Sigal

(vijon nga numri i kaluar)

Pasi mbërrita ne Beograd, vizitën e pare ia bëra ambasadorit Putkamer në zyrën e tij. Për herë të pare në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-RF Gjermane bëhej një takim i tillë zyrtar. Më priti ngrohte. Pas shkëmbimit të fjalëve të zakonshme e falënderova që më priti menjëherë dhe zhvillova bisedën për çështjen për të cilën shkova. Iu referova bisedave tona në korrik-gusht 1977, propozimit të qeverisë gjermane për fillimin e bisedimeve të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të reparacioneve në kapitullin e sigurimeve shoqërore të memorandumit të qeverisë shqiptare për reparacionet paraqitur qeverisë gjermane më 18 qershor 1965. Nënvizova se tani jemi në gjendje t’i përgjigjemi pozitivisht propozimit të tij se qeveria shqiptare është dakord që këto bisedime të fillojnë menjëherë në Beograd. Putkamer tha se e kishte marrë me mend se ky do të ishte qëllimi i vizitës sime. Pastaj shtoi se sa kisha thënë unë (S.P.) ishte e vërtetë, por “bisedat dhe propozimi i qeverisë federale ishin bërë afro dy vjet më pare dhe pala juaj nuk iu përgjigj dhe tani unë, (Putkamer) nuk e di nëse, në këto kushte të reja, Boni qëndron në propozimin e tij të vjetër. Unë do ta njoftoj menjëherë qeverinë time (RFGJ), vazhdoi ambasadori, dhe do t’ju përgjigjem me të marrë udhëzime prej saj”. Pastaj Putkamer tha se, “përsa na përket neve, po të fillojnë bisedimet, ne do të sjellim 2-3 funksionare të MJP nga Boni, të cilët do te trajtojnë problemet konkretisht me palën tuaj”. Unë i thashë se kjo është normale për të dyja palët. Tani na mbetet të caktojmë datën e fillimit të bisedimeve. Do të njoftoj, reagoi menjëherë Putkamer. Shkëmbyem mendime edhe për probleme politike dhe ndër të tjera unë shpreha mendimin që këto bisedime kanë rëndësi të veçantë sepse do t’u hapin rrugën marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, kulturore etj., midis dy vendeve; Putkameri i pohoi këto mendime.

Njoftimi i Tiranës

Për këto çështje njoftova me radiogram Tiranën dhe prisja nga gjermanët një përgjigje të shpejtë. Por nuk ndodhi kështu. Kaluan disa javë pa reagim. Ndërsa ambasadorët e informuar të Beogradit tashmë kishin rënë ne gjurmët e bisedave të mia me Putkamerin. Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian bënin konsultime të përjavshme dhe shkëmbenin vendime për ngjarjet e rëndësishme të lidhura me Jugosllavinë dhe shtetet e tjera ballkanike. Një ndër to ishin edhe kontaktet zyrtare shqiptaro-gjermane në Beograd. Me pas kjo u bë e njohur për të gjithë. Një dite shoferi i ambasadës se RFGJ solli në ambasadën tonë një ftesë për mua dhe bashkëshorten që ma dërgonte ambasadori Putkamer me rastin e festës kombëtare, ku kishte ftuar gjithë protokollin e Beogradit, përfshirë trupin diplomatik. Ishte ftesa e parë për një ambasador shqiptar. Kjo ftesë tregonte të paktën se Gjermania Federale donte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe zgjidhjen e problemit të reparacioneve me anë të propozimeve të bëra nga Gjermania Federale. Pasi mora edhe miratimin e Tiranës shkova në pritjen gjermane, urova ambasadorin për festën kombëtare dhe shpreha keqardhjen që ai transferohej nga Beogradi pa mbushur as 4 vjet, sepse të dyja vendet tona kishin shumë punë për të bërë dhe e falënderova për këtë bashkëpunim. Këtë e bëra sepse pritja jepej dhe për largimin definitiv të ambasadorit Putkamer nga Beogradi. Siç mund të pritej prezenca ime në pritje tërhoqi vëmendjen e diplomatëve të huaj të Perëndimit. Nuk u shpëtoi ky rast, duke bërë edhe spekulime për marrëdhëniet Shqipëri-RF Gjermane. Gjatë bisedave që kisha me këtë rast në ambasadën gjermane i përmenda se tani Putkamer do të shkonte vetë në Bon, do ta shpejtonte datën e fillimit të bisedimeve dhe mund të më njoftonte me anë të të ngarkuarit me punë. Putkamer nuk ishte në formë, por evitoi të prekte çështjen e reparacioneve.

Ndërrimi i ambasadorëve

Pas largimit të Putkamer nga Beogradi u desh të kalonte kohë për të ardhur në krye të detyrës ambasadori i ri gjerman Graber. U njoha me të në pritje diplomatike dhe me këtë rast shpreha gëzimin që do të kisha të bëja me të në trajtimin e problemeve të marrëdhënieve midis dy vendeve. Do të bisedojmë se shpejti, tha ai. Graber ishte mik i ngushtë i Vili Brandit, njeri me personalitet dhe korrekt. E pyeta për Putkamerin dhe ai u kufizua të thoshte se ishte emëruar ambasador në Portugali, pa bërë asnjë vlerësim tjetër. Më bëri përshtypje kjo përgjigje lakonike megjithëse vinte nga një post më i lartë se Putkamer. Dhe me të vërtetë pasi u vendos mirë në funksionet e veta si ambasador Graberi më bëri vizitë në ambasadë. Që në fillim më bëri përshtypje se kishte marrë me vete një dosje shumë të madhe blu, të trashë mbi 10 cm, që mund të kishte të paktën 2800 fletë me akte, e lidhur nga të katër anët me rripa të bardhë. E pakta që mund të thuhet, një veprim i tillë ishte i pazakontë dhe dukej se shtirej nga qëllimi që me mjete figurative të bënte të besuar një qëllim të caktuar. Në fillim biseda ishte e ngrohtë dhe u përshkua nga respekti reciprok që karakterizonte marrëdhëniet tona personale deri në largimin tim nga Beogradi. Pastaj Graberi sa hyri në temën e reparacioneve, tha: “Nuk e di, por ato që ju ka thënë Putkameri nuk na rezultojnë në dosjet e ambasadës”, dhe shfletonte aktet e dosjes arkivale sikur i kishte mbetur një pjesë e saj pa e parë akoma. Unë i thashë se nuk më dukej normale. “Dosjet arkivale të ambasadës janë çështja juaj e brendshme”, vura unë në dukje. Është e vërtetë se që nga koha kur kemi biseduar me ambasadorin Putkamer afro dy vjet më parë, ka rrjedhur shumë ujë, sidomos përsa i përket vendit tonë dhe pra tani jemi në kushte politiko-strategjike krejt të ndryshme. I përmenda se pjesërisht ky problem është biseduar edhe në prezencë të ambasadorit të respektuar kontit suedez Levenhaupt, se takimet e mia me Putkamer janë bërë në rezidencat e ambasadorëve të Afganistanit, Irakut dhe Zvicrës, në ambasadën e RF të Gjermanisë në Beograd dhe pra asgjë nuk vë në dyshim as takimet, as përmbajtjen e tyre; në qoftë se ju keni ndryshuar qëndrim, kjo është e drejta juaj, por kjo nuk presupozon mohimin e bisedimeve të bëra në të kaluarën, theksova unë. Ambasadori Graber tha: “Më vjen keq që çështja u zhvillua në këtë mënyrë, por dua të them se gjithçka po vëmë në dukje ne i marrim përsipër vetë në personin e Von Putkamer, ndërsa për sa u përket atyre që keni thënë ju personalisht, për to ne ju besojmë plotësisht dhe nuk vëmë në dyshim asgjë. Dua të nënvizoj me nderin tim se asgjë nuk cenon saktësinë dhe ndershmërinë e palës shqiptare, por unë po e ritheksoj se kemi ngarkuar ambasadorin Putkamer me këto përgjegjësi”. Graber fliste duke fshirë në të njëjtën kohë djersët, që i shkonin çurg pse e ndjente veten në pozitë të vështirë. Në këtë bisedë u shkëmbyen argumente të ndryshme, por kurdoherë Graberi e merrte përsipër në ngarkim të palës gjermane çdo gjë që ndryshonte nga sa kish thënë Putkameri më parë. Në fund të bisedës së gjatë Graber tha se, megjithatë qeveria federale dëshiron të vazhdojë dialogun me qeverinë shqiptare për këto çështje në Beograd midis ambasadorëve të të dy vendeve, por që ky dialog të jetë i lirë me një metodë ndryshe nga Putkamer, duke synuar të mbrojë qeverinë e vet, në formën e kontakteve për shkëmbimin e mendimeve. Për ta konkretizuar sa më sipër, ai dorëzoi edhe një promemorie të shkurtër me propozimin për bisedime të tilla. Këto ishin disa çështje të bisedës me Graberin, për të cilën njoftova me hollësi Tiranën. Kuptohet se Von Putkamer nuk ishte një ambasador profan që mund të bënte gabime të kësaj natyre, përkundrazi, ai ishte mjaft i aftë, i matur, kompetent e korrekt. Në vitin 1979, kur Tirana mendonte se mund të përfitonte diçka nga RF Gjermane për të përballuar vështirësitë ekonomike, duke dashur të shfrytëzojë kushtet e vitit 1977, ishte tepër vonë, pëllumbi kishte fluturuar nga duart. Tani duhej ndryshuar si forma e iniciativës politike me ide të reja, ashtu edhe përmbajtja e saj, por këtë sfidë Tirana nuk e përballonte dot sepse nuk mund të shkëputej kollaj nga dogmatizmi, për pasojë qëndrimi ynë mbeti ekliktik, me i miri “i mundshëm”, por edhe efektiv.

Dështimi i bisedimeve

U takuam disa herë me ambasadorin Graber për çështjen e reparacioneve, marrëdhëniet tona ishin të mira e korrekte, por dukej qartë se gjermanët donin diçka te re, ide të reja, një iniciativë me përmbajtje origjinale, që padyshim kërkonte riadoptimin e politikës shqiptare ne kushtet e reja, të paktën në ato që kishin pranuar vendet e tjera të Europës Lindore. RF Gjermane e përkrahte politikën e pavarur të Shqipërisë sepse objektivisht ajo përputhej me interesat e Perëndimit, por në kushtet e politikës ndërkombëtare të Brezhnievit, asnjë garanci nuk kishte për perspektivën e Shqipërisë, aq më tepër po të mbahej parasysh Jalta. Pra, pa një iniciativë politike novatore nga udhëheqjes shqiptare nuk mund të hapej rruga e zgjidhjes se problemeve kardinale të Shqipërisë si ato të hapjes, të reparacioneve, të arit monetar, të kredive të financimit ekonomik, prandaj nuk lëviznin gjërat. Zgjidhjen “na e dha” ambasadori i Shqipërisë në Vjenë. Ky i fundit kishte informuar MPJ se kishte mik të ngushtë ambasadorin e RF Gjermane në Austri, që ishte përveç kësaj edhe “antifashist”. E kuptoj edhe dëshirën e ambasadorit tonë për ta trajtuar ai vetë çështjen. Në këtë kohë isha me shërbim në Tiranë. Më thirri ministri dhe pasi trajtuam disa çështje të marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, Kosovën dhe qëndrimin për zgjidhjen e problemit të arit monetar, më tha se për arsye se ambasadori gjerman në Vjenë duket i predispozuar për zgjidhjen e problemit të reparacioneve, këtë çështje do t’ia kalojmë ambasadës në Vjenë, ndërsa po të ma ngrinte Graberi mua problemin unë t’i them atij: “Meqë ambasadorët e të dy vendeve tona në Vjenë njihen mirë midis tyre dhe se kanë mundësi më të mëdha për zgjidhjen e problemit të reparacioneve, le t’u urojmë atyre suksese në këtë detyrë”. Natyrisht mund të kisha shumë për të thënë, por do të vlerësoheshin si herezi. Unë kisha tashmë rreth 5 vjet si ambasador në Beograd dhe mund të zëvendësohesha. Por të bëhej një ndryshim i tillë ndaj një fuqie të madhe dhe ndaj një personaliteti të shquar si Graber ndoshta duhej menduar ndryshe dhe më mirë. U ktheva në Beograd dhe pas afro dy javësh ambasada e RFGJ më njoftoi se ambasadori gjerman dëshironte të më bënte të nesërmen një vizitë. Si zakonisht njoftova MPJ, e cila më udhëzoi që Graberit t’ia thoja sa më kish porositur ministri në Tiranë. E prita Graberin dhe pas bisedës se mirëseardhjes e njoftova me saktësi sa më udhëzonte MPJ. Natyrisht e falënderova për bashkëpunimin e ngushtë si dhe për dëshirën dhe kontributin e qeverisë federale dhe të tijën personale për të çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve. Kur u largua, e përcolla ambasadorin deri tek porta e jashtme e ambasadës; vlerësova edhe një herë miqësinë, rolin e tij, theksova se nuk kemi asgjë për të, se kalimi ishte formal dhe bëhej për të ndjekur më mire çështjen. Pasi dëgjoi njoftimin tim Graberi u befasua shumë dhe u prek. Nuk foli shumë, por tha vetëm. “Ç’kujtoni ju, se qeveria federale ka dy politika, një për Beogradin, dhe tjetër për Vjenë, ta dini se politikën tonë e bën qeveria federale dhe jo ambasadorët”. Pastaj ai bëri vlerësime për marrëdhëniet si ambasadorë, që në fakt vazhduan të jenë të mira me këtë ambasador të shquar dhe mik personal të Vili Brandit. Fatkeqësisht bisedimet e Vjenës nuk shkuan gjatë dhe nuk dhanë rezultate.

Emërimi në Austri

Në fund të vitit 1973 u emërova ambasador i jashtëzakonshëm e fuqiplotë në Austri. Me kërkesën e qeverisë austriake e shpejtuam nisjen time për në Vjenë. Së bashku me bashkëshorten u nisëm nga Tirana me linjën hungareze në Budapest, prej ku do të vazhdonim rrugën me hekurudhë për të mbërritur ne Vjenë. Takimet e para i mora me drejtorin që kishte që kishte edhe Shqipërinë dhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme. Më ta shkëmbyem mendime rreth marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe të kulturës; austriakët theksuan edhe dëshirën e tyre për marrëdhëniet politike, por nga an jonë këto marrëdhënie injoroheshin përveç mentalitetit të përhershëm se qeveria jonë e mbështeste plotësisht Austrinë. Sekretari i përgjithshëm theksoi rolin politik të Austrisë si ndërmjetëse midis Perëndimit dhe Lindjes. Ata ofronin rolin e tyre për vendet e Lindjes dhe për t’u lidhur me vendet e Perëndimit, aq me tepër për Shqipërinë duke theksuar përkrahjen ndaj politikës shqiptare në raport me Serbinë dhe Kosovës dhe popullsisë shqiptare që banon në viset shqiptare. Lidhjet e Austrisë me Shqipërinë janë të vjetra. Karl Cega, inxhinieri i hekurudhave malore është i njohur në Europë. Marrëdhëniet kulturore gjithashtu janë tradicionale. Aktori i njohur që ka luajtur me mjeshtëri në Folk, Teatër i Vjenës, Aleksandër Moisiu është aktor i famshëm shqiptar, austriak dhe evropian. Nga ana ime unë fola për zhvillimin e Shqipërisë dhe mundësitë qe ekzistojnë për zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Theksova se Austria është vend turistik, por edhe Shqipëria ka të zhvilluar turizmin, sidomos atë detar dhe malor; në këto fusha ka mundësi të gjera, deti Adriatik dhe deti Jon japin mundësi të mëdha për Austrinë, uji është i ngrohtë dhe i pastër. Nga ana tjetër, Shqipëria është vend i pasur me arkeologji për periudhën p.e.s. dhe periudhën mesjetare. Austria ka qenë një vend mik, ku dërgoheshin njerëz me sëmundje të rënda dhe ku kanë gjetur kurim adekuat nën kujdesin e mjekëve si Felinger, Patajski, etj..