin tërësisht në folkun shqiptar. Dhe pse për atë kohë u quajtën tendencioze, me prirje revizioniste, për mendimin tim ishin tërësisht të mbështetura në folk. Ky festival u dënua më shumë nga mënyra e paraqitjes, e veshjes, mënyrës së prezantimit, mënyrës së ekzekutimit të instrumentistëve, se sa nga muzika. Kjo mënyrë prezantimi erdhi si “Bum”. Edhe mënyra e komunikimit në skenë kishte diçka ndryshe. U futën disa gjëra që na bënë më të lirshëm por dhe habiteshim se si na u dha kjo liri, kjo hapësirë menjëherë. Por në fund të fundit, ajo u dënua nga ideologjia e sistemit me qëllime të caktuara.

Besoj nuk i prisnit dënimet?

Jo. Askush s’e besonte s’e do dënoheshin. Në fillim nuk pati reagime. Sot askush s’e beson s’e përse na dënuan ne. Askush s’e beson se çfarë kishim bërë Mihallaq Luarasi që u fut në burg. Sherif Merdani u fut në burg, Nikolla Zoraqin e hoqën nga televizioni e çuan në Korçë.  Unë nga mësues muzike  në Tiranë më çuan mbrapa Dajtit, mësues, Françesk Radi u çua në Pukë,  Aleksandër Lalo shkoi në Kukës, etj.. Në njëfarë mënyre, të gjithë u dënuan në mënyrë të padrejtë, Këta që u dënuan ishin intelektualë me zë dhe mjaft të aftë. Por çudia më e madhe është se shumica e këtyre këngëve nuk u ruajtën. Tek – tuk dëgjojmë ndonjë këngë. Por ato festivale të asaj kohe gjëmonin nga kënga live. Pa këngë live, direkt, timbri i zërit humbet.

Po Festivali Europian si zhvillohet?

Po, live. Muzika është e inçizuar ndërsa këngëtari këndon live. Pra vokalet interpretohen direkt. Me kompjuter emocioni është i zbehur nuk transmeton asgjë.

Në sa festivale keni marrë pjesë?

Unë kam marrë pjesë në 37 festivale, pra një numër rekord. Kam marrë një  çmim të parë me këngën “Dashuria jonë” në vitin 1990 me këngëtare Anita Bitrin. Me anë të kësaj interviste po bëj dhe një homazh për të. Gjithsej, kam marrë 17 çmime, të dyta dhe të treta.

Po në Koncerti Pranverës a keni marrë ndonjë çmim?

Po. Kam marrë çmim të parë me një këngë të kënduar nga Aurela Gaçe.

Cili është vlerësimi më i mirë që ju është bërë?

Unë kam marrë tashmë titullin “Mjeshtër i Madh”, por dua të theksoj se një javë para se të zhvillohej Festivali i 45 i Këngës në RTSH, u bë një natë “Gala” në TOB, ku aty u vlerësuan kompozitorët dhe këngëtarët më të mirë shqiptarë në vite, të cilëve ju dha kupa me mbishkrimin “Kompozitorët më të shquar ndër vite” . Në këtë natë Gala këtë vlerësim e morën:  Agim Prodani, Flamur Shehu, Agim Krajka,  Kujtim Laro, Tish Daija ndërsa Ferdinand Deda e mori dhe si kompozitor dhe si dirigjent, pra një titull të dyfishtë

Me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar?

Me të gjithë këngëtarët  dhe këngëtaret më të mira. Ema Qazimi, Irma Libohova, Sherif  Merdani, Luan Zhegu, Kozma Dushi,  Ermira Babaliu, Anita Bitri,  Ingrid Jushi, Parashqevi Simaku,  Ledina Çelo, Aleksandër Gjoka, Myfarete Laze,  Manjola Nallbani,  Tonin Tërshana, Lindita Theodhori, Nertila Koka,  Zeliha Sina, etj…

Sa këngë keni krijuar?

Janë mbi 500 këngë, të kënduara në Festivale, Koncertet e Pranverës, në estrada, në koncertet e ndërmarrjeve, apo në grupet artistike të ndërmarrjeve.

Kam bërë dy albume me këngët e mia fituese në vite.

Koncertet e Pranverës dhe festivalet në RTSH janë ndër eventet më të bukura të këngës shqiptare, pavarësisht ideologjizmave, pasi këngët i krijonin artistët jo Partia.

Në sa festivale nuk keni marrë pjesë ?

Vetëm në dy, në ato festivale kur kam qenë anëtar jurie, pasi rregullorja nuk e lejon.